Kontrata e Bizneseve të Deshishkut me Komunën e LDK-së

Ismet Beqiri kishte themeluar Degën e Parë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) “Kodra e Trimave” dhe kishte mbajtur pozitën e sekretarit të saj prej 1990 deri më 2002 prej kur e kryeson atë degë që llogaritet edhe si bastion i tij elektoral.

Beqiri ishte parë përkrah me afaristin Hashim Deshishku në aksion humanitar në atë zonë dhe të dy – tani deputetë nga LDK-ja në Kuvendin e Kosovës – e pranojnë se janë miq.

Më 2004, një institucion financiar i udhëhequr nga Hashim Deshishku — “Kasabank” — kishte lidhur një kontratë publike me Komunën e Prishtinës që atëherë udhëhiqej nga Ismet Beqiri. Qeverisja komunale kishte zgjedhur këtë biznes që të operojë me një filial brenda selisë së saj, ku qytetarët do të mund të kryenin pagesa për shërbime komunale.

Deputeti Deshishku thotë se atij nuk i kujtohen se cilat kanë qenë përparësitë që e kishin bërë “Kasabank” të fitonte kontratën publike. “Por miqësia ime me Ismet Beqirin nuk është miqësi biznesi. Është miqësi e trashëguar familjare prej viteve të 70-ta. Në atë kohë vështirësish ekonomike, familja e tij e ka ndihmuar familjen time”, ka thënë Deshishku.

As Beqirit nuk i kujtohet se cilat kritere ka plotësuar “Kasabank” për të lidhur kontratë publike. “Unë jam i sigurt që Kasabank i ka plotësuar të gjitha kriteret. Cilat kritere nuk e di sepse unë kam qenë kryetar e nuk jam marrë me procedurat”, ka thënë Beqiri.

“Në vend se mediat të merren me të është më mirë të shkruajnë për njerëzit që janë bërë milionerë brenda natës e për njerëz që keqpërdorin buxhetin” Ismet Beqiri

Deshishku, ka shtuar ai, është njëri prej afaristëve më të ndershëm në vend.

“Në vend se mediat të merren me të është më mirë të shkruajnë për njerëzit që janë bërë milionerë brenda natës e për njerëz që keqpërdorin buxhetin”, ka deklaruar Beqiri, i cili kishte udhëhequr Komunën e Prishtinës prej vitit 2002 deri në vitin 2008.

NLB Prishtina ripërtërin kontratën e “Kasabank”

NLB Prishtina ka trashëguar “Kasabank” pasi Nova Ljubljanska Banka (NLB) kishte blerë këtë biznes dhe Bankën e Re të Kosovës (BRK). Në vitin 2010 është ripërtërirë kontrata e lidhur në vitin 2004 mes Komunës së Prishtinës dhe “Kasbank” që i mundëson NLB’së të mbajë filialin e saj në ndërtesën e komunës, ndryshe prej të gjitha bankave tjera.

Deputeti i LDK-së Hashim Deshishku, i cili ishte hisedar e Kryetar Bordi në Kasabank, tash është aksionar edhe në NLB Prishtina por me diku rreth 2.5 për qind të aksioneve.

Albert Lumezi, drejtor gjeneral në NLB Prishtina, ka konfirmuar se ka ndryshuar një detaj i kontratës që ishte lidhur në vitin 2004

“Ka ndryshuar afati i kohëzgjatjes. Në vitin 2010 është vazhduar edhe për 60 muaj apo pesë vjet”, ka thënë Lumezi, ndërsa më 2004 ajo ishte e paafatizuar. Me rastin e ripërtëritjes nuk kishte pasur konkurs. 

“Ka ndryshuar afati i kohëzgjatjes. Në vitin 2010 është vazhduar edhe për 60 muaj apo pesë vjet” Alber Lumezi

Lumezi nuk ka dashur të komentojë për detajet e përzgjedhjes së Kasabank në vitin 2004. Dhe as Komuna e Prishtinës nuk ka komentuar vazhdimin e kontratës e as kohëzgjatjen e marrëveshjes kur ishte lidhur së pari.

Vendosja e Kasabank tash NLB Prishtina sipas zyrtarëve komunalë është bërë duke u bazuar në një vendim të Ministrisë për Ekonomi e Financa të para tetë viteve përmes të cilit është kërkuar nga organet komunale që të krijojnë kushte për vendosjen e një banke afariste në objektin e komunës.

“Komuna duke e respektuar këtë udhëzim administrativ dhe rregulloret dhe ligjet në fuqi të kohës, ka përzgjedhur bankën Kasabank, tash NLB. Për shfrytëzimin e kësaj hapësire banka NLB i paguan qira komunës”, ka thënë Asdren Osaj, këshilltar i kryetarit të Komunës së Prishtinës.

