Prokuroria Heton Tenderin Milionësh të KOSTT-it

Prokuroria Speciale ka zbarkuar në ndërmarrjen publike të operimit dhe transmisionit të energjisë elektrike –KOSTT për të hetuar pretendimet për favorizime e shkelje ligjore në një tender të rëndësishëm.

KOSTT-i ka nisur më 2012 projektin e instalimit të grupeve matëse ne kufirin mes KOSTT-it, Korporatës Energjetike dhe OSSh-së që është korporata publike e shpërndarjes së energjisë në Shqipërisë.

Prej 2012-ës e deri në shtator të vitit 2014 ky tender është anuluar katër herë dhe është përcjellë me akuza për parregullsi.

Dy tenderë janë anuluar me arsyetim e KOSTT se ka pasur më pak se dy oferta të përgjegjshme, i treti është anuluar me kërkesë të Agjencisë Kundër Korrupsion ndërsa herën e katërt është anuluar me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

KOSTT-i së fundi më 22 shtator të vitit 2014 shpalli fitues konzorciumin NP “Monten& G3 Inxhinjering” përfaqësues i së cilës është Nexhmi Kastrati. Kjo kompani ofertoi me 2 milionë e 327 mijë euro për kryerjen e kësaj pune.

Ndërsa më 4 nëntor 2014 është nënshkruar kontrata mes KOSTT-it dhe këtij konzorciumi.

“Në këtë rast kanë filluar hetimet në Prokurorinë Speciale. Hetimet kanë filluar tash vonë, sepse nuk ka qenë rasti i kompletuar. Unë për javën e ardhshme vetëm i kam caktuar procedurat për marrje në pyetje të dëshmitarëve dhe tëshikojmë më vonë se si po zhvillohet rasti”, tha prokurori Gecaj të mërkurën e javës së kaluar.

Prokurori nuk dha më shumë detaje se ndaj sa personave janë duke u zhvilluar hetimet, ngaqë sipas tij ende janë në fazën e parë të hetimeve.

Historia e problemit të tenderit të KOSTT-it

Problemet e tenderit “Instalimi i Grupeve Matëse në kufirin në mes të KOSTT/KEK/OSSh” kanë filluar nga nëntori i vitit 2012.

Fillimisht KOSTT-i kishte anuluar dy herë tenderin me arsyetimin se nuk kishin oferta kualitative dhe të përgjegjshme.

Herën e tretë anulimi ishte bërë në mars të vitit 2014 pasi që Agjencia Kundër Korrupsion konkludoi se  KOSTT nuk e kishte këtë tenderë në planin vjetor të prokurimeve të planifikuara si dhe kërkesat në dosjen e tenderit ishin në shpërputhje me procedurat e prokurimit publik.

Ndërkaq mbetet problematik anulimi që është bërë në herën e katër nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.
KOSTT më 10 qershor 2014  kishte shpallur fitues konzorciumin ku bënte pjesë kompania “Electra”.

Ndaj këtij vendimi kishte parashtruar ankesë konzorciumi i përbërë nga  Monten dhe G3 Inxhinjering.

Organi Shqyrtues i Prokurimit pas kësaj ankese kishte vendosur që të anulojë vendimin e KOSTT-it dhe të kthejë tenderin në rivlerësim.

Paneli i OShP-së konkludoi se nuk ka dëshmi që kompania fituese ishte diler i autorizuar i një kompanie ndërkombëtare ashtu siç kishte paraqitur kur kishte konkurruar në tender.

Të pakënaqurit me vendimin e OShP-së kishin denoncuar rastin në platformën KALLXO.com.

Më 16 tetor të vitit 2014 emisioni Jeta në Kosovë kishte debatuar lidhur me këtë tender.

Abdulsatar Ibrahimi, drejtor i prokurimit në KOSTT, duke e thirrur në vendimin e OShP-së pati thënë se kishte pasur arsye të forta për anulimin e këtij tenderi.

Ndërsa Lutfi Gashi, përfaqësues i kompanisë“Electra” pati deklaruar se padrejtësitë ndaj tij janë bërë në mënyrë zinxhirore.

“E padrejta fillon nga eksperti shqyrtues në OShP dhe vetë paneli shqyrtues, kthimi në rivlerësim të lëndës mandej mendoj se këtu sfidohet apo futet në lojë edhe Autoriteti Kontraktues”,  pati thënë Gashi.

Ndërsa Hysni Hoxha nga OShP-ja pati thënë se ky operator nuk ka qenë i njoftuar për thashethemet nga skenat dhe prapaskenat e këtij tenderi.

 “OShP-ja nuk është aq trime, aq e paditur, aq injorante që të nxjerr një  vendim që është publik dhe të jetë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik”, pati thënë Hoxha pas akuzave të përfaqësuesit të kompanisë “Electra”,  LutfiGashi.

