Bordi Që Kushton Shtrenjtë

Një hulumtim i Gazetës Jeta në Kosovë ka zbuluar se anëtarët e Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) marrin deri në tetë herë më shumë, për çdo takim, sesa paga mesatare mujore e vendit.

Kjo shumë është quajtur “e paarsyeshme dhe e panevojshme” në shpinë të tatimpaguesit nga ish-kreu i departamentit të ekonomisë në Zyrën Civile Ndërkombëtare (ICO), Andrea Capussela.

Hulumtimi gjithashtu ka zbuluar se si Bordi shpenzoi 40.000 euro vetëm për udhëtime në vitin 2010, se si anëtarët përdorën veturat zyrtare për angazhime në tjera punë dhe se si kryetari i bordit mund të mos ketë drejtë më të mbajë postin e tij për shkak se mandati i kufizohet në dhjetë vjet. 

155 mijë euro për vitin 2010

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se kryetari i bordit të BQK-së, Gazmend Luboteni, është paguar 2,000 euro për çdo takim të bordit – që do të thotë sa tetë herë paga mujore mesatare e vendit – 250 euro. Dy anëtarët të tjerë – Mejdi Bektashi dhe Sejdi Rexhepi, janë paguar 1,700 euro për çdo takim.

Luboteni mori gati 30,000 euro pas tatimit, rreth 36,000 euro para tatimit, në vitin 2010 për punën e tij në bord. Kjo nënkupton se bordi ka mbajtur 18 takime në vitin 2010, goxha më shumë se minimumi prej dhjetë takimesh në vit që kërkohet me ligj. Nëse do të mbaheshin vetëm dhjetë takime, Lobotenit ishte dashur që ato t’i sjellin 16.000 euro pas tatimit. Në vitin 2011, kjo shifër ra në gati 24,000 euro pas tatimit.

Luboteni gjithashtu merr paga për angazhimet e tij të mësimdhënies në Universitetin e Prishtinës dhe të Universitetit privat Fama me gjithsej 35.000 euro në 2010 dhe 30.000 në vitin 2011. 

Në total shpenzimet e bordit i kushtuan bankës 155,000 euro më 2010, duke përfshirë pagat dhe shpenzimet.

“Unë besoj se kompensimi i bordit është i tepruar për dy arsye. Shuma absolute është shumë e lartë dhe numri i takimeve rritet artificialisht duke e shumuar kompensimin e tyre”, Capussela ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Besoj se kompensimi i bordit është i tepruar sepse shuma absolute është shumë e lartë dhe numri i takimeve rritet artificialisht” Capussela  

Disa nga mbledhjet e bordit shfaqin vetëm një ose dy vendime, sipas procesverbaleve të publikuar në faqen e internetit të Bankës. Në një takim në shkurt të vitit 2008, për shembull, bordi mori vetëm një vendim – për ta konfirmuar emërimin e një administruesi për një kompani të sigurimit.

“Natyrisht mund të duket që është pagesë e madhe duke marrë parasysh kushtet tona. Por kompensimi duhet të jetë asi soji që të nxitë ekspertet më të mirë dhe t’i mbajë në bankë. Përgjegjësia është jashtëzakonisht e madhe”, Luboteni ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë.

Udhëtimet jashtë vendit

Sipas shifrave të publikuara nga Banka Qendrore, bordi gjithashtu udhëtoi gjerësisht në vitet e fundit. 

Në vitin 2009, bordi shpenzoi 27.000 euro në udhëtim, në vitin 2010 – 38.000 euro dhe për nëntë muajt e parë të vitit 2011, rreth 20,000 euro.

Sipas Capusselas, puna e të cilit përfshinte monitorimin e punës së bankës, si dhe sipas dy burimeve të tjera që merren me punët interne të bankës, shumë nga këto udhëtime ishin të panevojshme. 

