Si Mbetën 1600 Udhëtarë të Pambrojtur nga Shteti

Tri agjenci turistike me seli në Gjermani — DT-Travel, Arbi-Reisen dhe Kosova-Fly — që kishin shitur biletat për udhëtarët të cilët në fillim të muajit gusht 2009 duhej të realizonin fluturimin kthyes nga Aeroporti i Prishtinës ankohen se shteti nuk kishte mbrojtur 1600 klientët e tyre.

Xhavit Ramshaj, pronar i agjencisë turistike “DT-Travel”, e cila kishte shitur shumicën e biletave, thotë se atëherë Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit (MTPT) ishte e obliguar të realizonte dëmshpërblimin e udhëtarëve, sipas një garancioni bankar që e posedonte pasi e kërkonte nga “tour operatorët” (organizatorët e fluturimeve charter).

Garancioni ishte lëshuar nga Banka për Biznes (BpB) më 1 prill 2009 në emër të tour operatorit Air Kosova-Biz, mbante vlerën e 500,000 eurove dhe ishte i vlefshëm për një vit. Kopjen e kontratës e ka Gazeta Jeta në Kosovë dhe ajo bazohet në rregulloren 2009/1 të MTPT-së, të datës 25 shkurt 2009.

Me këtë garancion, kjo ministri mund të merrte paratë nga banka dhe të mbulonte dëmet eventuale të pasagjerëve.

Tour operatori “Air Kosova Biz”, që duhej të bënte këtë garancion në MTPT si zotim në rast se udhëtarët dëmtohen, kishte arritur të bindte BpB-në për të lëshuar këtë garancion duke ofruar ndër të tjera si hipotekë një shtëpi në Ferizaj të Zeqir Smajlit.

Smajli është pronar i agjencisë turistike “Kosova Voyages” me seli në Zvicër. Ai akuzon BpB-në dhe Kosova Air Biz-in për ndryshim të kontratës për hipotekë. Ai thotë se shtëpinë e kishte dhënë për hipotekë që të merret garancioni ashtu që Kosova Air Biz të mund të hynte në aranzhime kontraktuale vetëm me kompaninë e aeroplanëve “Flybaboo” nga Lugano e Zvicrës.

Smajli thotë se garancioni ishte ndryshuar pa dijeninë e tij për të përfshirë edhe “Pronair”, “Caredon Airlines” dhe “Transavia Arilines C.V”. “Ai është garancion fiktiv”, tha ai.

Ai akuzon zyrtarët e Bankës për Biznes Prishtinë “për këtë ndryshim të paautorizuar”.

Besnik Mustafa (djali i kryetarit aktual të Prishtinës Isa Mustafa), Seladin Ujkani dhe Shefqet Qerkini – të gjithë zyrtarë të BpB-së – janë duke u hetuar nga Prokuroria Speciale nën dyshime se kishin bërë ndryshime joligjore në garancion.

Nexhat Bala dhe Ismajl Berisha, zyrtarë në Ministrinë e Infrastrukturës, dyshohen se kanë marrë ryshfet që mos ta ekzekutojnë garancinë bankare.

Hamzi Rahimi, pronar, dhe Sibush Haziri, përfaqësues i autorizuar, nga Air Kosova Biz hetohen për falsifikim e mashtrim. Prokurori dyshon se Haziri, i cili Hamzi Rahimin e ka dajë, po ashtu mund të ketë qenë më parë insolvent.

Garancioni

Në shkurt të vitit 2009, MTPT kishte sjellë një rregullore e cili i obligonte kompanitë të cilat kryejnë fluturimet çarter (fluturime me aeroplanë të huazuar ose me qira) që të kenë një garanci bankare prej 500 mijë eurosh ashtu që të ruheshin pasagjerët nga dështimet eventuale të fluturimeve.

Po ashtu, tour operatorët ishin të detyruar të sigurojnë garanci bankare prej 100 mijë eurove ndaj aeroportit të Prishtinës.

