Gjiganti Kontrovers nga Holanda Blen Xehet e Trepçës së Veriut

Koncentrati i plumbit i grumbulluar në minierat e pjesës veriore të Kosovës është blerë nga një korporatë holandeze e cila para dy vitesh ishte gjobitur nga një gjykatë e Amsterdamit për transport ilegal të mbetjeve toksike të cilat, sipas autoriteteve të Bregut të Fildishtë, mund të kenë ndikuar në rrezikimin e shëndetit të banorëve.

Menaxhmenti i Trepçës së veriut, me bazë në Zveçan, ka shpallur fitues korporatën “Trafigura Beheer” në Ankandin Publik përmes të cilit janë shitur 10 mijë tonelata koncentrat të plumbit që gjenden në minierat në Crnac e Belo Brdo si dhe tek Flotacioni në Leposaviq.

Kjo korporatë është shpallur fituese më 16 korrik të këtij viti ndërsa kontrata me të është nënshkruar më 24 korrik. 

Fillimisht kur Trepça e Veriut kishte hapur Ankandin Publik e kishte ndarë atë në dy lote apo pjesë. Lot 1- përfshinte koncentrat plumbi ndërsa Lot-2 përfshinte koncentrat zinku në sasi prej 7 mijë tonelatash.

Kompanitë kishin kohë të konkurronin në këtë Ankand Publik deri më 2 korrik të këtij viti. Por, më 16 korrik ankandi për shitjen e koncentratit të zinkut ishte anuluar me arsyetimin se konkurrentët kishin çmime më të ulëta se sa që pritej.

“Kompania nuk dëshiron të komentojë detajet e këtij tenderi dhe se për këtë duhet të japë një përgjigje vetëm ndërmarrja “Trepça”. Victoria Dix  

E për koncentratin e plumbit sipas Njoftimit për Dhënie Kontrate të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik kishin konkurruar dy kompani të përgjegjshme.

Bazuar në këtë njoftim, vlera e përgjithshme e kontratës do të varet nga lëvizja e çmimeve të aksioneve në bursë por vlera e pritur varion prej 17 milionë e 500 mijë dollarë deri në 20 milionë dollarë.

Ndërmarrja Trepça në Veri ka konfirmuar se kontrata është nënshkruar dhe se kjo sipas tyre është bërë duke bazuar në të gjitha ligjet e aplikueshme në Kosovë.

Ndërsa Victoria Dix zëdhënëse e “Trafigura Beheer” i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë se kompania nuk dëshiron të komentojë detajet e këtij tenderi dhe se për këtë duhet të japë një përgjigje vetëm ndërmarrja “Trepça”.

Trafigura kompensoi qytetarët dhe qeverinë në Bregun e Fildishtë me 210 milionë dollarë

Kjo korporatë e fuqishme ishte gjetur fajtore për transport ilegal të mbetjeve toksike nga Holanda në Bregun e Fildishtë me anijen e saj Probo Koala.

Rrjeti Transmetues Britanik – BBC, kur ka raportuar për dënimin e kësaj kompanie në korrik të 2010-es, ka kallëzuar se historia kishte nisur që nga viti 2006.

Në tetor të atij viti rreth një mijë banorë të këtij shteti të Afrikës Perëndimore ishin ankuar ndaj korporatës “Trafigura Beheer” e cila merret me industrinë e naftës dhe të metaleve.

Ata pretendonin se mbetjet e transportuara në këtë vend nga kjo korporatë kishin rrezikuar jetë njerëzish.

Kjo korporatë e fuqishme ishte gjetur fajtore për transport ilegal të mbetjeve toksike nga Holanda në Bregun e Fildishtë me anijen e saj Probo Koala. BBC  

Në shkurt të vitit 2008 kjo korporatë ishte pajtuar që t’ia paguante Qeverisë së Bregut të Fildishtë një shumë prej 160 milionë dollarësh përmes një ujdie jashtë gjyqësore.

