Kompania e Themeluar nga Kryeshefi i Kadastrit Kreu Regjistrime Pronash

Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale, Murat Meha, është i ndërlidhur me një kompani e cila ka kryer punë që kanë të bëjnë me kadastrën e të dhënat e të cilës shkaku i gabimeve nuk i pranonte sistemi i agjencisë, ka zbuluar Gazeta Jeta në Kosovë. 

Kompania “Consulting MM”, me seli në Prishtinë, u themelua nga Meha në vitin 2008 ka konfirmuar Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve. Fillimisht, sipas ARBK-së, Meha ishte pronar e person i autorizuar dhe tek në vitin 2010 në të dy pozitat do të emërohej një person tjetër. 

Më vitin 2010, kur ai deklaroi pasurinë si drejtor në ndërmarrjen e ujërave Ibër-Lepenc — për çka obligohej me ligjin për deklarimin, kontrollin dhe prej ardhjen e pasurisë —  Meha shënoi se është menaxher në këtë kompani private. 

 
Pasuria e deklaruar e kryeshefit të AKP-së Murat Meha  

 

Një muaj pas dorëzimit deklaratës së pasurisë në Kundër Korrupsion në vitin 2010, emri i tij nuk figuronte më si pronar apo si person i autorizuar në kompaninë private “Consulting MM”. Aktualisht kompania figuron në emër të Labinot Xanit. Gazeta bëri përpjekje të kontaktoj Xanin, por numri kontaktues i kompanisë që figuron aktualisht në certifikatën e biznesit në ARBK ishte i njëjti që e përdor shefi i Kadastrës. Gazeta ka kontaktuar me Mehën përmes atij numri. 

Kjo kompani private, më 4 qershor 2012, fitoi një tender mbi 8 mijë eurosh nga Ministria e Bujqësisë. 

Tenderi kishte të bënte me regjistrimin e të dhënave në sistemin RDPP (Regjistri i të Drejtës në Pronën e Paluajtshme) të zonave kadastrale në Vushtrri. 

Kompania dorëzoi një raport në Ministrinë e Bujqësisë. Kjo ministri e dorëzoi raportin në Agjencinë Kadastrale të Kosovës për përfshirjen e pronave të regjistruara nga kompania. 

Por sistemi i Kadastrës nuk pranonte të dhënat e hartuara nga kompania pasi që përmbanin gabime. 

Idriz Gashi, shef i divizionit të tokave në Ministrinë e Bujqësisë, ka deklaruar se sistemi i AKK-së është asisoj që nuk pranon regjistrimin e të dhënave me gabime. 

Për këtë arsye, sipas tij, i është kërkuar kompanisë rishtazi të përmirësojë gabimet  e saj. 

Por, shtoi ai, kompania nuk është ndëshkuar për gabimet pasi që “të dhënat për pronat në Kosovë janë të koklavitura dhe është normale që të ndodhin gabime gjatë regjistrimit”. 

Murat Meha, nëpërmjet zyrtarit për informim të agjencisë Denis Pitarka, tha se është obligim ligjor i Agjencisë Kadastrale që të verifikojë të dhënat para se t’i fusë në sistem. 

“Lidhur me tenderët e përfituar nga kompania ‘Consulting MM’ Kryeshfi i AKK-së nuk ka asnjë kompani private dhe nuk merret me ato” Denis Pitarka 

“Në rastet kur vërehen gabime që i raporton softueri, të njëjtat i dërgohen institucioneve për korrigjim”, tha Pitarka. 

Por, ai shtoi se kryeshefi nuk ka të bëjë asgjë me kompaninë në fjalë. 

“Lidhur me tenderët e përfituar nga kompania ‘Consulting MM’ na lejoni tu njoftojmë se Kryeshfi i AKK-së nuk ka asnjë kompani private dhe nuk merret me ato”, tha Pitarka. 

Meha nuk ka dhënë një sqarim nëse është tërhequr nga pronësia e biznesit me kërkesë të Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK) pas marrjes së detyrës zyrtare apo se a ia ka shitur dikujt tjetër kompaninë. 

Në janar 2011, Kundër-Korrupsioni kishte nxjerrë një vendim me të cilin thoshte se kishte mbyllur një hetim për konflikt të mundshëm të interesit për zyrtarin e lartë në ndërmarrjen publike “Ibër-Lepenci”, Murat Meha. 

Në ligjin për shërbimin civil të Republikës së Kosovës, kërkohet shmangia e konfliktit të interesit. “Nëpunësit civilë duhet të mos lejojnë që interesat e tyre private të bien ndesh me pozitën e tyre publike, të shmangin kryerjen e detyrave private ose publike, që bien ndesh me pozitën e tyre dhe që mund të krijojnë konflikt interesi”. 

