Gjeneron Mbi 3 Milionë Euro nga Toka Publike

Kryetari aktual i Suharekës, Blerim Kuçi, kishte fituar mbi një milion euro nga një kontratë ndërtimi me këtë komunë, që kjo e fundit mund të mos ketë pasur të drejtë ta lëshojë e që ishte kontestuar nga Auditori i Përgjithshëm. 

Sipas një raporti vlerësues të Kuvendit Komunal të Suharekës, të vitit 2002, del se “ndërtesa e kaltër” e ndërtuar nga kompania “Hidroterm” e Kuçit vlente, sipas çmimit të shitjes, gjithsej 1,478,855 euro. Nga të cilat 20 për qind ose 295,271 euro i takonin komunës. (Shih dokumentin)

Kompania “Hidroterm” dhe Blerim Kuçi nuk kanë pranuar të flasin për detajet e çmimeve të ndërtimit dhe shitjes së lokaleve e apartamenteve si dhe për kontratën me komunën. Por gazeta ka arritur të kuptojë se shumica e rreth 2,200 metrave katrorë të ndërtesës, përveç një lokali pronësia e të cilit mbahet nga ndërtuesi, tashmë janë shitur ose i janë kthyer komunës sipas kontratës. 

Po ashtu, toka ishte vendosur si hipotekë kur kompania dhe Kuçi kishin marrë rreth dy milionë euro kredi në bankat e vendit, gjatë vitit 2010 dhe 2011.

 

Raporti i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Suharekës 2006:

 

 

Kompania “Banesa” e kishte filluar ndërtimin

Më 1997, Kuvendi Komunal i Suharekës kishte nënshkruar marrëveshje me ndërmarrjen “Banesa/Stan” nga Prizreni për ndërtimin e themelit dhe katin e parë të objektit banesor, në qendër të qytetit.  

Ndërmarrja kishte vendosur themelet dhe kishte shprehur interesim në vitin 2001 tek kuvendi komunal i Suharekës që t’i vazhdojë punimet, mirëpo ky i fundit kishte tjetër disponim. Kontesti kishte përfunduar në gjykatë.

Zëdhënësi i Agjensionit Kosovar të Privatizimit (AKP), Ylli Kaloshi, thotë se në vitin 2001 fillimisht gjykata komunale e Suharekës kishte vendosur që komuna duhej të kompenzonte ndërmarrjen “Banesa” për punimet e saj në shumën prej 106,229.10 DM përkatësisht 54 mijë e 245 eurosh. Aktvendimi ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Qarkut në Prizren. 

“Pas kësaj, lidhet marrëveshja në mes të KK Suharekë dhe NSH’së (Banesa) për kompensimin e punëve të realizuara”, tregon Kaloshi.

Ish-drejtoresha e “Banesa”, Hysnie Hisari, i ka treguar gazetës se kjo ndërmarrje kishte marrë kompenzimin në fjalë siç kishte përcaktuar gjykata.

Tani kjo ndërmarrje shoqërore është privatizuar. 

Kontrata i kalon Kuçit. Ajo kontestohet 

Më 10 dhjetor 2001, kryetari i Suharekës Ukë Bytyqi, kishte nxjerrë një vendim me të cilin e kishte ndarë “në shfrytëzim të përhershëm dhe me kompensim tokën ndërtimore për ndërtimin e objektit banesor-afarist në parcelën kadastrale nr.2021 në sipërfaqe prej 023,61 hektarë, me fletën poseduese numër 409, pronë shoqërore e KK të Suharekës”. (Shih dokumentin)

Në bazë të ligjit, përkatësisht rregullores për vetëqeverisje lokale 2000/45, neni 44.2, komuna nuk ka të drejtë të lëshojë tokë në shfrytëzim për më shumë se dhjet vjet pa lejen e nivelit qendror.

