Kompania Britanike Pohon Se Iu Kërkua Reket

Isen Shahini, zyrtar i kompanisë britanike Fox Marble, thotë se është sulmuar nga biznesmeni Latif Lushtaku, para një muaji në qendër të Prishtinës.

Shahini, i cili thotë se është përfaqësues i kësaj kompanie për Kosovë, deklaron se Lushtaku ka shtyrë që të hyjë në biznes me ta duke e kërcënuar se nëse nuk e bën këtë, kompania e tij nuk do të mund të punojë në Kosovë.

Pasi që Fox Marble ka kundërshtuar bashkëpunimin me Lushtakun, Shahini ishte sulmuar në mes të ditës në afërsi të hotelit Grand nga Lushtaku dhe një person tjetër. 

“Jem takuar dy herë me Latif Lushtakun. Herën e parë ai më kontaktoi përmes një personi tjetër. Donte aksione. Ishte reket”, tha Shahini për Gazeta Jeta në Kosovë. 

“Jem takuar dy herë me Latif Lushtakun. Herën e parë ai më kontaktoi përmes një personi tjetër. Donte aksione. Ishte reket”, tha Shahini për Gazeta Jeta në Kosovë. 

Ndërsa, herën tjetër, Shahini thotë se ishte ndalë nga Lushtaku dhe personi tjetër derisa po kalonte rrugës dhe aty ishte shtyrë e sulmuar. 

“I ka një muaj e diçka që atëherë. E kam raportuar rastin në stacionin numër 1 në Prishtinë. Disa njësite policore janë marrë me të. Kam qenë me një mik kur ka ndodhur rasti”, tha Shahini duke shtuar se pasoja fizike nuk ka pasur. 

Shefi ekzekutiv i kompanisë britanike Fox Marble, Christopher Gilbert, thotë se rasti i punëtorit të tij është raportuar menjëherë në polici.

“Për aq sa di, përkundër këtij raportimi (në polici), asgjë nuk ka ndodhur”, thotë Gilbert për Gazetën Jeta në Kosovë.

Agron Borovci, zëdhënës i policisë për rajonin e Prishtinës, ka konfirmuar se policia kishte ngritur kallëzim penal ndaj dy personave të dyshuar në lidhje me këtë rast dhe se lëndën e ka përcjellur në prokurorinë komunale. “Policia ka intervistuar të gjithë personat e përfshirë në incident”, tha Borovci. “Rasti është kategorizuar si lëndim i lehtë trupor”.  

Lushtaku mohon akuzat

Biznesmeni Latif Lushtaku mohon akuzat se i ka kërkuar Shahinit që të blejë aksione nga kompania e tyre duke thënë se nuk ka interesa në atë biznes.

Ai thotë se e ka takur Isen Shahinin tek Hotel Grandi, por se ka qenë takim i rastësishëm e jo takim biznesi.

“Unë i kam punët dhe bizneset e mia dhe nuk dua të kem asgjë me ta”, tha Lushtaku, duke shtuar se policia nuk e ka intervistuar atë në lidhje me pohimet e Fox Marble. 

“Isen Shahini ka qenë oficer i Titos, e i UÇK-së dhe unë e di që ai ka një restorant, por jo edhe që punon për Fox Marble. Edhe ashtu, s’kam pasur kurrfarë interesash dhe nuk kam kërkuar aksione. Minierat janë të tyret dhe ia pafshin hajrin. Me mua nuk kanë asgjë. Nuk do të bëj me ta biznes kurrë në jetë”, tha Lushtaku.

“Në këtë vend ka shtet, ka gjykata dhe ka ligj. Ligji është më i madh se të gjithë ne. Nuk e di çfarë matematike e tyre është kjo që të kapen pas emrave të dikujt” Latif Lushtaku

Ai tha se nuk ka qenë i dënuar ndonjëherë përveç dënimeve në komunikacion dhe thirret në ligj dhe respektim të ligjit. “Në këtë vend ka shtet, ka gjykata dhe ka ligj. Ligji është më i madh se të gjithë ne. Nuk e di çfarë matematike e tyre është kjo që të kapen pas emrave të dikujt”, tha Lushtaku. “Unë as s’kam ndërruar emër e as identitet dhe secili mundur të vijë e të më takojë lehtë…s’kam bërë asgjë të kësaj natyre dhe mund t’ia sqarojë këto institucioneve relevante”. 

Latif Lushtaku ka në pronësi të tij dy kompani – “N’pikë” merret me patundshmëri ndërsa L&L-me aktivitet minerar. Edhe kësaj të fundit i është marrë licenca në nëntor nga KPMM-ja.

Lushtaku ka aksione edhe në kompaninë “Prague Metal” e cila ka licencë nga komuna e Hanit të Elezit për të bërë hulumtime për xeherore të hekurit dhe nikelit.

Licencat

Fox Marble mori edhe një lajm të keq javën e kaluar. Shefi ekzekutiv Gilbert ishte njoftuar se Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, KPMM ia kishte anuluar katër licenca për shfrytëzim të mermerit në Kosovë.