Mirëpo, ky rregull mbrojtje ndaj udhëtarëve nuk ishte aplikuar në rastin e gushtit 2009 kur më shumë se 1600 udhëtarë kishin mbetur të ngujuar në aeroportin e Prishtinës, pasi që aviokompania spanjolle “Pronair” kishte pezulluar fluturimet për në Gjermani.

Kompanitë DT-Travel, Arbi-Reisen dhe Kosova-Fly u kishin shitur bileta mërgimtarëve kosovarë. Më së shumti kishte shitur kompania e Xhavit Ramshaj, DT-Travel, në shumë prej 247,007 euro.

Arbi-Reisen ka paraqitur dëmin e kompanisë prej 190,058 euro dhe Kosova-Fly kishte shitur bileta të cilat për shkak të anulimit të fluturimit, ka deklaruar se shuma e udhëtarëve që duhej të dëmshpërbleheshin ishte 38,580 euro.

Shuma e përgjithshme e dëmeve të supozuara arrin në 475,445 euro. Garancioni bankar mund të mbulonte këtë shumë.

“Këtu është një dallavere. Ku mbeti garancioni bankar?”, Ramshaj i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Pronari i Dt-Travel shpjegoi se që nga dita e parë, 6 gusht 2009, kur avio-kompania Pronair kishte anuluar fluturimet për në Gjermani, kishte qenë në kontakt me Nexhat Balën, divizioni i aviacionit civil, dhe Ismajl Berishën, kryesues i divizionit civil në MTPT.

Në një e-mail të datës 11 gusht 2009, Nexhat Bala i thotë Ramshajt se “nëse kjo avio-kompani (Pronair) nuk i përgjigjet obligimeve të veta, atëherë këtë obligim do ta marrë mbi vete MTPT”.

Në ato ditë kompanitë që kishin shitur biletat ishin në presion të udhëtarëve që u kishin dështuar fluturimet. Ramshaj thotë se kishte pasur kërcënime “serioze edhe për jetë”.

Prandaj ai kërkonte nga zyrtarët e MTPT-së që të ndërmarrin hapa më të shpejtë në mënyrë që udhëtarët e dëshpëruar të fluturonin.

“Ata (MTPT) më thanë që mos të përzihem unë në këtë punë. Më thanë se e kanë situatën nën kontroll”, tha Ramshaj.

Më vonë, kryesuesi i divizionit të aviacionit civil, Ismajl Berisha, i kthen përgjigje avokates së Ramshajt, Vijoleta Berisha, duke i thënë se garancioni bankar nuk do të ekzekutohet derisa MTPT nuk merr përgjigje nga departamenti policor i krimeve ekonomike.

“Ju bëj të ditur se posa të marrim ndonjë përgjigje nga Departamenti i Krimeve Ekonomike, do të jeni të njoftuar. Në të kundërtën, derisa mos të përfundojnë investigimet nga DKE, ne nuk mundemi ta bëjmë ekzekutimin e këtij garancioni bankar”, shkruan Berisha, në një e-mail të datës 14 janar, 2010.

Garancioni bankar kishte një vit afat dhe skadonte me 1 prill 2010.

Ai nuk është ekzekutuar kurrë. Zyrtarët e lartpërmendur të atëherë MTPT-së nuk kanë pranuar të flasin për gazetën.

Më 12 nëntor 2009, Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit nxjerr edhe një rregullore të re 2009/2 me të cilën shfuqizon rregulloren 2009/1 për fluturimet charter. Në rregulloren e re më nuk përmendet nevoja për garancion prej 500,000 eurosh në MTI për tour operatorët e fluturimeve charter, por me të, prapë për të siguruar pasagjerët nga dështimi i fluturimit, tash obligohej krijimi i një llogarie të administruar në emër të udhëtarëve ku grumbullohen paratë e biletave dhe operatori charter mund t’i tërheq paratë vetëm pas përfundimit të fluturimit.

