Ia Shet Objektin AKR-së Para Kontratës në AKP

Vula e Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe nënshkrimi i një zyrtari të kësaj partie që ka firmosur në emër të Zëvendëskryeministrit Behxhet Pacolli figuron në një marrëveshje të qershorit të 2006-ës e cila mund të përbëjë shkelje të rregullave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Kontrata ishte lidhur mes AKR-së dhe Behxhet Makollit i cili në marrëveshje prezantohet si titullar i pakontestueshëm i pronës.

Pesë vjet më vonë, në pranverën 2011, Agjencia e Privatizimit e ka nxjerrë në shitje hapësirën për të cilën Makolli kishte garantuar se është pronar. Kjo pronë i takonte Ndërmarrjes Shoqërore “Gërmia”, nën juridiksionin e AKP-së .

Selim Pacolli, vëllai i themeluesit të kompanisë  “Mabetex”, Behgjetit,  është në dijeni se kjo marrëveshje nuk ishte brenda kornizave ligjore.

“Ne e kemi pranuar ashtu siç është prezantuar qiradhënësi. Makolli ka thënë se është pronar dhe ne e kemi marrë këtë si garanci prej tij”, thotë Pacolli.

Ai shton se e kanë ditur se Makolli nuk ishte pronar i atij objekti, por Agjencioni Kosovar i Mirëbesimit paraardhësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Ne ndoshta është dashur që të kërkonim një fletë poseduese të pronës nga Makolli, por nuk e kemi bërë këtë. Ai është prezantuar si pronar dhe ne kemi pasur të drejtë të besojmë në deklarimin e tij”, ka thënë Pacolli, i cili një kohë ishte sekretar organizativ i AKR-së. Kjo parti veç është pronare e një pjese të objektit që sipas zyrtarëve të saj nuk ka qenë e ndërmarrjes “Gërmia”.

Ndërkohë Makolli thotë se e ka prezantuar veten si pronar pasi që ka qenë shfrytëzues i objektit për një kohë të gjatë dhe kishte kontratë qiraje me “Gërminë” deri më 2007.

AKP-ja nuk ka komentuar mënyrën e lidhjes së kësaj kontrate ku Makolli paraqitet si pronar i aseteve të NSH-ve e AKR-ja e nënshkruan atë.

Shuma që duhej të paguante AKR-ja në bazë të kësaj kontrate me Makollin ishte 2 mijë e 500 euro në muaj. Ajo përfshinte periudhën 2006-2012.

Ndërkohë në vitin 2011, Agjencia Kosovare e Privatizimit, kur ka bërë një raport për uzurpuesit e pronave shoqërore, ka përmendur edhe Makollin e Aleancën Kosova e Re. Shumë prej uzurpatorëve janë paditur në gjykatë nga AKP-ja, po jo edhe ndaj AKR-së e Makollit. Madje Agjencia e Privatizimit, disa muaj më vonë, ka shpallur fitues Makollin në tenderin për blerjen e lokalit për të cilën ishte konstatuar se e ka uzurpuar.

Makolli merret vesh me Pacollët para nënshkrimit të kontratës me AKP-në

Agjencia Kosovare e Privatizimit vitin e kaluar, në valën e gjashtë të shitjes së aseteve përmes likuidimit, ka nxjerrë në shitje njësinë e ish-ndërmarrjes “Gërmia”, të quajtur  “Germia Vetëshërbimi-Qafa Prishtinë”.

Makolli thotë se në mars të vitit të kaluar është shpallur fitues nga AKP-ja, pasi kishte qenë ofertuesi i dytë me 700,700 euro.

Ofertuesi i parë, me 777,888 euro, është tërhequr pasi e ka fituar garën. Me këtë, Makolli ka fituar të drejtën që të lidh kontratë me Agjencinë e Privatizimit si ofertuesi i dytë por në vlerën që e kishte fituar i pari.

“Nuk e di kush ka qenë ofertuesi i parë por unë kam marrë obligimin që të paguajë 777 mijë e 888 euro për të fituar të drejtën e blerjes së kësaj njësie”, ka deklaruar Makolli. Konkurrent tjetër, sipas tij, ka qenë edhe Selim Pacolli i cili ka pasur një ofertë dukshëm më të ulët dhe e ka humbur garën për blerjen e këtij objekti. Gjithsej dhjetë ofertues kanë garuar.

Madje Makolli ka thënë se një pjesë të parave e ka siguruar përmes marrjes së një kredie në Bankën Ekonomike, të themeluar nga Behxhet Pacolli, dhe pjesën tjetër e ka marrë hua, siç thotë ai, “nga dikush prej Pacollëve”.

“Paratë i kam marrë hua nga dikush prej Pacollëve, por nuk po më kujtohet me cilin prej tyre jam marrë vesh. Selimi nuk ka qenë, por për momentin nuk po më kujtohet a jam marrë vesh me Rrahimin, Behxhetin apo Eminin”, ka thënë ai.

Para se të nënshkruaj kontratën e tij me AKP-në, që Makolli ka thënë se pret ta bëjë në ditët në vijim, ai ka lidhur një marrëveshje me AKR-në e cila është konfirmuar edhe nga Selim Pacolli.

“Aktualisht nuk paguajmë qira për shfrytëzimin e objektit por kemi lidhur kontratë shitblerje me Makollin për hapësirën ku është e vendosur AKR-ja”, ka thënë Pacolli.

“Neve na ka thënë se e ka blerë objektin dhe ne kemi lidhur kontratë shitblerje me të. Unë nuk kam informata që ai ende nuk ka lidh kontratë me AKP-në”, ka deklaruar Pacolli.

Selim Pacolli ka mohuar t’i ketë huazuar mjete Makollit për të blerë këtë aset të Germisë. Po ashtu, ai ka thënë se nuk është në dijeni se dikush prej familjarëve të tij i ka dhënë mjete Makollit për këtë çështje.

Në Agjencinë e Privatizimit nuk kanë komentuar as lidhjen e kontratës mes palëve pa u vulosur shitja e këtij aseti nga ky institucion.

Agjencia e Privatizimit nuk nënshkruan kontratën pa u shlyer borxhi i qirasë

Borxhi që rrjedh nga qiraja e papaguar, sipas Agjencisë së Privatizimit, ka bërë që të shtyhet nënshkrimi i kontratës me blerësin e këtij lokali afarist.

Prej vitit 2007 e deri në vitin 2011, Makolli, sipas AKP-së, nuk ka paguar më qira. Ajo është duke ia kalkuluar shumën dhe afaristi Makolli ka shprehur gatishmëri ta paguajë atë.

“AKP, konkretisht Komisioni i Likuidmit, është në përfundim të shqyrtimit të vlerësimit të borxhit total të qirasë për periudhën për të cilën nuk është paguar qiraja nga të gjithë personat e lartcekur”, ka thënë zyrtari i lartë për marrëdhënie me publikun,Ylli Kaloshi.

Sipas AKP-së, Makolli kishte lidhur në vitin 1999 një kontratë qiraje për shfrytëzimin e këtij objekti me menaxhmentin e NSH Gërmia, një ndërmarrje tregtare që posedonte markete nëpër Kosovë. Kësaj ndërmarrje i kishte paguar qira deri në vitin 2007 kur AKP-ja kishte nisur procesin e privatizimit të NSH Germia dhe atë vit ishte mbyllur llogaria bankare e kësaj të fundit.