“Nëpunësit civilë veprojnë në pajtim me dispozitat e këtij ligji dhe ligjit në fuqi për shmangien e konfliktit të interesit”, thuhet në këtë ligj.

Meha ende figuron drejtor në bordin e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc”.

Në deklaratën e tij të vitit 2011 ndërkaq ai deklaronte se punonte si drejtor në “Ibër-Lepenc”, profesor në Universitetin e Prishtinës (Mitrovicë) si dhe ushtrues detyre i kryeshefit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK). 

Më 2011, ai deklaronte 230 mijë euro të gatshme në bankat kosovare. 

Në vitin 2010, ai deklaronte 10 hektarë tokë në Prekaz të Skenderajt në vlerë 600,000 mijë eruo, një blerje të vitit 2006 të 2.73 hektarëve tokë në Zllatar të Prishtinës në vlerë 50 mijë euro, një blerje prej 15 ari tokë në Sofali të Prishtinës në vlerë 30 mijë euro më 2001, një blerje tjetër në Koshagi Prishtinë më 1989 prej 5 ari në vlerë 15 mijë euro, si dhe një blerje prej 5 ari në Çagllavicë më 2007 në vlerë 30,000 mijë euro. 

Meha kritikohet për mos-marrje të masave për zbatim kontratash

Një zyrtar ligjor i Agjencisë Kadastrale të Kosovës kishte dhënë dorëheqje rreth një muaj më parë nga pozita e Kryetarit të Komisionit për Rindërtimin e Informacioneve Kadastrale në një projekt të financuar nga Banka Botërore. 

Për dorëheqjen e tij ai e kishte njoftuar kryeshefin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha, dhe ministrin e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi. 

Zyrtari Ali Sefaj, në letrën e tij të datës 24 tetor të këtij viti, ka shënuar se nuk mund të mbante këtë pozitë përderisa vërejtjet e tij ishin të papërfillshme nga menaxhmenti i Agjencisë Kadastrale në lidhje me dy kompani të angazhuara për të bërë rindërtimin e informacioneve kadastrale nëpër Kosovë.

Sefaj ka konstatuar se dy kompanitë private që fituan gjatë verës nga një lot të tenderit nuk zbatonin kontratën e lidhur me Agjencinë Kadastrale. 

Megjithatë, kishte shkruar ai, nuk e ka mbështetjen e Kryeshefit, menaxherëve e ekspertëve të kadastrës për ta zbatuar projektin e rindërtimit të informacioneve kadastrale në vend – ashtu siç parashihej në bazë të kushteve të kontratave të lidhura me kompanitë private. 

Sipas tij, kompania turke “Emiharita” , kishte shkelur në 11 pika kontratën e lidhur në gusht të këtij viti ndërkohë kompania nga Shqipëria “Lorenco Co”, e kishte shkelur kontratën në tetë pika. 

Ai kishte kritikuar kompaninë turke se nuk i kishte sjellë në Kosovë ekspertët që i kishte prezantuar kur kishte konkurruar në tender, nuk kishte skanuar formularët e terrenit, nuk kishte filluar me mbajtjen e procesverbaleve , nuk kishte dorëzuar me kohë të dhënat e matjeve nga terreni etj. 

Po ashtu edhe ndaj kompanisë “Lorenco & Co” , ishin adresuar vërejtje që kishin të bënin me mos dorëzim të të dhënave të matjeve nga terreni, mos mbajtje të protokolleve e procesverbaleve si dhe mos skanim të formularëve nga terreni. 

Ai ka thënë se nuk i është ofruar qasje për të parë vlera e kontratave që ka lidhur Agjencia Kadastrale me kompanitë private ndonëse ishte Kryetar Komisioni. 

“.. E di që “Emiharita”  kishte kontratë në shumë më të madhe se 300 mijë euro pasi që kishte fituar 4 lote. Dy në Prishtinë e nga një në Prizren e Mitrovicë kurse “Lorenco & Co”, fitoi dy lote që kishin të bënin me regjistrim në Ferizaj e Gjilan e që kanë një vlerë totale prej mbi 200 mijë eurosh ”, ka deklaruar Sefaj. 

Në njërën prej pretendimeve të tij, përmendet se dy kompanitë private nuk kishin përfillur as vërejtje të Bankës Botërore që është financuese e këtij projekti. Banka Botërore në Prishtinë nuk kanë dhënë përgjigje gjatë javës së shkuar rreth pretendimeve të ish-kryesuesit të këtij komisioni. 

