Secili Konkurrent për PTK-në me Probleme

Të gjithë pretendentët për blerjen e Postë -Telekomit të Kosovës kanë probleme në realizimin e këtij transakcioni. Derisa në javët e kaluara është diskutuar se për njërin prej këtyre blerësve të mundshëm ka dilema të krijimit të monopolit eventual në treg, tek të tjerët ka përçarje mes hisedarëve, mashtrime ndërmjet partnerëve të biznesit, dyshime për dhënie ryshfeti në këmbim të licencave për operim dhe dyshime nga Qeveria e Kosovës. 

Janë pesë konzorciume në garë në tenderin e shpallur nga qeveria e cila planifikon që gjatë dhjetorit të shpallë fituesin e privatizimit më të madh në vend.

Garuesit janë Albright Capital Management LLC me telekomin e Portugalisë, kompania turke “Turkcell”, M1 International Limited nga Libani, konzorciumi i përbërë nga “Twelve Hornbeams” e “Avicena Capital LLC” si dhe konzorciumi i “Columbia Capital” dhe “ACP Axos Capital Gmbh”. Njërës prej tyre pritet që Qeveria e Kosovës tia shesë 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Dy konferenca investitorësh ishin mbajtur në muajin maj për të bindur kompanitë e huaja për ta blerë ndërmarrjen profitabile. Njëra ishte mbajtur në perëndim, në Londër, e tjetra në lindje, në Stamboll.

Samitet e mbajtura nga Qeveria e Kosovës kanë sjellë në garë kompanitë me kapital amerikan si “Albright Capital Management LLC” në bashkëpunim me Portugal Telecom si dhe Columbia Capital me bazë në SHBA në konsorcium me ACP Axos Capital Gmbh që është në bashkëpunim me British Telecom.

Po ashtu në garë janë konzorciumi i kryesuar nga Avicena Capital e biznesmenit Huseyin Gun që është në konzorcium me “Twelve Hornbeams” dhe, sipas MZHE-së bashkëpunon me “Sofrecom” që është pjesë e France Telekom.

Pjesë e garës është edhe M1 International Limited pjesë e M1 Group, një korporatë në pronësi të kryeministrit libanez Najib Mikati dhe vëllait të tij Taha Mikati. 

Ndërkohë Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ka dhënë përgjigje kur është pyetur se a e ka bërë verifikimin e historikut të konkurrentëve kur i ka parakualifikuar për të marrë pjesë në tender.

Verifikimi i historikut kërkohet me Ligjin e Prokurimit Publik. Operatorët që kanë qenë të dënuar me një vendim gjykate apo që kanë drejtues të dënuar nga gjykatat nuk lejohen të ofertojnë në një tender publik bazuar në nenin 65 të këtij ligji që rregullon kërkesat për pranueshmërinë e kandidatëve.

Disa prej konkurrentëve janë në procedurë gjyqësore ku dyshohen për ryshfet e mashtrime ndërsa në garë ka edhe kompani që janë dënuar me vendime gjykate për shkelje të marrëveshje të aksionarëve.

Mikati ka problem ryshfetin 

Kompania ku ka aksione Kryeministri i Libanit po përballet me dyshime për dhënie të ryshefit në këmbim të marrjës së licencës për të operuar si operator telekomi në Iran.

 
Najib Mikati | Foto: Facebook  

 

M1 International Limited, që ka konkurruar për blerjen e PTK-së, sipas profilit të kompanive lëshuar nga MZHE është pjesë e M1 Group me bazë në Liban. M1 Group pronë e kryeministrit të këtij vendi Najib Mikati dhe vëllait të tij Taha Mikati. Ajo drejtohet nga djali i kryeministrit Azmi Mikati.

MTN Group me bazë në Johanseburg kishte blerë aksionet e Investcom që kontrolloheshin nga M1. Si rezultat M1 Group ka aksione në MTN.

MTN Group me bazë në Afrikën e Jugut  ka një kontest gjyqësor me korporatën turke “Turkcell”.

MTN Group është paditur në mars të këtij viti në Gjykatën Federale në Washignton DC  të SHBA-së nga “Turkcell” pasi që kompania turke pretendon se MTN Group ka dhënë ryshfet për të fituar një tender telekomi.