“Këto udhëtime nuk kanë asnjë justifikim institucional, në qoftë se ju i shikoni kompetencat e bordit”, tha Capussela.

Një burim tjetër brenda Bankës Qendrore i tha gazetës se anëtarët e bordit kishin udhëtuar në takime që  kanë qenë të dedikuar për stafin e junior të bankës, dhe shpesh duke përdorur klasën e biznesit. Këtë e mohoi Kryetari Luboteni.

Në një prej udhëtimeve të kryetarit Luboteni ishte ajo në Malajzi. Gjatë vizitës, zyrtari i lartë i bankës pat kohë ta takoj të birin e tij pasi që ai atëherë ishte student ne Kuala Lumpur të Malajzisë. 

“Konferenca në Malajzi është paguar plotësisht nga qeveria e Malajzisë dhe unë isha atje duke e përfaqësuar Kosovën, në nivelin më të lartë si një VIP, si dhe në të gjitha forumet dhe tubimet tjera ndërkombëtare,” Luboteni tha për gazetën dhe ofroi dëshmi për këtë.

“Kane qenë raste te vogla kur kemi udhëtuar në klasën e biznesit, ta zëmë kur kemi udhëtuar për në Amerikë që udhëtimi zgjat 8-9 orë, por në udhëtime të shkurta gjithmonë në ekonomi kemi udhëtuar”, tha Luboteni. 

Në Shtator 2011, Gazeta Jeta në Kosovë bëri një kërkesë për informata të detajuara rreth udhëtimeve të bordit, por banka ka refuzuar të lëshojë këto informata. 

Në një udhëtim më 2011, kryetari Gërguri së bashku më anëtarin Rexhepi udhëtuan për në Itali tek një konferencë që u mbajt në Romë për “Italia dhe ekonomia botërore 1861 – 2011”.

“Në fakt çdo udhëtim paraqet një ngarkesë, stres, dhe ju mund ta merrni me mend se ‘sa lehte’ është të prezentohet vendi në ato forume ndërkombëtare” Gazmend Luboteni   

Luboteni udhëtoi në gusht 2011 në qendrën luksoze të skijimit luksoze në Crans Montana për një darkë tek “Këshilli mbi Çështjet Publike Botërore”, një mbledhje e cila u përshkrua si  “ngjarja më e veçantë dhe inter-aktive e organizuar nga Forumi i Crans-Montanës në vendpushimin e vetë (Zvicër)”.

“Në fakt çdo udhëtim paraqet një ngarkesë, stres, dhe ju mund ta merrni me mend se ‘sa lehte’ është të prezentohet vendi në ato forume ndërkombëtare dhe çfarë afirmimi dhe lobimi bëhet për vendin tonë atje kur prezentimi është i suksesshëm”, tha Luboteni.

Puna kryhet me veturë

Kryetari  Luboteni konfirmoi për Gazetën Jeta në Kosovë se ai e përdor veturën zyrtare të BQK-së për të udhëtuar tek obligimet të tjera të tij si ligjërues në universitete, duke potencuar se kjo është brenda rregullave të bankës. 

“Përdorimi i veturave është i rregulluar me politikën e brendshme të BQK-së”, tha ai. “Madje për bordin lejohet përdorimi i veturave edhe jashtë orarit zyrtar duke paguar kompensimin për një kilometër”.

“Për informimin tuaj, kryetari i mëparshëm i bordit, që ka qenë vendor, e ka pasur edhe veturën edhe vozitësin personal gjatë tërë mandatit, kurse unë nuk e kam, por cilado veturë me një vozitës të lirë e kryen këtë shërbim për mua”.

Sipas deklaratës së pasurisë së Lubotenit për vitin 2012, të publikuar javë më parë, ai është pronari i një veture Lexus LS 430 me vlerë 15,000 euro dhe nja VW Golf me vlerë 11,000 euro.

