Dyshimet e Turqisë për Limak-un e KEDS-it dhe Aeroportit

Një ditë pasi preu shiritin e përurimit të terminalit të ri të aeroportit të Prishtinës, kryeministri i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, më 23 tetor të vitit të kaluar, derisa po vizitonte Prizrenin, bashkë me kolegët e tij shqiptarë e kosovarë Edi Ramën e Hashim Thaçin tha “mos e harroni këtë, Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi”, duke shkaktuar reagime të Ministrisë së Jashtme të Serbisë. 

“Në Republikën e  Serbisë deklarata të tilla nuk mund të merren si miqësore”, ia ktheu Erdoganit MPJ-ja serbe, nëpërmjet një deklarate, një ditë më vonë. 

Por Hashim Thaçi, gjatë ceremonisë së zhvilluar në aeroport më 22 tetor 2013, e quajti Erdoganin vëlla, duke u kujdesur që homologut turk t’ia kthejë komplimentin që Erdogan i bëri kur vizitoi Kosovën në vitin 2010. Erdogan e kishte quajtur atëherë vëlla Hashim Thaçin. Edhe Edi Rama në fjalën e tij, kur aeroporti Adem Jashari u bë me terminal të ri, i tha Erdoganit mik dhe vëlla. 

Kryeministri turk Erdogan, në Kosovë, e sidomos në Prizren, qytetin që nga rrjeti i faqeve të internetit MSN të drejtuar nga kompania Microsoft, u shpall ndër 23 vendet më të bukura të botës për vitin 2013, ndihet si në shtëpi, për shkak të simpatisë për Turqinë të një pjese të madhe të popullsisë së qytetit të dytë më të madh kosovar. 

Por, Erdoganin me Kosovën e lidhë edhe ekonomia. Dy kryeministrat në Kosovë e Turqi, brenda tre vjetësh, në periudhën 2010-2013 janë takuar më së paku tetë herë. 

Konzorciumi amerikano-turk Bechtel-Enka në vitin 2010 filloi ndërtimin e autostradës Morinë-Merdar, duke e sjellë këtë autoudhë më 26 nëntor 2013 deri në Prishtinë. Më 17 tetor 2012 një konzorcium tjetër nga Turqia Limak-Çalik, privatizoi rrjetin e distribucionit dhe furnizimit të energjisë elektrike kosovare, ndërsa Limak, bashkë me Aeroport de Lyon morën nën menaxhim për njëzet vjetët e ardhshëm aeroportin e Prishtinës, nga prilli i vitit 2011. 

Ndërtimi i terminalit të ri të aeroportit “Adem Jashari” në Prishtinë, në ditën e promovimit u tha se kushtoi 130 milionë euro. 

Erdogan ka hyrë në vitin e njëmbëdhjetë të qeverisjes së Turqisë, ndërsa Hashim Thaçi në të shtatin prej se drejton qeverinë kosovare.

Qeverisja e Erdogan është përfshirë në një valë të hetimeve për korrupsion në Turqi të cilat prekën edhe kompaninë Limak.


Nihat Ozdemir, në përurimin e aeroportit “Adem Jashari”

Qeveria i përzihet drejtësisë

Prokurori i Stambollit Muammer Akkas që mori rastin dhe dosjet e korrupsionit më 25 dhjetor lëshoi urdhër-arrestin për 41 persona, por policia e qytetit ku ndahet Evropa nga Azia, nuk zbatoi urdhrin. 

Akkas në një deklaratë për media, të publikuar më 26 dhjetor tha se policia me moszbatimin e urdhrit kreu vepër penale, ndërsa tregoi se rasti i korrupsionit të figurave publike i është marrë nga dora pa asnjë shpjegim nga Zyra e Prokurorit Publik të Stambollit. 

Sipas prokurorisë së këtij qyteti do të zhvillohen hetime të ndara për grupin e biznesmenëve, atë të djemve të ministrave dhe drejtorit të Halkbankës. 

Qeveria turke për akuzat e korrupsionit drejtoi gishtin nga kleriku turk me qëndrim në Amerikë Fethullah Gulen dhe pasuesit e Lëvizjes së tij “Hizmet” (Shërbimi), duke thënë se po bëjnë “luftë të pistë” kundër qeverisjes njëdekadëshe të Erdoganit. 

Në Turqi gjerësisht mendohet se ithtarët e Gulenit kontrollojnë policinë dhe gjyqësinë, por vetë Gulen mohon se ushtron ndikim te shërbyesit civilë. 

