Arkat e Varfërisë

Ditën kur u mor vendimi që arkat fiskale do të aplikoheshin për të gjitha bizneset që operojnë në vendin tonë, u mendua që më në fund shumë gjëra në biznes në Kosovë do të fillojnë të lëvizin për së mbari.

Besimi i parë që shumëkujt i erdhi në mendje ishte se arkat fiskale do t’i mundësojnë shtetit kontroll më të mirë të të hyrave të bizneseve dhe se automatikisht do të ngritët pagesa e tatimit pasi që kontrolli i biznesit përmes arkës fiskale për shtetin ishte më i lehtë.

Por në fakt asnjëra nga këto pritje nuk u arritën. Vendimi më shumë u pasua me lëshime në zbatim dhe dobësim të bizneseve të vogla.

Fillimisht tenderi për pajisje me arka fiskale iu dha në nëntor 2009 nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave dy kompanive që asnjëherë nuk kishin punuar me pajisje elektronike. Dukagjinit, pronë e biznesmenit Ekrem Lluka, kompani e cila veprimtari ka shtypshkronjën, importin dhe prodhimin e duhanit, media, hotelerinë, sigurimet etj. por asnjë herë nuk ishte marrë me pajisje elektronike. Si dhe kompanisë tjetër Gekos e cila veprimtari kryesore e ka importin e duhanit në vend.

Qeveria iu lejoi këtyre dy kompanive që të vendosin monopolin në treg, ashtu që ato u morën vesh që të krijonin një kompani të vetme ku bizneset mund të pajisen me arkat fiskale. Kështu kompania kryesore që operonte për Gekosin e Dukagjinin ishte Enterneti, nën logon e të dyjave me emrin “Dukagjini Enternet Gekosi”.

Komisioni i Konkurrencës, një organ i pavarur i themeluar nga Kuvendi i Kosovës, në një hetim të vetin, në shtator 2010, gjeti se kompanitë e lartcekura kishin krijuar monopol në treg duke përcaktuar çmimin e njëjtë dhe duke dëmtuar konkurrencën. Për këtë të dy kompanive ju shqiptoi gjobën prej 100.000 Euro.

Pas këtij vendimi, Qeveria u kujdes që të shtonte numrin e operatorëve që pajisin me arka fiskale dhe numri i tyre shkoi në katër kompani.

Çmimet në kompaninë GEKOS për një set të arkave fiskale fillojnë nga 561 euro deri në 1243 euro së bashku me TVSH-në. Edhe çmimet e kompanive tjera sillen aty afër.

Por nuk duket se ato arka kanë pasur ndikime reale pozitive tek biznesi i vogël, i mesëm dhe ai i madh.

Sidomos dy kategoritë e para të biznesit, për dallim prej shumë vendeve tjera, nuk u ndihmuan që të subvencionohen nga shteti për t’u pajisur me arka. Derisa vendimi nxirrej, Qeveria thoshte se fiskalizimi llogaritej të kushtonte mbi 20 milionë euro, kështu që ky proces duhet të ketë hequr nga tregu atë shumë parash në ndërkohë.

“Në bilancin tim vjetor të harxhimeve arka fiskale ka ndikuar negativisht” Ilir Hapçiu

Në vendin tonë shumica e bizneseve janë të vogla dhe familjare, me një kapital të vogël –  jo më të madh se 5000 euro. Tek ato, blerja e arkës fiskale u hetua më shumë pasi heqja nga qarkullimi e 700 – 800 eurove kishte peshë të madhe. Kjo nënkuptonte, se automatikisht këto biznese do të kenë më pak mall për 700 – 800 euro pasi kanë “investuar” në blerjen e arkës fiskale.

Ilir Hapçiu, pronar i një barnatoreje në Prishtinë, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se “në bilancin vjetor të harxhimeve, arka fiskale ka ndikuar shumë në biznesin e tij”.

“Harxhimet ishin të mëdha e fitimet e vogla”, tha Hapçiu, i cili tregon se arka fiskale i kishte kushtuar atij 700 euro.

Berat Rukiqi, sekretar në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), thotë se shumë biznese të vogla, për pajisjen me arka fiskale, është dashur të marrin kredi që ta përballojnë koston e shpenzimeve.

Sipas tij, OEK-u i ka propozuar Ministrisë së Financave që të bëjë një rimbursim për arkat fiskale në shumën prej 200 euro, shumë e cila do të mbulonte pagesën për shërbimin GPRS të arkës i cili transmeton të dhënat nga biznesi deri tek Administrata Tatimore e Kosovës (ATK). Qeveria ka heshtur për këtë propozim. 

“Shumë biznese të vogla, për pajisjen me arka fiskale, është dashur të marrin kredi që ta përballojnë koston e shpenzimeve.” Berat Rukiqi

Arka fiskale ka pasur ndikime edhe në disa biznese të mëdha, të cilat kanë shumë pika të shitjes. Haki Gjevukaj, menaxher financiar në kompaninë ELKOS, përkatësisht rrjeti më mi madh i marketeve në Kosovë ETC, tregon për koston e ndjeshme të pajisjes me arka fiskale.