Por, Sefaj në letrën e tij kishte shënuar se pas tërheqjes nga pozita e Kryetarit të Komisionit donte të vazhdonte punën e tij vetëm si zyrtar ligjor brenda Kadastrit. 

Menaxhmenti i Kadastrë,s përveç që pranoi dorëheqjen e tij, vendosi që Sefaj të mos vazhdojë punën më si zyrtar ligjor në këtë institucion. 

Sefaj, sipas menaxhmentit, kishte bërë shkelje ligjore gjatë kohës sa drejtonte komisionin përkatës. 

 

 

Nuk mund të mbaj këtë pozitë përderisa vërejtjet nuk pwrfillen nga menaxhmenti i Agjencisë Kadastrale. Ali Sefaj

 

“z.Ali Sefajt nuk i është vazhduar kontrata bazuar në shkeljet e Ligjit Nr. 03/L- 149 Për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, respektivisht nenit 97 dhe nenit 90 paragrafi 2.3, kjo si rezultat i refuzimit të vendimeve të ministrit z. Dardan Gashi, refuzimi i realizimit të detyrave të ngarkuara sipas kontratës dhe ligjit, bllokimi i projektit Rindërtimi i Informacioneve Kadastrale, etj”, tha Denis Pitarka, zyrtari për informim në Agjencinë Kadastrale të Kosovës. 

Ai ka thotë se projekti për rindërtimin e informacioneve kadastrale ka ecur mirë, por ka stagnuar veç në aspektin ligjor. 

Kryetari i Komisionit, sipas tij, kishte bërë bllokime për sa i përket procedurave juridike të projektit ndonëse mbikëqyrja është bërë në mënyrë të rregullt nga ekspertët e Agjencisë Kadastrale të Kosovës. 

“Secila kërkesë qoftë nga operatorët ekonomikë qoftë nga Komisioni për rindërtim është trajtuar edhe në menaxhmentin e AKK-së për gjetjen e rrugëve për zbatimin sa më kualitativ të projekteve”, tha Pitarka. 

Bazuar në shënimet e publikuara në faqën zyrtare të Agjencisë Kadastrale projekti parasheh kompletimin e të dhënave në tërë territorin e Kosovës mbi pronësinë në pronën e paluajtshme sipas gjendjes reale në terren. 

“Mospërputhja e bazës së të dhënave grafike me atë tekstuale kishte ardhur si pasojë e mosmirëmbajtjes së rregullt të kadastrës dhe marrjes së dokumentacionit nga Serbia”, thuhet në përshkrimin e projektit në faqen zyrtare të AKK-së. 

Rindërtimi i Informacioneve Kadastrale është projekti më i madh i regjistrimit të patundshmërive në Kosovë që prej viteve të 80-ta. Ish-kryesuesi i komisionit të këtij projekti, Sefaj, ka shpjeguar se Kosova aktualisht posedon të dhëna të regjistrimit të patundshmërive që janë bërë në vitet e 80 e të cilat nuk janë korrigjuar që nga ajo kohë.

Ndërkohë për mbështetjen e këtij projekti Banka Botërore  në vitin 2010 i ndau Kosovës një shumë prej 13.2 milionë dollarësh e cila do të përdorej për zhvillimin e kadastrës. 

Nga vlera 12.3 milionë dollarëshe, kishin sqaruar atëkohë zyrtarë të Ministrisë së Financave, një shumë prej 6.74 milionë janë kredi me kushte dhe duhet të kthehen në afat prej 40 vitesh. Kthimi i kredisë do të duhej të niste pas një periudhe 10 vjeçare. Ndërsa pjesa tjetër është donacion. 

 
Digjitalizimi i dokumenteve kadastrale | Foto: kca-ks.org  

 

Kompanitë mohojnë vërejtjet 

Kompania nga Shqipëria ka vlerësuar se akuzat e Sefajt nuk përbejnë problem në mbarëvajtjen e projektit. 

“Ne nuk kemi nënshkruar ndonjë kontratë me z. Ali Sefaj, por kontratën e kemi lidhur me një institucion shtetëror, Agjencionin Kadastral”, ka thënë përfaqësuesi i kompanisë “Lorenco Co”, Lorenc  Zani, duke vlerësuar se akuzat e Sefajt janë përsonale.

Ai ka thënë se kontrata për këtë projekt është lidhur në korrik  të këtij viti dhe mbaron në qershor të vitit të ardhshëm. 

