Shteti Drejt Mbylljes

Mursel Zymberi që udhëheq Sindikatën e Shërbyesve Civilë të Kosovës, thotë se gjendja e tanishme politike mund të rezultojë me protesta të qytetarëve. 

Rreth 86 mijë nëpunës dhe 21 mijë shërbyes civilë mund të mbesin pa paga nga marsi i vitit të ardhshëm, nëse vazhdon ngërçi politik në Kosovë. 

“Ne do të kërkojmë zgjidhje urgjente nga deputetët, ngase nëse kjo gjendje nuk ndryshon, populli mund ta marrë situatën në dorën e tyre dhe ajo mund të bëhet pastaj më keq se që është tash”, tha Zymberi për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Përveç shërbyesve civilë, pa rroga mund  të mbesin edhe rreth 25 mijë mësimdhënës, rreth 8000 policë e 2 mijë e 500 pjesëtarë të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës dhe pjesa tjetër e nëpunësve që marrin paga nga arka e shtetit. 

Mundësinë e mbetjes pa paga e ka paralajmëruar edhe Besim Beqaj, ministër i Financave, në largim.

Por ndryshe mendon shefi i tij Hashim Thaçi. Ai në një postim të bërë sot në Facebook nuk përmendi krizë, por tha se buxheti po vazhdon  të rritet.

“Jemi në fazën finale të përpilimit të Buxhetit 2015, i cili është i vetmi në rajon që vazhdon të rritet në bazë të zhvillimit të ndjeshëm ekonomik të Kosovës si dhe rritjes së të hyrave. Buxheti do të inkorporojë investime kapitale më të mëdha në Ballkanin Perëndimor dhe rritjen e mirëqenies sociale”,  shkroi Thaçi këtë rrjet social.

“Buxheti është i bazuar në rritjen ekonomike prej 4.6% dhe me vlerë totale prej 1 miliard e 670 milionë euro. Do të jemi të përgjegjshëm me paranë publike duke u fokusuar në nevojat e Kosovës për krijimin e vendeve të reja të punës”, vazhdoi kryeministri në largim.

Por ministri Beqaj para gjashtë ditësh përmendte shkuarjen drejt krizës në Emisionin “Rubikon” të KTV-së më 8 tetor. 

Ai tha se nëpunësit dhe shërbyesit mund të mbesin pa paga që nga muaji mars i vitit të ardhshëm, shkaku i gjendjes së krijuar. 

Paga e fundit, sipas tij, do të jetë e muajit shkurt, ndërsa për muajin mars nuk do të ketë paga.

“Por, nëse ngërçi politik vazhdon edhe vitin e ardhshëm, atëherë mund të paraqiten problemet e para. Pasi që në dy muajt e parë në bazë të Ligjit mbi Buxhetin dhe Menaxhimin e Financave Publike mund të alokohet çdo organizate buxhetore, 1/12 e të hyrave buxhetore që ka pasur gjatë vitit 2014, atëherë problemet do të paraqiten nga muaji mars”, ka thënë Beqaj në “Rubikon”. 

“Pagat për muajin mars duhet të aprovohen më vendim të Kuvendit. Pa Kuvend nuk mund të ketë shpenzime për muajin e tretë”. 


Kryeministri në Hashim Thaçi | Foto: Zyra e Kryeministrit

Rreziqet nga mbyllja e shtetit 

Lumir Abdixhiku nga Instituti “Riinvest” ka kundërshtuar Besim Beqajn, ministrin në largim të Financave, duke thënë se shërbyesit civilë pa paga mund të mbesin që nga muaji shkurt i 2015-ës.

“Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, më 31 janar të vitit 2015 përfundon e drejta e institucioneve të tanishme të Kosovës për të ekzekutuar shpenzime nga arka e shtetit, pra nga buxheti. Pas kësaj dite, asnjë ekzekutim financiar i pagave, shërbimeve publike, investimeve kapitale apo mbarëvajtjes së aparatit shtetëror, nuk mund të ndodhë pa miratim të ri buxhetor”, ka thënë Abdixhiku. 

Sipas tij, në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave, 10 për qind e buxhetit të ardhshëm mund të shfrytëzohet për nevoja operacionale deri në fund të muajit janar 2015, por jo më gjatë, pa vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës. 

Abdixhiku iu ka rikujtuar deputetëve se kanë rreth 100 ditë kohë për të dhënë zgjidhje institucionale, para se vendi për herë të parë të kalojë në gjendje të “mbylljes”. 

“Mbyllja e shtetit” ndodh atëherë kur legjislatura e një vendi nuk aprovon financimin e qeverisë, agjencive publike dhe të gjitha shërbimeve tjera publike që ndërlidhen me arkën e shtetit”, ka shpjeguar Abdixhiku.   

Abdixhiku i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se nëse do të ndodhte një gjendje e tillë, pasojat eventuale do të ishin enorme. 

Megjithatë Ligji për Menaxhimin e Financvave Publike thotë  në nenin 24 se buxheti i vitit të kaluar mund të zgjatet vetëm në dy muajt e ardhshëm të vitit paraprak. 

Ligji… thotë se vetëm me vendim të parlamentit mund të shfrytëzohet buxheti i vitit të kaluar  (2014)për tre muajt e vitit të ardhshëm (2015). 

Ndërsa Haki Shatri ish-ministri i Ekonomisë në kohën e qeverisjes së koalicionit LDK-AAK, ka kritikuar zyrtarët e tanishëm për gjendjen e krijuar politike. 

“Ata e kanë bërë një ligj të keq për buxhetin e vitit 2014. Ata kanë qeverisur keq gjatë 7 vjetëve. Ata tashmë janë duke e bllokuar gjithë procesin, sepse shkaku i veprimeve që kanë bërë në të kaluarën askush më nuk dëshiron të punojë më me ta”, i ka thënë Shatri, Gazetës Jeta në Kosovë. 

“Kjo gjendje do ta dërgojë shtetin drejt fundosjes”, thotë Shatri, sipas të cilit kjo do të vështirësojë edhe më shumë jetën ekonomike e sociale të popullit.