Italiani i Privilegjuar nga Pushtetarët e Mitrovicës

Afaristi nga Italia Gabriele Pazzaglia kompania e të cilit është angazhuar si ndërmjetës për joshjen e investitorëve nga Komuna e Mitrovicës vazhdon të ketë privilegje.

Komuna paguan qira mujore për një banesë të cilën Pazzaglia do ta shfrytëzojë sa herë është në Kosovë.

Për të mundësuar përfitimin e këtij privilegji, Komuna e Mitrovicës hapi tenderë ku ofertuan tre konkurrentë. 

Fitues i tenderit më 5 maj të këtij viti doli Fisnik Berani nga Mitrovica i cili nga komuna merr 270 euro në muaj – për një vit – sipas kontratës ndërmjet Beranit dhe komunës.

Por Komuna e Mitrovicës lëshon një pakujdesi në njoftimin për dhënie të kontratës të publikuar në faqen zyrtare  të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.

Në numrin e telefonit të personit kontaktues lajmërohet Nexhat Berani që mban pozitën e auditorit  të brendshëm në Komunën e Mitrovicës. 

Nexhat Berani konfirmon se Fisniku është djali i tij dhe pjesëmarrja e tij në këtë tender ka qenë e rregullt.

 “Banesa është në emër të djalit dhe ai ka konkurruar”, tha Berani.

Sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, drejtori i auditimit të brendshëm në institucionet kosovare është zyrtar i lartë publik dhë kësisoj ai kishte deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) më 20 mars 2012.

Hasan Preteni, drejtor i AKK-së tha se do të hapin hetimet për këtë rast edhe pse, siç tha ai, tani nuk mund të parandalojmë konfliktin e interesit, pasi që kontrata është e nënshkruar. 

“Megjithatë, ne do ta hetojmë rastin për të parë se cilat janë elementet që kanë çuar deri në konflikt interesi. Mund të ketë edhe elemente ndikimi të cilat njihen si vepër penale”, tha Preteni.

Banesë edhe në kohë të PDK-së

Gabriele Pazzaglia kishte banesë të paguar edhe nga ish-qeverisja e kaluar e PDK-së në Mitrovicë.

Për këtë kontratë nuk ka pasur tenderë. 

Ish-kryetari i Mitrovicës Avni Kastrati refuzoi të komentojë arsyen se pse  ka pasur tenderë. “Tani po këqyrni mu kap për diçka”, tha Kastrati për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai shtoi se italianin Pazzaglia e kishte angazhuar Komuna e Mitrovicës, pasi që ai kishte ofruar një projekt të tij për zhvillimin e këtij qyteti.

Komuna i kishte ofruar italianit edhe një veturë dhe shofer, sipas Kastratit.

Në tetor 2013, Komuna e Mitrovicës e udhëhequr nga Avni Kastrati kishte organizuar një konferencë për investitorë nga Italia.

Konferenca ishte organizuar së bashku me kompaninë “Land Project” në pronësi të Pazzaglia-s. Zyrtarët e komunës kishin prezantuar para biznesmenëve italianë projektin e Pazzaglia-s të quajtur “Parku Lumor”.

Sipas këtij projekti parashihej hapja e bizneseve të ndryshme përgjatë brigjeve të lumit Ibër, ndër të tjera parashihej edhe kopshti botanik dhe një amfiteatër.

Vizitën e biznesmenëve të Italisë ia ktheu kryetari i ri i komunës Agim Bahtiri nga AKR-ja.

Ai ishte për vizitë në Itali në mars 2014, kishte marrë me vete Gabriele Pazzaglia-n dhe vizitoi dy komuna dhe disa kompani.

Bahtiri tha se të gjitha shpenzimet në Itali i kanë paguar nikoqirët.

Kryetari tha se Pazzaglia-n e ka angazhuar si “urë ndërmjetëse” me Italinë dhe në të ardhmen ai do të angazhojë edhe njerëz të tjerë si ura për shtete tjera.

“Unë këtu e kam gjetur [në komunë] dhe e kam pa të arsyeshme dhe e kam vazhdu [qiranë]”, thotë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri për biznesmenin italian.

Italiani me vetëm një projekt

Kur kishte ardhur në Kosovë në mars 2013, Gabriele Pazzaglia kishte regjistruar kompaninë e tij “Land Project LLC” në Mitrovicë dhe kishte falënderuar ish-qeverisjen e qytetit për mbështetjen e tyre.

Në një takim në Komunë të Mitrovicës, Pazzaglia kishte thënë: “Mikpritja dhe mbështetja për biznesmenë do të reflektohet pozitivisht në zhvillimin ekonomik të qytetit tuaj”.

“Land Project LLC” është pjesë e kompanisë “Laterra”, e cila sipas ueb-faqes zyrtare njihet si kompani që merret me kopshtari. 

Pazzaglia aty paraqet veten si disenjator të kopshteve. 

Në vitin 2013 Komuna e Mitrovicës e kishte duartrokitur ardhjen e tij dhe kishte vendosur që t’i ofrojë një zyrë në “Parkun e Biznesit” e cila menaxhohet nga komuna.

Për më shumë, në ueb faqen www.laterra.eu vërehet se “Land Project” është pjesë e saj.

Në pjesën e saj “Land Project” ka numëruar disa organizata si partnerë të saj dhe për Kosovë thotë se ka partner zyrën e Friedrich Ebert Stiftung – FES Pristina Office dhe Korporatën Energjetike të Kosovës-KEK, duke paraqitur logot e tyre zyrtare në ueb-faqe të “Land Project”.

Besa Luzha, koordinatore e programit në FES tha se është hera e parë që po dëgjoj për këtë kompani dhe Pazzaglian.

“Ne nuk bashkëpunojmë me kompani zakonisht përpos kur na ofrojnë shërbime si pastrim, IT etj dhe mua për këto 14 vjet që jam në FES nuk më kujtohet që kemi bashkëpunuar me ndonjë kompani të tillë”, i tha Luzha Gazetës Jeta në Kosovë.

Po ashtu, edhe KEK-u ka mohuar të ketë pasur punë me këtë kompani. “KEK-u nuk ka njohuri për këtë kompani dhe këtë person”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë Zyra për Informim të Publikut në KEK.

Kompania “Laterra” dhe Pazzaglia ende nuk kanë dhënë përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë lidhur me privilegjet nga Komuna e Mitrovicës dhe mohimin e KEK-ut e FES-it se kompania “Land Project” nuk është partner i tyre.