Auditori Kritikon Kontratën e KEK-ut me Familjen Muja

Kontrata për shitjen e skrapit e lidhur mes Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe kompanisë “Ci-Kos-Cro”, në të cilën vëllezërit e deputetit të PDK-së, Shaip Muja, figurojnë si udhëheqës, bazuar në gjetjet e auditorëve është përcjellë me parregullsi të shumta. 

Kur KEK-u kishte shpallur në shkurt të vitit të shkuar Kërkesën për Kualifikim për Ankandin Publik kishte prezantuar se ka 2 mijë e 670 tonë mbeturina të metaleve të gatshme për shitje. 

Për blerjen e tyre kishte ofruar 560 mijë euro “Ci-Kos-Cro”, një kompani në të cilën në vitin 2010 në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë është regjistruar si person i autorizuar Arsim Muja, ndërsa pronar i saj figuron të jetë Fatmir Muja dhe kompania kroate “C.I.O.S. doo” , në të cilën 51 për qind të aksioneve i mban kompania gjermane “Scholz AG ”. 

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, në raportin për KEK-un që i referohet vitit 2011, ka konstatuar se organizimi i shitjes së mbeturinave metalike (skrapit) nuk ishte në nivelin e duhur. 

Auditorët kanë zbuluar se procesi deri te tenderimi nuk ishte mjaft i qartë dhe se mungonte monitorimi i procesit. Po ashtu, nëpër disa distrikte të KEK-ut ishte nxjerrë më shumë skrap jashtë ndërmarrjes, sesa që ishte planifikuar të shitej përmes ankandit publik. 

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm dëshiron të sqarojë se kritikat janë të drejtuara kundër KEK-ut dhe se në raport nuk përmendet askund kompania “Ci-Kos-Cro”.

Fatmir Muja, i cili është aksionar në këtë kompani, i kontaktuar nga Gazeta JnK fillimisht ka pranuar të intervistohet për këtë temë. Por, më vonë ka ndërruar mendje. Muja ka thënë se për çështjet që lidhen me biznese e tij do të komunikojë vetëm përmes padive gjyqësore. 

Atij i janë pyetjet edhe përmes adresës elektronike, por Muja ka këmbëngulur në qëndrimin refuzues për të mos komentuar gjetjet e auditimit. 

Pyetjet i janë dërguar edhe kompanisë gjermane “Shcholz Ag”, por zyrtarët e saj nuk kanë kthyer përgjigje. 

Skrapi u shit nën çmimin e tregut

Korporata Energjetike, në shkurt të vitit të kaluar, kishte caktuar çmimin prej 0.16 euro për kilogram të skrapit, si prag për kualifikimin e Operatorëve Ekonomikë.

Foto: Jonathan Buonocore

Me ofertën për njësi më të madhe për 5 centë më shumë sesa pragu, kishte fituar kompania “Ci-Kos-Cro”. 

Dy kompanitë e tjera në garë, sipas raportit të hapjes së ankandit publik ishin “Euro Steel” nga Peja, e cila ofroi 461 mijë e 910 euro si dhe “Kos Steel” nga Obiliqi që ofroi 440 mijë e 550 euro. 

Kontrata me “Ci-Kos-Cro” ishte nënshkruar më 19 prill 2011.

“Por, caktimi i çmimit si prag për konkurrim ishte bërë pa u bërë hulumtimi i çmimit të tregut”, thuhet në raport. 

Ky çmim, sikur kanë konstatuar auditorët, ishte caktuar duke u bazuar në procedurën e shitjes së vitit paraprak, pa u bërë një analizë se a mund të jetë ky çmim në përputhje me çmimin e tregut, në kohën e tenderimit.

“Çështja e çmimit të ultë është adresuar edhe nga Auditimi i Brendshëm në procedurën e shitjes së vitit paraprak për shitjen e skrapit, përkatësisht shitjen e telit të bakrit”, theksohet në raportin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm. 

Korporata Energjetike e pranon se e kishte marrë për referencë kontratën e mëhershme, por kjo sipas zyrtarëve të saj, ka qenë e mjaftueshme për të zhvilluar ankandin e ri. 

“Për kontratën në fjalë, procesi i kaluar ka qenë referencë për vlerën e tregut dhe çmimi i kontratës se kaluar është përcaktuar si çmim minimal”, ka deklaruar Eglantina Hoxha, menaxhere për Palë të Interesuara dhe Ngjarje në KEK. 

Por, çmimi i tregut i mbeturinave të metalit në vitin 2011 nuk ishte ai me të cilin KEK-u lidhi kontratë publike. 