Kompania kishte marrë licencat më 31 tetor 2011 me afat deri në vitin 2035.

KPMM thotë se kompania Fox Marble nuk ka arritur t’i përmbahet kushteve të licencës e cila kërkon që bartësit e licencave të fillojnë aktivitetin në terren pas tre muajsh nga marrja e licencave. 

Gilbert thotë se komisioni ka shkelur ligjin. Neni 9 i ligjit për miniera dhe minerale thekson se bartësi i licencave duhet së pari të njoftohet nga komisioni dhe t’i jepet kohë prej 60 ditësh e jo më shumë se 120 për shpjegime shtesë. 

Lokacionet e minierave të Fox Marble

Ai tha se në dhjetor 2011 kanë kërkuar nga komisioni shtyrje të këtij afati për tre muaj për shkak të kohës së keqe. 

Kompania në fjalë, thotë Gilbert, në tremujorin tjetër, 1 maj deri në 31 korrik, ka lëvizur në guroren e katërt për të pastruar vendin dhe çliruar rrugën për makinerinë e rëndë. 

“Me 27 korrik (2012) në Londër, unë e Sir Colin Terry, në prezencë të Ian Cliff (ambasadori britanik në Kosovë) i kemi shpjeguar ministrit Besim Beqaj që do të marrim pjesë në gusht në berzë dhe si pasojë do të ndërmarrim më shumë punë në çerekun vijues”, tha Gilbert.

Ai (Beqaj) e kishte të qartë, thotë Gilbert, që gjersa kjo ishte një çështje e KPMM-së “3 muaj vonesë nuk është problem dhe se ai do të fliste me KPMM-në”.  

“Si rrjedhojë, në atë çerek viti ne kemi vendosur pajisje në 4 prej 5 lokacioneve tona dhe kemi hapur një minierë”, tha Gilbert duke shtuar se kompania do të hapte edhe minierën e dytë në Pejë këtë javë dhe një tjetër menjëherë në Rahovec.

“Ky është një shembull i interesave të shëmtuara që përzihen edhe në Investimet Direkte të Huaja (IDH) në një kompani ndërkombëtare që bën përpjekje për të sjellë punë dhe investime në Kosovë”, Gilbert i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

“Ky është një shembull i interesave të shëmtuara që përzihen edhe në Investimet Direkte të Huaja në një kompani ndërkombëtare që bën përpjekje për të sjellë punë dhe investime në Kosovë” Christopher Gilbert  

Komisioni: Kemi Vepruar Sipas Ligjit 

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka anuluar, më 26 nëntor, 35 licenca të kompanive që merren me minerale, përfshirë katër të kompanisë britanike, pasi, siç thotë ky institucion, nuk po zbatohej ligji duke mos parë punime përkatëse në terren. 

Komisioni e ka marrë këtë vendim pasi asnjë nga këto kompani, sipas tij, nuk kanë përmbushur zotimet e tyre për nisjen e punëve pas marrjes së licencave për shfrytëzim, që pason licencën për hulumtim.

“…Bordi i KPMM-së konstaton se kompanitë nuk kanë vepruar sipas kushteve të licencës pasi kanë qenë të obliguara që të fillojnë me aktivitetin e shfrytëzimit”, shkruan në vendimin për anulimin e licencave.

“Kompanitë nuk kanë filluar punët e tyre pas tre muajve që kur kishin marrë licencat, siç kërkon ligji. Resurset tona nuk guxojnë të rrinë por duhet të valorizohen”, Ahmet Tmava, kryesues i bordit të KPMM-së, i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Po ashtu, licenca e pestë për kompaninë britanike, që i jep të drejtë asaj të shfrytëzojë gurin dekorativ në Cërvenillë të Rahovecit është pezulluar. Asaj i janë kërkuar shpjegime shtesë se pse nuk ka aktivitet më të madh marrë parasysh se licencën e kishte marrë para një viti. 

“Inspektorati ynë ka qenë në terren dhe atje ka parë vetëm një kamion dhe një ekskavator. Aty gjendej një gropë e vogël dhe kjo ishte krejt çfarë kishin bërë”, tha Tmava.

Ai tha se komisioni kishte mundësuar hapa më të shpejtë për kompaninë në nxjerrjen e licencave për hulumtim të terrenit dhe atë të shfrytëzimit.

“Resurset tona nuk guxojnë të mbesin me vite kështu por duhet të valorizohen”, tha Tmava.

I pyetur nëse komisioni ka shkelur ligjin për mos njoftim të bartësit të licencës duke i dhënë afat prej 60 ditë e jo më shumë se 120 ditë, Tmava tha: “Komisioni ka vepruar sipas ligjit dhe  ekzistojnë 30 ditë për kompanitë që të ankohen në komision.”

Ky njoftim nuk i është dërguar kompanisë Fox Marble.

