Urdhri i Inspektoratit Lë KEK-un pa Kryeauditor

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka mbetur tash e më shumë se një vit pa zyrtar të lartë të auditimit, një prej pozitave më të rëndësishme në këtë ndërmarrje publike.

Zyrtari i lartë i auditimit ka rolin e kryeauditorit pasi që udhëheq Zyrën e Auditimit të Brendshëm në KEK. Ai zgjidhet nga Bordi Drejtues i ndërmarrjes, të cilit i raporton.

Kjo pozitë është prej më të rëndësishmëve në ndërmarrje, krahas pozitës së sekretarit të korporatës dhe kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut.

KEK-u tek në konkursin e tretë përzgjodhi Mentor Hysenin më 30 tetor të vitit 2014, por u detyrua ta anulojë vendimin pas një urdhri të dhënë nga Inspektorati i Punës që operon në kuadër të Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale.

Anulimi u bë tre muaj e gjysmë më pas, më 12 shkurt të vitit 2015.

Edhe dy konkurset e para ishin anuluar.

Ndërmarrja për herë të parë kishte hapur konkursin më 10 dhjetor të vitit 2013, por ai ishte anuluar me arsyetimin se asnjëri prej kandidatëve nuk plotësonin kriteret. Ishte shpallur sërish më 7 shkurt të vitit 2014, por ishte anuluar me arsyetimin e KEK-ut se kandidati që kishte pasur më së shumti pikë nuk kishte certifikatë kredibile të auditimit.

Ndërkohë në konkursin e tretë është aktivizuar edhe Inspektorati i Punës pas ankesave të dy kandidatëve që pretendojnë se KEK-u mori vendim të padrejtë.

Inspektorati konkludoi se zgjedhja e Hysenit u përshkua me parregullsi dhe në kundërshtim me procedurat e punës. Testimi i kandidatëve ishte bërë vetëm me gojë, e jo edhe me shkrim dhe kjo, sipas Inspektoratit, përbënte shkelje të procedurave të punësimit.

Por me këtë konkludim nuk pajtohet Hyseni, një ish-punonjës i KEK-ut që kaloi në KEDS pas privatizimit të distribucionit.

“Normal që unë nuk e pranoj, do të ushtroj ankesë, Inspektorati nuk e ka bërë punën si duhet,” thotë ai.
Sipas ligjit, Hyseni ka të drejtë të apelojë vendimin e Inspektoratit duke nisur procedurë të rregullt para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Por Inspektorati ngul  këmbë se mori vendim të drejtë që anuloi përzgjedhjen e Hysenit në pozitën e lartë në KEK.

Basri Ibrahimi, kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, deklaroi për Gazetën Jeta në Kosovë se ata e kanë marrë këtë vendim në përputhje me dispozitat ligjore që ata i kanë.

Sipas tij vendimi pasues i KEK-ut dëshmon se Inspektorati mori vendim të drejtë.
 “Ne e kemi dhënë vendimin dhe një vendim të tillë e ka zbatuar KEK-u, ata kanë hapur konkurs papë  për këtë pozitë”, tha Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit vendimi i KEK-ut për të mos aplikuar testin me shkrim është në shpërputhje me praktikat e procedurave të punësimit.

Megjithatë, zyrtarët e KEK-ut që respektuan urdhrin e Inspektoratin të Punës, ngjashëm si Hyseni vlerësojnë se iu bë padrejtësi nga kjo trupë qeveritare.

Edmond Nuleshi,  drejtor i shërbimeve në KEK,  tha për Gazetën Jeta në Kosovë se përzgjedhja e Hysenit ishte bërë konform Ligjit për Ndërmarrjet Publike, pasi që ky ligj është i zbatueshëm për përzgjedhjen e pozitave të larta në KEK.

 “Duke marrë parasysh këtë, vendimi kontestues i Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës është në procedurë të shqyrtimit te ankimimit dhe e gjithë kjo çështje tani është subjekt i organeve të drejtësisë,” tha Nulleshi,

Nulleshi tha se ata do t’i drejtohen gjykatës përkatëse në lidhje me vendimin e tillë.

Ai nuk deshi të komentojë se pse KEK-u e respektoi një vendim për të cilin vlerëson se nuk ishte i drejtë.

