Fituesi i Prokurimit në Partneritet Biznesi me Kryetarin e Komisionit

Riad Rashiti, drejtor për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit, ishte caktuar që të drejtojë procesin e partneritetit publiko-privat për ndërmarrjën rajonale “Higjiena”.

Në kë prokurim publik ku Rashiti ishte Kryetar Komisioni fitues kishte dalë kompania austriake Moser Group që përfaqësohet nga kompania “Ecovision”, me bazë në Gjilan.

Transaksioni mes Komunës së Gjilanit dhe kompanisë austriake është duke u hetuar nga një prokuror i qarkut në Gjilan, raportoi Gazeta Jeta në Kosovë javën që shkoi.

Por, Rashiti në të njejtën kohë mban edhe pozitën e menaxherit të filialës për Gjilan të kompanisë së sigurimeve “Grawe Elsig”.

Kompania “Ecovision” më 26 nëntor të këtij viti, gjashtë muaj pasi lidhi kontratë me Komunën e Gjilanit, nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Grawe Elsig”.

Në këtë kompani sigurimesh, “Ecovision” regjistroi një automjet të saj i cili do të përdoret për punë të ndërmarrjës së re “Eco Higjiena”, në të cilën për 15 vite do t’i ketë 49 për qind të aksioneve ndërmarrja rajonale Higjiena ndërsa 51 përqind do t’i ketë investitori privat.

Në këtë policë sigurimi, si person që nënshkruan në emër të kompanisë figuron Fitore Rashiti.

Ky dokument, sipas burimeve të Gazetës Jeta në Kosovë, është dorëzuar në Njësinë për Krime Ekonomike në Gjilan e cila është autorizuar të hetojë këtë rast nga prokurori i qarkut Afrim Shefkiu.

Por, kryeprokurori i qarkut në Gjilan i tha Gazetës Jeta në Kosovë javën e kaluar se ky institucion nuk dëshiron të komentojë për detajet e hetimeve.

Ndërkohë Riad Rashiti kur ka deklaruar pasurinë në Agjencinë Kundër-Korrupsion (AKK) ka shënuar se përveç tij në “Grawe Elsig”, punon edhe bashkëshortja e tij.

Të ardhurat përsonale të tij nga kjo kompani janë 9 mijë e 600 euro në vit ndërsa të bashkëshortës 8 mijë e 800 euro në vit.

Për bashkëshorten ka shënuar se merr nga Grawe Elsig edhe 7 mijë e 200 euro në vit si të ardhura nga qiraja. Ndërsa për vetën ka shënuar se merrë edhe 4 mijë e 700 euro nga kjo kompani të cilat i ka specifikuar si “Të ardhura tjera”.

Drejtori për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, kur është pyetur për këtë çështje, ka deklaruar se nuk përben kurrfarë shkelje ligjore. “Aspak nuk mendoj që ka të bëjë me konflikt interesi”, tha Rashiti.
 
Agjencioni Kundër-Korrupsion (AKK) nuk ka mundur të japë përgjigje deri më tash.

Kompania Moser Group nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e gazetës.