Dyshohet se Qeveria Shpërbleu Kundërligjshëm AUK-un

Universiteti Amerikan në Kosovë (AUK) ka përfituar 30 hektarë tokë pronë shoqërore nga Qeveria e vendit përmes një procesi për të cilin Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur shkelje ligjore. 

Prona në Hajvali ku pritet të ndërtohet kampusi i ri i AUK-ut ishte nën juridiksionin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), por për tjetërsimin e saj pa tender publik Ministria e Financave kishte paguar rreth 3.5 milionë euro. 

Në vjeshtën e vitit 2010, ajo kishte angazhuar një kompani private për të bërë vlerësimin se sa kushtonte kjo pronë të cilën do ta paguante qeveria në interes të AUK-ut. 

Por Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, në raportin e auditimit për këtë ministri për vitin 2011, ka gjetur se kompania private kishte kryer shërbimin para se të filloheshin procedurat e prokurimit dhe të nënshkruhet kontrata. Kjo bie në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. 

“Procedurat e prokurimit dhe nënshkrimi i Kontratës në vlerë 8,950 euro për projektin- ‘Vlerësimi i pronave sipas vendimit të Qeverisë për dhënien e tokës Universitetit Amerikan të Kosovës (AUK-ut) dhe MASHT-it’ janë kryer pas përfundimit të punëve. Për më shumë nuk është siguruar konkurrencë në këtë proces”, thuhet në raportin e auditimit.

Autoriteti Kontraktues, sipas këtij raporti, është i obliguar që të sigurojë se fondet publike janë duke u përdorur në mënyrën më ekonomike si dhe nuk duhet të kryejë asnjë prokurim që eliminon konkurrencën mes operatorëve ekonomikë. 

Kur është audituar ky projekt i kësaj ministrie është zbuluar se më 28 janar të këtij viti, Drejtori i Departamentit të Pronës në MEF i kishte dërguar një e-mail Menaxherit të Prokurimit për vlerësimin e pronës të bërë më 2010. 

Në këtë e-mail, sipas gjetjeve të auditimit, ishte edhe raporti i kompanisë së kontraktuar për vlerësimin e pronës i kryer më 6 shtator 2010 . “Conikos” kishte vlerësuar se prona kushtonte 3 milionë e 408 mijë e 911 euro.

Zyra për Media e ZAP-it ka sqaruar se në këtë ministri janë gjetur dokumente që kallëzojnë se procedurat e prokurimit kishin filluar tek në nëntor të vitit 2010, që i bie dy muaj pas kryerjes së punës.  

Hapja e tenderit ishte bërë më 18 nëntor ndërsa kontrata me kompaninë fituese ishte bërë më 15 dhjetor të vitit 2010. 

Me gjetjet e auditimit nuk pajtohen zyrtarët e Ministrisë së Financave. 

“Nuk është e vërtetë (pohimi i ZAP-it). Në fillim është përzgjedhur kompania fituese përmes një procedure prokurimi, dhe pasi është lidhur kontrata me kompaninë, është kryer vlerësimi i pronave te paluajtshme”, ka thënë Shkëlzen Morina, drejtor i departamentit të pronës në MEF.

Pronari i kompanisë private “Conikos” nuk ka dashur të komentojë pasi që, sipas tij, këtë duhet ta bëjë Ministria e Financave.

Ministria e Financave nuk ka dhënë përgjigje rreth vendimit për t’i paguar 3.4 milionë euro për tjetërsimin e pronës në interes të AUK-ut. Pos kësaj edhe Ministria  e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë nuk ka dhënë shpjegim rreth vendimit për vlerësimin e AUK-ut si interes publik për edukim.

Zëvendëspresidenti i AUK-ut, Ilir Ibrahimi, nuk ka dhënë ndonjë shpjegim se cilat janë benefitet që i ofron Qeverisë së Kosovës kjo organizatë e cila është vlerësuar si interes publik, i pyetur nga gazeta, dhe ka shtuar se nuk ka ndonjë marrëveshje përkatëse mes këtij universiteti dhe Qeverisë.

Sipas Ibrahimit, ende nuk kanë nisur punimet në ndërtimin e kampusit të ri të AUK-ut.

As Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka dhënë shpjegime rreth arsyeshmërisë së vendimit të Bordit të Drejtorëve për tjetërsimin e pronës shoqërore në interes të AUK-ut.