Gilbert thotë se anulimi i licencave ka krijuar huti të madhe tek partnerët dhe investitorët e tyre duke shprehur mosbesim të madh tek ata.

“Në një koment që kam marrë nga një investitor, ai më tha se pas këtij lajmi askush nuk do të investojë në Kosovë”, tha Gilbert.

Ai shtoi se të gjithë investitorët e tyre kanë humbur 25 për qind të investimeve të tyre fillestare dhe po ashtu çmimet e aksioneve që Fox Marble ka në berzën e Londrës kanë rënë për 25 për qind.

Fox Marble Holdings PLC është e inkorporuar në Mbretëri të Bashkuar dhe ka të gjitha asetet e regjistruara në Kosovë. Është kompania e parë kosovare që ka arritur të ngrit fonde prej 10 milionë funta në berzën e Londrës.

Fox Marble ishte paralajmëruar 

Në fund të muajit prill, Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar se një dokument 27 faqesh, i përgatitur për marketing të Fox Marble, i datës 7 mars 2012, fliste për potencialin e mermerit në Kosovë që mund të nxirret nga pesë gurore në Kosovë, të cilat ishin në posedim të kompanisë në fjalë. 

Dy nga guroret kishin burime të njohura me mermer të bardhë (white breccia) dhe mermer të kuq. Kompania theksonte se procesi i nxjerrjes së shumicës së mermerit që gjendet në sipërfaqe është mjaft e thjeshtë, por një pjesë e të ardhurave do të përdorej për ndërtimin e një fabrike të re të përpunimit.

Fox Marble kishte vlerësuar se kur fabrika të arrinte prodhim të plotë, mund të arrinte përfitim prej 25.9 milionë eurosh, para interesit dhe tatimeve.

Dokumenti i marketingut nga Fox Davies shpjegonte në hollësi detajet për potencialin e mermerit në Kosovë dhe për planin e Fox Marble e cila shpresonte prodhimin në 2013. 

Aty vlerësohej se gjenden rreth 91.3 milionë metra kub të burimeve të treguara (Indicated resources) dhe nga burimet e supozuara (Inferred resources) flitet për 235 milionë metra kub të gurit dekorativ. 

Por, po ashtu, në të njëjtin artikull gazeta kishte raportuar se Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale në Kosovë (KPMM) thoshte se pas fitimit të licencave të shfrytëzimit, kompanitë duhen të fillojnë punën pas tre muajsh.

“Na kanë thënë se për shkak të motit të keq që ka qenë gjatë dimrit, ata nuk kanë mundur të fillojnë punën. Iu kemi dhënë afat edhe për tre muaj tjerë” Xhevdet Krasniqi

Xhevdet Kastrati, anëtar i bordit qeverisës në KPMM, i shprehte shqetësimet e tij ndaj Rex Marble pasi nuk kishin filluar punët në terren e që, sipas tij, duhej të filloheshin që në janarin e kaluar.

“Na kanë thënë se për shkak të motit të keq që ka qenë gjatë dimrit, ata nuk kanë mundur të fillojnë punën. Iu kemi dhënë afat edhe për tre muaj tjerë”, thoshte Kastrati.

Rex Marble kishte fituar katër licenca për shfrytëzim më 31 tetor 2011 me afat deri në vitin 2036. Lokacionet për shfrytëzim ishin në Bukovik (Gjilan), Cervenicë, Zatriq (Rahovec) dhe Antena.

Kastrati nuk e fshihte dozën e dyshimit për këtë kompani. “Neve po presim që t’i sjellin këto analiza dhe ata duhen të nisin punën. Ata ose duhet të fillojnë të investojnë, ose dyshojmë që janë tregtarë licencash”, thoshte ai.

Fox paralajmëronte fabrikë në janar

Në muajin nëntor, Kompania Fox Marble tha se kishte hapur minierën e parë në Rahovec ku do të nxirrte gurin dekorativ dhe se katër miniera tjera pritej të hapen së shpejti. http://gazetajnk.com/?cid=1,987,3923

Kompania thoshte se kishte në plan të hapë edhe minierën e dytë e cila gjendet më pak se një kilometër nga kjo aktualja, në Cërvenillë të Rahovecit. 

Pajisjet tanimë janë atje dhe punëtorët vendorë udhëhiqen dhe trajnohen nga tre italianë, thoshte kompania. 

Miniera në Cërvenillë përmban mermer të kuq dhe hiri dhe kompania së shpejti do të nxjerr blloqet e para.

“Këto blloqe do të shkojnë në Itali për përpunim të cilat do t’i përdorim si mostra për prezantimet tona nëpër botë”, thoshte Etrur Albani, drejtor menaxhues. 

Albani pati thënë se gurthemeli për fabrikën me hapësirë prej afër 13 mijë metra katrorë do të bëhej në Janar të vitit të ardhshëm dhe se brenda 76 ditëve do të ishte e gatshme për përpunimin e gurit dekorativ.