Po ashtu, në shtator të vitit 2009 kjo korporatë ishte pajtuar që t’ua paguante 50 milionë dollarë individëve që pretendonin se janë dëmtuar nga veprimet e saj.

Përkundër kësaj në qershor të vitit 2010 një prokuror në Holandë kishte ngritur aktakuzë kundër korporatës Trafigura për shkak të transportit ilegal të mbetjeve toksike në Bregun e Fildishtë. Një muaj më vonë një gjykatë në Amsterdam do të shqiptonte një dënim prej 1 milionë eurosh ndaj kësaj korporate.

Ky vendim i gjykatës nuk ishte pranuar nga korporata, pasi kjo pretendonte se mjetet e transportuara nuk ishin të rrezikshme për shëndetin, dhe kishte paraqitur ankesë.

Në dhjetor të vitit 2011 organet e drejtësisë në Holandë patën vendosur që të linin në fuqi vendimin për gjobë ndaj “Trafigura Beheer”.

Ne vitin 2011 një gjykatë në Amsterdam ka shqiptuar një dënim prej 1 milionë eurosh ndaj “Trafigura Beheer”.   

Trafigura kishte insistuar se ajo nuk e dinte që mbetjet toksike do të hidheshin nga kontraktori i saj në Bregun e Fildishtë dhe e kishte paditur BBC-në për shpifje në lidhje me pohimet e saj se mbetjet ishin drejtpërdrejta të lidhura me vdekje dhe sëmundje serioze.

Pas një marrëveshje jashtë-gjyqësore mes Trafigurës dhe BBC-së, kjo e fundit kishte thënë: “BBC ka luajtur rol udhëheqës në sjelljen përpara vëmendjes së publikut të veprimeve të Trafigurisë në lidhje me hedhjen ilegale të 500 tonëve të mbetjeve të rrezikshme. Hedhja ka shkaktuar probleme në shëndetin publik me mijëra njerëz që kanë kërkuar trajtim”.

AKP: Bordi ende nuk ka vendosur për tenderin e Trepçës Veriore

Kontrata e Trepçës në veri obligohet të marrë miratimin e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ky miratim ende nuk është dhënë.

“Bordi i Agjencisë do ta shqyrtojë procesin e tenderit të zhvilluar nga menaxhmenti i Trepçës në anën veriore dhe do të vendosë në lidhje me këtë çështje, në përputhje me Ligjin”, ka thënë Ylli Kaloshi, zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në AKP.

Bazuar në rregullat e AKP-së, çdo tender i kësaj ndërmarrje duhet të bëhet me participimin e AKP’së dhe duhet të ketë aprovimin paraprak nga ana e Bordit të Drejtorëve të këtij institucioni.

“Kjo është rruga e vetme që duhet ndjekur nga menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça si tërësi”, ka deklaruar Kaloshi.

Zyrtari i AKP’së nuk ka mundur të konfirmojë nëse Trepça në veri ka marrë  apo jo miratimin paraprak nga Bordi i Drejtorëve. Për këtë, sipas tij, do të merret vesh në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Drejtorëve data e mbajtjes së të cilit ende nuk është caktuar.

Para një viti Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte kërkuar nga Autoritet Doganore në Kosovë që bllokojnë maunet që eksportonin xehe të shitura nga menaxhmenti i Trepçës në Veri.

Ata nuk kanë pranuar të kryhet auditimi në atë pjesë. Arsye sipas tyre ishin problemet politike.ZAP 

Kërkesa e AKP’së bazohej në atë se Ndërmarrjet Shoqërore që janë nën administrim të saj duhet të kërkojnë aprovim me shkrim nga kjo agjenci për shitjen apo transferimin e aseteve të luajtshme të cilat tejkalojnë vlerën prej 10 mijë eurove.

Menaxhmenti në pjesën veriore të Trepçës nuk e kishte bërë këtë vitin e kaluar kur kishte nxjerrë në shitje mbetjet minerare nga Metalurgjia e Plumbit në Zveçan. AKP’ja e kishte vlerësuar këtë si transaksion të paligjshëm afarist dhe Dogana e Kosovës e kishte ndaluar këtë duke u bazuar në kërkesën e kësaj agjencie.

