Fals nga Palltot Tek Brekët

Vetëm një nga dhjetë rrobat që shiten në Kosovë, mund të jetë origjinale. Pjesa tjetër e garderobës në dollapet e kosovarëve, nga palltot deri te brekët, dyshohet se janë false.

Mbi 90 për qind e veshëtmbathjeve që hyjnë në Kosovë konstatohet se mbajnë në mënyrë të rreme markat e njohura botërore si Adidas, Lacoste, Nike, Versace, Calvin Klein apo Chanel.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënesi i doganave, Adriatik Stavileci. “Pjesa dërmuese e këtij malli ose mbi 90 për qind vjen nga Kina, pastaj nga Turqia e sasia tjetër nga vende tjera”.

Sipas një raporti të Doganës së Kosovë, gjatë vitit 2011 dhe deri në shtator 2012, Republika e Kosova ka importuar rreth 20 milionë kilogramë veshëmbathje. (shih raportin)

“Pjesa dërmuese e këtij malli vjen nga Kina, pastaj nga Turqia e sasia tjetër nga vende tjera”, thotë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës. 

Malli i cili hyn në doganë nuk ka markë tregtare, pra nuk mund të tregohet nëse veshmbathjet i përkasin Nike, Adidas, Diesel e të tjera.

“Kjo sasi malli nuk ka markë, prandaj nuk mund të dihet nëse është ose jo origjinal”, thotë Stavileci për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Sikur veshmbathjet të kishin marka tregtare, ato do të cilësoheshin si “veshmbathje origjinale” dhe do të doganoheshin më shtrenjtë.

“Malli hyn legalisht në vendin tonë. Por pa markë tregtare, nuk e dimë se të kujt firme janë, prandaj doganohet thjesht si tekstil”, thotë zëdhënësi Stavileci.  

Sipas disa rasteve të konfiskimit të markave tregtare del se rrobat e thjeshta — tekstili — nga momenti që kalojnë doganën derisa të arrijnë në shitoret e qyteteve të Kosovës kthehen në rroba origjinale, të shtrenja dhe me marka të famshme tregtare.

Po ashtu, vetëm gjatë vitit 2011-2012, doganierët e Kosovës në tre raste të ndara, kanë konfiskuar mijëra marka identifikuese të cilat janë tentuar të futen ilegalisht në Kosovë, në mënyrë që t’u vendosen rrobave që nuk janë origjinale. 

Për shkak se ato janë të vogla, është i pamundur të dihet saktë numri i konfiskuar. 

Këto marka do të përdoreshin që t’i bënin kosovarët të paguanin çmime të larta për veshmbathje duke ua shitur si origjinale. 

Disa prej logove të markave të konfiskuara janë njohura si “Nike”, Adidas”, “Versace”, “Prada”, “Celvin Kline”, “LV”, “Chanel” etj.

Dëmtohet buxheti i Kosovës

Nëse importohen një palë pantallona pa markë tregtare, ato llogariten dhe kategorizohen thjesht si tekstil dhe sipas doganave, doganimi i tyre kushton 2 euro për copë. 

Për një vit të tërë, nga e gjithë kjo sasi veshmbathjesh — rreth 20 milionë kilogramë — buxheti i Kosovës ka fituar vetëm rreth nëntë milionë euro.

Sipas Stavilecit, “Sikur të ishin të gjitha me marka, atëherë doganat e për rrjedhojë edhe buxheti i shtetit do të fitonte përafërsisht deri katër fishin e kësaj shume ose diku rreth 36 milionë euro”. 

Por nëse këto veshëmbathje do të ishin të gjtiha me markë tregtare, atëherë edhe çmimi i tyre  final në treg do të ishte goxha i lartë për xhepin e varfër të kosovarëve.

Sipas tabelës së doganimit të Doganave të Kosovës, asnjë palë pantallona apo xhaketë e markave tregtare nuk mund të doganohet më pak se 20 euro. Kësaj shume duhet shtuar edhe tatimin mbi vlerën e shtuar dhe pagesa të tjera që një tregtar duhet të bëjë. 