“Nuk është e vërtetë që ne nuk kemi dorëzuar asgjë dhe disa prej pikave që ai parashtron nuk kanë lidhje me planin dinamik”, ka deklaruar Zani. 

Por, sipas tij, asnjë kontratë nuk mund të kalojë pa pasur mos-marrëveshje të vogla. 

“Çdo vërejtje që është vënë në dukje me qëllim realizimin me sukses të punës është sqaruar me dashamirësi nga ana e stafit të Agjencionit Kadastral që nga i pari dhe deri tek i fundit dhe ne i kemi marrë parasysh këto vërejtje, i kemi përmirësuar dhe vazhdojmë t’i përmirësojmë ato”, ka deklaruar Zani.

Ndërkohë zyrtarë të kompanisë turke “Emiharita” kanë pohuar se kanë zbatuar kontratën e lidhur me Agjencinë Kadastrale të Kosovës.

Kompania turke ka pohuar se punët e kërkuara me kontratë – siç janë  informimi publik, hapja e zyreve të kompanisë në Kosovë si dhe rrjeti referent i rendit të III’të – janë përfunduar dhe janë pranuar nga AKK-ja dhe nga vetë Kryetari i Komisionit, Ali Sefaj.

Sipas kësaj kompanie, vetë Agjencia Kadastrale kishte kërkuar që të dhëna të mos dorëzohen pa u kompletuar me formularë të terrenit, procesverbale, matje origjinale nga terreni si dhe matje të përpunuara në zyrë.

“Ne si kompani deri në këto momente kur po iu drejtohemi juve i kemi perfunduar rreth 70% të aktiviteteve të parapara në kontrate dhe në AKK për kontroll të kualitetit i kemi dorezuar rreth 50 për qind të të dhënave”, thotë Abdullah Yusuf Ekinci, udhëheqës i projektit për Kosovë i kësaj kompanie.

Punët, sipas tij, pritet të përfundojnë në bazë të dinamikës së paraparë në kontratën e lidhur mes palëve.

“Sipas planifikimit të kompanisë të gjitha aktivitetet janë duke u kryer dhe do të përfundojnë në afatin e paraparë sipas kontratës që është qershori 2013”, tha Ekinci.

Po ashtu, kompania ka pohuar se ka sjellë edhe ekspertët e saj në Kosovë ashtu siç kërkohet me kontratë.
 
“Në realizimin e këtij projekti janë të kyçur mbi 50 ekspertë të kompanisë si në Kosovë ashtu edhe në Turqi dhe z.Sefaj ka mbajtur takim me pronarin dhe disa ekspertë të kompanisë Emi Harita”, ka deklaruar zyrtari i kësaj kompanie.

Ai ka akuzuar Sefajn se nuk ka qenë kooperativ dhe se nuk i është përgjigjur pyetjeve të kompanisë kur i janë kërkuar sqarime rreth këtij projekti.

Zyrtari i kompanisë turke ka deklaruar se Sefaj është dashur që vërejtjet e tij ti jap në fillim të projektit.

“Nëse ka pasur një bindje të tillë dhe ka pasë njohuri për dukuritë e tilla, po i quaj ‘negative sipas tij’, pse e ka mbajtur sekret deri tash dhe i njëjti i ka aprovuar raportet e punës dhe nëse deklarimet e tij janë reale atëherë edhe ai vetë është pjesë e atyre shkeljeve që nuk i ka treguar me kohë”, tha Ekinci.

Por, sipas tij, Sefaj me kalimin e kohës do të bindet se ka gabuar me akuzat e tij dhe se ka dështuar në kryerjën e obligimeve si Kryetar i Komisionit për Rindërtimin e Informacioneve Kadastrale.

Njëjtë si kompanitë private vlerëson edhe Ministria e Mjedisit Hapësinor në kuadër të së cilës operon Agjencia Kadastrale e Kosovës. 

“Akuzat për keqpërdorime të ish zyrtarit ligjor Ali Sefaj, drejtuar kryeshefit të AKK-së,  deri më tash janë më shumë të natyrës deklarative sesa që paraqesin ndonjë të dhënë konkrete, duke pasur parasysh se kjo çështje akoma nuk është sqaruar nga organet e kompetente”, thotë zyra për informim në Ministrinë e Mjedisit. 

Sipas saj, pas pranimit të vërejtjeve për këtë projekt nga nëpunës të AKK’së Ministria e Mjedisit… ka kërkuar sqarime nga Kryeshefi i Kadastrës. 

“Në të gjitha pikat e përmendura për këta dy operatorë, AKK ka sqaruar se ato janë adresuar dhe të gjitha projektet janë duke shkuar sipas planeve”.