Biznesi i Pakontrolluar i Gazrave Medicinale

Shënim: Artikulli fullimisht u botua më 08.10.2012, 06:50:06

Kompanitë që tregtojnë gazrat medicinale në Kosovë bazuar në një raport të inspektorëve farmaceutikë nuk kanë leje nga shteti për ta zhvilluar këtë biznes e po ashtu nuk kanë zyrtarë profesionalë si përgjegjës për këtë lloj biznesi.

Gazrat medicinale përdoren nga spitalet dhe shtëpitë e shëndetit për të dhënë për shembull oksigjen ose dioksid të karbonit shtesë, varësisht prej sëmundjes, nëpër operacione të ndryshme, mbajtje të vakumit etj.

Pavarësisht përdorimit të tyre të shpeshtë dhe ndjeshmërisë së madhe, vendi nuk monitoron kualitetin e këtyre produkteve që në Bashkimin Europian kategorizohen si mjekësore.

Inspektorati Farmaceutik në maj të këtij viti ka nxjerrë një raport special për biznesin e gazrave medicinave që tregon se subjektet që merren me këtë veprimtari, përveç pajisjes me certifikata të biznesit nga Ministria për Tregtia e Industri, nuk posedojnë licencë profesionale të lëshuar nga Agjencia Kosovare e Produkteve Medicinale.

Bazuar në këtë raport, që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë, gazrat medicinale të cilat importohen në Kosovë nuk janë të autorizuara që të shiten në treg nga Departamenti i Autorizim Marketingut të AKPM-së.

Inspektorët kanë konstatuar se Gazrat Medicinale konsiderohen si produkte medicinale nëpër legjislacionet e të gjitha vendeve të Bashkimit Europian.

Këto produkte, sipas rekomandimeve të këtij raporti, duhet domosdoshmërisht të konsiderohen si të tilla edhe në Kosovë “në mënyrë që të përmirësohet dhe monitorohet në mënyrë korrekte e të përhershme importi, prodhimi dhe distribuomi i tyre”.

foto  
QKUK  

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencioni Kosovar për Produkte Medicinale ende nuk ka marrë ndonjë veprim për licencimin e operatorëve ekonomikë që merren me këtë veprimtari.

Këto dy autoritete nuk kanë dhënë shpjegime për një javë rresht në pyetjet e gazetës se a është licencuar deri më tash ndonjë kompani private që merret me këtë biznes.

Ndërkohë në raport thuhet se importi i Gazrave Medicinale bëhet përmes autocisternave dhe autoboteve, e pastaj ato në Kosovë vendosen në fuqi të mëdha të instaluara në lokalet e këtyre subjekteve. Kurse distribuimi i brendshëm bëhet nëpërmes bombolave në vëllime të ndryshme .

Këto produkte, sipas raportit, importohen më së shumti nga Gjermania, Serbia e Maqedonia.

“Asnjëri nga këto subjekte importuese dhe qarkulluese, nuk ka të angazhaur punëtorë profesionalë përgjegjës”, thuhet në këtë raport.

Në Kosovë, Institucionet Publike Shëndetësore furnizohen vetëm me dy lloje të Gazrave Medicinale siç janë Oksigjeni dhe Suboksidi i azotit.

Inspektorët kanë vërejtur se në Kosovë ekzitojnë tre qarkullues me shumicë të gazrave medicinale të cilët bëjnë importimin dhe pastaj shpërndarjën tek institucionet.

Vetëm një kompani përmendet me emër në këtë raport. Meser Bleona me bazë në Mitrovicë është përfaqësuese e Meser Tehnogas në Beograd që është pronë e Meser Group nga Gjermania.

Kompanitë pa licencë fitojnë kontrata publike 

Zyra e Prokurimit në Qendrën Klinike Universitare që nga viti 2007, bazuar në të dhënat e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, ka lidhur dy kontrata për furnizim me gazra medicinale.

Një e ka fituar kompania “Bubeari Comerce” nga Kaçaniku ndërsa një tjetër e ka fituar kompania “Lindi” nga Prizreni.

Naser Guri nga kompania Bubeari Comerce ka deklaruar se asnjëherë nuk i është kërkuar licencë për operim me gazra medicinal.

“Neve na kërkohet vetëm certifikata e prodhuesit nga ku e blejmë produktin. AKPM-ja e as Ministria nuk na kanë kërkuar asnjëherë të licencohemi për operim”, ka thënë Guri.

foto  
QKUK  

 

Të njëjtën e ka thënë edhe Hysni Hoxha nga kompania “Lindi”. Të dy zyrtarët e kompanive kanë mohuar që nuk kanë zyrtarë profesionalë për gazra medicinale.

Ndërkohë drejtues të kompanisë “Messer Bleona”, që përmendet në raport, kanë pohuar se licencimi i operatorëve do të krijonte rregull në treg.

“Ne i plotësojmë të gjitha kriteret për tu licencuar nëse ilaqet regjistrohen si Produkte Medicinale në Kosovë pasi që kompania ka përvojë të gjatë në këtë fushë” , ka thënë Lulzim Imeri drejtor në Messer Bleona një kompani me bazë në Mitrovicë.

Aktualisht Zyra e Prokurimit në QKU ka hapur tenderin e ri për furnizim me gazra medicinale. Të tri kompanitë kanë konkurruar në këtë garë. Asnjërës prej tyre nuk i është kërkuar licenca për operim me Gazra Medicinale.

“Duhet AKPM-ja e Ministria e Shëndetësisë që të vëjnë në rregull dhe të obligojnë me licencim. Nëse këto nuk e kërkojnë ne nuk mund t’i kërkojmë operatorëve diçka që nuk e kërkojnë autoritetet”, ka thënë Gazmend Rushiti, drejtor i prokurimit në QKUK.