Me qëllimin që ta shmangë këtë ndikim, ekzekutivi turk largoi nga Ankaraja në fillim të janarit 2014 qindra policë dhe oficerë policie, 80 nga të cilët drejtues të hetimeve të krimeve financiare, korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

Erdogan ka në plan që të vë dorë edhe në sistemin gjyqësor, me anë të një amendamenti që nëse aprovohet në parlamentin e dominuar nga partia e kryeministrit turk, do ta detyrojë Bordin e Lartë të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, një organ deri tash i pavarur, të kalojë nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë. 

Ky bord në një deklaratë të cituar nga agjencia AFP, në fund të dhjetorit, amendamentin qeveritar e ka vlerësuar kundër kushtetues. 

Gazeta New York Times më 7 janar shkroi se skandali i korrupsionit mund ta lëkund Turqinë të perkëdhelurën e perëndimit, me tendenca për t’u lidhur me Bashkim Evropian dhe për t’u paraqitur si fuqi rajonale në Lindjen e Mesme. 

Megjithatë, gazeta turke Hurriyet publikoi më 27 dhjetor fletarrestin e prokurorit Akkas për 41 personat e aferës korruptive. Në mesin e tyre ishte edhe Nihat Ozdemir, drejtori i bordit të kompanisë Limak Holding. Ai është një prej biznesmenëve të përmendur për korrupsion gjatë ndërtimit të aeroportit të tretë për kah madhësia në Stamboll.

Prokurori ngriti këto akuza për të dyshuarit: “themelimi i një organizate kriminale”, “ryshfeti dhe ndikime nga jashtë”, “mashtrim në tender”, “falsifikim të dokumenteve zyrtare”, “pastrimin e aseteve të blera nëpërmjet veprimtarisë kriminale” dhe “kërcënim”.

Kur Hurriyet publikoi fletarrestet për korrupsion, kompania Limak në Kosovë më 28 dhjetor 2013 reagoi duke mohuar arrestimin, ose ngritjen e akuzave për shefin e saj. 

“Duam të ju njoftojmë se informacioni i spekuluar nuk paraqet realitetin në lidhje me drejtorin e bordit të drejtorëve të kompanisë Limak, Nihat Ozdemir dhe nuk është ngritur asnjë akuzë ndaj tij apo ndaj ndonjë anëtari të kompanisë Limak”, thuhej në reagimin e Limak-ut. 

Hurriyet raportoi se kompania Limak, në konzorcium me ndërmarrjet turke Cengiz, Mapa, Kolin dhe Kalyon fituan në maj të vitit të kaluar tenderin për ndërtimin e aeroportit të tretë të Stambollit. Gazeta turke Hurryiet raportoi se drejtuesit e bordit të ndërmarrjes Kalyon dhe një anëtar bordi i kompanisë Kolin, po hetohen për korrupsion bashkë me Ozdemirin e kompanisë Limak. 

Kolin dhe Kalyon janë biznese turke të orientuara kryesisht në ndërtime. 

I kërkuar është edhe Yasin al Qadi, biznesmeni saudit që në vitin 1999 dhe 2000 OKB-ja e konsideroi të dyshuar për lidhje me Osama bin Laden-in e Al Qaeda-s. I dyshuar për korrupsion është edhe Mustafa Latif Topbas, biznesmeni i rrjetit të dyqaneve të prodhimit të ushqimit BIM, pasurinë e të cilit Forbes-i e vlerëson 1 miliard e 700 milionë dollarë. 

Ndërkaq Forbes për vitin 2013 pasurinë e Ozdemir e vlerëson në 1 miliard e 200 milionë dollarë. 

Korporata e ndërtimeve, energjisë elektrike, turizmit, aviacionit dhe fushave tjera ku përfshihet, në prill të vitit 2011, bashkë me partnerin e saj të biznesit Aeroport de Lyon morën nën kontroll për njëzet vjetët e ardhshëm Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. 

Ozdemir korporatën Limak Holding e themeloi bashkë me miliarderin tjetër turk Sezai Bacaksiz. 

Edhe pasuria e Bacaksizit, sipas Forbesit ka vlerën 1.2 miliard dollarë. 


Urdhëresa për arrestimin e Nihat Ozdemir | Foto: Gazeta “Hurryet”

Limak dhe Kosova

Në majin e vitit 2010, kur qeveria kosovare nënshkroi kontratë koncesionimi me konzorciumin fitues të aeroportit, Aleanca Kosova e Re që luante rolin e partisë opozitare, kritikoi ekzekutivin se asetet kosovare po zotërohen vazhdimisht nga kompani me të kaluar të dyshimtë, ndërsa në Kosovë nuk po investojnë kompani me renome botërore. 