Rregullorja 2009/1, në të cilën ishte bazuar garancioni i BpB-së, nuk figuron në faqen zyrtare të ministrisë.

Ndërkohë, Ramshaj, më vonë atë muaj, kishte angazhuar një aeroplan të avio-kompaninë Hamburger International për t’iu ofruar mundësinë e udhëtimit 100 udhëtarëve, por përmes Shkupit.

“Nuk më lanë ta bëjë këtë përmes Prishtinës. Më është dashur t’i dërgojë udhëtarët në Shkup dhe prej atje të fluturojnë në Gjermani. Taksat përkatëse i kanë shkuar shtetit maqedon”, tha Ramshaj, i cili shton se në fluturim kanë qenë diku rreth 100 udhëtarë dhe shpenzimet për të kishin arritur në 32.000 euro. Edhe dy kompanitë tjera, Kosova Fly dhe Arbi-Reisen, kishin organizuar nga një udhëtim nga Shkupi.

Nuk ka evidencë nëse ndonjë udhëtar tjetër nga 1600 vetat është kompensuar.

foto  
Ilustrimi: SXC  

Florim Rudaj në skenë

Kompanitë Dt-Travel, Arbi-Reisen dhe Kosova-Fly thonë se biletat i shitën për vendet e rezervuara në aeroplanin e kompanisë spanjolle “Pronair” nga kompanitë gjermane Munich Airlines e drejtuar nga Thomas Grothe dhe Air-Dardania nga Florim Rudaj.

Avokatja Nakibe Ademi thotë se tri kompanitë e dëmtuara kishin pasur një takim me Florim Rudajn në Hamburg, Gjermani, më 15 dhjetor 2008 në hotelin “Bei Musa”, ku ishte arritur marrëveshje për bashkëpunim.

Rudaj fillon me punë së bashku me gjermanin Grothe duke aranzhuar fluturimet kryesisht nga diaspora kosovare.

Agjencitë Dt-Travel, Arbi-Reisen dhe Kosova-Fly thonë se kishin shitur bileta të shumta për kosovarët si ndërmjetësues mes pasagjerëve dhe Munich Airlines e Air Dardania që rezervonin fillimisht vendet në aeroplanët e “Pronair”.

Por, në fillim të gushtit 2009, Juan Fernandez nga kompania “Pronair” i shkruan aeroportit të Hamburgut këtë njoftim. “Me keqardhje për shkak të mungesës së pagesës nga ana e konsumatorit tonë, neve na duhet të anulojmë të gjitha operimet e Pronair-it këtë javë”.

Këtu kishte filluar tërë ndërprerja e fluturimeve për udhëtarët me aeroplanët e Pronair.

Shumë shpejt më pas, merret vesh se Pronair kishte lajmëruar falimentimin e saj, por në të njëjtën kohë këtë e bëjnë edhe Munich Airlines dhe Air Dardania.

Agjencitë e dëmtuara kishin paditur Thomas Grothen dhe Florim Rudajn. Rudaj, që bashkëpunonte me Grothen, në deklaratat e tij në polici kishte thënë se kishte kryer obligimet e tij ndaj Pronair. Po ashtu. gjatë procedurës së falimentimit të kompanive në Gjermani, palët kanë mundur të paraqesin pohimet e tyre.

Por Nakibe Ademi, avokatja e tri agjencive të dëmtuara, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se prokuroria e qytetit të Munichut, e cila konsiderohet si një ndër më të rreptat në Gjermani, ka mbyllur rastin pa gjetur dëshmi që ngarkonin Rudajn dhe Grothen.

Avokatja thotë se Rudaj kishte punuar aq mirë sa që i kishte humbur dëshmitë se kishte marrë pagesa. Por, të paktën, thotë ajo, ka dokumentime që tregojnë se Arbi Reisen GmbH prej datës 30 qershor 2009 deri më 21 korrik 2009 kishte paguar një shumë prej 69.261,34 eurosh tek Air Dardania.