Bazuar në shënimet e Doganave të Kosovës, gjatë vitit 2011 ishin eksportuar 113 milionë e 949 mijë e 792 kilogramë mbetje të metaleve. 

Vlera e tyre në euro ishte 25 milionë e 264 mijë e 208 euro. Në bazë të këtyre të dhënave del se mesatarja e çmimit të skrapit ishte 22 centë për kilogram. 

Nëse KEK-u do të shiste skrapin bazuar në këtë mesatare do të mblidhte 587 mijë e 400 euro, në vend të 560 mijë e 700 eurosh. 

Kreu i sindikatës së KEK-ut, Izet Mustafa, ka thënë se çmimi me të cilin janë shitur këto makineri të dala nga përdorimi është “tejet i ulët”. 

“Paramendoni se sa do të ishte fitimi për korporatën nga një trafo prej 8 megavatësh, e cila në përbërjen e saj ka bakër, alumin dhe tonelata vaj, po të seleksionohej e të shitej veç e veç. Ndërsa këto shiten për një çmim qesharak”, i ka thënë Mustafa, më herët Gazetës JnK. 

Ai ka shtuar se janë shitur me qindra elektromotorë të cilët përmbajnë sasi të konsiderueshme bakri. Sipas tij, bakri dhe alumini kanë një çmim më të lartë dhe kompanitë që mbledhin hekurishte e shesin bakrin dhe aluminin me 4-5 euro për kg. 

“Pjesë tjetër mjaftë e vlefshme janë edhe gypat e makinerive të cilët mund të shiten me çmim tjetër, po të seleksionoheshin”, thotë Mustafa, i cili tregon se sindikata ka ngritur këtë shqetësim tek menaxhmenti i korporatës. 

Ai thotë se shitja e paseleksionuar është keqpërdorim. “Vlera e këtij scrapi përllogaritet të jetë afër 2 milionë euro, sipas të dhënave nga departamentet”, ka shtuar ai.

KEK-u shiti si skrap edhe trafo të përdorshme

Edhe auditorët kanë vënë në dukje se mbeturinat metalike të cilësuara si “skrap” përmbajnë lloje të ndryshme të metaleve, si krom, çelik, hekur, alumin, bakër dhe lloje të tjera të metaleve, të cilat kanë dallim në cilësi dhe vlerë. 

“KEK-u nuk i ka klasifikuar këto metale. pavarësisht dallimit të tyre dhe i ka shitur si metale të kombinuara, me çmim të njëjtë për njësi”, theksohet në raportin e ZAP-it. 

Zyrtarët e Korporatës Energjetike sqarojnë se këtë e bënë me qëllim. Procesi i klasifikimit të metaleve thuhet se do të kërkonte demontimin e pajisjeve dhe ndarjen e tyre në pjesë të veçanta nga vetë KEK-u.

“Kjo do të kërkonte angazhim të konsiderueshëm të burimeve njerëzore, teknike dhe financiare që KEK-u nuk i ka në dispozicion, shkaku i angazhimeve në operime qenësore, ndërsa kostoja e këtij angazhimi nuk do të mund të mbulohej”, ka deklaruar Eglantina Hoxha. 

Për këtë arsye, sipas saj, në ankandin publik është kërkuar një çmim mesatar që do të mbulonte të gjithë sasinë dhe llojet e metaleve.

Veç mosklasifikimit të llojeve të metaleve, auditorët kanë gjetur se në specifikacionin e tenderit janë futur pajisje për shitje, të cilat ishin si të përdorshme në regjistrat e ndërmarrjes. 

 Auditorët kanë zbuluar se në Termocentralin “Kosova A” janë identifikuar disa pajisje (Trafo T2 dhe Trafo T4) të cilat janë përfshirë në ofertën e shitjes, pa u shlyer si të papërdorshme nga regjistrat e KEK-ut. 

Gjashtë muaj pasi janë kontraktuar këto pajisje, KEK-u ka marrë vendim për formimin e komisionit për të vlerësimin e gjendjes teknike të këtyre transformatorëve. 

Përkundër ngritjes së këtij komisioni, audiorët kanë gjetur se nuk ishte bërë ndonjë raport vlerësues për gjendjen e tyre dhe në prill të vitit 2012 ishte nxjerrë propozimi për hedhjen e tyre në skrap.

“Kontraktimi i pajisjeve të përdorshme për shitje si skrap tregon për menaxhim jo të mirë dhe mungesë të kontrolleve me rastin e shitjes së mbeturinave metalike”, theksohet në raportin e ZAP-it. 