Turkcell në vitin 2004 kishte fituar licencën për të operuar në territorin e Iranit. Një vit më pas Qeveria ia kishte shkëputur marrëveshjën dhe ia kishte kaluar të drejtën për operim MTN Group.

Operatori më i madh në Turqi pretendon se kompania me bazë në Johanesburg ka dhënë ryshfet për ta nxjerrë Turkcellin jashtë loje si dhe ka lobuar tek Qeveria e Afrikës së Jugut që të mbështesë programin e armëve bërthamore të Iranit në këmbim të kontratës me MTN.  

Bazuar në një artikull të “Reuters” të datës 13 tetor të këtij viti kompania me bazë në Johanesburg mohoi këto akuza dhe kërkoi që rasti të mos trajtohet pasiqë gjykatat amerikane nuk kanë juridiksion për ta bërë këtë.

Por Turkcell beson se gjykatat amerikane kanë juridiksion për ta bërë këtë pasi që edhe më herët kishin dhënë vendime për raste të ngjashme.

Firmë tjetër e ndërlidhur me emra politikanësh është ajo e drejtuar nga sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright, Albright Capital Menagment ku Albright Stonebridge Group ka 25 për qind të aksioneve. Madeleine Albright posedon hise edhe në IPKO Telecomunications i vetmi konkurrent privat i korporatës publike të telekomit në Kosovë.

Siç ka raportuar Gazeta Jeta në Kosovë në muajin e kaluar, Komisioni Kosovar i Konkurrencës ka konfirmuar se nëse konzorciumi i drejtuar nga kjo firmë del fituese në garë atëherë ky autoritet duhet të shqyrtojë nëse është i ligjshëm nënshkrimi i kontratës pasi lomisioni ka mandatin të vendosë nëse posedimi i aksioneve në dy operatorë telekomi në vend mund të përbejë monopol në këtë industri.

Kompanitë e biznesmenëve turq kanë probleme me ligjin

Mehmet Emin Karamehmet është njeriu i dytë më i pasur në Turqi. Ai ka 51 për qind të aksioneve në operatorin më të madh të telefonisë mobile në këtë vend, Turkcell, përmes një piramide të komplikuar firmash. Por, fuqia e tij në botë ka rënë ndjeshëm.

 

 
Foto: cukurova.com.tr  

 

Një kohë revista “Forbes” e rendiste atë në pozitën e 29-të në botë si njeriu më i pasur me një pasuri 8 miliardëshe. Tash ai është në vendin e 401-të me një pasuri prej 2.9 miliard dollarëshe dhe “The Economist” shkruan se Turkcell tashmë është paralizuar nga mosmarrëveshjet e aksionarëve.

Korporata e tij “Cukurova Holding” është vënë përballë dy hisedarëve tjerë të mëdhenj “TeliaSonera” operator nordik i telefonisë dhe kompanisë “Altimo” njësi e “Alfa Group” një kompani investuese ruse.

Si rezultat vendimet e rëndësishme janë bllokuar dhe hisedarët e “Turkcell” ende nuk e kanë marrë dividentën e vitit 2010.

Dy takime të jashtëzakonshme në vitin 2011 dështuan. Problemi është tek votimi në bordin shtatë anëtarësh. Aksionarët e mëdhenj i kanë nga dy vota por duhen pesë për tu marrë një vendim.

Nordikët e rusët kanë bashkuar forcat por i duhet edhe vota e kryetarit të bordit Colin Williams, një anëtar i pavarur në bord.

“TeliaSonera” pretendon se kryetari i bordit nuk është i pavarur dhe se hisedarëve i është mohuar e drejta për ta ndërruar atë.

Problemet për biznesmenin turk kishin nisur qysh në vitin 2002 kur autoritetet shtetërore  kishin mbyllur “Pamukbank”, një institucion financiar në pronësi të Karamehmet.

Në mungesë të parave ai kishte bërë marrëveshje për shitje të aksioneve të “Turkcell” me nordikët e rusët.

Nuk iu kishte përmbajtur asnjërës marrëveshje.

Në shtator të 2011-ës Oda Ekonomike Ndërkombëtare në Gjenevë përmes arbitrazhit urdhëroi korporatën “Cukurova Holding”, që tia paguajë nordikëve një shumë prej 932 milionë dollarësh plus interesin për shkeljen e marrëveshjës së aksioneve.