“Pyetja është shumë e thjesht: ku kanë ngelur këto të holla nëse tek Pronair nuk kanë shkuar?”, tha avokatja Ademi.

Sot, një kompani tjetër me emrin Selectfly në agjencinë e regjistrimit të biznesit në Kosovë figuron me Halim Rudajn pronar, i cili sugjerohet se është vëllai i Florim Rudajt.

Gazeta ka rënë në kontakt me Florim Rudajn përmes e-mailit zyrtar të Slectfly.

“Air-Dardania ka qenë po sikur  DT-Travel, Arbri Reisen dhe Kosova-Fly dhe pagesat i ka kryer po sikur këto 3 agjensione tek Pronair”, tha Rudaj. “Nuk kemi pas ndonjë marrëveshje me këto agjencione dhe nuk janë vetëm këto agjencione që kanë rezervuar për Pronair po edhe 10 të tjera”, tha ai.

Rudaj shtoi se për dëmin që i është shkaktuar Ai-Dardanisë është ankuar tek Ministria e Transportit e Gjermanisë si dhe “të gjitha agjencionet e kanë paraqitur rastin e tyre për dëmin që u ka shkaktuar”.

I pyetur në lidhje me marrëdhënien që ka pasur Air-Dardania me Air-Kosova Biz dhe ai me Sibuzh Hazirin, Rudaj tha: “Air-Kosova (Biz) ka qenë përfaqësuesi i Pronair”.

foto  
Ilustrimi: SXC  

 

Hipoteka

Kur Air Kosova Biz dhe Banka Për Biznes kishin arritur marrëveshje për garancionin, në emër të Air Kosova Biz kishte nënshkruar Rahmi Hamza.

Hamza është daja i Sibush Hazirit, pronarit faktik të kompanisë, por i cili, sipas prokurorisë kosovare, për shkak se ishte insolvent (një person i cili nuk është në gjendje të paguajë borxhin në ndonjë bankë), kishte referuar Hamzën ashtu që të merret garancioni pa pengesa.

Po ashtu, për të arritur këtë marrëveshje, nevojitej dikush për të lënë hipotekë.

Sibush Haziri fton Zeqir Smajlin, pronarin e tour operatorit “Kosova Voyages”, me seli në Lozanë të Zvicrës, i cili kishte ofruar ta lë hipotekë shtëpinë e tij në Ferizaj.

Me këto, më 1 prill 2009, ndërmjet Air Kosova Biz dhe BpB arrihet marrëveshja duke siguruar garancionin bankar prej 500 mijë eurove dhe një tjetër prej 100 mijë eurove.

Sipas Zeqir Ismajlit garancioni ishte vetëm për të angazhuar avio-kompaninë Flybaboo për fluturimet Kosovë-Zvicër. Mirëpo, në të njëjtën ditë, tha ai, Kosova Air Biz kishte shtuar në garancion edhe kompanitë tjera nga të cilat mund të merreshin aeroplanë për fluturime charter  “Pronair”, “Coredon Airlines” dhe “Transavia Airlines C.V”.

Gazeta nuk ka fakte nëse kjo është joligjore. Banka për Biznes, Ministria e Infrastrukturës dhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK) nuk kanë dhënë përgjigje.

Zeqir Smajli thotë se ky është mashtrim dhe falsifikim.

“Ma kanë punuar pas shpine, Sibushi me ata të bankës. Nuk kam ditë asgjë për këto ndryshime të kontratës”, Smajli i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

“Unë kam dhënë hipotekë vetëm për kontratën e parë. Nuk kam qenë i interesuar për fluturimet për Gjermani sepse unë punoj në Zvicër”, tha Smajli.

Smajli po ashtu i ka dërguar një kërkesë Bankës Qendrore të Kosovës duke i kërkuar që të inspektojë kërkesën e tij për anulimin e garancioneve bankare dhe fshirje të hipotekës nga librat kadastralë.

