Rimbursimet e Trasha të Bordit të AKP-së

Shënim: Artikulli fillimisht u botua më 16.07.2012 02:32:58

Sllobodan Petroviq për postet që i mban në qeverinë e Kosovës, si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, paguhet 14.181 euro në vit.

Politikani i fuqishëm nga radhët e komunitetit serb në Kosovë po ashtu mban postin e anëtarit të bordit të drejtorëve në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, AKP, dhe për këtë reimbursohet (rimbushet) 16.800 euro, ose 1.400 euro për muaj.

Këto të dhëna ai i ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion, AKK, për vitin 2012, ndërsa kabineti i tij nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë.

Petroviq është anëtar i bordit të AKP-së që nga 1 janari 2008.

I bie që më 2011, për 12 takime të bordit të AKP-së Petroviq është paguar mbi 1300 euro mesatarisht. Supozohet po ashtu se ai nuk kishte marrë pjesë në të gjitha takimet. 

Raporti zyrtar vjetor i AKP-së për vitin 2011 tregon se reimbursimi për pesë anëtarët vendorë të Bordit të Drejtorëve ishte bërë në vlerën 68,828.00 euro. Sipas raportit, ata kanë mesatarisht 12 takime në vit.

Anëtarë tjerë të bordit janë kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, BSPK, Haxhi Arifi, i cili është nënkryetar dhe drejtor në këtë bord.

Anëtari tjetër i bordit është Bahri Shabani, ish-kryetar i BSPK-së. Pastaj Naser Osmani, aktualisht deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Të gjithë këta persona janë zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës.

Anëtarët tjerë janë Hubert Warsmann, Mohammed Omran, Lisa Brodey dhe Michelle Moran, të gjithë këta të emëruar nga Përfaqësuesi Ndërkombëtar Civil (ICR), të cilët nuk kompensohen për punën e bërë në AKP, çështje e rregulluar me ligj.

Të gjithë anëtarët lokalë të bordit supozohet se kanë marrë mesatarisht rreth 13,700 euro në vit, për 12 takime.

Për momentin, pozita e kryetarit të bordit të AKP-së është e zbrazët pas vdekjes së Dino Asanajt. Ky i fundit në deklaratën zyrtare në AKK kishte shënuar se merrte 19,800 për mbulim të shpenzimeve në këtë detyrë.

Anëtarët e bordit të drejtorëve të AKP-së takohen një herë në muaj ndërsa të hyrat e tyre nuk tregohen nga AKP.

Fillimisht bordi i AKP-së kishte vendosur në vitin 2009 për t’i ndarë vetes një shumë që “nënkuptohej” si shumë për mbulimin e shpenzimeve të anëtarëve të bordit.

Atëkohë, një anëtar i bordit reimbursohej me 960 euro në muaj ndërsa kryetari i bordit merrte 1.250 euro.

Ndërsa, sipas ligjit të vjetër të AKP-së, nenit 13, pika 2 thuhej se “drejtorët nuk marrin kompensim për pjesëmarrje në mbledhjet e Bordit; mirëpo ata mund të kompensohen për shpenzimet e arsyeshme të bëra në lidhje me pjesëmarrjen në mbledhjet e Bordit si dhe shpenzimet e arsyeshme të bëra për përmbushjen e funksioneve të tjera zyrtare në emër të Agjencisë”.

Kjo pikë është larguar nga neni 13 në ligjin e ri të AKP-së që është miratuar në gusht 2011 në Kuvendin e Kosovës.

“Ju informojmë se më nuk qëndron në fuqi ajo shumë për të cilën flitet në pyetjen e shtruar”, zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Ai tha se anëtarët e bordit të drejtorëve nuk marrin paga mujore për punën që bëjnë por kompensohen për të mbuluar shpenzimet e tyre, por ai nuk e specifikosi se saktësisht sa kompenzohen anëtarët e bordit.

“Kompensimi realizohet në bazë të Rregullores së AKP-së për kompensimin e anëtarëve të Bordit të AKP-së të miratuar më 24 tetor 2011”, tha Kaloshi.

“Anëtarët e Bordit të Drejtorëve të AKP-së, të zgjedhur nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk marrin paga mujore për punën që bëjnë dhe aktivitetet e nevojshme për ushtrimin e detyrës së anëtarit të Bordit. Por ata kompensohen në baza mujore për të mbuluar shpenzimet që ndërlidhen me aktivitetet e drejtorëve për çështje të Bordit”, shtoi ai.

Andrea Capussela, ish-anëtar bordi në AKP nga Zyra Civile Ndërkombëtare, thotë se është i sigurt se anëtarët e Bordit paguheshin edhe kur nuk ishin prezentë në takime.

“Kështu pagesat ishin joligjore, pasi ata duhet të rimbushen për shpenzime”, tha Capussela.
“‘Ky mbulim për shpenzime mujore’, edhe nëse kualifikohet si kosto e shpenzimeve, nuk është vlerësim i arsyeshëm i shpenzimeve të kryera dhe nuk ndërlidhet me pjesëmarrjen faktike të anëtarëve të bordit në takime”.

 Capussela shtoi se shifra është e “panatyrshme dhe e tepruar”.

“Sa e tepruar mund të krahasohet me kompensimin për anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike: ligji për ndërmarrjet publike (artikulli 20) thotë se shpërblimi duhet të jetë mjaftueshëm i madh për të nxitur anëtarë të mirë të bordit, dhe qeveria rregulloi (për ndërmarrjet e mëdha si ajo e rrymës, aeroportit dhe telekomit) që kryesuesi të marrë 850 euro dhe anëtarët tjerë të bordit 750. Si mundet që rimbushja (reimbursimi) të jetë më atraktive se kompensimi?”, tha Capussela për Gazetën Jeta në Kosovë.

Haxhi Gashi, profesor i të drejtës pronësore dhe civile në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, i cili njëherësh është edhe autor i analizës së Institutit GAP – “Konflikti Ligjor lidhur më privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore”, thekson se analiza e tij nuk e ka shqyrtuar çështjen e kompensimit të bordit të AKP-së por shton se kjo duhet rregulluar me ligj.

“Duhet krijuar një ligj i cili do të rregullonte kompensimin e anëtarëve të bordit për të gjitha agjencitë në Kosovë”, tha Gashi.

Sipas monitorimit të organizatës jo-qeveritare, GAP, Qeveria e Kosovës kishte miratuar dy propozime të ministrisë së financave për të ndarë 344.000 euro për të mbuluar shpenzimet për paga dhe mëditje për stafin e AKP-së.

Kjo shumë ishte ndarë për korrik dhe gusht, respektivisht 60.000 dhe 284.000 euro pasi që deri në qershor të vitit 2011, mbulimin e shpenzimeve për paga dhe mëditje për stafin e AKP-së e ka bërë Komisioni Europian në cilësinë e donatorit.

“Një vendim i tillë, sipas Ministrisë së Financave, është dashur të merret për shkak të ndërprerjes së fondeve për këtë qëllim nga KE dhe si rezultat është dashur të gjendej një zgjidhje e përkohshme deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit për Agjencionin Kosovar të Privatizimit”, thotë GAP.

Sipas një raporti të Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës, gjatë vitit 2011 në AKP shpenzimet për paga dhe mëditje ishin 3,647,510 euro.

Prej tyre nga Buxheti i Kosovës ishin 1,147,824 euro, nga të hyrat vetanake 1,151,411 euro si dhe nga donacionet e Komisionit Europian ishin 1,348,275 euro.