Vrapimi i Vonuar i PTK-së për 3G

Tenderi i PTK-së për avancimin e platformës së saj në gjeneratën e tretë-3G ka fituar vëmendje edhe nga një ishull i vogël në Karaibe. 

“Brookeside International LTD” është ankuar në Kosovë për procedurat e PTK-së për tenderin e shërbimit të 3G-së që mundohet të nisë tash e pesë muaj. 

Kompania me seli në British Virgin Islands, që njihet si “parajsë tatimore”, ka deponuar ankesë më 17 prill të këtij viti në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

Kjo kompani thekson se procedurat që ka nisur PTK-ja shkaktojnë dëme për buxhetin e shtetit për shkak të përdorimit të fondeve publike pa transparencë, si pasojë e përdorimit të procedurave të negociuara.

Kjo është ankesa e dytë kundër tenderit të PTK-së i cili ka nisur që nga dhjetori i kaluar për të avancuar dhe zbatuar teknologjinë 3G për telefoninë mobile të saj.

Por pas ankesës së dytë, Postë-Telekomi i Kosovës i kërkoi OShP-së që të marrë parasysh edhe rrezikun që i kanoset kësaj ndërmarrje nga konkurrenca në tregun e telefonisë mobile. 

PTK-ja njoftoi OSHP-në më 18 prill të këtij viti se është me rëndësi që të mos ketë ngecje në realizimin e këtij aktiviteti të prokurimit pasi që do të shkaktonin dëme materiale dhe financiare duke ditur se PTK-ja i nënshtrohet konkurrencës në biznes.

OShP-ja vendosi në favor të PTK-së më 22 prill të këtij viti. 

Mori vendim për shfuqizimin e pezullimit automatik të tenderit, i cili hyn në fuqi posa ankesa e operatorit të pranohet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. 

OShP-ja konkludoi se interesi për pezullim të tenderit është më i vogël sesa interesi publik dhe vendosi që ta shqyrtojë ankesën e kompanisë private në procedurë të rregullt, derisa në të njejtën kohë PTK-ja mund të lidhë kontratën me kompaninë e përzgjedhur.

“Nëse pas shqyrtimit del se ankuesi ka të drejtë, atëherë kompania mundet të kërkojë kompensim material në gjyq”, tha Hysni Hoxha, kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit. 

Në ndërkohë, PTK-ja ka 34 ditë në dispozicion prej ditës së marrjes së vendimit dhe thotë se është duke punuar shumë që t’i përfundojë sa më shpejt të gjitha procedurat dhe të nënshkruajë kontratën për ofrimin e  3G-së.

“Pritjet qe ky proces të përfundojë shpejt janë te mëdha”, tha Departamenti për Relacion me Publikun në PTK.

Afati prej 34 ditësh për lidhjen e kontratës mundet edhe të shtyhet, por jo shumë. 

“Në rast se komisioni shqyrtues nuk mund të arrijë vendim për këtë periudhë, atëherë ky afat mund të shtyhet edhe për 20 ditë të tjera”, tha Hysni Hoxha, kryetar Bordi i OSHP-së.

PTK-ja është duke negociuar me “Alcatel Luzent” dhe “Nokia Solutions and Networks” në projektin që arrin shumën deri në 30 milionë euro. 

Për përdorimin e procedurave të negociuara është arsyetuar në OShP, duke potencuar se krejt rrjeti i “Valës” është i përbërë kryesisht nga pajisje të këtyre dy prodhuesve.

PTK-ja thekson se ankesat e bëra dy herë radhazi po ndikojnë shumë duke shkaktuar edhe mosrealizim të të hyrave të planifikuara që nga nisja e projektit për 3G.

PTK-ja fajëson edhe procesin e privatizimit që nuk e ka lejuar të investojë në projekte kapitale. 

Në fillim të vitit 2013 PTK-ja kishte 62.4 për qind të tregut, derisa në fund të vitit kishte pësuar rënie në 54.5 për qind. 