Propozim-akuza

Të dyshuar për prokurorinë speciale janë zyrtarët e BpB-së Besnik Mustafa, Seladin Ujkani dhe Shefqet Qerkini për ndryshimet e supozuara të kryera në mënyrë jo-ligjore të kontratës mes kësaj banke dhe kompanisë Kosova Air Biz.

“Kjo supozohet se ka ndodhur në mënyrë klandestine”, një burim në prokurorinë e vendit i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Besnik Mustafa, i cili atëherë ka qenë menaxher i departamentit të kreditimit në BpB, mohon akuzat duke thënë se çdo gjë ka qenë në rregull. Ai nuk ka preferuar të flasë për detaje për shkak se ka thënë se i kishte harruar ato pasi që ka kaluar një kohë e gjatë që nga nënshkrimi i kontratave.

Mustafa shtoi se po ashtu vendimet e këtilla të kreditimit merreshin nga bordi i bankës.

Ai pranon se ishte intervistuar nga prokurori i rastit, Ali Rexha.

I dyshuari tjetër nga kjo bankë, Shefqet Çerkini, thotë se banka i është përmbajtur në tërësi procedurave për lejimin e garancioneve.

“Pasi janë plotësuar të gjitha këto kushte është lejuar garancioni në shumë prej 500,000 euro me datë të lejimit 01.04.2009 dhe afat të skadimit deri me 01.04.2010. Destinimi i garancionit ka qenë që klienti ta sigurojë lejen për avio-kompanitë për të operuar përmes Aeroportit të Prishtinës. Garancioni me kërkesë të klientit Air Kosova Biz iu ka lëshuar Ministrisë së Transportit  e cila edhe e ka dhënë formën dhe përmbajtjen se si duhet te jete garancioni”, tha Çerkini.

Ai shtoi se banka ka qenë në gjendje që për çfarëdo kërkesë nga ministra ta ekzekutojë garancionin deri në shumën prej 500 mijë eurove pavarësisht se a do të kishte klienti mjete në llogari rrjedhëse.

Çerkini nuk është përgjigjur në pyetjen se pse janë bërë ndryshimet e kontratës dhe a ishte ligjor ky ndryshim. Po ashtu, edhe Çerkini konfirmon se ai dhe kolegu i tij, Seladin Ujkani, kanë deponuar deklaratë në prokurori.

Ndërkohë, Sibush Haziri gjendet në Shqipëri dhe ka një hotel në Durrës – Hotel Ballkan.

Ai tha se Kosova Air Biz ka falimentuar ndonëse e njëjta ende figuron si biznes i regjistruar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Haziri mohon akuzat e bëra ndaj tij dhe thotë se ai ka qenë personi më i dëmtuar në këtë çështje duke i humbur të gjitha kontratat me avio-kompanitë tjera.

“Ata (kompanitë që kanë shitur biletat) kanë dëgjuar se ekziston një garanci bankare prej 500.000 eurosh dhe përgjegjësinë e kanë gjuajtur në Kosovë”, Haziri i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Haziri thotë se nuk e di se pse MTPT nuk e ka ekzekutuar garancionin bankar. “Iu kam tregu edhe atyre të prokurorisë të gjitha dhe nuk e di për çka nuk e ka shfrytëzuar ministria e transportit këtë garanci”, tha ai.

Ai mohon akuzat për dyshimet se ka bashkëpunuar me dy zyrtarët e ministrisë për të ndryshuar kontratat dhe që ta ngadalësojë procesin vetëm për të skaduar afati një-vjeçar i garancisë, që skandonte më 1 prill 2010.

Haziri shtoi se po ashtu nuk ka pasur nevojë të pyes Zeqir Smajlin për ndryshimet e kontratës për shkak të bashkëpunimit që ka pasur me te për pesë vite.

“Ne kemi pasur marrëveshje bashkëpunimi në bazë të mirëbesimit dhe nuk kam pas nevojë me pyet Zeqën për ndryshimet e kontratës”, tha Haziri.