Pas tërë procesit, në dorën e konsumatorit një rrobë e tillë origjinale mbërrin me çmim të lartë.  

“Në 17 kilogramë rroba, si pantallona e xhaketa të markës ‘Esprit’,  [tregtarët] duhet të paguajnë taksën doganore prej 500 eurosh. Kjo i bjen që njëra [veshëmbathje] kushton 20 euro”, thotë Adriatik Stavileci.

Për këtë arsye, rruga më e lirë del të jetë futja në mënyrë legale e rrobave jo origjinale e vendosja e markave në mënyrë ilegale. 

 
 Foto: Dogana e Kosovës


Konfiksohen më shumë se 10 mijë marka tregtare

Në mëngjesin e 26 shtatorit, skeneri që monitoron mallërat e padeklaruara, nuk ia ka dhënë dritën e gjelbërt pasagjerit që udhëtonte nga Turqia për në Rahovec. 

Përveç rrobave të veta, në aeroport ai me vete sillte edhe mallëra të tjera të cilat kishte planifikuar të mos i deklaronte. Kështu, duke kaluar në kanalin e gjelbërt të kontrollit, skaneri ka dedektuar atë mall.

Ai me vete kishte 994 copë shenja të tekstilit të markës “Lacoste”,  dy mijë copë shenja të plastikës të markës “Adidas”, pesë rrathë (rrollne) me një mijë shenja të plastikës së firmës  “Adidas” dhe pesë rrathë (rollne) ose pesë mijë copë të tjerë të kësaj marke për përdorim në pëlhurë.

Për tërë këtë mall ai nuk posedonte ndonjë fakturë.

Përveç Aeroportit të Prishtinës, Doganat e Kosovës gjatë vitit 2011, kanë zbuluar logo apo etiketa që në gjuhën zyrtyare njihet si “Shkelje e pronësisë intelektuale” edhe në pikë kalimin kufitar të Hanit të Elezit që ndan Kosovën me Maqedoninë.

“Bazuar në satistikat që posedojmë, në vitin 2011 ka qenë më e shprehur kjo dukuri”, thotë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK) që funksionin në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe  Industrisë, janë të evidentuara 2.790 firma që tregtojnë vëshëmbathje me shumicë dhe pakicë në Kosovë.  

Përvveç  tyre, në regjistrin zyrtar të ARBK-së janë edhe 4.260 të tjera që tregtojnë vetëm me pakicë këtë mall. 

Një numër i konsiderueshëm i kompanive të kontaktuara të gazeta nuk kanë pranuar të prononcohen lidhur me çështjen e markave tregtare. 

Rrobat falso nuk mund t’i zbulojnë as inspektorët 

Importi i rrobave pa markë, e bën këtë mall të vlerësohet shumë lirë nga doganat, për shkak se nuk hyn në kategorinë e Ligjit për Mbrojtjen e Pronësisë  Intelektuale.

Markat tregtare, ashtu si edhe patentat dhe e drejta e autorit, janë degë të pronësisë intelektuale e cila i referohet krijimtarisë intelektuale, risive teknike, krijimeve letrare dhe artistike, por edhe simboleve, emrave, fotografive, dizajnëve e të tjera.

Në Zyrën e Pronës Industriale të Kosovës (ZPI), e cila veporon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, thonë se ata nuk kanë kompetenca të adresojnë këtë çështje dhe kjo varet nga pronarët e markave tregtare.

“Nëse pronarët e markave tregtare vërejnë se është duke iu shkelur e drejta e tyre pronësore atëherë ata duhet të drejtohen tek organet e zbatimit të ligjit, gjegjësisht tek gjykatat dhe organet tjera. Ne nuk kemi kompetenca për ta kontrolluar tregun””, thotë Isa Dukaj, drejtor i Zyrës për Pronësi Industriale. 

“Deri më tani janë mbi 21.000 marka të regjistruara. Prej tyre, 1.000 janë vendore”.

Sipas tij, “në rastin e tekstilit, ka fare pak mundësi të zbulohet nëse një rrobë është false. Këtë nuk mund ta bëjnë as inspektorët përkatës të MTI-së.” 

