“Thirrja e Artë” Është e Ndaluar

Show televiziv “Thirrja e Artë” ka vazhduar të transmetohet në Radio Televizionin 21, të dielën mbrëma më 09 dhjetor 2012, edhe pse Administrata Tatimore e Kosovës ka urdhëruar ndalimin e saj dhe e ka gjobitur atë për ushtrim të veprimtarisë pa leje. 

Vendimi për ndalimin e transmetimit të lojës shpërbylese është marrë më 26 nëntor dhe është publikuar përmes faqes së internetit të ATK-së. 

“Njoftohen të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, se show programi ‘Thirrja e Artë’ nuk ka leje nga Administrata Tatimore e Kosovës që të organizojë lojë shpërblyese…”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

“Thirrja e Artë” organzohet nga produksioni “New Promotion-K”. Pronari i saj konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se më 5 dhjetor 2012 ai ka pranuar vendimin e ATK-së për ndërprerjen e emisionit.

“Më 5 dhjetor ATK-ja i ka dorëzuar kontabilistit të kompanisë vendimin se Thirrja e Artë duhet të ndërpresë punën duke u thirrur në një nen të lojrave të fatit”, tha Gazmend Pruthi, pronari i produksionit “New Promotion-K”.

New Promotion po ashtu ishte gjobitur nga Administrata Tatimore.

“Javën e kaluar ne kemi gjobitur ‘New Promotion-K’ me dy mijë euro në përputhje më ligjin për lojrat e fatit”, thotë ATK.

Përkundër gjobës së parë, “Thirrja e Artë” është transmetuar përsëri më 10 dhjetor dhe për këtë Divizioni i Lojërave të Fatit në ATK ka shqiptuar gjobën e dytë. Ajo pritet t’i dorëzohet produksionit “New Promotion-K”. 

“Sot (e martë) do t’i dërgojmë edhe gjobën e dytë produksionit New Promotion-K, sepse ka transmetuar emisionin edhe pas vendimit që i kemi dërgur se nuk duhet të transmetohet”, thotë Bekim Jupa i divizionit të lojërave.

E nëse produksioni vazhdon ta transmetojë lojën përsëri, tha Jupa, do të aplikohen masa tjera, siç është revokimi i liçencës së biznesit.

 
Pamje të emisionit Thirrja e Artë | Foto: RTV21, Thirrja e Artë, 09 dhjetor 2012  

 

“Ajo çka ka rëndësi tani është ligji i ri”

Divizioni i Lojërave të Fatit në arsyetimin për ndërprerjen e lojës shpërblyese thirret në ligjin e ri për lojërat e fatit, sipas së cilit kjo “lojë shpërblyese është e ndaluar”.

“…në bazë të ligjit në fuqi Nr. 04/L-080, përkatësisht nenit 5, për Lojërat e Fatit, kjo lojë shpërblyese apo ky show program është i ndaluar të zhvillohet…”, thuhet në njoftimin e ATK-së. 

Por, pronari Gazmend Pruthi thotë se show televiziv “Thirrja e Artë” është lojë shpërblyese ashtu siç kërkohet me ligjin për lojrat e fatit.

“ATK në arsyetimin e saj ka thënë se nuk ka bazë ligjore dhe është thirrur në nenin 5 [të ligjit të ri për lojrat e fatit] ku flitet për ‘lojërat e fatit’ kurse ‘Thirrja e Artë’ është show televiziv që në vete ka edhe dhurimin e shpërblimeve pra është ‘Lojë Shpërblyese’”, thotë Pruthi.

Bazuar në ligjin e vjetër për lojrat, “Thirrja e Artë”  konsiderohej si lojë shpërblyese e cila nuk njihej si lojë e fatit prandaj i ishte dhënë leja që të ushtronte këtë veprimtari. 

“Konkurset shpërblyese dhe lojërat e shpërblyese që i organizon subjekti juridik me qëllim propagandistik nuk janë lojëra të fatit në pajtim me këtë ligj dhe të njëjtat, mund të organizohen me kusht që pjesëmarrja në lojë të mos inkasohet dhe të mos ketë kosto shtesë….”, thuhej në ligjin e vjetër për lojrat e fatit. (shih ligjin e vjetër lojrat e fatit) 

Kjo dispozitë juridike që i kishte dhënë të drejtë ATK që të lejonte New Promotion-K që të organizonte lojën shpërblyese nuk ka ndryshuar me ligjin e ri.