AKR-ja atëherë vuri në dukje gjithashtu se për mbi 100 milionët që koncesionuesit kishin premtuar se do të investojnë në aeroport, nuk është bërë ndonjë plan se si e ku të shpenzohen. 

Kjo parti nga fundi i 2010-ës i kërkoi mosbesim qeverisë Thaçi I. AKR-ja më pastaj u bë partnere e qeverisjes numër 2 të kryeministrit Thaçi.

Qeveria në 2010-ën u mbrojt me faktin se po ruante pronësinë e aeroportit, ndërsa atë po e jepte vetëm për 20 vjet, kurse konzorciumi fitues me kontratë obligohej të zgjeronte kapacitetet e aeroportit. 

Kur terminali i ri i aeroportit të Prishtinës, u inaugurua vitin e kaluar, sipas agjendës së publikuar, bashkë me tre kryeministrat Rama, Thaçi dhe Erdogan,  ishte i pranishëm edhe Nihat Ozdemir, drejtuesi i Limak Holding. 

Por Limak-u e Kosova nuk lidhen vetëm me aeroportin. Në qershor të vitit 2012 Limaku i Ozdemirit, tash “në koalicion” me kompaninë tjetër turke Çalik Holding, fituan tenderin për privatizimin e rrjetit kosovar të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, duke dhënë për marrjen në pronësi të tij 26.3 milionë euro. 

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi po në qershor 2012 se drejtor ekzekutiv i kompanisë Çalik Holding është Berat Albayrak, dhëndrri i kryeministrit turk Erdogan.

Lëvizja Vetëvendosje u deklarua se ishte “kundër privatizimit të kësaj pasurie kombëtare” ndërsa kur ajo u shit për 26.3 milionë euro, ky subjekt politik protestoi disa herë. 

Konzorciumi Kosovar për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) dhe instituti GAP, atëkohë kundërshtuan shitjen e distribucionit me çmim kaq të ulët. 

KOSID tregoi se Maqedonia 90 për qind të aseteve të saj të furnizimit dhe shpërndarjes së rrymës i ka shitur për një çmim dhjetëfish më të lartë se Kosova, ndërsa Mali i Zi 80 për qind të aksioneve të tij të kësaj fushe i ka shitur për 380 milionë euro. Shqipëria shiti 76 për qind të aksioneve të saj për 125 milionë euro. 

Më 9 tetor 2012 , Instituti për Studime të Avancuara, GAP, publikoi analizën “Procesi i privatizimit dhe vlera e aseteve të Kompanisë Kosovare të Distribucionit dhe Furnizimit të Energjisë”, në të cilën, ndër të tjera, MZHE-ja kritikohet për mostransparencë në procesin e privatizimit. Një ditë më vonë, kjo ministri reagoi duke i klasifikuar si të pabaza analizat e GAP-it, dhe duke pohuar se kanë qenë mjaft transparent.


Terminali i ri i aeroportiti “Adem Jashari”

Përballja tjetër e Ozdemirit me ligjin

Rasti i ndërtimit të aeroportit në Stamboll nuk është përballja e parë dhe e vetme e Nihat Ozdemirit të Limakut me drejtësinë turke. 

Në vitin 2007 ai, bashkë me pronarin tjetër të Limakut Sezai Bacaksiz dhe gjashtë persona tjerë u arrestuan si të dyshuar për korrupsion në hetimet e koduara me emrin Rryma e kaltër (Blue Stream) që kishin të bënin me tenderin e ndërtimit të gazsjellësit Izmir-Nazilli, në një gjatësi prej 244 kilometrash. 

Izmiri është një qytet-port i Turqisë me mbi 2 milionë banorë, ndërsa Nazilli një qytet që u afrohet 100 mijë banorëve. Tenderin e kishte shpallur kompania shtetërore e gazit Botas, ndërsa dy zyrtarë të saj dhe gjashtë biznesmenë qenë arrestuar. 

Rasti u zgjidh në favor të pronarëve të Limakut. 

