KOSTT Paguan 400 Mijë Euro Më Shumë Për Një Tender

Emisioni Jeta në Kosovë pas informatave të raportuara në KALLXO.com organizoi debat me Abdulsatar Ibrahimin, drejtor i Prokurimit në KOSTT, Hysni Hoxha kryetar i Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) dhe Lutfi Gashi përfaqësues i Electra-s .

Abdulsatar Ibrahimi gjatë emisionit tha se tenderi ka qenë shumë kompleks dhe se KOSTT ka kërkuar kualitet të ofertave. Sipas tij, kjo ka munguar dy herë radhazi.

“Ky kualitet ka qenë vetëm herën e tretë, duke qenë se ofertat e operatorëve herën e fundit ishin të një niveli më të lartë dhe me teknologjinë më të fundit “, tha ai.

KOSTT në qershor të këtij viti shpalli fitues konsorciumin Caraglio & Electra që ofroi një çmim prej 1 milionë e 911 mijë euro.

Por pas një ankese të kompanisë Monten & G3 Engeniering në Organin Shqyrtues të Prokurimit , kjo e fundit gjeti shkelje dhe vendosi që KOSTT ta kthejë tenderin në rivlerësim.

Lutfi Gashi, përfaqësues i Electra-s, tha se kompanisë së tij iu bë e padrejtë, pasi që  OSHP caktoi si ekspert teknik Ardian Hasanin, i cili ka qenë i punësuar më herët në Monten.

 

Gashi thotë se nuk u mor parasysh kur e dha këtë informatë në seancën kryesore të OSHP-së, në të cilën nuk qe i pranishëm eksperti teknik Ardian Hasani.

“Kam filluar të tregoj që Ardian Hasani ka qenë i punësuar në Monten, por kryesuesi Hysni  Hoxha me tha se kjo informatë është e vonuar”, tha Gashi.

Hysni Hoxha, kryetar i OShP-së, tha se para hapjes së seancës ka pyetur nëse ka ndonjë vërejtje rreth ekspertëve të caktuar nga OSHP dhe se nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

Sipas Hoxhës, pas përmbylljes së procesverbalit,  Lutfi Gashi ka treguar rreth Ardian Hasanit.

“I kam thënë kjo çështje ka përfundu” , tha Hoxha.

Kompania Monten në një përgjigje me shkrim e pranon se Ardian Hasani kishte qenë punëtor i tyre.

“Ai ka punuar për një kohë të shkurtër para tetë viteve. pra nuk është konflikt interesi”, shkruan në përgjigjen e Monten.

Lutfi Gashi thotë se me procesverbalin është abuzuar pasi që, sipas tij, nuk janë precizuar deklaratat e tij.

“Aty është shkruar çka ka dashur organi shqyrtues”, tha Gashi.

Hoxha thotë se ai si udhëheqës i seancës ka të drejtën ekskluzive të orientimit të deklaratave.

“Është e drejtë e udhëheqësit të dikton procesmbajtësit çka të bëjnë”, tha ai.

KOSTT kaloi afatin për rivlerësim

Pas vendimit të OShP-së, KOSTT në afatin prej dhjetë ditësh nuk njoftoi OShP-në për veprimet e ndërmarra për rivlerësim.

Abdulasatar Ibrahimi nga KOSTT tha se arsyeja e shtyrjes së afatit ka qenë për shkak të pushimeve pasi që ishte muaji gusht.

“Të sigurohen tre ekspertë që kanë në pushime ka qenë jo e lehtë se ishte çështje e ndjeshme. Ne nuk mund të qesim ekspertë që nuk marrin vesh”, tha Ibrahimi.

Sipas Ibrahimit, në ditën e 30-të KOSTT ka qenë i gatshëm nxjerrë vendimin për  rivlerësim por një vendim i Agjencionit Kundër Korrupcionit ndërpreu procedurat.

“Në ligj shkruan se brenda 10 ditë duhet që ta njoftojmë OShP-në për veprimet e marra por nuk thuhet askund që ne ta përfundojmë procedurën”, tha Ibrahimi.

Lutfi Gashi thotë se veprimet në KOSTT u ndërmorën vetëm pasi OShP dërgoi urdhëresë e prerë.

Sipas tij, aty shkruan se do të dënohet KOSTT për mos respektim të vendimi 4 gusht.

“Decdivisht shkruan përbishtnim të vendimit”, tha Gashi.

Hysni Hoxha e pranon se ka pasur tentativa për “bishtnim”, pasi nuk ka pasur përgjigjen brenda afatit.

“Unë  kam pranuar ankesë nga operatori se AKK nuk ka marrë asnjë vendim për rivlerësim. Pas kësaj ka dalë urdhëresa që në afat prej 5 ditësh të ndërmerren veprimet e nevojshme”, tha Hoxha.

Pas kthimit në ri-vlerësim KOSTT shpalli fitues konsorciumin Monten & G3 Engineering përkundër që ofroi çmimin më të shtrenjtë.

Ajo kishte çmimin prej 2 milionë e 327 mijë euro.

Gashi, kompania e të cilit kishte çmimin më të ulët, thotë se të gjitha kompanitë furnizohen me njehsorë nga brendet e njëjta dhe se në këtë mënyrë KOSTT po shpenzon më shumë.

“Nga ky tender KOSTT paguan 419 mijë euro më shumë për të njëjtat mjete”, tha Gashi.