Ai thotë se “vetëm fiskalizimi ka kushtuar 330.000 euro për kompaninë në rrjetin e marketeve ETC”.

“Kjo është një shumë e madhe jo vetëm për biznesin tonë, i cili është më i madh, por edhe për bizneset tjera që kanë qenë më të vogla”, tha ai. “Shuma e pagesës ka ndikuar në të hyrat vjetore të cilat në mënyra të ndryshme është dashtë t’i rikthejmë”.

Pagesa e një shume të tillë si 330.000 euro për ETC-në ka bërë që kjo kompani të hapë më pak vende pune. Menaxheri Gjevukaj tregon se në vitin e fiskalizimit me shumën që kanë harxhuar për arka fiskale kanë mundur të hapen edhe 20 deri në 30 vende të reja pune.

Për të, fiskalizimi është dashur të fillojë nga bizneset e vogla në drejtim të bizneseve të mëdha pasi që, sipas tij, janë ato që i ikin tatimit dhe se evazioni fiskal është më i madh tek bizneset e vogla.

ATK-ja thotë se fiskalizimi në përgjithësi ka shkuar si duhet dhe është e kënaqur me procesin.

Valentina Bytyqi, zyrtare për komunikim, thotë se ATK i ka propozuar Ministrisë së Financave që ta bëjnë rimbursimin e arkave për bizneset, por që ende nuk kanë marrë përgjigje nga kjo e fundit.

Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se “fiskalizimi i bizneseve është menduar për uljen e evazionit fiskal mirëpo ngadalësia e procesit, mospajisja në kohë, mostrajtimi i bizneseve sipas madhësisë së biznesit, numrit të punëtorëve etj. ka ndikuar që evazioni fiskal të mos ulet në atë masë sa ka qenë e dëshiruar”.

Në mosuljen e evazionit fiskal ka ndikuar mosfunksionalizimi i GPRS-it të arkave fiskale. Për shumë biznese ky shërbim nuk është në funksion, pasi që pajisja për transmetimin e të dhënave në serverët e ATK-së nuk është e lidhur fare me arkën fiskale duke dhe kështu nuk dërgohen të dhëna në mënyrë elektronike në ATK. Si pasojë e kësaj bizneset mund të paraqesin në arkë realizime aq sa atyre ju konvenon me çka edhe evazioni fiskal mbetet i paprekur. Rrjedhimisht edhe buxheti i Kosovës vazhdon të dëmtohet.

Ilir Hapçiu tregon se arka e biznesit të tij nuk është lidhur asnjëherë në rrjetin e ATK-së. “Ata (ATK-ja) nuk erdhën asnjëherë për të na lidhur me ta. Unë vet nuk di se si të lidhem”.

Arka fiskale e ka edhe afatin e vet. Ajo, në një afat prej 1 viti, duhet të dërgohet në kontroll tek operatori i licencuar që ta rivejë në funksion. Bizneset duhet të paguajnë kontrollin, servisimin, shërbimin GPRS për një vit dhe garancinë e arkës.

Menaxheri i ETC-ve Haki Gjevukaj thotë se vetëm kontrolli i arkave fiskale iu ka kushtuar 22.000 euro, para të cilat do të mund të shfrytëzoheshin në hapjen e vendeve të reja të punës. Ai shton se “kontrollimi i arkave fiskale çdo vit është i panevojshëm dhe shpenzim i tepërt”.

“Vetura nuk ka nevojë të dërgohet në servisim derisa ajo funksionon në rregull. Nëse prishet, atëherë duhet dërguar pasi që e kemi të pa mundur udhëtimin. Edhe me arkat duhet të jetë njëjtë – të ketë më shumë kontrolle në terren, e nëse arka prishet biznesit i duhet vet ta dërgojë atë në servisim”.

“Vetëm kontrolli i arkave fiskale na ka kushtuar 22.000 euro, para të cilat do të mund të shfrytëzoheshin në hapjen e vendeve të reja të punës.” Haki Gjevukaj

Ilir Hapçiut dërgimi i arkës fiskale në mirëmbajtje i ka kushtuar 105 euro. Ai ankohet se mirëmbajtja e arkës i ka ardhur pa paralajmërim dhe se pagesa për çdo vit e një shume të tillë ka ndikim negativ në biznesin e tij. Arka e biznesit të tij, kur u dërgua në mirëmbajtje, nuk kishte asgjë në defekt.

Për Gekosin, dërgimi në mirëmbajtje i arkës fiskale për çdo vit ishte i paraparë me udhëzim administrativ dhe thonë se ata vetëm e aplikojnë udhëzimin. Valon Jahaj i cili ka folur për Gazetën JnK në emër të kësaj kompanie thotë se 50 euro për një vit kushton vetëm mirëmbajtja, pa përfshirë shërbimet e tjera.

Kështu fiskalizimi duket se i ka bërë fitues vetëm operatorët që furnizojnë me arka.