Ish-anëtari i Bordit të AKP akuzonte për pazar të kundërligjshëm në interes të AUK-ut 

Kundër vendimit qeveritar për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone shoqërore AUK-ut kishte dalë Andrea Capussela, ish anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. 

Ai kishte publikuar një artikull me titull “Vjedh nga të varfrit për tu dhënë të pasurve”, në Koha Ditore më 2011, ku kishte shfaqur dyshimet e tij për një proces të kundërligjshëm në interes të Universitetit Amerikan në Kosovë. 

Më 23 shtator të vitit 2010 ishte diskutuar kjo çështje edhe përkundër që nuk ishte fare në agjendë. 

“Shefi i bordit, zotëri Dino Asanaj, na kërkoi të aprovonim tjetërsimin dhe kompensimin e ofruar për të, duke thënë se kjo ishte e rëndësishme për mbështetje të edukimit më të mirë në Kosovë. Ko ishte një pusi: zgjidhje të propozuara dhe letra mbështetëse duhet t’iu dërgohen anëtarëve të bordit pesë ditë para mbajtjes së takimit”, pati shkruar Capussela. 

Sipas tij, disa muaj më herët, në qershor të vitit 2010, me vendim të nënshkruar nga kryeministri Hashim Thaçi, ishte tjetërsuar prona e ndërmarrjes shoqërore IMK “Eksport Kosova” që gjendej afër Fshatit Ndërkombëtar.

Ky tjetërsim, thoshte Capussela, ishte i kundërligjshëm.

“Asetet e ndërmarrjeve shoqërore publike duhet të privatizohen dhe nuk mund të tjetërsohen (artikulli 44.2 i Ligjit të tjetërsimit)”, ka thënë Capussela. 

Këtë Capussela thotë se e kishte diskutuar me kolegët e tij në Zyrën Ndërkombëtare Civile, ICO. Njëri prej tyre, që ishte shef i Njësit të Çështjeve të Bashkësisë, i kishte rekomanduar të mos shkonte tutje në trajtimin e këtij problemi. 

“Ke kujdes se kjo marrëveshje është negociuar në kuadër të një numri shëtitjesh të së dielave ndërmjet amb. Dell dhe kryeministrit Thaçi”, kishte thënë ky zyrtar i ICO-së, sipas Capusselës. 

“Për këtë transaksion ilegal, dëmtues dhe thellësisht të pamoralshëm unë e fajësoj Hashim Thaçin, i cili nënshkroi vendimin kryesor, zotin Shala, zotin Hoxha, zotin Asanaj dhe zonjën Tahiri, të cilët implementuan pazarin, zotin Feith, i cili nuk e stopoi, dhe zonjën Arnal (atëherë prokurore), e cila nuk e hetoi. Për këto aksione dhe shkelje fajtorët janë ata”, ka thënë Capusella. 

 
Andrea Capussela  

 

Për ambasadorin amerikan Christopher Dell kishte thënë se nuk mund të fajësohet për këtë edhe po të ishte i përzier në këtë punë pasi që ai nuk iu ka borxh qytetarëve të Kosovës.

“Do të jetë në duar të autoriteteve amerikane të vendosin nëse ai ka vepruar apo jo si duhet, dhe unë u kam dërguar një letër pikërisht për të kërkuar këtë përgjigje”, ka thënë ish-shefi i Njësitit për Ekonomi në ICO. 

Në atë kohë, rektori i universitetit Chris Hall u kishte shkruar një letër të brendshme studentëve dhe stafit të AUK-ut duke thënë se universiteti nuk kishte zgjedhur të reagonte ndaj artikullit pasi ky institucion nuk ishte kritikuar për keqbërje. 

“Qeveria akuzohet për thyerje të ligjit (edhe pse cilit ligj nuk specifikohet)”, shkruante Hall. “Këshilltarët tanë ligjorë na tregojnë se Qeveria e ndoqi ligjin me saktësi e korrektësi”.

“Ne zgjodhëm të mos i përgjigjemi artikullit sepse nuk duam të bëhemi pjesë e veprimeve të një njeriu të mërzitur që dëshiron të hakmerret ndaj ish-punonjësit të vetë”, kishte shkruar Hill. “AUK do të vazhdojë të rritet dhe të bëhet më i mirë dhe ndonjë herë do të sulmohemi por nuk do të shpërqendrohemi nga qëllimi dhe misioni ynë për të siguruar edukim sa më të mirë për Kosovën dhe rajonin”.