Krerët e PTK-së i Japin Vetës Bonuse

Tre anëtarë të Bordit të Post-Telekomit të Kosovës (PTK) e përbëjnë edhe Komitetin e Auditimit të kësaj ndërmarrje – Nuhi Ahmeti, kryesues, Qamil Buzhala dhe Gani Sylaj.

Njëra prej përgjegjësive të këtij komiteti të auditimit është të vlerësojë se a e meriton bordi prej gjashtë anëtarëve i PTK-së — ku bëjnë pjesë ata si dhe tre kolegë të tjerë të tyre — të marrë bonuse për performancën e korporatës.

Dhe ka dalë që gjashtë krerët e PTK-së e meritojnë të marrin edhe bonuse përveç pagave të rregullta prej mijëra eurosh në muaj.

Për shembull, për vitin 2011, kryesuesi i Bordit të PTK-së, ka marrë pagë vjetore prej 17 mijë e 558 eurosh ndërsa 11 mijë e 128 euro tjera bonuse. Anëtari tjetër i bordit dhe kryesuesi i Komitetit të Auditimit, Nuhi Ahmeti, ka marrë 17 mijë e 900 euro pagë më 2011 dhe 10 mijë e 900 euro bonuse.

Në vitin 2010, PTK ka paguar 200 mijë euro për bordin e saj. Ai përbëhet nga kryesuesi Rexhë Gjonbalaj, Elmaze Pireva, Sahit Surdulli si dhe Nuhi Ahmeti, Qamil Buzhala e Gani Sylaj.

“Bordi i PTK-së futet në grupin e bordeve ka arritje të pjesshme dhe përmbushje jo të plotë të detyrave ndaj aksionarit” MZHE  

Por në një raport të nëntorit 2011 të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, që operon në kuadër të Ministrisë për Zhvillim Ekonomik (MZHE), të titulluar “Vlerësimi i Efektshmërisë së Punës së Bordeve të Drejtorëve të NP-ve Qendrore për Vitin 2010”,  ku jepen konstatime për 16 bordet e Ndërmarrjeve Publike në Kosovë, Bordi i PTK-së futet në grupin e bordeve me arritje të pjesshme dhe përmbushje jo të plotë të detyrave ndaj aksionarit.

Raporti thotë se gjatë vitit 2010 numri i konsumatorëve në operatorin publik të telefonisë mobile ishte rritur vetëm për 23 mijë ndërsa në Planin e Biznesit të VALA-s planifikohej që gjatë këtij viti të shtoheshin 98 mijë konsumatorë të rinj.

Po ashtu, caqet e paraqitura në Planin e Biznesit të PTK-së nuk ishin arritur për 12 milionë euro pasi që fitimi ishte vetëm 33 milionë euro që është për 11 milionë euro më i vogël se sa ai i vitit 2009.

Bordi i PTK-së ishte kritikuar edhe për sa i përket “qeverisjes korporatave”.

Më 17 mars të vitit 2009, Qeveria kishte kërkuar nga Bordi i PTK-së të nënshkruante Kodin e Etikës dhe Qeverisjes Korporative si dhe të nënshkruante zotimin për respektimin e Ligjit për Ndërmarrje Publike. Bordi i PTK-së e kishte bërë këtë tek në shkurt të 2011-es.

Kjo vonesë, sipas këtij raporti, kallëzon për mungesë vullneti të Bordit të PTK-së për të realizuar detyrat ndaj aksionarit.

Bordi i PTK-së i vetëshpërblyer me bonuse për vitin 2010, ka vendosur të mos i njohë konstatimet e raportit të publikuar nga Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike.

Zëdhënësi i PTK-së, Menduh Abazi, ka deklaruar se kjo ndërmarrje nuk posedon këtë dokument që flet për mospërmbushje të detyrave të Bordit ndaj Aksionarit, që është Qeveria e Kosovës.

