IPKO Ka Hisedarët e Njëjtë Përveç Dino Asanajt

Vetëm Dino Asanaj më nuk është më aksionar në operatorin e telefonisë mobile IPKO nga 16 hisedarët që kanë qenë në fillim. Po ashtu, aksionet e firmës “Albright Stonebridge Group” më 2009 ishin transferuar tek individë të veçantë nga kjo firmë përfshirë tek Madeleine K. Albright, ish-sekretarja amerikane e shtetit.

Asanaj ia kishte shitur aksionet e tij Bujar Musës, njërit nga hisedarët tjerë në IPKO.

Ai kishte pasur 1.4 për qind të aksioneve në operatorin e dytë të telefonisë mobile. Marrëveshja për shitje të aksioneve (në vlerë prej 566 mijë eurosh) mes Asanajt e Bujar Musës është bërë në prill të vitit 2008. Po atë vit, Asaj ishte emëruar kryetari i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.


Lista e plotë e aksionarëve.

Bazuar në dokumentacionin e IPKO Telecomunications në Ministrinë për Tregti e Industri, ku shihet historia e aksionarëve dhe transaksionet që ata kanë kryer ndërkohë, në të cilat i është dhënë qasje Gazetës Jeta në Kosovë bazuar në ligjin për qasje në dokumente zyrtare, tetë muaj më vonë, në dhjetor të vitit 2008, në një mbledhje të aksionarëve në Ljubljanë, kishte pësuar ndryshime të mëtejme në strukturën e aksionarëve të kësaj kompanie.

“Telekom Slovenije”, që deri në atë kohë i kishte 63 për qind të aksioneve, i kishte blerë edhe 30 për qind tjera nga aksionarët e vegjël duke rritur përqindjen në 93.

Por asnjëri nga hisedarët nuk i kishte shitur të gjitha aksionet.

“Factor Banka” që në fillim i kishte 15 për qind tashmë do t’i ruante 1.4 për qind pasi tjerat i kishte blerë “Telekom Slovenije”

Po ashtu, Akan Ismajli tash ambasador i Kosovës në ShBA e që kishte pasur 7.2 për qind të aksioneve, do t’i kishte vetëm 1.3 për qind të aksioneve.

Ndërkohë Bujar Musa që kishte pasur përqindje të njëjtë me Ismajlin në IPKO pas blerjes së aksioneve nga Telekom Slovenije figuron se kishte 1.6 për qind të aksioneve.

Ismajli kishte qenë themelues i kompanisë “Ipko net”, nga ku kishte angazhuar si këshilltare të tij ish-sekretaren amerikane të shtetit Madeleine K. Albright.

Ismajli më vonë do të bëhej drejtor ekzekutiv i kompanisë IPKO Telecommunications pasi kjo kishte fituar tenderin për blerjen e licencës së dytë të telefonisë mobile në vend.

Lëvizjet e Albright Group në IPKO

“Albright Group” , në listën e aksionarëve të vitit 2008, figuron se ka pasur 1.4 për qind të aksionarëve.

Në mbledhjen e aksionarëve të mbajtur në gusht të vitit 2009 në Prishtinë ishte marrë vendim që aksionet e “Albright Group” të trasferoheshin tek njerëzit e veçantë të kësaj ndërmarrje.

Vlera në euro e aksioneve të grupit vlerësohej se ishte 708 mijë euro. Nga transferimi i aksioneve ish-sekretares amerikane të shtetit Madeleine Korbel Albright i binin 0.3 për qind të tyre.

Personat tjerë tek të cilët u transferuan aksionet ishin Carol M. Browner, Wendy R. Sherman, Suzan A. George si dhe James C. O’Brien. 

Gjatë muajit gusht, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) njoftoi se Albright Capital Magement, një firmë ku “Albright Stonebridge Group” ka së paku 25 për qind të aksioneve dhe e cila prapë kryesohet nga Madeleine K. Albright, ka shprehur interesime për blerjen e 75 për qind të aksioneve në operatorin publik të telekomit, PTK, që pritet të privatizohet këtë vit.

Albiright Capital Management ka hyrë në konzorcium me Potrugal Telecom dhe ka si konkurrent katër konzorciume tjera në tenderin e Qeverisë së Kosovës që do të hapet në shtator të këtij viti.

Hyrja e saj në garë ka ngritur shqetësime të rrezikut të krijimit të monopolit në treg në telefoninë mobile, pasi në të operojnë vetëm Ipko dhe Vala (PTK).

“Albright Stonebridge Group” ka refuzuar të përgjigjet për disa javë në interesimin e gazetës se a ka aksione në IPKO Telecomunications. Telekom Slovenije, që ka qenë e vetmja që është përgjigjur, ka thënë se nuk është e obliguar të tregojë strukturën e aksionarëve dhe as transaksionet e tyre.

Bazuar në ndryshimet e fundit siç shihet në MTI e që i takojnë 15 dhjetorit 2009, në IPKO Telecomunications Madeleine K.Albright ka 0.06056 për qind të aksioneve në vlerë 30,283 euro, Carol M. Browner ka 0.06056 për qind të aksioneve në vlerë 30,283 euro, Suzanne A. George 0,02691 për qind të aksioneve në vlerë 13,456 euro, James C O’Brien 0.06056 për qind të aksioneve në vlerë 30,283 euro dhe Wendy R.Sherman 0.06056 për qind të aksioneve në vlerë 30,283 euro.