KEK-u Blen Licenca të Microsoftit si Qeveria - Me Negociata

Kontrata njëvjeçare e nënshkruar më 20 qershor 2012 me “Login Systems Kosova”, që ka personin kontaktues në Shkup siç figuron në faqen e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), është në vlerë 297,430 euro dhe bëhet për furnizim me gjashtëmbëdhjetë produkte të Microsoftit.

Marrëveshja paraprake e KEK-ut për furnizim me produkte të ngjashme me një kompani tjetër mbaronte më 15 gusht 2012.

Kontrata e re është kritikuar nga autoritetet përkatëse, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik (OSHP), bie ndesh me ligjin për prokurim publik në Kosovë.

Gazeta Jeta në Kosovë mund të vërtetojë se kontaktet mes KEK-ut dhe kompanisë “Login Systems Kosova” kishin filluar së paku që më 16 maj 2012.

KRPP thotë se “është rregull themelor në prokurimin publik që autoriteti kontraktues të iniciojë aktivitetin e prokurimit dhe të zhvillojë njërën nga procedurat e përcaktuara me ligjin për prokurimin publik për të përzgjedhur kontraktonin e ri për shërbimet e njëjta së paku 60 ditë para skadimit të kontratës aktuale dhe me qëllim që pas skadimit të afatit të kontratës autoriteti kontraktues të mos mbes pa furnizime apo shërbime deri në përzgjedhjen e kontraktonit të ri”.

KEK-u kishte aplikuar procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit për kontratë. Kjo është një nga procedurat e lejuara me ligj, por neni 35 i tij rregullon se kur ajo mund të aplikohet.

Një nga arsyet që ky model mund të aplikohet janë “emergjencat ekstreme të shkaktuara nga ngjarje objektivisht të verifikueshme”.  Mirëpo, del se gjiganti ekonomik ka pasur kohë të mjaftueshme për të realizuar tender të rregullt.

Drejtori i Prokurimit në KEK, Driton Pruthi, i kishte shkruar më 24 maj 2012– rreth dy muaj e gjysmë përpara se kontrata në fuqi të skadonte — kompanisë “Login Systems” duke e ftuar për negociata.

“Kemi kënaqësinë t’ju ftojmë për negociata në lidhje me kushtet e kontratës nëpërmet së cilës ne synojmë të zbatojmë furnizimin me licenca të Microsoftit për periudhën 1 prill 2012 deri më 31 mars 2013”, shkruan Pruthi. “Negociatat caktohen për 28 maj 2012 në zyrat tona të prokurimit…”.

Kontrata me numrin e prokurimit KEKO-12-225-115 ishte nënshkruar më 20 qershor dhe KEK-u obligohej të paguante për çmimin 297,430 euro që përfshinte të gjitha taksat, detyrimet dhe obligimet tjera të pagueshme në Kosovë.

Ky çmim është më i vogël për rreth 60 mijë euro sesa vlera e kontratës paraprake që KEK-u kishte pasur.

KEK duhet të përdorë procedurë të hapur për këtë aktivitet të prokurimit, sepse kemi konsideruar se për këtë aktivitet të prokurimit ka operatorë të mjaftueshëm në treg”. KRPP

Por kjo nuk kishte mjaftuar për të shkuar kundërshtimin e KRPP-së. Kjo e fundit i kishte thënë KEK-ut se ajo duhet “të përdorë procedurë të hapur për këtë aktivitet të prokurimit, sepse kemi konsideruar se për këtë aktivitet të prokurimit ka operatorë të mjaftueshëm në treg”.

Ligji për prokurimin publik në Kosovë mbështet konkurrencën dhe ndalon diskriminimin e operatorëve ekonomikë.

Përveç “Login Systems”, së paku edhe kompanitë Asseco, Pronet, Cactus, PPC IT, PBC Kosova, Appdec KS etj., merren me furnizime të ngjashme.

Pas opinionit të KRPP-së, KEK-u i kishte thënë kësaj të fundit që “për arsye të ekonomicitetit dhe efikasitetit të realizimit të këtij procesi është e vetmja procedurë që mund të na shpie në një kontratë të suksesshme”.

Edhe në komunikimet mes KEK-ut dhe kompanisë “Login Systems” kjo e fundit thotë se ajo është e vetmja “Large Account Reseller (LAR)” e autorizuar për të shituar Marrëveshje Korporative (Enterprise Agreements) në emër të Microsoftit për konsumatorët në Republikën e Kososovës.

Por KRPP kishte vazhduar të kundërsëhtojë. “AK-KEK ka prezantuar edhe korrespondencën me prodhuesin (Microsoft) dhe pas këtij arsyetimi KRPP ka konsideruar se AK-KEK mund të vazhdojë me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, por me kusht që aktiviteti i prokurimit të lidhet direkt nga operatorit që e kryen këtë shërbim (Kompania Microsoft)”.

