Kosova Importon Miliona Euro Thëngjill Përkundër Rezervave

Doganat e Kosovës thonë se që nga 1 janari 2011 vendi importoi 98,129 tonë thëngjill ndërsa tregu i është drejtuar importit domosdoshmërisht si pasojë e një kontrate të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) që dhjetë muaj më parë nuk ishte vazhduar.

Sipas një draft-strategjie të Qeverisë së Kosovës vendi ka rreth 12.5 miliardë tonë rezerva thëngjilli e një raport i Bankës  Botërore  i vitit 2005 thotë se këto rezerva kapin shifrën e15 miliardë tonë.

Por që nga 15 nëntori i vitit të kaluar KEK-u nuk ka vazhduar kontratën me “Kosova Thëngjill” sh.a. – me të cilën ishte ndarë në vitin 2003 – ndërmarrje që merrej me përpunimin e thëngjillit.

Sipas një shkrese të “Kosova Thëngjillit” të dërguar në Parlamentin e Kosovës më 4 shtator, që atëherë industria e vendit dhe institucionet publike (si shkollat) blejnë thëngjillin nga importi. E gjithë kjo, sipas saj, i ka kushtuar vendit mbi 8 milionë euro.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se Kosova Thëngjilli ka grumbulluar borxh prej 4 milionë eurosh ndaj KEK-ut. “KEK ka pasur raporte kontraktuale me Kosova Thëngjillin për shitjen e thëngjillit të njomë të KEK-ut dhe shfrytëzimin e objekteve për
tharjen e thëngjillit në TC Kosova A”, tha Buzhala. “Raportet kontraktuale për këto aktivitete kanë skaduar në nëntor të vitit 2011”.

Buzhala shtoi se bazuar në ligjet në fuqi, aktivitetet e shitjes së aseteve të luajtshme dhe dhënies në shfrytëzim të aseteve të paluajtshme  duhet të kontaktohen vetëm përmes një procedure të hapur konkurruese “për një kontratë e cila po ashtu do të siguronte të gjitha mbrojtjet financiare dhe mjedisore përkatëse për KEK-un”.

“Duke marrë parasysh këtë, kohëve të fundit KEK-u është duke diskutuar me përfaqësuesit e Kosova Thëngjillit dhe institucionet relevante që përfaqësojnë aksionarin, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje që do të ishte e ligjshme dhe e përshtatshme për të gjitha palët”, tha Buzhala.

Nuk dihet se cila do të jetë kjo zgjidhje, por në letrën e Kosova Thëngjillit thuhet se 230 persona të punësuar në të për dhjetë muaj kanë mbetur pa të ardhura personale dhe rrezikojnë të mos i kenë më ato nëse KEK nënshkruan me kompani tjetër.

Kjo kompani thotë se nuk i ka 4.2 milionë borxhe, por 2.96 milionë euro. Ajo është ankuar se KEK-u kurrë nuk ka dashur të diskutojë këtë dallim dhe se ishte KEK-u që e krijoji këtë borxh duke mos e pajisur kompaninë me thëngjill të mjaftueshëm të njomë.

Kosova Thëngjilli thotë se Kosovës i plotësohen nevojat me rreth 200,000 tonë thëngjill të terur e këto, sipas saj, “prodhohen me lehtësi”.

Kompania i ka kërkuar Parlamentit një kontratë për 5 vjet të tjera për prodhimin e 300 mijë tonëve të thëngjillit prej të cilave, sipas saj, fitohen 180, 722 tonë thëngjill të terur e që kanë vlerë 8,006,024 euro në vit.

Prej kësaj shume, thuhet në letrën e kompanisë, fiton KEK-u nga shitja, Qeveria në emër të taksave dhe punëtorët e kompanisë.

Por  industria dhe shpenzimet e institucioneve publike tash janë orientuar në import nga Serbia, Maqedonia, Mali i Zi.

Gjiganti Ferronikel për shembull importon madje nga Indonezia dhe Kolumbia rreth 11,000 tonë në muaj.

“Çmimi që po marrim nga importi për një ton është 120 euro”, thotë zëdhënësi Ekrem Tahiri. “Detyrimi për t’u furnizuar nga importi ka dëmtuar tej mase Ferronikelin”.

Hamit Leci, menaxher i “Kosova Thëngjill”, thotë se deri në nëntor 2011 çmimi i një ton thëngjilli të terur ka kushtuar 44 euro.

Përkthyer në çmim, del se Ferronikeli blen 1,300,000 euro thëngjill në muaj nga importi kurse do të harxhonte 484,000 euro në nëntor të vitit 2011 me qymyr kosovar, ose 816,000 euro më pak.

Kosova Thëngjilli thotë po ashtu se ndalesa e prodhimit mund të ndikojë edhe në rritjen e shpenzimeve të energjisë elektrike për nxemje gjatë dimrit. Po ashtu, sipas saj, e gjithë kjo ka ndikuar në rritjen e çmimit të drurit nga 25 euro për metër kub në 80 euro për metër kub sivjet.

Kjo kompani thotë se ka kapacitet të mjaftueshëm për t’i përmbushur nevojat e tregut të Kosovës dhe kërkesat nga jashtë.

Statistikat e lëshuara nga Doganat e Kosovës nuk tregojnë se ka dallim të madh më 2012 dhe 2011 me vitin 2010 në import, por ato tregojnë dyfishin e importit ose më shumë në krahasim me të gjitha vitet tjera që prej 2005-tës. Kliko këto për dokumentin e plotë.

Nëse brenda një viti janë importuar 98,129,784.4 kg ose 98,129 tonë thëngjill, siç ka thënë Dogana, bazuar në çmimin e importit të Ferronikelit (120 euro për 1 ton thëngjill), mund të jenë bërë mbi 11 milionë euro importe.

Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, thotë se drejtuesit e kësaj ministrie disa herë janë takuar me delegacionet e Kosova Thëngjillit dhe kane kërkuar që të gjitha çështjet kontestuese me KEK-un, si dy subjekte të pavarura biznesore, të zgjidhen në frymën e respektimit të ligjit dhe obligimeve të kontraktuara.

“Në çështjet e obligimeve kontraktuale të kompanive MZHE nuk dëshiron të implikohet”, tha Baxhaku.

Por, shtoi ai, në takimin e fundit që ministri Besim Beqaj kishte me përfaqësuesit e KEK-ut dhe KTH, më 6 shtator, nga ndërmarrjet është kërkuar që “deri në fillim të tetorit të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura dhe prej 1 tetorit të fillojë furnizimin i ekonomisë së vendit me thëngjill”.