Beteja e të Fuqishmëve të Pejës për Banjën

Banja e Pejës, ndërmarrja e madhe kosovare që është promovuar nga shteti si unike për shkak të ujit të saj në vend dhe rajon ka dështuar të shitet në tri raunde privatizimi, për tri vite rresht dhe përkundër interesimit të blerësve të fuqishëm.

Procesi ka hyrë në raundin e katërt në përpjekje për të shitur këtë ndërmarrje me hapësirë prej 26 hektarësh tokë e cila posedon katër hotele me sipërfaqe prej 38 mijë metrash katrorë si dhe burim unik të ujit mineral.

AKP’ja vendosi ta shesë “Hotel Onix Banja e Pejës dhe Ilixhe” herën e fundit përmes tenderit ndërkombëtar i cili u hap në muajin maj.

Në gusht kjo agjenci raportoi se ka vetëm një ofertë të përgjegjshme për blerjën e kësaj ndërmarrje në vlerë prej 6 milionë e 100 mijë eurosh.

Fitues i përkohshëm në këtë tender ndërkombëtar është shpallur kompania “Intering”  e udhëhequr nga Xhevdet e Arben Shoshi, biznesmenë nga Peja.

Që të dy kanë qenë partnerë biznesi në Fshatin Ndërkombëtar të ndërtuar në Hajvali të Prishtinës ku kishte pasur hise edhe i ndjeri Dino Asanaj i cili mbante pozitën e Kryetarit të Bordit të Agjencisë së Privatizimit.

Albert Shoshi, zyrtar i kompanisë “Intering”, tha se janë duke pritur vendimin e bordit të AKP’së për refuzimin ose miratimin e ofertës së tyre.

Shoshi shtoi se nuk ka kurrfarë sigurie se kontrata do të nënshkruhet nga AKP’ja.

Ai tha se kjo kompani konkurron për herë të tretë për blerjen e kësaj ndërmarrje shoqërore për të cilën AKP’ja thotë se ka 26 hektarë tokë, katër hotele me sipërfaqe prej 38 mijë metrash katrorë si dhe resort shëndetësor me të drejtën e shfrytëzimit të ujit mineral me fuqi shëruese për sëmundjet e reumatizimit, kancerit e zemrës.

Sipas AKP-së, vendimi për ofertën e Interingut pritet sapo të emërohet bordi i ri i agjencisë.

Përveç Intering’ut, edhe një kompani tjetër kishte shfaqur interesim verën e këtij viti që të blinte ndërmarrjen. Ajo ishte diskualifikuar nga AKP.

Tomas Witstad, menaxher në kompaninë gjermane “RutInvest” , i ka thënë gazetës “Jeta në Kosovë”, se kanë angazhuar një avokat dhe do të analizojnë procesin e diskualifikimit dhe më pastaj do të vendosin për mjetet juridike që do t’i përdorin në këtë rast.

“Na ishte premtuar të na jepen arsyet e eliminimit, por kjo kurrë nuk është bërë dhe ne nuk e dimë pse”, tha Witstad. “Jemi në kontakt me institucionet gjermane dhe të Bashkimit Europian për të kuptuar këtë. Po ashtu, kemi angazhuar avokat në Kosovë dhe po presim instruksionet përkatëse se si do të veprojmë”.

“Kemi qenë fuqimisht të interesuar në blerjen e hotelit dhe kemi pasur një ekip të mirë me njerëz nga Kosova dhe kompani tjera nga Gjermania”, tha Witstad. “Bazuar në ato që do të ndodhin, ne do të ishim shumë të interesuar ta blejmë hotelin sërish”.

Por plani i tyre për të bërë investime në shumë prej 10 milionë eurosh ishte kontestuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Shkëlzen Lluka drejtor në AKP në një letër dërguar menaxhmentit të kësaj kompanie  siç ka raportuar gazeta “Zëri”, në korrik iu kishte thënë se nuk kishin dorëzuar në agjenci dokumentacion që tregonte përvojën e tyre në hotelieri. Witistad ka thënë se kompania gjermane ka pasur një ofertë dhe ekip të mirë.

Tenderues të fuqishëm

Fillimisht Ekrem Lluka pronar i kompanisë “Dukagjini” , në nëntor të vitit 2009 në valën e 40-të të privatizimit, kishte fituar të drejtën për blerjen e kësaj ndërmarrje por ai ishte tërhequr. Arsyetohej se ishte i kërcënuar dhe tre persona ishin dënuar nga Gjykata e Qarkut në Pejë në lidhje me këtë rast, edhe pse një ish-anëtar bordi i AKP-së kishte hedhur dyshime publike për kurdisje të kërcënimit nga Lluka ashtu që të rifitonte depozitën e tij nga koha e ofertimit.

“Në kërkesë ishte thënë se pronari Ekrem Lluka kishte marrë kërcënime dhe prej tij ishin kërkuar që Muhamet Demajt dhe grupit të tij tia paguante shumën prej 75 mijë eurosh”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Pejë përmes të cilit u dënuan kërcënuesit e pronarit të kompanisë “Dukagjini”.