Por në bazë të ligjit për inspektoriatin dhe mbikqyrjen e tregut, inspektorati i tregut i cili funksionin brenda Ministrisë për Tregti dhe Industri, ka për kompetencë që të inspektojë standardet e tregtimit të mallrave dhe të cilësisë së shërbimeve duke e mbikëqyrë, ndër të tjera, mbrojtjen e konsumatorit.

Ruzhdi Shehu, kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se inspektorati nuk ka kompetencë të kontrollojë market tregtare.

Sipas ligjit ky inspektorat duhet të garantojë konsumatorin për cilësinë e mallërave, pavarësisht nëse ato bartin ose marka tregtare.

“Kontrollimi i veshmbathjeve bëhet kur kemi informatë. Dëri më tani kemi bërë disa kontrolle nëse përmbajtja e rrobave në etiketë është e vërtetë”, shprehet Shehu.

“Ne mund të kontrollojmë cilësinë e veshmëbathjeve. Nuk kemi gjetë shumë raste që dokumentet dhe etiketa e rrobave nuk përputhen”, shtoi ai. 

Inspektorati i tregut përbëhet nga gjithsejt 80 inspektorë të cilët operojnë në tërë Kosovën.

Luljeta Plakolli, juriste e të Drejtës së Pronës Intelektuale, ka deklaruar kohë më parë për Gazetën se në Kosovë ekziston vetëdije e ultë në lidhje me këtë të drejtë. 

“Tek ne ka mungese të njohurisë në lidhje me të drejtat dhe detyrimet që kanë të bëjnë me markat tregtare”, tha ajo. “As pronarët e markave tregtare nuk janë të informuar sa duhet për të drejtat e tyre, e as përdoruesit e markave tregtare nuk janë të informuar për obligimet e tyre”.

Kontrabandë edhe me pastë dhëmbësh 

Ligji për pronësinë inelektuale ka filluar të zbatohet nga dogana që nga viti 2010. 

Të dhënat zyrtare të siguruara nga Gazeta Jeta në Kosovë tregojnë se nga viti 2011 deri në mesin e vitit 2012, në Doganën e Kosovës përdoren 27 aplikacione që përfshijnë 127 marka tregtare.

Kjo do të thotë se këto firma që importojnë produkte nga jashtë regjistrohen në dogana dhe vetëm ato mund të sjellin produktet respektive. Çdo firmë tjetër që sjell të njëjtin mall, mund t’i konfiskohet. 

Gjatë vitit 2011-2012 janë konfiskuar 488.534 artikuj në vlerë prej 1.3 milionë euro. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar të dhënat zyrtare të cilat paraqesin sasinë dhe emrat e produkteve të konfiskuara nga doganat gjatë vitit 2011 dhe gjysmës së këtij viti.

Prej rreth gjysmë milioni artikujsh, kategoria më e lartë e mallrave të ndalura nga Dogana është e ngjyrave të këpucëve në sasi prej 186.624 copë të markës tregtare “Ilirija”.

Pasta e dhëmbëve e firmës “Colgate” gjithashtu ndodhet në mesin e artikujve të konfiskuar për të mos lënë anash pijet si “Jack Daniel’s”, “Gordons  Baileys J&B”,  “Coca Cola”, “Fanta” dhe“Sprite”. 

Gjithashtu janë konfiskuar edhe tekstil të markave tregtare “Puma”, “Nike”, “Levi’s”, “Lacoste”.

Përveç këtyre konfiskimeve në kufi, Dogana e Kosovës gjatë vititit 2011, nga operacionet në brendi të territorit, ka konfiskuar edhe sasinë prej  prej 1.992.720 cigare false dhe 225.000 shishe të pijeve alkoolike.

Në zbatim të këtij Ligji, në tetor të vitit të kaluar,  Gjykata Komunale e Ferizajt, ka  nxjerrë aktgjykim me të cilin e shpallte Januz Lamallarin, 41 vjeç, fajtor për veprën penale përdorim i paautorizuar i firmës, i markës apo modelit të huaj të rregulluar me Kodin Penal të Kosovës.