Edhe klubi futbolistik Fenerbahçe, në vittin 2011 dhe një vit më pas, u hetua për kurdisje ndeshjesh, në operacionin që përfshiu superligën, ligën e parë turke të futbollit dhe ligën e basketbollit të këtij shteti. Atëherë u hetuan 19 ndeshje futbolli, të dyshuara për kurdisje rezultati, ndërsa Ozdemir ishte zëvendëskryetar i Fenerbahçes. Ozdemir i Limakut, nuk ishte mes të dyshuarve, por kryetari i klubit Aziz Yildirim u dënua me gjashtë vjet e tre muaj burg dhe gjobë prej një milion lirash ose më shumë se 300 mijë euro. 

Atëherë u arrestuan 61 zyrtarë të klubeve të përfshira në skandal. 

Hetimet për korrupsion ndaj figurave publike në Turqi

Në javën e fundit të dhjetorit, tre ministra të qeverisë turke, ai i Punëve të Brendshme Muammer Guler, i Ekonomisë Zafer Çaglavan dhe ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor Erdogan Bayraktar dhanë dorëheqje, pasi djemtë e tyre u arrestuan nga policia më 17 dhjetor 2013, nën dyshimet për korrupsion në lidhje me tenderët publikë. Dorëheqjet e tyre u pasuan pas një hetimi tjetër te autoriteteve turke që shënjestroi figurat publike që ishin të ndërlidhur me tenderë publikë në Turqi.

Erdogan shkarkoi 3 anëtarët e qeverisë në mbrëmjen e 24 dhjetorit me t’u kthyer nga vizita në Pakistan, ndërsa ndërroi edhe shtatë të tjerë, nga 21 ministrat e kabinetit të tij qeveritar, duke bërë një riformatim të ekzekutivit turk. 

Në një tubim të Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP), të drejtuar nga Erdogan, më 25 dhjetor pas shkarkimeve dhe riformatimit, kryeministri turk duke ngritur dy gishta në shenjë fitoreje, akuzat për korrupsion i konsideroi vepër të spiunëve dhe tradhtarëve që komplotojnë kundër Turqisë krah për krah me fuqitë e jashtme. 

Por ai aty u deklarua kundër korrupsionit. Tha se partia e tij akuzat për korrupsion nuk do t’i fusë nën tepih. 

“AKP-ja nuk do ta tolerojë korrupsionin. Nëse e bën këtë, ajo e ka humbur arsyen e ekzistencës”, tha Erdogan në atë takim, sipas BBC-së.

Në valën e parë të arrestimeve, të urdhëruara nga prokurori i Stambollit Zekeriya Oz, u përfshinë 52 persona, mes tyre edhe kryetari i pjesës së Stambollit të quajtur Fatih, Mustafa Demir, anëtar i partisë së Erdoganit dhe biznesmeni Ali Agaoglu.

Forbes, revista ekonomike amerikane që numrin e parë e publikoi në vitin 1917, thotë se biznesmeni turk i ndërtimeve Agaoglu ka një pasuri prej 2 miliardë e 700  milionë dollarëve, ndërsa për nga pasuria e pozicionon atë si të 527-in e listës së më të pasurve të globit. Ai, gjithnjë sipas Forbesit, është i teti në listën e më të pasurve të Turqisë.  

Prokurori akuzonte të dyshuarit për themelim të një organizate kriminale, marrje ryshfeti dhe ndikime nga jashtë, mashtrim në tenderë, falsifikim të dokumenteve zyrtare, pastrim të pasurive të blera nëpërmjet veprimtarisë kriminale dhe kërcënim. 

Por kur gazeta proqeveritare turke “Sabah” shkroi më 5 janar 2014 se në vitin 2012, biznesmeni i arrestuar Agaoglu, ia kishte paguar një udhëtim turistik në Dubai, prokurorit Oz, familjes dhe miqve të tij, organet e drejtësisë turke, me pretekstion e shkeljes së kodit etik, ia morën Oz-it rastin e korrupsionit nga duart, duke e degraduar. 

Oz mohoi pushimin e financuar nga Agaoglu, ndërsa ky i dyti pohoi ta ketë dërguar prokurorin në Dubai për relaksim. Me Alioglunë dhe Mustafa Demir-in, u arrestua edhe Suleyman Aslan, menaxheri gjeneral i bankës shtetërore Halkbank. 

Hetuesit në sefin e drejtuesit të kësaj banke gjetën lira turke si para të gatshme në vlerën e pesë milionë dollarëve. 4 milionë e gjysmë dollarë u gjetën të fshehura nëpër kuti këpucësh, gjatë bastisjeve të kryera në shtëpinë e bankierit turk, citon BBC raportet e mediave turke.