Po ashtu në dhjetor një gjykatë në British Virgin Islands vendosi që të urdhërojë “Cukurovën” që të paguajë 1.4 miliard dollarë pasi kishte shkelur marrëveshjën me rusët.

Karamehmet po ashtu në vitin 2010 sipas The Economist u dënua me burgim prej 12 vitesh pasi kishte përdorur Pamukbank si vend furnizim me para për korporatën e tij “Cukurova Holding”. Vendimi është suspenduar në pritje të një rigjykimi për këtë rast.

Edhe një entitet i Avicenës i paditur për konspiracion

Kompania tjetër Avicena Capital është themeluar nga Huseyin Gun, një afarist turk me nënshtetësi britanike. Kompania e tij ka bazat e saj në Londër dhe Stamboll.

 
Huseyin Gun | Foto: Milken Institute Summit 2012 – youtube  

 

Një entitet i kompanisë së tij, Avicena Overseas me bazë në “British Virgin Islands”, është paditur para dy vitesh nga një kompani amerikane.

Në një gjykatë të distriktit të New York-ut, kompania e naftës RA Global Services ngriti padi ndaj udhëheqësve të “Avicena Overseas”, Huseyin Gun, Todd Peterson dhe Nixon Peabody.

Në bazë të kësaj padie, të bërë publike nga www. justia.gov, në vitin 2005 “RA Global Services” kishte nevojë për para në mënyrë që të vazhdojë operacionet e saj të shpimeve për gjetjen e naftës. “Avicena”, në qërshor të vitit 2006 i dha një hua në vlerë prej 600 mijë dollarësh dhe më vonë një tjetër në vlerë prej 150 mijë dollarësh.

Ra Global më pas nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me të gjithë kreditorët e saj. Bazuar në këtë marrëveshje edhe Avicena kishte të drejtë të kishte një anëtar bordi në RA Global Services.

Por, RA Global akuzon se njerëz të Avicenas ishin të lidhur edhe me kreditorët tjerë të kompanisë dhe kishin synime për ta zotëruar këtë kompani dhe se nuk kishin diskutuar asnjëherë konfliktin e interesit që vjen nga pjesëmarrja në bord e kreditorëve.

Për këtë shkak kompania amerikane e naftës “RA Global”, në padinë e saj akuzon drejtuesit e kësaj kompanie për fshehje e konspiracion në përpjekjet për ta zotëruar ndërmarrjën.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka dërguar pyetje bazës së kompanisë Avicena në Londër por nuk ka marrë përgjigje nëse ky rast ka përfunduar në favor të tyre.

As Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ka dhënë një përgjigje se a e ka bërë verifikimin e historikut të kompanive kur ka parakualifikuar për të marrë pjesë në tenderin për blerjën e PTK’së.

Por përkundër kësaj Avicena Capital është duke lobuar për të fituar në garën për blerjën e aksioneve të PTK’së.

James Pardew, i cili gjatë administratës së presidentit Bill Clinton kishte mbajtur pozitën e sekretarit të shtetit për Demokraci në Ballkan, ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës për të diskutuar tenderin e PTK-së për interes të konzorciumit të kryesuar nga “Avicena”.

Gazeta “Zëri” raportoi javën e kaluar se Kryeministri Hashim Thaçi i ka thënë Pardews se e ka vështirë të zgjedh mes tij e Madeleine Albright. “Thaçi ka përmendur faktin se nuk e sheh kompaninë M1 ose Axos që ta kompletojnë procesin e ofertimit, për shkak të lidhjeve të paqarta të M1 në Lindjen e Mesme, kurse te Axos për shkak të aksionarëve të dyshimtë shqiptarë”, ka raportuar Zëri.

Qeveria nuk ka folur zyrtarisht për këto dyshime të saj. Kur MZHE-ja ka publikuar emrat e kompanive që janë parakualifikuar për blerjen e PTK’së nuk është prezantuar ndonjë kompani me pronarë shqiptarë në konzorciumin e përbërë nga “Axos Capital Gmbh” e “Columbia Capital” . Po ashtu, në faqen zyrtare të Axos Capital Gmbh nuk shihet se në të ka aksione ndonjë shqiptar.