800 Milionë Dollarë nga Kosova në Ishullin Afrikan

Një vit më parë një kompani nafte me bazë në Pejë ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me autoritetet e Sao Tome de Principe për ndërtimin e një rafinerie në këtë shtet afrikan me reputacion për lidhje të kontratave kontroverse për shfrytëzimin e naftës.

Marrëveshja që ka lidhur “Kulla Exim”, pronë e Adem Rrustemajt, me autoritetet e këtij shteti, peshon 800 milionë dollarë.

Nga Qeveria e këtij vendi të pasur me rezerva nafte organizata ndërkombëtare Human Rights Watch kishte kërkuar më 2010 që të bëjë publike transaksionet e licencave që i janë dhënë kompanive të naftës si dhe pagesat e bonuseve që kanë bërë kompanitë për të zotëruar territore nafte në këtë shtet.

Autoriteti i Naftës në këtë shtet nuk ka dhënë përgjigje rreth marrëveshjes me kompaninë nga Kosova.

As “Kulla Exim” nuk ka pranuar të kallëzojë emrat e institucioneve financiare prej të cilave është siguruar shuma prej 800 milionë dollarësh që do të investohet në këtë ishull afrikan. Një zyrtar i saj ka thënë se bëhet fjalë për banka të SHBA-së të cilave, sipas tij,  nuk mund të iu përmendet emri.

Marrëveshja dhe njohja e Kosovës

Kur në mars të këtij viti telanon.info, një medium në ishullin Sao Tome de Principe, dha lajmin për propozimin që qeveria e këtij vendi i bëri presidentit të shtetit për njohjen e shtetësisë së Kosovës, e ndërlidhi atë me investimin e planifikuar të kompanisë kosovare. 

Propozimi për njohje, sipas këtij mediumi, vinte pas marrëveshjes së nënshkruar në tetor të vitit 2011 mes Qeverisë së Sao Tome’s e Kulla Exim për ndërtimin e një rafinerie nafte.

Behxhet Pacolli, zv/kryeministër në Qeverinë e Kosovës, pati marrë konfirmimin për njohjen e republikës së Kosovës nga ky shtet afrikan më 21 nëntor 2011.

Këshilltari i tij për media Jetlir Zyberaj nuk ka dhënë përgjigje i pyetur nëse zv/kryeministri ishte i njoftuar me marrëveshjen mes qeverisë së këtij vendi dhe kompanisë kosovare.

Zyrtarë të Kulla Exim kanë deklaruar se investimi është iniciativë private dhe nuk lidhet me aktivitetin e Pacollit.

Ndërkaq kompania e biznesmenit nga Deçani, e cila ka selinë në Pejë, ka pasur probleme në shtetin e Kosovës përfshirë autoritetet doganore e bankat komerciale.

Në një raport intern të autoriteteve doganore përmendet se rafineria e naftës “Kulla Exim”, nuk kishte importuar lëndë të parë të naftës në përputhje me autorizimin që i ishte lëshuar nga shteti.

Ndërkohë “Teb Bank” i kishte nxjerrë në Ankand Publik patundshmëritë e Adem e Melos Rrustemajt pasi ata  kishin borxhe ndaj këtij institucioni financiar.

Në korrik të këtij viti TEB Bank në cilësinë e kreditorit i kishte nxjerrë në shitje patundshmërinë e hipotekuar “Kulla Oil Recycling”, me bazë në Ferizaj. Kjo patundshmëri sipas kësaj banke nuk do të shitej për më pak se 281 mijë euro.

foto

Sao Tome është e pasur me resurse

 

Auditorët zunë “Kulla Exim”’ me importe të parregullta

Auditimi Intern i Doganave të Kosovës i marsit 2011 pat nxjerrë një raport për veprimtarinë e parregullt të kompanisë “Kulla Exim”.

Tre muaj kishin punuar në auditimin e importeve të kësaj kompanie që ishin kryer prej vitit 2007 e deri në korrik të 2010-es.

“Autorizimi i lejuar për subjektin ‘Kulla Exim’ për përpunim nën kontroll doganore, fillimisht nuk është ndërtuar në baza të shëndosha dhe në përputhshmëri me procesin e përpunimit (rafinimit me distilim fraksional). Informatat e ofruara nga dokumentacioni pasqyrojnë mangësi dhe defekte në procedurë”, theksohet në raportin e auditorëve të cilin e posedon Gazeta Jeta në Kosovë.

Lënda e parë e naftës e cila importohet nga rafineria është e liruar nga taksa e akcizës por auditorët kishin gjetur se “Kulla Exim” më shumë kishte importuar naftë të gatshme për treg. Kjo sipas tyre kishte ndikim fiskal.

“Raporti në mes të ‘Euro Disel’ i cili i nënshtrohet taksës së akcizës dhe produkteve të tjera kompenzuese të cilat janë të liruara nga taksa e akcizës është përafërsisht 59 me 41”, thuhet në këtë raport.

Në raport përshkruhen edhe parregullsi për sa i përket procedurave të përpunimit në këtë rafineri.

