Shteti Rrezikon të Humbas Miliona nga Neglizhenca e ATK-së

Gjatë këtij viti mbi 6 milionë euro borxhe ndaj Administratës Tatimore mbushin gjashtë vjet që kur janë krijuar si obligim tatimor. Kur një borxh arrin këtë përudhë të vjetërsisë, ai bëhet ligjërisht i pambledhshëm bazuar në Ligjin për Administratën Tatimore. 

Kur ka audituar ATK-në, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka paralajmëruar se vetëm gjatë këtij viti shteti rrezikon të humbasë mbi 6 milionë euro për shkak të mungesës së efikasitetit të mbledhësve të tatimit.

“Niveli i borxheve të tatimpaguesve që i afrohet skadimit të gjashtë viteve është i madh. Nivel më i theksuar vërehet sidomos në regjionin Prishtina 1. Kjo ka ndodhë për shkak të mos ndërmarrjes së veprimeve të mjaftueshme për përcjelljen dhe mbledhjen e tatimeve dhe borxheve për vite me radhë”, theksohet në raportin e auditimit për Administratën Tatimore.

ATK-ja, bazuar në raportin e auditorëve, po ashtu deri më tash ka humbur një shumë prej 73 milionë eurosh duke mos arritur të inkasojë borxhet ende pa i mbushur 6 vite nga krijimi si obligim tatimor.

“Kjo tregon për angazhim të pamjaftueshëm nga ATK për të mbledhur borxhet” Zyra e Auditorit të Përgjithshëm

“Kjo tregon për angazhim të pamjaftueshëm nga ATK për të mbledhur borxhet. Mos zbatimi i masave dhe hapave ligjorë ka bërë që ATK të mos jetë efikase në mbledhjen e tyre. Për rrjedhojë kjo shumë e borxhit është bërë ligjërisht e pambledhshme”, theksohet në raportin e auditorëve që i referohet vitit 2011.

Kjo administratë, sipas auditorëve, nuk ka arritur të mbledhë borxhet që ka qenë e mundur të arkëtohen përmes këmbimit të informatave midis ATK-së, Thesarit dhe Bankave.

“Borxhet kritike që mund të bëhen të pambledhshme janë në nivel të lartë dhe kjo i shkakton humbje buxhetit të Kosovës në rast se nuk forcohen masat për arkëtimin e tyre”, theksohet në këtë raport përmes të cilit i rekomandohet ATK-së që të ndërmarrë masa për mbledhjen e detyrueshme të tatimit brenda gjashtë viteve nga vlerësimi i borxheve, në mënyrë që të evitohen humbjet buxhetore.

Ndërkaq kjo administratë për mos efikasitet në mbledhjen e borxheve të akumuluara është kritikuar edhe në raportin e auditorëve që i referohet vitit 2010.

Në këtë raport përmendet se ekzistojnë 304 biznese të cilat realizojnë të hyra nga Buxheti i Kosovës dhe nuk paguajnë obligimet tatimore në ATK.

Këto biznese, bazuar në raportin e auditorëve, secila veç e veç kanë borxhe ndaj ATK-së mbi 3,500 euro. Shuma e përgjithshme arrin vlerën prej mbi 10 milionë eurosh.

“Nga 304 biznese, vetëm 51 prej tyre u ndëshkuan me bllokim fondesh nga Thesari” Zyra e Auditorit të Përgjithshëm 

“Këto biznese gjatë vitit 2010 kanë realizuar 60,851,266 euro vetëm nga Buxheti i Kosovës, pa i përfshirë të hyrat e tjera nga aktivitetet e tyre private”, thuhet në raportin e auditorëve.

Nga 304 biznese, vetëm 51 prej tyre u ndëshkuan me bllokim fondesh nga Thesari që operon në kuadër të Ministrisë së Financave. Por të hyrat nga ky veprim nuk ishin më të larta se sa 728 mijë euro 92 centë.

“Kurse për 253 biznese të tjera ATK nuk ka kërkuar bllokimin e fondeve që do të realizonte mbledhjen e borxheve. Borxhi i mbetur i këtyre bizneseve është 10,061,962 euro”, theksohet në këtë raport.

Ndërkaq Udhëzimi Administrativ 13/2009 i mundëson ATK-së që të bllokojë llogaritë bankare të tatimpaguesit nëse refuzon të paguaj tatimin brenda 10 ditëve nga dorëzimi i njoftimit për vlerësim të borxhit.

“Të dhënat e mësipërme flasin për mosefektivitet të mjaftueshëm në mbledhjen e borxheve nga ana e ATK-së. Kjo më pastaj ka rezultuar në rritje të vazhdueshme të tyre gjatë viteve. Shkaku i ndodhjes së kësaj është moszbatimi i duhur i masave ligjore për mbledhje të detyrueshme të obligimeve tatimore të taksapaguesve të papërgjegjshëm”, theksohet në këtë raport audimi.

ATK-ja pohon se ka plane të detajuara për mbledhje të borxheve

Administrata Tatimore nuk ka ofruar ndonjë të dhënë se sa ka arritur të përmbushë rekomandimet që dalin nga raporti i auditimit për vitin 2011. 

“ATK është duke i mbledhur borxhet sipas planit vjetor. Sidomos në vitin e fundit ka intensifikuat procedurat e masave shtrënguese për tatimpaguesit me detyrime tatimore të prapambetura”, ka deklaruar Valentina Bytyqi-Sefa, zyrtare informimi në ATK.

Gazeta Jeta në Kosovës ka kërkuar nga ATK të dhëna të mbledhjes së borxheve të vjetra në vlerë prej 6 milionë eurosh, por ky institucion nuk i ka ofruar ato.

“ATK është duke i mbledhur borxhet sipas planit vjetor” Valentina Bytyqi-Sefa 

Zyrtarë të kësaj administrate kanë deklaruar se ATK-ja e ka në fokus përshpejtimin e procedurave për mbledhjen e borxheve të vjetra.

“Borxhet të cilat i afrohen periudhës së skadimit, para tre muajve ne i quajmë borxhe kritike dhe kanë një fokus të veçantë në trajtim”. 

Borxhlinjtë më të mëdhenj të vjetër sipas ATK-së janë organizatat buxhetore, ndërmarrjet publike, ndërmarrjet shoqërore si dhe ndërmarrjet nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Administrata Tatimore sipas  Zyrës së Informimit të këtij institucioni ka Planin Strategjik të Përmbushjes ku janë të përcaktuara qëllimet dhe fushat e rrezikut, e si rrjedhojë është përpiluar edhe Plani i Trajtimit të Rreziqeve të përgjithshme.

Më pas ATK-ja ka përpiluar një plan të detajuar veprimi vetëm për fushën e borxheve.

“Ky plan përmban veprime strategjike dhe operative në fushën e mbledhjes së borxheve,  si dhe i ka të përcaktuar afatet dhe personat përgjegjës në realizimin e tij”, ka deklaruar Bytyqi-Sefa.

Ndërkaq Ministria e Financave nuk ka dashur të komentojë për vërejtjet që i jepen ATK-së nëpër raporte auditimi. Edhe përkundër asaj që ATK-ja operon në kuadër të Ministrisë së Financave, zëdhënësi i këtij institucioni Menderes Ibra ka deklaruar se për këtë mund të komentojë vetëm Administratës Tatimore.