Bordet- Vonesa e Qeverisë Nxit Dyshime

Qeveria e Isa Mustafës ende nuk ka bërë emërimin e drejtorëve të rinj në bordet e ndërmarrjeve publike.

Datën 18 shkurt e kishte përcaktuar si ditën e fundit për aplikim për drejtorë në bordet e 15 ndërmarrjeve publike. Konkursi ishte hapur më 19 janar të këtij viti.

Por kanë kaluar më shumë se tre muaj që nga data e fundit për aplikim dhe Qeveria ende nuk nuk ka emëruar anëtarët e rinj të bordeve.

Zyra e Kryeministrit e ka përgjegjësinë që të emërojë komisionet rekomanduese që intervistojnë kandidatët për borde të NP-ve.

Rekomandimet e komisioneve i dërgohen kabinetit qeveritarë për miratim.

Fitim Krasniqi, sekretar i Zyrës së Kryeministrit, nëpërmjet një përgjigje me shkrim tha për Gazetën Jeta në Kosovë se gjatë tre muajve janë bërë të gjitha përgatitjet teknike dhe janë shpërndarë materialet e nevojshme tek antarët e komisioneve rekomanduese.

Por ai nuk dha përgjigje se pse procesi u vonua për më shumë se tre muaj.

Aktualisht komisionet, sipas ZKM-së, janë duke shqyrtuar dhe pas intervistimit të kandidatëve do t’i rekomandohen për emërim Qeverisë së Kosovës.

Krasniqi konfirmoi se numri total i kandidatëve është 1 mijë e 814.

Më së shumti kanë aplikuar për bordin e ndërmarrjës Ibër-Lepenc.  225 veta synojnë pozitën e drejtorit në këtë ndërmarrje.

Kjo ndërmarrje pasohet nga Trainkos, Infrakos , KOSTT , Posta e Kosovës e Ujësjellësi Rajonal Prishtina dhe Kompania për Menaxhimin e Deponive.

Më pak të kërkuara janë Aeroporti i Gjakovës, Hidrodrini, Hidroregjioni Jugor, Ujësjellësi i Mitrovicës, Hidromorava, Radoniqi, Drini i Bardhë dhe Radoniqi-Dukagjini.

Mandatet e bordeve aktuale të këtyre ndërmarrje kanë skaduar para katër vitesh.

Por atyre qëndrimin në këto pozita ia mundësoi një vendim i ish-kryeministrit Hashim Thaçi i marrë më 21 dhjetor të vitit 2011.

Vendimi i atëhershëm obligonte Ministrinë e Zhvillimit Ekonomikë që të vazhdonte mandatet e anëtarëve aktual të bordeve deri në zgjedhjën e anëtarëve të rinj.

Ramadan Sejdiu, drejtor i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike që operon në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, tregoi se prej vitit 2011 e deri më tash vetëm Qeveria emëroi vetëm dy borde të reja.

“Në pjesën e fundit të  vitit 2013 janë zgjedhur dy  Borde të reja të Drejtoreve në Ndermarrje Publike- KEK dhe PTK”, tha Sejdiu.

 
Dyshimet e ngritura

Ibrahim Rexhepi, ekspert i ekonomisë, nuk pret që premtimi për depolitizimin e bordeve në ndërmarrje publike do të realizohet nga qeverisja Mustafa.

Ai kritikon qeveritarët për zvarritjet në procesin e zgjedhjes së drejtorëve të bordeve.

“Kam përshtypjen se zvarritjet e tashme po ndodhin për shkak të mungeses së marrëveshjes ndërmjet partnereve të koalicionit qeverisës për “ndarjen e karrigieve” nëpër këto borde”, thotë Rexhepi.

Ai shton se kjo çasje e qeveritarëve tregon se është e kotë shpresa për depolitizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike.

“Partitë e koalicionit janë të interesuara të gjejnë vende pune për argatet e vet. Por njekohesisht edhe të kene kontrollë në sektorë të caktuara të ekonomisë dhe tregut”, thotë Rexhepi.

Ai kritikon për neglizhencë edhe qeverisjën e kaluar që drejtohej nga ish-kryeministri Thaçi.

Qeverisja e kaluar nuk zgjodhi anëtarët e rinj të bordeve për tri vite rresht.

“Zgjatja ka ndodhur për shkak të bllokimit të punes së institucioneve por edhe neglizhencës së qeverisë së kaluar që me kohë të kryej këtë punë. Mirëpo, as qeveria e tashme nuk është dashur ta zvarrite këtë problem. Posaçërisht kur kemi parasysh se për mungesë të disa bordeve, është bllokuar funksionimi i disa segmenteve ekonomike”, vlerëson Rexhepi.

Ndërkohë Agron Demi, drejues i GAP-it, thotë se sinjalet që kanë dërguar deri më tani dy partnered e koalicionit-PDK dhe LDK- nuk japin shpresë se do të përzgjedhën njerëz profesional dhe jo partiakë.

“Bordet e NP-ve  janë parë dhe po shihen nga partite politike si mundësi të punësimit të anëtarësisë së tyre nga partite”, thotë Demi.

Ai thotë se Qeveria duhet të përzgjedh një professional dhe jo partiak nëpër borde në mënyrë që ndërmarrjet të operojnë sukseshëm.

“Duke marrë parasysh gjendjen në NP, përformancen e tyre jo të mirë, humbjet e mëdha, mungesen e investimeve, etj., Qeveria duhet të përzgjedh anëtar profesional të cilët shërbejnë në borde të NP-ve, të cilët do të udhëheqin këto ndërmarrje drejt përformances më të mirë dhe sherbimeve më të mira publike”, shton Demi.

Ndërkohë edhe para katër vitesh ishte bërë përpjekja e njejtë për të zgjedhur anëtarët e rinj në borde të ndërmarrjeve publike.

Konkursi ishte hapur por ishte vendimi i Thaçit që ia vazhdoi mandatin drejtorëve aktuale në kohë të pacaktuar.

Gazeta Jeta në Kosovë më 5 dhjetor të vitit 2011 publikoi hulumitimin që tregon për beneficionet dhe përkatësitë politike të anëtarëve të bordeve bordeve të ndërmarrjeve publike.

Po ashtu më 10 shtator të vitit 2014 Gazeta Jeta në Kosovë publikoi hulumtimin që tregonte se si  mbi 3.6 milionë euro janë shpenzuar për rroga, kompensime e bonuse për bordet e drejtorëve në ndërmarrjet publike të vendit gjatë viteve 2009-2012, përkundër operimit me humbje.