Ai po ashtu është pronar i dy banesave – një në Prishtinë dhe një në Shqipëri – edhe pse ai banon në shtëpinë familjare të babait të tij në mëhallën e Akshtashit.

Pyetje janë ngritur edhe në lidhje me renovimin e zyrave të reja të bordit ne selinë e Bankës Qendrore

“Sikur pagesa për çdo takim, udhëtime, makinat zyrtare, benzina dhe e gjitha kjo të mos mjaftojë, ata shkojnë edhe ja ndreqin vetës një zyre luksoze, dhe për çfarë? Ata nuk kanë mjaft punë për të plotësuar një gjysmë-dite në pallatin e tyre”, tha një ish-zyrtar i lartë i BQK-së.

Bordi i kërkohet të vendos për një numër relativisht të kufizuar çështjesh pasi pjesën tjetër e kryen një “bord ekzekutiv” i cili është përgjegjës për funksionimin e përditshëm. Guvernatori, zyrtari më i lartë në bankë, ulet në të dy bordet.

Luboteni, megjithatë, mbrojti shpenzimet duke thënë se renovimi i zyrave të tij ishte pjesë e një rinovimi të përgjithshëm të ndërtesës. 

“Shpenzimet për zyrat nuk janë për zyrat e bordit, por për një pjesë të tërë të ndërtesës”. 

“Madje edhe renovimi i  nyjeve sanitare dhe hyrjes kryesore të BQK-së është qenë pjesë e të njëjtit projekt”. Ai po ashtu shtoi se si rezultat i përmirësimeve tani hyrja e BQK-së i përmbush standardet ndërkombëtare të sigurisë. 

Mandati i përfunduar?

Sipas Ligjit mbi Bankën Qendrore, një anëtar bordi nuk është i lejuar të shërbejë për më shumë se dhjetë vjet me dy periudha pesëvjeçare.

Luboteni ka qenë, megjithatë, anëtar i bordit ose kryetar i tij për 13 vjet, me vetëm një pauzë  të shkurtër, kur ai ishte në Shtetet e Bashkuara.

 “Unë jam kryetar i Bordit që nga viti 2007, por që nga viti 1999 jam anëtar i këtij bordi”, ai i tregoi Gazetës Jeta në Kosovë.

Por ai shtoi se për shkak se ai kishte kaluar disa kohë në Amerikë, dhe ligji ka ndryshuar në vitin 2006, ai nuk e kishte shkelur ligjin.

Capussela vuri në dyshim shpjegimin dhe historinë e bordit. “Një tjetër gjë që dua ta nxjerr në pah është se përveçse ky bord është shumë i shtrenjtë, është edhe shumë i keq: në rastin më të rëndësishëm ku ata u detyroheshin të veprojnë – kur guvernatori u arrestua – anëtarët e bënë të kundërtën e asaj që ata duhet të kenë bërë dhe e thyen ligjin”, tha ai, duke ju referuar arrestimit të Hashim Rexhepit në vitin 2010.

“Ndërsa ai (Rexhepi) ishte në burg, bordi i bankës qendrore – që parashihet të mbrojë integritetin e bankës dhe pavarësinë e saj – së pari u përpoq të dorëzojë në institucionet politike fuqinë që të shkarkojë guvernatorin, një veprim i paligjshëm që u ndal nga ICO. Bordi pastaj vazhdoi të shkarkojë atë vetë, në një pretekst të rremë”.

“Me pak fjalë, këta njerëz janë një kosto e  paarsyeshme dhe e panevojshme për tatimpaguesin, dhe njëri prej tyre, kryetari, nuk duhet të jetë më aty, sepse ka një afat 10-vjeçare për t’u ulur në bord”.

Kjo është e rregulluar me ligjin për bankën qendrore, nenin 38, që thotë se asnjë anëtar i bordit të BQK-së ose “bordit ekzekutiv” të saj nuk mund të shërbejë aty më shumë se dhjetë vjet.