Oferta e konzorciumit që udhëhiqej nga kompania e tij ishte 8 milionë e 600 mijë euro. Oferta e dytë ishte për 900 mijë euro më pak ndërsa ofertuesi i tretë kishte kërkuar ta blente këtë ndërmarrje në këmbim të mbi 5 milionë eurove. Lluka kishte rikthyer depozitën e tij pas disa ankesave në AKP.

foto  
Onix ende pa pronar privat përkundër interesimit të fuqishëm  

 

Një vit më vonë pasi AKP’ja kishte nxjerrë rishtazi në shitje një tjetër kompani kishte dalur fituese e tenderit për blerjen e kësaj ndërmarrje. Edhe ajo ka “çështje” me depozitën.

Në valën e 45-A të privatizimit konzorciumi “Kosova Invest & Wefa Health Menagment GmbH”, i përfaqësuar e përfaqëuar nga  Gani Dreshaj, një afarist nga Istogu, kishte ofruar 8 milionë e 199 mijë e 999 euro.

Konkurrenti i dytë kishte ofruar rreth 7 milionë euro ndërsa oferta e tretë ishte pak më e lartë se sa 5 milionë euro.

Dreshaj përkundër që ishte shpallur fitues nuk ishte arritur të paguante shumën që kishte ofruar për blerjën e kësaj ndërmarrje shoqërore.

AKP-ja i kishte ofruar mundësinë konkurrentëve tjerë ta blinin ndërmarrjën duke paguar shumën sa vlente oferta e kompanisë së përfaqësuar nga Dreshaj.

Në garë ishte edhe kompania “Intering” e cila nuk kishte pranuar të jepte mbi 8 milionë euro për këtë ndërmarrje.

Ndërkohë Dreshaj ngriti një padi në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme pasi që pretendon se një vendim i AKP’së ishte i padrejtë. Atij nuk i janë kthyer 500 mijë euro që i ka lënë si depozitë kur ka konkurruar për blerjën e kësaj ndërmarrje.

Afaristi Dreshaj ,që figuron si ortak me nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës Xhavit Halitin në kompanitë private “Macrometal” dhe “Kosovo Clinic Menagment”, nuk heq dorë nga pretendimi për të rikthyer depozitën e konfiskuar nga AKP-ja.

“Tashmë kam angazhuar një avokat amerikan që të merret me këtë rast. Vendimi i AKP-së ishte i padrejtë dhe do t’i shkoj deri në fund kësaj”, ka thënë Dreshaj. Gjykata ende nuk ka dhënë vendim.

Ndërkaq për herë të tretë ndërmarrja “Hotel Onix Banja e Pejës dhe Ilixhe” ishte nxjerrë në shitje vitin e kaluar. Vetëm dy oferta ishin dorëzuar për blerjën e kësaj ndërmarrje. Një në vlerë prej mbi 3 milionë euro dhe një tjetër në vlerë prej 4 milionë eurosh. Kjo e dyta ishte e kompanisë “Intering”.

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit kishte vendosur ta anulonte tenderin pasiqë oferta më e lartë në këtë tender ishte shumë e ulët.

“Ne e kemi refuzuar ofertën e kësaj kompanie (Intering-ut) për shkak se ka qenë shumë e ulët”, ka thënë Naser Osmani, anëtar bordi në AKP.

Një pjesë e ndërmarrjes është e uzurpuar

Në shitje është nxjerrë një sipërfaqe prej 26 hektarësh e ndërmarrjës shoqërore “Hotel Onix Banja e Pejës dhe Ilixhe”. Por, hapësira e saj është me madhe.

Nje pjesë e saj është e uzurpuar.

AKP’ja pranon se nuk ka mundur të zotërojë tërë sipërfaqën e ndërmarrjës. Dhe vetëm në një rast kundër një uzurpatori AKP’ja i’a kishte dalur të kthejë pronën në zotërim të saj. 

“AKP dhe ndërmarrja kanë parashtruar padi në gjykatë dhe uzurpatori është dënuar më 1 vit burgim për shkak të dënimit të pronës”, ka thënë Ylli Kaloshi zyrtar për marrëdhënie me publikun në AKP.

foto  
Pamje nga Banja e Pejës, e diel, 9 shtator  

 

Zyra për Media e AKP-së ka konfirmuar se të dhënat e tyre tregojnë për një sipërfaqe prej 6 hektarësh të uzurpuar.

Kaloshi nuk ka mundur të konfirmojë emrin e uzurpatorit dhe sasinë e hektarëve që ai kishte përvetësuar jashtëligjshëm.

Por, pjesa tjetër e këtij 6 hektarëshi që është shfrytëzuar jashtëligjshëm mbetet ende e uzurpuar.

“Agjencia ka bërë disa herë kërkesë tek institucionet relevante në këtë komunë (komuna dhe organet policore) për të ndaluar dëmtimin e pronës nga uzurpimet por kanë munguar masat e duhura dhe të mjaftueshme për ruajtjën e pronës nga dëmtimet prej shfrytëzuesve të paligjshëm”, ka deklaruar Kaloshi.