Një javë më vonë, më 17 dhjetor 2001, Ukë Bytyqi në emër të komunës dhe Blerim Kuçi në emër të NPN “Hidroterm”, nënshkruan kontratën e ndërtimit e lidhur “sipas vullnetit të lirë të palëve kontraktuese dhe pas fitimit të tenderit nga ana e sipërmarrësit”. (Shih dokumentin)

Në kontratë thuhet se “është vendosur dhënia në shfrytëzim të përhershëm” e parcelës kadastrale nr.2021, pronë e komunës. Ajo shtrihet afër objektit komunal dhe sot njihet si objekti i “banesave të kaltra”. 

“Komuna e Suharekës duhet të zbatojë rregulloren 2000/45, përkatësisht nenin që thotë se komuna nuk guxon të japë pronën më shumë se dhjetë vjet pa miratimin e nivelit qendror” rekomandim i Auditorit Gjeneral 2007

Prej objektit të ndarë, komunës i ishin dhënë tri lokale (87.24, 17.68 dhe 28.61 metrash katrorë) dhe katër banesa prej 58.97 metra katrorë në katin e dytë, tretë, katërt dhe pestë. Në vitin 2005, “NPN Hidroterm” kishte paguar edhe një faturë prej 17 mijë e 241 e 10 eurosh për shkak se raporti i kuvendit komunal i vitit 2003 kishte vlerësuar se ndërmarrja i kishte dhënë komunës 69.09 metra katrorë më pak sesa marrëveshja iniciale prej 80 për qind për ndërmarrjen dhe 20 për qind për komunën.  

Mospërputhjet me ligjin në lidhje me lejen e shfrytëzimit të përhershëm lëshuar nga komuna e Suharekës ishin nënvizuar nga Auditori Gjeneral në një raport për vitin 2007, publikuar më 2008. Në këtë raport, kryetarit të atëhershëm komunal, Sali Asllani i ishte kërkuar që të zbatohet rregullorja 2000/45, përkatësisht neni që thotë se komuna nuk guxon të japë pronën më shumë se dhjetë vjet pa miratimin e nivelit qendror. 

Auditori Gjeneral, në një raport për ndërmarrjet publike për vitin 2006, kishte thënë edhe se në rastin e dhënies në shfrytëzim të tokës nga kuvendi komunal i Suharekës për “Hidrotermin” rast nuk ishin aplikuar procedurat e prokurimit për tenderë. Kontrata i ishte dhënë kompanisë vetëm gjashtë ditë pas shpalljes së tenderit. 

Ndërkohë komuna asnjëherë nuk e ka adresuar këtë problem e as nuk ka kërkuar mendim prej nivelit qendror. Zëdhënësja e Ministrisë së Administratës Publike, Birsen Shufta, thotë se në atë kohë përgjegjës ka qenë UNMIK’u, por se “menaxhmenti i lartë i Kuvendit Komunal të Suharekës është  përgjegjës për zbatimin e rekomandimeve të auditorit të përgjithshëm të Kosovës”.

Më 1 maj 2010, Blerim Kuçi u zgjodh kryetar i Suharekës, si përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), pas një fushate me moton “Kodi i Zhvillimit”. 

Kuçi, pronar i “Hidrotermit”, vazhdon ta mbrojë kontratën e ndërtimit dhe nuk e sheh atë si shkelje të rregulloreve. 

“Vendimi është marrë sipas ligjeve të asaj kohe. Pastaj, kjo formë është praktikuar në tërë Kosovën. Në Prizren ka shumë të tilla, e në Kosovë diku 200”, tha Kuçi.

 

 “Vendimi është marrë sipas ligjeve të asaj kohe. Pastaj, kjo formë është praktikuar në tërë Kosovën. Në Prizren ka shumë të tilla, e në Kosovë diku 200”, Blerim Kuçi.

Kuçit i është kërkuar të përmend me emër ndonjë kompani. Ai ka përmendur kompaninë “Global” në Prizren. 