Kjo mohohet nga Korporata Energjetike, sipas të cilës trafot nuk janë shitur për skrap, por vetëm kanë qenë fillimisht të prezantuara për shitje në dosjen e tenderit. 

“Gjate procesit të riverifikimit të daljes nga përdorimi i tërë sasisë për shitje, trafot në fjalë edhe pse nuk kanë qenë në gjendje të rregullt, janë hequr nga lista e shitjes, pasiqë nuk ishin çregjistruar nga regjistrat financiarë”, ka thënë Hoxha. 

Tjetër vërejtje, auditorët i kanë dhënë KEK-ut edhe për sa i përket tejkalimit të sasisë së mbeturinave të metaleve të paraparë për shitje. 

Bazuar në gjetjet e auditimit në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, sasia e ofruar e skrapit ishte 1,000 tonë, ndërsa sipas raportit të shitjes së mbeturinave gjatë vitit 2011 kompanisë private i janë shitur 1,197 tonë. Një gjë të tillë ishte edhe në Termocentralin Kosova B, Distriktin e Prishtinës dhe në Drejtori (Prishtinë). 

“Sasia e ofruar e metalit për shitje në Termocentralin B ishte 200 tonë, ndërsa shitja 417 tonë; në Distrikitin e Prishtinës sasia e ofruar 10 tonë, ndërsa shitja 15 tonë; si dhe në Drejtori (Prishtinë) sasia e ofruar 2.5 tonë dhe sasia e realizuar e shitjes 21 tonë. Kjo tregon se ka munguar një vlerësim i duhur i metaleve për shitje”, thuhet në raportin e ZAP-it. 

Vetë KEK-u e pranon se në disa divizione është tejkaluar sasia e paraparë për shitje. 

“Në dosjen e tenderit është prezantuar vetëm vlerësimi i sasisë së përafërt (e pamundur që të matet) të mbeturinave që mund të shiten, ndërsa sasia e saktë është përcaktuar gjatë implementimit”, ka deklaruar Hoxha.

KEK-u thotë se me rëndësi është që sasia e tërësishme e shitur nuk ka tejkaluar sasinë e përcaktuar në kontratë.

Rrjeti i Bizneseve të Shaip Mujës Me Vëllezër

Shaip Muja, ish-këshilltari i kryeministrit Hashim Thaçi, aktualisht deputet i PDK-së në Parlamentin e Kosovës, si dhe vëllezërit e tij, kanë në pronësi një rrjet biznesesh, duke përfshirë tregtimin e skrapit, ndërtimin, hotelierinë, energjinë si dhe shërbimet mjekësore. 

Vetë Shaip Muja figuron si pronar aksionesh në bizneset “Anaderm”, një klinikë diagnostike-terapeutike; kompaninë “Alumil-Ko”, si dhe në “Kosova Green Energy”.

Vëllai i tij, Fatmiri, figuron si aksionar në “Ci-Kos-Cro”, “Terraplan & Partners”, një kompani ndërtimi, e po ashtu edhe në “Alumil-Ko”.

Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), numri kontaktues për “Ci-Kos-Cro” dhe “Kosova Green Energy” është i njëjti.

Vëllai tjetër, Naim Muja, figuron se është pronar i restorantit “ Ariu” që gjendet në Veternik.

Restoranti “Glass House” | Foto: Korab Basha

 

Ndërkohë Anita Muja, gruaja e Shaip Mujës, është aksionare në kompaninë “Ana-Z”, me të cilën Radio Televizioni Publik kishte lidhur një kontratë për realizimin e emisionit “Estetika dhe Shëndeti”.

Ndërsa, Arsim Muja figuron si pronar i restorantit “Glass House”, që gjendet afër “Hotel Victory”. Prona ku është i ndërtuar ky restorant, sipas menaxhmentit aktual të ndërmarrjes shoqërore “Auto Prishtina” si dhe menaxhmenteve të kaluara, është e uzurpuar nga pronari i kësaj kompanie.

Njëri nga bizneset “e përbashkëta” të familjes Muja është “Alumil-Ko” Sh.p.k., me adresë Te Rrethi (Glass House), Prishtinë dhe numër regjistrimi 70266525. Si pronarë në ARBK figurojnë: Nevila Rama, Dimitrios Gavriil, Shaip Muja, Shaban Muja, Fatmir Muja, Arsim Muja, Aldi Kuzmi, Edlira Guri dhe Naim Muja.

Edhe disa nga bizneset e tjera të familjes Muja janë të regjistruar me adresë te “Glass House”, Te Rrethi.