Këshilltari i Mujës Fiton Tenderë “Konsulence”

 

Arsim Shpejti, këshilltari i parë politik i kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, ka siguruar gati 50.000 euro nga katër kontrata nga Komuna në vitin 2011 – një shumë e mirë për një shtet, ku rroga mesatare për një shërbyes civil është rreth 300 euro.

Shpejti, anëtar i Aleancës Kosova e Re, AKR, i cili për një kohë të shkurtër ka qenë zëvendës i Mujës, i ka konfirmuar Gazetës Jeta në Kosovë, se kompania e tij “Dituri”, ka fituar kontrata, duke shpjeguar se tenderët ishin shpallur për të rregulluar një rrogë për të. 

Marrëveshjet që janë bërë kanë shkelur një numër ligjesh, përfshirë Ligjin për Prokurimin Publik të vitit 2011 dhe Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, po ashtu të vitit 2011.

Sipas Ligjit për Prokurimin Publik “një autoritet kontraktues do të trajtojë operatorët ekonomikë në mënyrë të barabartë”, duke përjashtuar çdo marrëveshje paraprake për një tender, që do të zëvendësonte një pagë mujore.

Kurse, ligji kundër konfliktit të interesit i obligon zyrtarët që të transferojnë aksionet që ata kanë në ndonjë ndërmarrje te një palë e besueshme, gjatë “ushtrimit të funksionit të tyre publik”.

“Kam ardhur në këtë pozitë [këshilltar politik] pas një kompromisi ndërmjet koalicioneve në Prizren”, tha Shpejti, partia e të cilit AKR është në koalicion me partinë e kryetarit Muja, Partinë Demokratike të Kosovës, PDK.

“Nuk kam qenë i paguar për postin e nënkryetarit”, shtoi Shpejti. “Nuk paguhem as për postin e këshilltarit. Qëllimi im ka qenë që të vijë deri te rroga ime”, e pranon ai.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Gazeta Jeta në Kosovë, kompania e Shpejtit ka nënshkruar katër kontrata, tri prej të cilave kanë qenë nën 10.000 euro, dhe si rezultat, nuk kanë qenë tenderë publikë. 

Në vend të kësaj, Komuna ka ftuar tri kompani, përfshirë edhe “Diturinë”, për të ofertuar për secilën kontratë, dhe proceduar me kuotim të çmimeve.

Në mars 2011, një kontratë me vlerë prej 9.200 euro ishte dhënë kompanisë “Dituri” për “shërbime të konsulencës”. Në prill, “Dituri” është shpërblyer me një kontratë tjetër, në vlerë prej 9.750 euro për “arsim dhe trajnime”. Dhe në korrik, kompania e Shpejtit fiton edhe një kontratë tjetër për “konsulencë”, me çmim prej 9,980 euro.

Kontrata e vetme e lajmëruar për tender publik, me titull “Ngritja e kapaciteteve për shërbyesit civilë”, ishte fituar përsëri nga “Dituri” në vlerë prej 19.200 eurosh, në nëntor 2011.

Para se të kryheshin pagesat për “Diturinë”, Komuna kishte krijuar një komision për të parë nëse kompania i kishte kryer punët sipas kontratës. 

Në secilin rast, Komuna ka konkluduar se “Dituria” i ka kryer punët “në mënyrë të kënaqshme”. 

Kur Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, ZAP, ka kërkuar dëshmi për këto shërbime, Komuna nuk ka qenë në gjendje të ofrojë ndonjë dëshmi të dokumentuar se puna e konsulencës, në fakt ishte bërë.

“Gjatë vitit 2011, Komuna ka kontraktuar katër kompani private për të dhënë shërbime profesionale konsulente, duke ofruar edhe praktikantë në komunë, në shumën prej 48,630 eurosh. Pagesa ishte bërë për komisionimin e shërbimeve profesionale konsulente, por neve nuk na është ofruar ndonjë dëshmi se kush kanë qenë përfituesit e këtyre shërbimeve”, shtoi auditori.

Në dokumentet në lidhje me pagesën e praktikantëve, të cilat i ka parë Gazeta JnK, figurojnë shuma nga 150 deri në 600 euro, dokumente të cilave iu mungonin nënshkrimet, vula dhe emri i kompanisë.

Shuma e përgjithshme prej 25.200 euro paraqitet si para të alokuara për praktikantët. 

Sipas auditorit, i cili kishte shikuar në dokumentet e Komunës, gjatë muajit nëntor kishte takuar praktikantë, disa prej tyre i kishin thënë se nuk paguhen për këtë praktikë.

“I kam pyetur disa praktikantë, por ata më treguan se nuk paguhen për praktikën që kryejnë”, i tha gazetës, auditori Florim Maliqi.

Maliqi shtoi se është e rëndësishme se Komuna nuk i ka kundërshtuar të gjeturat se asnjë punë konsulente nuk është bërë, kur iu është paraqitur draft-raporti i auditimit.

Zëvendëskryetari i Prizrenit, Ruzhdi Rexha, dhe Shpejti kanë mohuar se nuk i kanë paguar praktikantët. Por, Rexha ka pranuar se kompania e Shpejtit ishte themeluar specifikisht për të fituar këto kontrata. 

Ai tha se Komuna ka kontraktuar kompaninë e Shpejtit për shërbime konsulente, pasi që nuk ishin në gjendje t’i ofrojnë një rrogë. 

“Kështu që, ai ka hapur një firmë, në mënyrë që të marrë pjesë në këto tenderë me kompaninë e tij”, i tha Rexha, Gazetës JnK. “Ne kemi përcjell se ku kanë shkuar paratë dhe kemi konkluduar se paratë janë shpenzuar mirë”, shtoi ai. 

Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë, kompania “Dituri” është çregjistruar në maj të këtij viti, pak kohë pas daljes së raportit të auditorit.

Shpejti, 48-vjeçar, ishte emëruar zëvendëskryetar i dytë i kryetarit Muja në mars 2010, pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë, nga fundi i vitit 2009.

Por, Muja ishte i detyruar që ta largojë Shpejtin prej kësaj pozite nga presioni i opozitës në Kuvendin Komunal të Prizrenit dhe pasi vendimi i këtillë nuk mbështetej në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Një prej posteve të zëvendëskryetarit është i rezervuar për një parti që përfaqëson interesat e komunitetit minoritar. 

Në qershor 2010, Shpejti u kthye në “Shtëpinë e Bardhë” të Prizrenit, i emëruar si këshilltari i parë politik të kryetarit Muja. Ai ende e mban këtë pozitë. 

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar nëntë praktikantë për të verifikuar nëse ata janë paguar, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.