“Konkurset shpërblyese që i organizon subjekti juridik me qëllim publiciteti nuk janë lojëra të fatit në pajtim me këtë ligj dhe mund të organizohen me kusht që pjesëmarrja në lojë të mos inkasohet dhe të mos ketë kosto shtesë”, thuhet në pargrafin e 2 të nenit 5. (shih ligjin e ri per lojrat e fatit) 

Mirëpo, menaxheri i lojërave të fatit në ATK thotë se ajo çka ka rëndësi tani është ligji i ri.

“Unë si menaxher i lojërave të fatit e zbatoj ligjin e ri”, tha Bekim Jupa, ndonëse pranoi se bëhet fjalë për “kolizion të ligjeve”. 

Sipas tij, ligji kërkon që organizuesit e lojërave të mos krijojnë kosto shtesë për pjesëmarrësit e lojrave.

“Loja shpërblyese (Thirrja e Artë) organizohet përmes mesazheve që dërgojnë shikuesit për tu bërë ‘lojtarë’ në këtë show. Me mesazhet e dërguara nga shikuesit për këtë lojë shpërbëlyese, produksioni inkason të holla dhe kjo është e ndaluar sipas ligjit”, thotë Jupa.

 
Bekim Jupa, menaxher i Divizionit të Lojrave të Fatit, ATK   

 

“Thirrja e Artë ka leje valide”

Pronari i New Promotion-K thotë se ai ka leje valide për shkak se në dokumentin e lëshuar nga ATK-ja, nuk tregohet afati kohor i vlefshmërisë së lejes.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar dokumentin e lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës që vepron në kuadër të Ministrisë së Financave për N.Sh New Promotion-K. (shih lejen)

Aty thuhet: “Konstatojmë se i plotësoni kushtet për organizimin e kësaj loje shpërblyese”. 

Dokumenti është lëshuar më 4 shkurt 2011, është nënshkruar nga Bashkim Shala, në cilësinë e zëvendës drejtorit të ATK-së, dhe nuk përmban datë skadimi.

“Leja e Thirrjes së Artë është e zakonshme dhe ajo lëshohet për çdo xhiro, prandaj nuk i është shënuar afati i skadimit. Ajo që i referoheni ju, është leje e vitit të kaluar përkatësisht e datës 4 Shkurt 2011”, pronari Pruthi tha për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në njërën ndër lejet e lëshuara për New Promotion-K, të cilën e posedon Gazeta Jeta në Kosovë, nuk përmenden xhirot.

“Kjo leje ka qenë në fuqi deri në muajin qershor të këtij viti. Lejet për organizimin e lojërave shpërblyese lëshohen me afat të caktuar dhe edhe ajo leje ka qenë për një periudhë të caktuar”, thotë Bekim Jupa i ATK-së.

Gazeta Jeta në Kosovë ka bërë kërkesë për qasje në të gjitha lejet e dhëna nga ATK-ja për New Promotion, por nuk ka marrë përgjigje nga e para.

Pronari Pruthi ka investuar rreth 200 mijë euro në realzimimin e show “Thirrja e Artë”. 

“Por çfarë të bëjmë me qindra mijra euro (më shumë se 200.000) euro qe janë shpenzuar deri më tash vetëm për skenë, ndriçim, zerim dhe të tjera? Keto janë projekte të mëdha televizive. Nuk është mirë me ta dhënë licencën e pastaj me ta ndërpre punën”, thotë Pruthi. 

Në një prononcim për gazetën të dhënë para transmetimit të emisionit “Thirrja e Artë”, të datës 10 dhjetor, Pruthi kishte thënë se produksioni, pas vendimit të ATK-së, është i detyruar ta ndërpresë punën dhe do ta respektojë vendimin e ATK-së.

“Ne nuk mund të ndërmarrim kurrëfarë masash ndaj ATK-së sepse ATK është shteti dhe ne jemi një kompani e vogël që merret meprodhimin e Show-ve televizivë dhe jemi shumë të brishtë që të shtyhemi me një gjigant si ATK-ja”, thotë Pruthi.

Show program “Thirrja e Artë”, kishte filluar së transmetuari në tetor 2011 dhe është transmetuar deri në qershor 2012. Nga muaji qershor ajo nuk është transmetuar për gjashtë muaj. Edicioni i dytë i këtij emisioni kishte filluar më 25 nëntor.  

Loja shpërbëlyese organizohet përmes mesazheve që dërgojnë shikuesit, të cilët i bëjnë ata pjsëmarrës. Shpërblimet që ofron loja përfshijnë nga telefonë mobil, llaptopë, vetura dhe apartamente.