“PTK sh.a. dhe Bordi i Drejtorëve nuk i beson një konstatimi dhe vlerësimi të tillë për mospërmbushje, duke marrë parasysh qe PTK sh.a. është kompania më e suksesshme në Republikën e Kosovës” Menduh Abazi  

“Po ashtu PTK sh.a. dhe Bordi i Drejtorëve nuk i beson një konstatimi dhe vlerësimi të tillë për mospërmbushje, duke marrë parasysh qe PTK sh.a. është kompania më e suksesshme në Republikën e Kosovës në kategorinë e Ndërmarrjeve Publike”, ka deklaruar zëdhënësi i Postë-Telekomit të Kosovës, Menduh Abazi.

Kompensimet për anëtarët e Bordit të Drejtorëve, sipas zëdhënësit të kësaj ndërmarrje, bëhen në përputhje me ligjin për Ndërmarrje Publike si dhe Politiken e Kompensimit të Bordit të aprovuar nga Komiteti i Auditimit, organ ky që operon bazuar në këtë ligj.

Këtë raport para se të publikohej e kishte promovuar Besim Beqaj ministër për Zhvillim Ekonomik.

Në një mbledhje të Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, më 15 nëntor 2011, Beqaj pati deklaruar se rezultatet që do të dilnin nga raporti për vlerësimin e efektshmërisë së bordeve do të përdoreshin në konkursin për anëtarë të ri të bordeve të NP-ve.

Nëse anëtarët e një bordi të një Ndërmarrje Publike do të vlerësoheshin negativisht atëherë, sipas Beqajt, do t’iu pamundësohej që të rizgjidheshin sërish në të njëjtat pozita.

Ndërkohë, MZHE-ja javën e kaluar nuk ka dashur të komentojë bonuset e marra nga anëtarët e bordit të PTK-së edhe përkundër konstatimit se gjatë vitit 2010 nuk kanë përmbushur detyrat ndaj aksionarit.

Zyra për Media e kësaj ministrie ka potencuar vetëm atë se ligjërisht është e lejueshme që anëtarët e Bordi Drejtues të marrin një honorar mujor dhe të marrin bonuse për performancën e tyre.

Shifrat e MZHE-së për performancën e PTK-së korrespondojnë ndërkohë me ato që i ka dhënë ndërmarrja.

PTK-ja, sipas zëdhënësit Menduh Abazi, gjatë vitit 2010 ka realizuar fitim para tatimit në vlerë prej 37 milionë e 656 mijë eurosh ndërkaq në vitin 2011 ka realizuar fitim prej 50 milionë e 237 mijë eurosh.

 “Nga pasqyra financiare e paaudituar vërehet se PTK në vitin 2011 ka të hyra prej 162 milion euro që është për 6 për qind me shumë se në vitin paraprak dhe rritje të fitimit financiar pas tatimit (neto fitim) për 11.4 milionë euro (nga 33.4 milionë në 2010 në 44.9 milion euro në 2011, apo 34 për qind më shumë fitim se në vitin paraprak”, ka thënë ndërkohë Naim Zeqiri, zyrtar për media në MZHE.

Bonuset e Krerëve

Postë-Telekomi i Kosovës (PTK) ka shpenzuar qindra mijëra euro për të kompensuar gjashtë anëtarët e bordit të drejtorëve.

Bazuar në raportet financiare të publikuara nga Postë-Telekomi i Kosovës, vetëm në vitin 2010 shuma totale e kompensimit që përfshin bonuset e pagën për anëtar bordi ishte rreth 200 mijë euro. Në vitin 2009 ishte mbi 190 mijë euro ndërsa në vitin 2008 ishte afro 110 mijë euro.

“Në vitin 2010 shuma totale e kompensimit që përfshin bonuset e pagën për anëtar bordi ishte rreth 200 mijë euro” Raporti financiar i PTK-së  

Kryesuesi i Bordit të PTK-së, bazuar në deklarimin e pasurisë së tij, merr një pagë vjetore prej 17 mijë e 558 euro.

Kur ka plotësuar formularin e pasurisë së tij, Rexhë Gjonbalaj ka shënuar se po ashtu nga PTK-ja ka marrë bonus në vlerë prej 11 mijë e 128 eurosh.

