Asistenti i Haradinajt Fiton Tenderët e Junikut

Shpëtim Selmanaj, njëri nga dy pronarët e kompanisë “Accord Investments-SAH” që ka fituar dy nga tenderët më të mëdhenj për shtrimin e shtratit të lumit “Erenik”, është asistent personal i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe sekretar organizativ i forumit rinor të kësaj partie.

Kompania është pjesë e konzorciumit që ka fituar në dy tenderë publikë të komunës së Junikut që janë pjesë e projektit për rregullimin e shtratit të lumit “Ereniku”. 

Njëri kap vlerën e 317 mijë e tjetri peshon mbi 440 mijë euro.

Po ashtu, e njëjta kompani ishte pjesë e konzorciumit fitues së bashku me kompaninë “Fidani L”,  në një tender të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për rregullimin e një parku në afërsi të këtij lumi.

Kontrata për këtë punë, e lidhur në vitin 2010, peshonte 28 mijë e 700 euro.

Por, kur më 5 tetor të vitit 2010 Komuna e Junikut shpalli fitues kompaninë “Noti” për fazën e parë të rregullimit të shtratit të lumit, emri i kompanisë “Accord..” nuk figuronte  në Njoftimin për Dhënie Kontrate që u publikua në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit.
 
Megjithatë edhe “Accord..” edhe prokurimi i Junikut ka konfirmuar se kjo kompani ishte pjesë e konzorciumit fitues që ofertoi me 443 mijë e 89 euro.

I njëjti konzorcium fitoi edhe në tenderin për fazën e katërt të projektit dhe kishte një ofertë që peshonte 317 mijë e 981 eurosh. Në njoftimin e kontratës, kësaj radhe figurojnë emrat e dy kompanive.

Për rregullimin e 1.5 kilometrave të shtratit të lumit Erenik që kalon nëpër komunën e vocërr e të re të Junikut me qëllim që të shmangen vërshimet kanë nisur të harxhohen 1.5 milionë euro raportoi javën e kaluar Gazeta Jeta në Kosovë.

 
Shtrati i rregulluar i Erenikut, Junik | Foto: Korab Basha  

 

Rregullimi i shtratit të lumit që vlerësohet si më i rëndësishmi në rajon me rreth 515.5 kilometra gjatësi, është ndarë në katër faza tenderuese.

Hasan Krasniqi, zyrtar prokurimi në këtë komunë, pati konfirmuar se projekti ishte nisur duke u bazuar në një premtim gojor të Hajredin Kuçit, zv/kryeministër në Qeverinë e Kosovës.

Pjesa tjetër e projektit, sipas tij, është mbështetur përmes donacioneve të ndryshme që kalojnë nëpërmjet Qeverisë së Kosovës.

Fituesi i tenderëve nuk ka makineri pune
 
Bazuar në të dhënat e ARBK-së, kompania ka pronarë Shpëtim Selmanajn dhe Ismet Kelmendin.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Shpëtim Selmanaj kur është pyetur rreth kompanisë “Accord Investments-SAH” ka sugjeruar të kontaktohet pronari tjetër Ismet Kelmendi.

Kelmendi ka pohuar se me Selmanajn janë bashkë-aksionarë. Ai shtoi se të dy kanë numrin e njëjtë të aksioneve në kompani.

“Në kompani të dy kemi numrin e barabartë të aksioneve – 50 për qind”, tha Kelmendi.

Ai ka thënë se kompania është tek në fillimet e veta por sipas tij është duke u bërë lider biznesi në Junik.
 
Kelmendi ka konfirmuar se kompania nuk ka makineri dhe betonin e blen nga kompanitë e tjera në kohën kur fiton tenderët.

Por, këto sipas tij janë kritere që zakonisht i plotëson njëri prej anëtarëve të konzorciumit dhe se mungesa e makinerive nuk përben parregullsi.

Kompania “Accord Investments-SAH”, në ARBK është e regjistruar si firmë për ndërtimin e autostradave, rrugëve, aeroporteve dhe objekteve sportive dhe punimet të tjera të specializuara të ndërtimit. 

 
Foto: Korab Basha