Kemi kërkuar sqarime se a mund të ankohemi por derisa kemi marrë shpjegimet ka kaluar afati për ankesë” Gazmend Selmani.

Kontrata nuk ishte lidhur me Microsoftin, por me “Login Sytems”, përkundër këtyre vërejtjeve të KRPP-së me kohë.

Gazmend Selmani, pronari i kompanisë ‘PBC Kosova” e cila ka pasur për më shumë se dy vjet kontratë me KEK-un për këto lloj licencash, ka treguar se kontrata është realizuar mirë edhe pa qenë ajo “Large Account Reseller”. “Ne kemi pasur një kontratë që e kemi marrë në tender të hapur. Kemi kërkuar sqarime se a mund të ankohemi pasi nuk ka pasur këtë herë tender të hapur. Por derisa kemi marrë shpjegimet dhe gjithë informacionin e duhur ka kaluar edhe afati për ankesë”, ka thënë Selmani.

Zyrtarët e KEK-ut insistojnë se nuk kanë shpërfillur procedurat ligjore dhe këmbëngulin se nuk ka asnjë shkelje. Driton Pruthi, shef i zyrës së prokurimit, thotë se kjo formë ka qenë ekonomikisht më e përshtatshme, më efektive dhe realizimi i këtij procesi, sipas tij “ishte e vetmja procedurë që mund të shpiente te një kontratë e suksesshme”.

Gazeta ka kontaktuar edhe me përfaqësuesit e kompanisë “Login Systems Kosova” në Prishtinë e Shkup. Por, nga të dyja zyrat e kompanisë është thënë se për këtë është e autorizuar të flasë vetëm  drejtoresha menaxhuese e kompanisë, Tatjana Boshevska.  Boshevska për më tepër se  dy javë nuk është përgjigjur në celularin e saj dhe as në pyetjet e dërguara përmes postës elektronike. 

Kritikës ndaj KEK-ut për shkelje përveç KRPP-së i është bashkuar edhe gjykata e tenderëve . Kreu i Organit Shqyrtues i Prokurimit Publik, Hysni Hoxha, e ka quajtur këtë kontratë një abuzim të KEK-ut. “Është abuzim. Në këtë rast KRPP është ajo që mund të iniciojë stopimin e këtij procesi dhe të rekomandoj ankesë”, ka thënë Hoxha për Gazetën JnK.

Kjo formë ka qenë ekonomikisht më e përshtatshme, më efektive dhe realizimi i këtij procesi, “ishte e vetmja procedurë që mund të shpiente te një kontratë e suksesshme”. Driton Pruthi

Hoxha thotë se OSHP nuk ka mundur direkt të veproj për shkak se nuk ka pasur ankesa direkt ngase tenderimi ka qenë i mbyllur. “ Në këto raste ata nuk lënë mundësi për ankesa sepse pazari bëhet  nga vetë autoriteti kontraktues. Por,  sërish ka mundësi ligjore për ankesa nga operatori që ka pasur këtë lloj kontrate apo ata të tjerët që kanë qenë të interesuar.  uhet në këtë rast vetëm KRPP të bëjë punën e saj”, ka thënë Hoxha.

KRPP ende ka treguar se si do të veprojë në këtë rast.

Ai thotë se vazhdon të konsiderojë se është tepruar me kontratat njëburimore jo vetëm nga KEK-u por edhe nga organizatat tjera publike.

Deri më tani të gjitha furnizimet e KEK-ut me licenca të Microsoftit ishin bërë në procedura të hapura tenderimi. Aktualisht i njëjti furnizim figuron të jetë bërë në tender të hapur edhe në shumë segmente tjera institucionale në Kosovë.

Edhe Qeveria kishte aplikuar tender të mbyllur

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar në shkurt të këtij viti se edhe Qeveria e Kosovës  ka shpenzuar rreth tetë milionë euro e gjysmë për blerjen e licencave të Microsoftit vetëm nga viti 2008, edhe përkundër ekzistimit të platformave alternative softuerike pa pagesë.

Gjatë blerjes së licencave, në vitin 2010, ndonëse ekzistonin disa kompani që ofrojnë produkte të Microsoftit, Qeveria negocioi me njërën prej tyre një kontratë që peshonte mbi 2 milionë euro pa aplikuar procedurë të hapur të prokurimit.

Po ashtu edhe në fund të 2011-ës ka lidhur një kontratë në vlerë 2 milionë e 447 mijë eurosh për furnizim me Licenca të “Microsoftit”.

Kjo ishte bërë përkundër se para disa vitesh Maqedonia kishte detyruar gjigantin softuerik “Microsoft” t’i ofrojë licenca për produktet e tij me çmim prej zero centësh.

Organizatat që merren me këto produkte kishin thënë se përdorimi i platformave të hapura softuerike (open source) e bënte shpenzimin e Qeverisë të panevojshëm.

Shkrimi i plotë këtu.