Menaxheri i kësaj ndërmarrjeje, Sefer Rexhaj, ka pranuar se kompania ka në shfrytëzim 23 ari nga komuna e Prizrenit. Këtë sipërfaqe e kishte marrë në shfrytëzim në vitin 2004. Por aty, Gazeta Jeta në Kosovë, ka vërtetuar se lejen e kishte aprovuar ish-shefi i UNMIK’ut, Harri Holkeri. 

Blerim Kuçi është ish-ministër i Punëve të Brendshme nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në kohën e Kryeministrit Agim Çeku, dhe tani sekretar organizativ i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – që të dyja në opozitë në nivel qendror.

Ai nuk ka në plan të adresojë këtë çështje duke insistuar se është “përgjegjësi e institucioneve të atëhershme”. Kryetari i atëhershëm i Suharekës, Ukë Bytyqi, nuk jeton më. 

As kryetari i mëhershëm i komunës, Sali Asllanaj, i cili ishte kontaktuar nga Auditori i Përgjithshëm, nuk i kishte konsideruar rekomandimet.

“Ne i patëm parë rekomandimet, por nuk i kemi adresuar sepse investimet tashmë ishin bërë dhe nuk kemi mundur të bëjmë asgjë. Në atë vend janë ndërtuar objekte me material të rëndë dhe ne nuk kemi mundur t’i prishim investimet ndoshta milionëshe”, ka thënë Asllanaj për Gazetën JnK.

“Ne i patëm parë rekomandimet [e Auditorit Gjeneral], por nuk i kemi adresuar sepse investimet tashmë ishin bërë dhe nuk kemi mundur të bëjmë asgjë” Sali Asllanaj.

Kredia e padeklaruar

Kjo pronë në të cilën “Hidrotermi” figuron si shfrytëzues ndërsa njihet si shoqërore, është përdorë nga Blerim Kuçi edhe si hipotekë në tri raste kur ka marrë rreth 2 milionë euro kredi, më 2010 dhe 2011, në Raifaissen Bank. 

Sipas një dokumenti lëshuar Gazetës Jeta në Kosovë nga Zyra Kadastrale Rajonale në Suharekë, parcela kishte figuruar si hipotekë në një kredi prej 500 mijë eurosh lëshuar më 25 mars 2010 për 36 muaj dhe një tjetër prej 800 mijë eurosh lëshuar më 21 maj 2010 në afat të pacaktuar – në emër të kompanisë “Hidrotermi”.

Çertifikatë e Hipotekave të Banesave të Kaltërta:

E njëjta kishte ndodhur edhe në një tjetër kredi prej 642 mijë eurosh lëshuar më 29 qershor 2011 në afat prej 36 muajsh, por kësaj radhe në emër personal të Blerim Kuçit.

Këto detyrime financiare të kryetarit të kuvendit komunal të Suharekës nuk janë deklaruar në regjistrin për deklarimin e pasurisë tek Agjencia Kundër Korrupcion (AKK) për vitin 2011. Në këtë deklaratë ekziston një hapësirë ku kërkohet deklarim për detyrimet financiare ndaj personave fizikë dhe juridikë, por ato kutiza nuk figurojnë të mbushura. (Dokumentin)

Kryetari Kuçi nuk ka qenë në gjendje ta shpjegojë këtë për Gazetën Jeta në Kosovë.

Këto kredi linin hapësirë për pyetje në lidhje me atë se a mund të lihet hipotekë për kompaninë private prona publike, pastaj se sa ishte vlera e pronës pasi lokalet dhe banesat u ishin shitur individëve si dhe a ka të drejtë një person të marrë kredi personale duke vënë në hipotekë pronën e kompanisë.

Gazeta ka kërkuar përgjigje në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) dhe në bankën private “Raifaissen Bank”.