Komuna e Prishtinës, sipas tij, fiton 160 euro në muaj nga marrëveshja e qiradhënies e cila është lidhur para se Isa Mustafa të emërohej kryetar komune.

Në kohën kur është lidhur kjo marrëveshje Kryeshef Ekzekutiv i Komunës ka qenë Sami Hamiti. Në vitin 2004, sipas Hamitit, kishte pasur një Kërkesë për Shprehje Interesi nga Komuna e Prishtina ku kishin konkurruar të gjitha bankat.

“Komuna kishte kërkuar një bankë në të cilën do të deponohej buxheti komunal e ajo bankë që do të zgjedhej fituese kishte për obligim hapjen e një filiali brenda objektit komunal po ashtu”, ka deklaruar Hamiti.

Buxheti i Komunës, sipas tij, para se të vendosej në Kasabank më 2004, ishte i deponuar në Pro Credit Bank. Por, kjo fundit, ka shtuar ai, nuk raportonte me rregull për transaksionet e buxhetit dhe prandaj i ishte shkëputur kontrata.

“ProCredit Bank e ka trajtuar Komunën e Prishtinës sikurse çdo klient tjetër institucional. Andaj, raportet/raportimet mbi llogarinë bankare janë bërë konform kërkesave të klientit”, ka thënë ndërkohë Arjeta Doroci, zyrtare për media në Pro Credit Bank.

Sipas saj, Pro Credit ishte pjesë e garës së vitit 2004 të hapur nga Komuna por vetë banka nuk ishte e interesuar të hapte një degë brenda objektit komunal. Reth pjesëmarrjës ose jo në këtë garë publike është pyetur edhe Raiffeisen Bank por zyrtarë të saj nuk kanë dhënë një përgjigjeje rreth kësaj çështje.

Por Sami Hamiti nuk e di se cilat kritere kishte plotësuar Kasabank për të lidhur kontratë publike. “Unë kam qenë Kryeshef Ekzekutiv atë kohë dhe nuk më kujtohen detajisht procedurat por ligji e di që është respektuar “, ka thënë Hamiti.

“Unë kam qenë Kryeshef Ekzekutiv atë kohë dhe nuk më kujtohen detajisht procedurat por ligji e di që është respektuar“ Sami Hamiti

Ndërkaq Milazim Abazi, i cili në atë kohë ka qenë drejtor ekzekutiv në Kasabank, ka thënë se kjo bankë kishte pasur ofertën më të mirë për Komunën e Prishtinës përfshirë pagesën e qirasë si dhe interesin që ndalë banka kur kryhet një pagesë nga qytetarët.

Një euro paguajnë qytetarët kur kryejnë një pagesë në këtë filial ndërsa 50 centë paguajnë bizneset kur paguajnë një taksë komunale.

Drejtori general i NLB Prishtina, Lumezi, nuk ka dashur të komentojë ligjshmërinë.

“NLB Prishtina ka filluar afarizmin e vet në tregun bankar të Kosovës në janar të vitit 2008 prandaj pyetjen e mësipërme duhet ta drejtoni te strukturat e mëhershme menaxheriale të Kasabank si dhe te strukturat komunale”, ka deklaruar Lumezi.

NLB Prishtina, ka shtuar Lumezi, e vlerëson njësinë brenda objektit komunal si profitabile. “Është sekret biznesor që të bëjmë publike se sa fitojmë nga operimi i kësaj njësie”, ka thënë Lumezi. Por ai ka shtuar se shërbimet që kryhen për qytetarët janë uniforme me bankat tjera, pasi kjo rregullohet nga institucionet e konkurrencës.

Lumezi nuk sheh asnjë ndërlidhje mes veprimit të këtij filiali dhe faktit që Hashim Deshishku ka aksione në këtë bankë dhe është deputet i kësaj partie që gjithashtu qeverisë komunën. 

“NLB Prishtina është institucion i pavarur financiar i cili e zbaton me përpikëri parimin e neutralitetit politik dhe partiak. Ne tentojmë të merremi sa më pak me paranë shtetërore dhe me politikën”, ka deklaruar Lumezi. “Kemi pasur filiale edhe në komuna tjera të cilat i kemi larguar pasi nuk kemi pasur interes biznesor”.

NLB sponsoron biznesin ku janë aksionarë drejtuesë dhe aksionarë të vetë 

NLB Prishtina ka lidhur kontratë sponzorimi me KF Prishtina. Ky klub merr një shumë prej 17 mijë eurosh në vit nga NLB-ja për të mbajtur logon e saj nga lojtarët e këtij klubi në dresat e tyre.