Ndërsa për IPKO-n shigjeta ekonomike ka ndryshuar për të mirë, duke qenë në fillim të vitit  2013 me 27 për qind dhe ngritje në 33.7 për qind, sipas të dhënave të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postale (ARKEP).         

Rexhë Gjonbalaj, kryetari i Bordit të Postë-Telekomit të Kosovës thotë se nuk do që të komentojë lidhur me tenderin.

“Ne (bordi i drejtorëve) e kemi aprovuar fillimin e procedurave për 3G. Lidhur me tenderin mund të komentojë vetëm menaxhmenti”, tha Gjonbalaj.

Kush është ankuesi i dytë?

“Brookeside International LTD” është kompani e regjistruar në British Virgin Islands e cila njihet gjerësisht si “parajsë tatimore”, që përmes legjislacionit të saj garanton përjashtimin e kompanive nga tatimet e pjesshme ose të plota.

“Brookeside…” është regjistruar më 22 gusht 2012, ndërsa si drejtorë paraqiten dy qytetarë të Qipros-Polyvia Polyviou dhe Veronika Kyprianou.

Polyviou kishte autorizuar avokatin nga Shkupi Boris Noshpal-in për të draftuar dhe dorëzuar ankesën në OShP në lidhje me tenderin e PTK-së.

Noshpal-i tha se zyra e tij ka klientë të ndryshëm, si korporata e firma vendore dhe ndërkombëtare.

“Në mesin e tyre është edhe ‘Brookeside International LTD’ të cilën e përfaqësojmë jo vetëm në Maqedoni dhe Kosovë, por edhe në territorin e Shqipërisë dhe Bullgarisë. Ai është klienti ynë i vazhdueshëm dhe marrëdhënia jonë është e kamotshme”, tha Noshpal-i për Gazetën Jeta në Kosovë.

Mirëpo, Noshpal-i ka refuzuar të flasë se cila është përvoja e “Brookeside…” në fushën e telekomunikacionit dhe kush janë pronarët e vërtetë të kësaj kompanie.

Ndërsa, po ashtu edhe Departamenti i PTK-së për Marrëdhënie me Publikun shtoi se nuk ka njohuri nëse “Brookeside…” ka përvojë në teknologjinë e telekomunikacionit.

“Nuk kemi njohuri nëse kjo kompani është në gjendje të ofrojë një teknologji të tillë, por në ankesën e parashtruar në OShP nuk ka prezantuar ndonjë dëshmi ose referencë për një gjë të tillë”, tha Departamenti për Marrëdhënie me Publikun i PTK-së. 

Megjithatë, Zyra Ligjore dhe për Patentë e Boris Noshpal-it në Shkup, ka kryer një shërbim edhe për kompaninë kosovare “Devolli Corporation”, me bazë në Pejë. 

Më 11 dhjetor 2013, firma e Noshpal-it ka bërë regjistrimin ndërkombëtar të markave tregtare në Maqedoni që janë në pronësi të kompanisë pejane.

“Marrëdhënia mes nesh ka të bëjë ekskluzivisht me bashkëpunimin për mbrojtjen e markave tregtare”, thuhet në përgjigjen e “Devolli Corporation” dhënë Gazetës Jeta në Kosovë. 

Ndërkohë  ishte ankuesi i parë kundër tenderit të PTK-së që ishte zbuluar se kishte lidhje me “Devolli Corporation”. 

Ankesa ishte bërë dhjetorin e kaluar nga kompania vendore “Infinite Solutions – KAD”.

Pronari i kësaj kompanie ishte kosovari Visar Jakupi me seli në New Jersey të ShBA-ve që po ashtu ishte përfaqësues i “Devolli Corporation” për ShBA.

“Devolli Corporation” kishte mohuar lidhjen me kompaninë “Infinite Solutions – KAD”.

Devolli Corporation duke iu referuar Visar Jakupit shtoi se kompania angazhon kontraktues në operacionet e saj afariste por nuk jep përgjegjësi edhe për aktivitetet e tyre nëpër kompani tjera.