Ndërkohë kësaj ndërmarrje Zyra e Auditorit të Përgjithshëm i ka dhënë vërejtje për mos-dëgjueshmëri ndaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Kur ZAP’i në vitin 2010 kishte dashur të auditonte Trepçën në veri, nuk kishte mundur ta bënte këtë plotësisht.

“Ata nuk kanë pranuar të kryhet auditimi në atë pjesë. Arsye sipas tyre ishin problemet politike. Ne kemi pranuar nga kjo pjesë vetëm pasqyrat financiare në formë elektronike dhe dy lëndë të prokurimit në kopje fizike”, thuhet në raportin e ZAP’it.

Auditorët i kishin rekomanduar menaxhmentit të kësaj pjese se duhet të bashkëpunonin me pjesën jugore të ndërmarrjes Trepça dhe me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Edhe në raportin e auditimit për vitin 2011, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka dhënë të njëjtin konstatim për menaxhmentin në veri.

Rekomandimi i tyre që Trepça me bazë në Zveçan të bashkëpunonte me autoritetet shtetërore të Kosovës nuk ishte përmbushur.

“Trepça veriore ende funksionon e ndarë nga pjesa jugore e saj dhe nuk ishte zhvilluar
bashkëpunimi ndërmjet tyre. Po ashtu mungonte forma e unifikuar e raportimit financiar.
Trepça veriore nuk kishte raportuar fare në AKP gjatë vitit 2011”, theksohet në këtë raport.

Ndërmarrja Trepça në veri, sipas auditorëve, në vitin 2011 ka pasur të hyra vjetore në vlerë prej afro 14 milionë eurosh. Por, fitimi neto i kësaj ndërmarrje kishte pësuar rënie. Nga 980 mijë euro në vitin 2010 kishte rënë në vetëm 22 mijë euro në vitin 2011.

Bazuar në të gjeturat e auditivit, numri i të punësuarve të raportuar nga Trepça -Veri në vitin 2011 ishte 1,056 punëtorë të rregullt me paga, ndërsa përfitime (stipendione) marrin 1,859 ish- punëtorë të cilët aktualisht nuk kanë punë por janë në pritje për punësim kur ndërmarrja ka nevojë.

KRPP: Autoritetet Kontraktuese duhet të lidhin kontrata me biznese të ndershme

Safet Hoxha, kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) ka deklaruar se Autoritetet Kontraktuese duhet të verifikojnë biografinë e një kompanie me të cilin lidhin kontratë publike.

“Është përgjegjësi e Autoriteteve Kontraktuese që të zgjedhin të punojnë me biznese të ndershme dhe të padënuara”, ka thënë Hoxha.

Një kompanie, sipas tij, së pari duhet t’i shikohet historiku e më pas duhet të shikohet a i plotëson kriteret administrative dhe në plan të tretë është oferta financiare. 

Ndërkohë Ligji i Prokurimit parasheh ndalesa për operatorët që janë të dënuar nga organet e drejtësisë.

“Është përgjegjësi e Autoriteteve Kontraktuese që të zgjedhin të punojnë me biznese të ndershme dhe të padënuara”. Safet Hoxha  

Neni 65 i Ligjit të Prokurimit Publik që flet për pranueshmërinë e tenderuesve në një prokurim publik parasheh ndalesa për kompanitë private drejtuesit e të cilave janë shpallur fajtorë nga një gjykatë kompetente për “kryerjen e një vepre penale ose civile” të përshkruara në nenin 129.1 të këtij ligji i cili ndalon edhe “shkaktimin e dëmit fizik” nga aktiviteti i prokurimit.

Po ashtu, ky ligj, ndalon kompanitë private kur “është konstatuar nga një gjykatë kompetente, agjenci administrative ose organizatë për zbatimin e standardeve të sjelljes profesionale, se është sjellë në mënyrë joprofesionale”.

Nuk është e qartë nëse gjobitja ndaj Trafigurës ishte konsideruar nga Trepça në veri.