Paratë nga Parkingu Publik në Xhepat e Privatit

Nga ajo kohë, kjo zonë shërben për parking të veturave të këtij blloku por edhe si parking privat nga Nijazi Kusari, një banor i kësaj ndërtese, i cili merr nga 1 euro për çdo veturë të parkuar duke mos dhënë asnjë llogari për destinimin e tyre.

Një qytetar i Gjakovës kishte raportuar në KALLXO.com se Kusari po e shfrytëzon këtë hapësirë komunale kundërligjshëm duke mos i paguar asnjë taksë komunës për shfrytëzim të pronës së saj.

Drejtori i shërbimeve komunale në Gjakovë, Burim Meqa, thotë se zona në fjalë është pronë komunale dhe është vend i përshtatshëm për parking të veturave.

“(Nijazi Kusari) asnjëherë nuk ka bërë kërkesë për shfrytëzim, dhe këtë është duke e përdorur në mënyrë ilegale, por komuna së shpejti do të dalë me një projekt të ri për atë zonë që do të shfrytëzohet ekskluzivisht për parking”, tha Meqa.

Ai shprehet se komuna së shpejti do ta marrë këtë hapësirë në menaxhim.

Nijazi Kusari, i cili është shfrytëzuesi aktual i hapësirës, nuk deshi të prononcohej para kamerës, por tha se pronën është duke e menaxhuar “në mirëkuptim me banorët”.

Ai madje tha të jetë i autorizuar nga vetë banorët e ndërtesës për ta bërë këtë për shkak të tollovisë të  madhe që, sipas tij, krijohet nga automjetet e huaja që parkohen në oborrin e ndërtesës nga të cilat bllokohen hyrjet e ndërtesave.

“Për këtë më kanë caktuar mua që të kujdesem dhe kur të ketë hapësirë të lirë ta përdor për parkimin e automjeteve të huaja pjesërisht”, tha Kusari në një përgjigje përmes postës elektronike.

Hanan Abrashi banor i kësaj lagjeje dhe banues në i ndërtesës afër parkingut theksoi që kjo është bërë me pëlqimin e të gjithëve”.

Abrashi thotë se Kusari ka nënshkrimet e banorëve që kanë pranuar që ai ta mbajë rendin e parkingut, pastërtinë e oborrit dhe të sigurojë 40 vende për parking sa është e nevojshme për banorët”.