KEK-u këmbëngul se vendimi për përzgjedhjen e Hysenit ishte i drejtë pasi që ishte bërë në konsultim me Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike që operon në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Po ashtu edhe Ramadan Sjediu nga Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në kuadër të MZhE-së, mendon se Bordi i Drejtorëve të KEK-ut nuk ka bërë shkelje ligjore në lidhje me punësimin e Mentor Hysenit.

“Ashtu siç e përcakton Ligji për Ndërmarrjet Publike, Komisioni i Auditimit nga Bordi i Drejtorëve të KEK-ut ka bërë përzgjedhjen e Zyrtarit te Auditimit të Brendshëm (ZAB), duke kryer një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese ku përzgjedhja është bërë në bazë të meritës,” tha Sejdiu.

Sipas Sejdiut, Hyseni është njeriu adekuat për këtë pozitë, pasi që ai i posedon të gjitha kualifikimet e nevojshme.

Sejdiu tha se  kualifikimet e kërkuara i përcakton neni 13 i Ligjit Nr. 04/L- 111 që e sqaron se auditori i brendshëm duhet të jetë person ekspert i certifikuar në  kontabilitet.

“Jemi njoftuar nga KEK-u se auditori i përzgjedhur është kontabilist dhe auditor i certifikuar”, tha Sejdiu.

Ankohen kandidatët të cilët nuk u pranuan
 
Komisioni vlerësues ishte përbërë nga Burim Leci, kryetar i bordit në KEK, Pranvera Dobruna-Kryeziu, anëtare e bordit dhe Ranko Makiq, anëtar i bordit.

Hyseni ishte vlerësues me 87 pikë duke lënë mbrapa Ismet Vrapqanin me 75 pikë si dhe Nagip Krasniqin e Ndue Nikajn me 74 pikë.

Kandidatët tjerë në këtë konkurs u vlerësuan me 68 pikë.

Pas këtij vlerësimi, KEK-u, kishte lëshuar vendim që Hyseni të fillonte punën me 30 shtator,të vitit 2014.

Vetëm dy prej kandidatëve që nuk u përzgjodhën u ankuan në Inspektoratin e Punës.

Bekim Hertica, punëtor në Zyrën e Auditorit të Brendshëm në KEK, ka aplikuar për të tretën herë për pozitën zyrtar i brendshëm i auditimit, por ai asnjëherë nuk arriti në listën e ngushtë.

Hertica  thotë se ai i plotësoi të gjitha kushtet ligjore dhe profesionale për të aplikuar në këtë konkurs dhe se mendon se ishte mjaft i përgatitur që ta kryente këtë punë.

“Sipas konkursit, personi që duhet të punësohet në pozitën e zyrtarit të audimit të brendshëm, duhet të  jetë edhe kontabilistë i certifikuar, dhe unë këtë kusht ligjor e kam plotësuar, pasi që  jam kontabilist i certifikuar pranë Shoqatës së  Kontabilistëve të Certifikuar të Kosovës,” tha Hertica.

Ai gjatë intervistimit me gojë kishte arritur vetëm 68 pikë.

Ndërkaq Vrapqani, në bazë të dokumenteve që siguroi Gazeta Jeta në Kosovë, ishte kandidati i dytë mbas Hysenit me 75 pikë.

Vrapqani tha se nuk dëshiron që të komentojë në lidhje me këtë konkurs për gazetën, pasi që ai do të konkurrojë prapë në këtë pozitë, por ai tha se shkeljet ligjore ishin të mëdha, të cilat i bëri Bordi i Drejtorëve.

“Nuk dua të flas, shkelje ka, edhe të mëdha bile nga ta (nga Bordi i Drejtorëve), por nuk dua të bisedoj tani për to,” tha Vrapqani.

E Hedrtica tha se ai do të konkurrojë prapë në këtë pozitë, por ai do të kërkojë që të mos jetë komisioni i njëjtë në vlerësim.

“Ky komision që një vit po mundohet ta zgjedhë një zyrtar auditimi dhe nuk mundet, plus u vërtetua nga Inspektorati se ka bërë shkelje ligjore, unë nuk dua që ata të më vlerësojnë prapë,” deklaroi Hertica.