Më shumë lidhur me debatin e zhvilluar mes tyre mund të informoheni në këtë link

http://gazetajnk.com/?cid=1,987,9277

Rrejti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese -BIRN dhe Interneës Kosova nëpërmjet Zyrës Ligjore më 20 tetor 2014 i është drejtuar me shkresë zyrtare Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit.

“Ne ju lusim që konmform autorizimeve tuaja të ndërmerrni veprimet e nevojshme në lidhje me këtë rast”, thuhet në shkresën e Zyrës Ligjore të BIRN-it dhe Interneës Kosova drejtuar Prokurorisë Speciale.

Lidhja e kontratës

Pas vendimit për rivlerësim të tenderit, OShP-ja lëshoj një urdhëresë për autoritetin kontraktues KOSTT për zbatimin e vendimit.

Më datë 2 shtator përmes një parashtrese, konzorciumi “Monten& G3 Ixhinjering” njoftoiOShP-në se AKK-KOST nuk e ka zbatuar vendimit e 4 gushtit për rivlerësim të tenderit.]

Kompania “Monten& G3 Ixhinjering” ka njoftuar OShP-në  se anulimi i kontratës është bërë një muaj pas vendimit të këtij organi si dhe ka kërkuar t’i vazhdohet validiteti i tenderit.

KOSTT- i pas urdhëresës së OShP-së, ka vendosur që pas rivlerësimit të shpallë fitues konzorciumine përbërë nga kompanitë Monten dhe G3 Inginering.

Më 22 shtator kjo ndërmarrje publike shpalli fitues konzorciumin NP Monten& G3 Inxhinjering dhe nënshkroi kontratën me të më 4 nëntor të vitit të kaluar.

Pikërisht një muaj më vonë, më 4 dhjetor AKK-ja protokolloi opinionin e saj që ishte kundër vendimit të KOSTT-it dhe kërkoi anulimin e tenderit.

KOSTT i tha Gazetës Jeta në Kosovë se kërkesa e AKK-sëështë dorëzuar me vonesë dhe ka ardhur pas nënshkrimit e kontratës.

Kërkesa e AKK-së , sipas KOSTT-it, nuk mund të respektohet pasi që është edhe OShP-ja ajo që ka vendosur që kontrata mund të nënshkruhet.

“Gjatë bashkëpunimit me AKK-në, KOSTT-i gjithmonë ka respektuar dhe i ka zbatuar opinionet e lëshuara nga AKK-ja. Por, duke pasur parasysh se OShP-ja ka kompetenca, autoritet, pushtet dhe përgjegjësi, në kuadër të kushteve të saktësuara në këtë pjese që të lëshojë një urdhër i cili e shndërron një kontratë të konkluduar dhe nënshkruar në efektive”, thuhet në përgjigjen e KOSST-it.

Ndërkohë AKK-ja në opinionin e saj konkludonte se fituesit të tenderit i mungonin dëshmitë për punë të ngjashme të realizuara që nga viti 2010.

Hasan Preteni, drejtor i AKK-së, nuk deshi të komentojë detajet e këtij rasti kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë.

“E nderuar, rasti është në prokurori,çdo informate tjetër do te bie ndesh me misionin e Agjencisë”, tha Preteni.

Oferta e konzorciumit G3 Enginering dhe Monten në këtë tender është 2 milionë e 327 mijë euro.
Bazuar në Njoftimin për Dhënie Kontrate të shpallur nga KOSTT-i në nëntor të vitit të kaluar, ky konzorcium kishte ofruar çmimin më të ulët të përgjegjshëm në tender.

Përfaqësuesit e këtij konzorciumi në seancat e thirrura në OShP kanë pretenduar në vazhdimësi se ishte “Electra” që nuk i plotëson dhe se  konzorciumi i tyre i plotësonte kushtet për të fituar tenderin.

Ndërkohë Nexhmi Kastrati përfaqësuesi i këtij konzorciumi, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë nuk deshi të komentojë lidhur me hetimet e prokurorisë speciale.

“Kurgjo hiq… unë jam kompani që kam nevojë me marr punë dhe kurgjo nuk di. Merrnu me ato gjëra ju, unë nuk kam nevojë . Tu kisha lut mos më thirrni më për këtë punë”, tha Kastrati.

Ndërsa Lutfi Gashi, përfaqësues i kompanisë Electra, tha se është në dijeni për fillimin e hetimeve nga prokuroria speciale. “Sot më ka thirr prokurori dhe e kam dhënë deklaratën te prokurori si dëshmitar. Unë çka kam pas mundësi kam bërë, e kam bërë denoncimin, i kam ofruar faktet dhe dokumentacionin”, tha Gashi.

Prokurori Haki Gecaj nuk ka dashur te deklarohet nëse Gashi është në cilësinë e dëshmitarit apo të të dyshuarit.