Në “Kulla Exim” është konstatuar se kishte mospërputhje të hyrje-daljeve kur ishte audituar periudha prej 1 janar deri më 7 janar të vitit 2010. Bazuar në raportin e auditorëve, sasia e stoqeve në këtë rafineri nuk ishte shkarkuar sipas autorizimit.

Auditorët po ashtu kanë kritikuar edhe autoritetet doganore për mungesë të një  mekanizmi profesional të vlerësimit të procesit teknologjik të përpunimit të naftës. 

Për shkak të këtyre gjeturave, auditorët kishin rekomanduar pezullimin e licencës për këtë rafineri nafte. Kështu edhe kishte ndodhur në mars të vitit 2011.

Rafineria ishte mbyllur përkohësisht.

Para se të ndodhte kjo, drejtori i Doganave të Kosovës Naim Huruglica kishte krijuar një grup punues brenda këtij institucioni për të verifikuar gjetjet e auditorëve. Grupi Punues kishte mbështetur gjetjet e auditimit.

Në maj të këtij viti i është ndërprerë pezullimi i licencës kësaj kompanie.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Adriatik Stavileci, ka deklaruar se ndërprerja e pezullimit ka ndodhur pasi që me hyrjen në fuqi të Udhëzimit Administrativ për cilësinë e karburanteve të naftës janë plotësuar kushtet rreth mbikëqyrjes së kësaj veprimtarie.

Dënime për kompaninë nuk ka pasur. Autoritet doganore kanë deklaruar se pezullimi ishte bërë bazuar në gjetjet e auditorëve dhe çështja i kishte kaluar Këshillit të Naftës të vendoste për mbylljen apo lejimin për operim të kësaj rafinerie. Por, në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë pohojnë se nuk kanë pasur informata se çfarë shkeljesh ligjore ka pasur në këtë rast.

Neni 7 i Ligjit për tregti me naftë flet për suspendimin dhe revokimin e licencave. Pika c e këtij neni thotë se licenca revokohet kur personi merret me praktika mashtruese tregtare.
                 
“Zyra e Licencimit të naftës nuk ka pranuar detaje se për çfarë shkelje të ndonjë dispozite të ligjit për tregti me naftë bëhet fjalë”, thotë Arta Istrefi, zëdhënëse në këtë ministri. 

Kjo kompani sipas MTI-së kishte marrë licencën më 9 tetor të vitit 2007.

Veç marrjes së licencës në atëkohë është dashur të merrej edhe Autorizimi për Përpunim nën Kontroll Doganor që ishte lëshuar nga UNMIK-u e tash lëshohet nga Doganat e Kosovës.

Ndërkohë Udhëzimi i ri Administrativ i miratuar këtë vit cek procedurat që duhet t’i përmbahen përpunuesit me rastin e importit dhe me rastin e lëshimit të produktit në treg.

Kulla Exim: Bashkëpunojmë me banka të SHBA-së

Mjetet prej 800 milionë dollarësh zyrtarë të kësaj kompanie theksojnë se i kanë siguruar nga banka të SHBA-së dhe kompani menaxhuese me prestigj ndërkombëtar.

Por, zyrtarë të kësaj kompanie  nuk kallëzojnë emrat e institucioneve financiare me të cilat bashkëpunojnë.

“Ju kishim rekomanduar që të mos hyni në detaje të tilla pasi që me ligj mbrohet konfidencialiteti dhe kështu ju po bëni shkelje me pyetje të tilla”, është përgjigjur Burim Kuqi, drejtor operativ në “Kulla Exim”, në pyetjet e gazetës.

Kuqi ka konfirmuar se për këtë investim është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me autoritetet e shtetit të Sao Tomes-s.

“Sa i përket Memorandumit të mirëkuptimit që ne e kemi nënshkruar me Sao Tome de Principe, është e vërtetë që e kemi nënshkruar një memorandum, por çështja mbi procedurat dhe zhvillimin e këtij projekti ende nuk është aktive”, ka deklaruar Kuqi.

Sipas tij, praktikisht ky biznes ende nuk ka nisur të realizohet.

Por nënshkrimi i këtij memorandumi sipas tij është ekskluzivisht një projekt privat dhe nuk lidhet me aktivitetin lobues të zv/kryeministrit Behxhet Pacolli në Sao Tome de Principe i cili gjatë kësaj kohe kishte marrë konfirmimin për njohje të shtetësisë së Kosovës nga ky vend.

Kuqi po ashtu ka konfirmuar se Kulla Exim kishte pasur një mosmarrëveshje me TEB Bank por sipas tij ky problem nuk e dëmton kompaninë që të bashkëpunojë me banka tjera.

“Raportet mes ‘Kulla Exim’ dhe TEB bankës nuk i interesojnë askujt sepse mbulohen nga sekreti afarist. Ndërsa për bankat amerikane te cilat na kanë besuar dhe na besojnë edhe ky është një sekret afarist dhe nuk ju intereson”, ka deklaruar Kuqi.