Në KF Prishtina janë hisedarë edhe Albert Lumezi, drejtor i NLB-së si dhe Remzi Ejupi e Hashim Deshishku, aksionarë në bankë.

Ejupi ka deklaruar se sponzorimi i këtij klubi më shumë duhet të interpretohet si ndihmë ndaj sportit. Deshishku ka vlerësuar se nuk mund të ndërlidhen mes vete kontrata e NLB-së me komunën e kontrata e NLB-së me KF Prishtina.

foto  
Stadiumi i Prishtinës, nën shfrytëzim nga KF Prishtina  

 

Ndërkohë Lumezi ka thënë se kur është vendosur për kontratën mes NLB-së e KF Prishtina, propozimi në bord ka shkuar nga bordi menaxhues por ai nuk ka marrë pjesë në votim pasi, ka thënë ai, kjo bankë i merr shumë seriozisht rregullat e saj të detajuara kundër konfliktit të interesit.

Lumezi ka thënë se nga viti 2007 deri më 2011, ka pasur 1.6 për qind të aksioneve në KF Prishtina të cilat i ka blerë me 6,000 mijë euro. “De jure janë aksione, sepse kështu rregullohen me ligj, mirëpo unë i kam dhënë ato nga rroga ime për ta ndihmuar sportin e Prishtinës. Thelbësisht ato nuk janë aksione pasi kapitali i klubit është zero”. 

Ai ka thënë se as aksionarë tjerë Ejupi e Deshishku nuk kanë ndikim në vendimmarrje të bankës. “Z. Ejupi, me pjesëmarrje në kapitalin aksionar prej 1.16 për qind dhe z. Deshishku me 2.48 për qind, janë aksionarë minorë në NLB Prishtina dhe nuk kanë asnjë ndikim në procesin e vendimmarrjes për nënshkrimin e kontratave komerciale apo për shpërndarjen e buxhetit të marketingut”, ka deklaruar Lumezi.

Remzi Ejupi ka thënë se deri më tash janë bërë dy herë nga 400 mijë euro emetime në KF Prishtina dhe së shpejti pritet të bëhet një emetim tjetër në këtë vlerë. “Por me që kapitali është zero, kjo qartësisht është një ndihmë që ne e bëjmë. Prishtina është më e mirë me këtë klub futbolli”, ka thënë Ejupi.

Vetë Banka Qendrore, që është rregullatore e transaksioneve në sistemin bankar, nuk ka dhënë një interpretim se a është brenda kornizave ligjore transferimi i fondeve të bankës tek bizneset e drejtuesve të saj.

Zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada, ka thënë se bankat kanë të drejtë të jenë sponsorë por nuk ka dhënë një përgjigje se a kanë pasur të drejtë të bëjnë të njëjtën hisedarët e NLB-së ndaj KF Prishtina.  “Bankat mund të ndërmarrin shpenzime të këtilla  përderisa institucioni është likuid dhe mirë i kapitalizuar”, ka thënë Besnik Kada, zëdhënës i Bankës Qendrore.

Në vitin 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishte dënuar me pesë vjet burg një anëtar bordi të një ish-banke kosovare pasi, sipas vendimit të gjykatës, kishte favorizuar disa kompani private, prona të familjarëve të tij, dhe kishte mashtruar bankën për gjendjen financiare të kompanive për kthimin e kredive.

Gazeta Jeta në Kosovë, përkundër lidhjeve të pasqyruara në këtë artikull, nuk ka të dhëna që sugjerojnë se ndonjë anëtar i bordit ose aksionar ka keqpërdorur fondet e NLB-së.

Ndërkohë në KF Prishtina deri para një viti kishte qenë aksionar edhe Besnik Mustafa, djali i kreut të Komunës Isa Mustafa. NLB Prishtina, që është edhe kontraktor i Komunës, në këtë rast kishte lidhur marrëveshje sponzorimi me biznesin ku hisedar ishte edhe djali i kreut komunal.

Besnik Mustafa ka thënë se nuk mban përgjegjësi për veprimet e Komunës e të kontraktorëve të saj. “Unë kam pasur aksione aty dhe jam tërhequr pasi nuk ka pasur fitim. Se a ka qenë i ligjshëm veprimi i NLB si kontraktor i Komunës së Prishtinës, për këtë duhet të japë përgjigje vetë komuna”, ka thënë Mustafa.

Bazuar në deklarimin e pasurisë në vitin 2011 të kreut të Komunës së Prishtinës, Besnik Mustafa kishte 1.60 për qind të aksioneve në KF Prishtina dhe për krijimin e këtyre aksioneve kishte derdhur një kapital prej 7 mijë e 370 eurosh.