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2012, Gjonbalaj ka shënuar se të ardhura të tij janë edhe 7 mijë e 310 euro tjera të cilat janë bonus nga PTK-ja të cilat i janë paguar në vitin 2011 por që i takojnë nga performanca si Kryetar Bordi gjatë vitit 2010.

Ndërkohë edhe në deklarimin e pasurisë të dorëzuar në prill të vitit 2011 në Anti Korrupcion ka shënuar se ka përfituar nga PTK-ja bonus në vlerë 11 mijë e 158 euro por nuk ka saktësuar se performancës së cilit i vit i takojnë.

Edhe në deklarimin e pasurisë së treguar në vitin 2010, Gjonbalaj ka shënuar se ka përfituar një bonus prej 9 mijë eurosh nga PTK-ja por këtë vit ai kishte pagën më të vogël se sa aktualisht. Vetëm 13 mijë e 200 euro ishte paga e tij e deklaruar si Kryetar Bordi në vitin 2010 ndërsa në dy vitet pasuese paga e tij figuron të jetë mbi 15 mijë euro.

Ndërkohë nga 1 mijë euro më pak sesa kryesuesi marrin anëtarët e tjerë të Bordit të PTK-së.

Qamil Buzhala, një anëtar bordi në PTK, ka shënuar se përveç pagës së tij vjetore prej 17 mijë e 163 eurosh për vitin 2011 ka marrë një bonus prej 10 mijë e 900 eurosh. Këtë vit, njëjtë si Gjonbalajt, atij i është paguar bonusi prej 7 mijë e 310 eurosh i cili ka shënuar se i takonte nga performanca e treguar në vitin 2010.

Edhe në vitin e kaluar në deklarimin e pasurisë Buzhala ka shënuar se ka marrë mbi 11 mijë euro bonus nga PTK-ja ndërsa para dy vitesh ka shënuar vetëm vlerën mujore të pagës e cila sipas tij ishte 1 mijë e 300 euro.

Anëtari tjetër i Bordit Nuhi Ahmeti që është edhe Kryesues i Komitetit të Auditimit del se ka pagën më të madhe se sa Gjonbalaj.

Paga e Ahmetit është 17 mijë e 900 eurosh por bonuset i ka pak më të ulëta se sa kryesuesi i Bordit. Për performancën e vitit të kaluar ka shënuar se ka marrë 10 mijë e 900 euro ndërsa për atë të 2010-es ka marrë 7 mijë e 300 euro. Në deklarimin e pasurisë për vitin 2011 ka shënuar se ka marrë si bonus mbi 10 mijë euro por nuk ka specifikuar se për cilën periudhë i janë paguar këto mjete.

E në deklarimin e 2010-es, Ahmeti ka shënuar se të ardhurat e tij nga PTK-ja janë mbi 17 mijë euro vit por nuk ka specifikuar se sa prej tyre janë pagë e sa bonus.

Ndërkohë Gani Sylaj në deklarimin e fundit të pasurisë ka shënuar se merr pagë vjetore nga PTK-ja në vlerë prej 17 mijë e 814 euosh. Për performancën e vitit 2011 ka marrë bonus në vlerë prej 10 mijë e 900 eurosh ndërsa për atë të para dy vitesh ka marrë një bonus 7 mijë e 300 eurosh por e cila iu ka paguar në vitin 2011. Në deklarimin e tij të vitit 2011 shënohet se ka përfituar bonus në vlerë prej 10 mijë e 901 eurosh por nuk kallëzohet se për cilën periudhë është paguar kjo shumë.

Anëtari tjetër i Bordit Sahit Surdulli në vitin 2011 e 2012 ka shënuar se vlera totale e pagës dhe e bonusit vjetor të tij është 26 mijë e 767 euro.

Ndërkohë Elmaze Pireva në uebfaqen e Kundër Korrupsionit nuk figuron se e ka deklaruar pasurinë por në vitin 2011 ajo kishte shënuar shumën prej 16 mijë e 5 euro si vlerë të pagës së saj vjetore në PTK por pa kallëzuar për vlerën e bonusit që ka marrë si anëtare bordi.