Zëdhënësi i BQK’së, Besnik Kada, ka thënë se, parimisht, banka për çdo ekspozim me rrezik kreditor ndaj një ose më shumë klientëve duhet të sigurojë kolateral-hipotekë (në pasuri të luajtshme ose paluajtshme) të mjaftueshme për arkëtimin e kredisë përmes kolateralit nëse kredimarrësi dështon të paguaj nga burimet primare të pagesës (të ardhurat personale, nga biznesi, familiare etj). 

“Apetitet për t’ju ekspozuar rreziqeve në nivele, limite të ndryshme përcaktohen nga vetë bankat, por që mbeten subjekt vlerësimi nga autoriteti rregullator – mbikëqyrës”, ka thënë Kada.

Ai është pyetur se a ka të drejtë një bankë të japë kredi nëse për hipotekë ka lënë një objekt i cili është në shfrytëzim. “Varet nëse hipoteklënësi ka të drejtën e pronësisë”, është përgjigjur ai.

Kada është pyetur edhe nëse një person fizik ka të drejtë të marrë kredi në emër të tij përderisa garanton me emrin e biznesit te tij. 

“Kredi-marrësi mund të garantojë me çdo burim të të hyrave. Esenciale për bankën është të sigurojë të drejtën në këtë/këto burime të të hyrave për sigurimin e borxhit”, ka thënë Kada.

Ndërkohë, në rastin e Blerim Kuçit, banesat që kishte ndërtuar “Hidroterm” ishin shitur. 

“Asnjë pasuri nuk mund të hipotekohet nëse nuk ekziston e drejta e pronësisë ose autorizimi nga pala në kontratë. Në rastin e përmendur me shit-blerje bartet e drejta e pronësisë”, ka thënë zëdhënësi Besnik Kada.

Raiffeisen Bank ka thënë se ajo operon në Kosovë si një bankë universale e cila ofron shërbime dhe produkte bankare për të gjitha kategoritë e klientëve – individë, mikrobiznese, biznese të vogla dhe të mesme si dhe korporata. 

“Shuma dhe afatet e kredisë që i ofron banka për të gjitha kategoritë e klientëve varen nga kapaciteti që klientët kanë për ta kthyer atë kredi”, ka thënë zëdhënësja Iliriana Tahiraj. “Ndërsa, ne nuk mund t’ju ofrojmë informacione që kanë të bëjnë me klientët për shkak të marrëveshjes së konfidencialitetit që ekziston në mes bankës dhe klientëve tanë”.

Konflikt me ligjin kundër konfliktit të interesit

Në deklaratën në AKK, Kuçi figuron edhe si pronar i NHP “Hidroterm” njëjtë sikur edhe në regjistrat e Agjensionit të Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK). 

Sipas ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit, “zyrtari pronar i aksioneve gjegjësisht pjesës së kapitalit, në vlerë mbi 20%, të kapitalit të ndërmarrjes gjatë kohës së ushtrimit të funksionit duhet t’i bartë të drejtat në drejtimin e ndërmarrjes në ndonjë person tjetër (në tekstin në vijim personi i besuar), por jo në personat nga neni 6 i këtij ligji”.

Aktualisht përfaqësues i “Hidrotermit” në faqen zyrtare të Agjencisë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) figuron Besim Kuçi, vëllai i Blerimit. 

Neni gjashtë i të njëjtit ligj thotë se “person i afërt me zyrtarin, sipas këtij ligji është bashkëshorti ose personi që bashkëjeton me zyrtarin, të afërmit në vijë të drejt të gjakut pa kufizim, adoptuesi, i adoptuari, të afërmit në vijë të tërthortë deri në shkallë të katërt, në gjini të krushqisë deri në shkallën e dytë si dhe personat e tjerë për të cilët sipas bazave dhe rrethanave tjera konsiderohet se i lidhë interesi me zyrtarin”.

I ngritur më 1998, NHP ‘Hidroterm” ka një kapital që peshon mbi 700 mijë euro.