Vetështrëngimi Milionësh Ndaj Microsoftit

Para disa vitesh Maqedonia ka detyruar gjigantin softuerik “Microsoft” t’i ofrojë licenca për produktet e tij me çmim prej zero centësh.

Ky shtet e kishte “kërcënuar” liderin botëror të programeve softuerike me përdorim nëpër objektet shkollore të  platformës “Linux”, një sistem i hapur softuerik pa pagesë.

Arianit Dobroshi, drejtues i shoqatës “FLOSSK” e cila lobon për përdorimin e platformave të hapura softuerike (open source), derisa shpjegon rastin e Maqedonisë, e vlerëson si të panevojshme lidhjen e kontratave milionëshe të Qeverisë së Kosovës për shfrytëzimin e licencave të “Microsoft”.

“Blerja e licencave për softuerë për të cilët veç ekzistojnë opsione me kod të lirë dhe të hapur nuk mund të arsyetohet as nga aspekti financiar e zhvillimi ekonomik e as nga ai teknik”, ka thënë Dobroshi.   

 

“Blerja e licencave për softuerë për të cilët veç ekzistojnë opsione me kod të lirë dhe të hapur nuk mund të arsyetohet as nga aspekti financiar e zhvillimi ekonomik e as nga ai teknik”, Arianit Dobroshi.  

 

 

Dhe, sidomos, thotë ai, një veprim i tillë nuk mund të arsyetohet kur bëhet nga një vend i varfër siç është Kosova.

Por Ministria e Administratës Publike nga viti 2008 ka shpenzuar mbi 8.5 milionë euro për blerjen e licencave të Microsoftit. Vetëm në vitin 2008 ajo ka shpenzuar 1.9 milionë euro për këso licencash. Po kaq i ka shpenzuar edhe në vitin 2009. Në vitin 2010, ajo ka shpenzuar pak më shumë duke nënshkruar një kontratë në vlerë prej 2.3 milionë eurosh. Po ashtu edhe në fund të 2011-ës ka lidhur një kontratë në vlerë 2 milionë e 447 mijë eurosh për furnizim me Licenca të “Microsoftit”.

Sipas Arianit Dobroshit, edhe platforma “Linux” ka shpenzime në përkrahjen teknike dhe implementim si në rastin e “Microsoftit”, por përparësia qëndron, thotë ai, në faktin se për të parin nuk paguhen miliona euro për licenca të programeve softuerike. 

Ai thotë se platformë të hapur softuerike kanë planifikuar të përdorin vendet e rajonit, si Kroacia e Maqedonia, të cilat kanë krijuar parametra që udhëzojnë institucionet publike se kur është më e arsyeshme të investojnë në softuerë të hapur e kur për alternativat tjera.

Shumë vende tjera në botë, sipas tij, veç e përdorin platformën alternative të hapur.

“Brazili, institucionet publike të regjionit spanjoll të Ekstramaduras, Ministria e Mbrojtjes e Francës, administrata dhe shkollat e shtetit indian Chenai, shkollat e Gjenevës, administrata e qytetit të Munichut janë disa shembuj të mirë ku është bërë kalimi në softuerë të lirë”, ka deklaruar Dobroshi.

“Softueri me kod të lirë dhe të hapur mund t’i përmbush të gjitha kërkesat standarde të një administrate”, ka thënë ai.

Dobroshi thotë se për sa i përket përparësive GNU/Linux është më i avancuar se sa Microsoft Windows 7 në shumë aspekte. Paketa për produktivitet në zyrë Libre Office 3.5 nuk është e zhvilluar aq sa Microsoft Office 2010 por, sipas tij, ajo i mbulon të gjitha kërkesat e një përdoruesi mbimesatar.

“Të detyruar ndaj ‘Microsoftit’”

Qeveria e Kosovës llogarit se është e detyruar të paguajë miliona euro për “Microsoftin”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e detyruar që të paguajë licenca për shfrytëzimin e produkteve Microsoft përndryshe konsiderohet se Qeveria përdor produkte pirate”, ka deklaruar Birsen Shufta, zëdhënëse e Ministrisë së Administratës Publike .  

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e detyruar që të paguajë licenca për shfrytëzimin e produkteve Microsoft përndryshe konsiderohet se Qeveria përdor produkte pirate” Birsen Shufta

Aktualisht, sipas saj, shfrytëzohen të gjitha licencat e produkteve të “Microsoftit”.

“Llojet e licencave Microsoft që i ka blerë Qeveria e Republikës së Kosovës janë ato të cilat shfrytëzohen nga të gjitha institucionet e Kosovës: produktet themelore si MS Word, MS Outlook, deri tek produktet e serverëve Exhchange etj.”, ka elaboruar Shufta.

Për sa i përket platformave të hapura softuerike për të cilat nuk ka nevojë të paguhet licenca, zëdhënësja e MAP-it ka deklaruar se Qeveria është duke krijuar bërthamat e para të kalimit në to, por se, ka shtuar ajo, ky është një proces që merr kohë deri sa të ndryshohet.

E pyetur se a është planifikuar një gjë e tillë edhe para vitit 2008, Ministria e Administratës Publike nuk ka dhënë një përgjigje por ka nënvizuar se për furnizim me licenca të “Microsoftit” janë shpenzuar mjete edhe në të kaluarën nga institucionet e vendit. 

Ish-zyrtari i lartë i Qeverisë, përfaqësues i Microsoftit

Agim Beka, përfaqësues i Microsoftit për Kosovën, nuk ka dashur të flasë për kontratat e Qeverisë me këtë kompani botërore si dhe kontratën pa tenderë të hapur që Ministria e Administratës Publike e nënshkroi në vitin 2010 me kompaninë “Asseco See” me seli në Varshavë – e cila e ka blerë kompaninë vendore Pronet që ishte kontraktuar për këtë punë në vitin 2008. 

“Vlerat kontratave dhe tenderët nuk mund t’i komentoj”, ka thënë Beka, i pyetur se a përben diskriminim të partnerëve tjerë të Microsoftit angazhimi i njërës prej kompanive pa tender të hapur nga Qeveria e Kosovës.

Por Beka ka insistuar se përparësia e platformave softuerike për nga cilësia dukshëm qëndron në anën e Microsoftit.

“Vetë fakti që Microsoftin e përdorë 95 për qind e botës të bën që këtu të mos ketë çfarë të komentohet”, ka thënë Beka.

Ai ka qenë vet një ish-zyrtarë i lartë i Qeverisë së Kosovës. Deri në vitin 2005, Beka kishte punuar si shef për Teknologji Informative në Zyrën e Kryeministrit. 

 

 “Angazhimi im për të punuar si përfaqësues i Microsoftit nuk lidhet me punën time në Zyrën e Kryeministrit” Agim Beka 

 

 

 “Angazhimi im për të punuar si përfaqësues i Microsoftit nuk lidhet me punën time në Zyrën e Kryeministrit. Ministria e Administratës Publike është ajo që ka vendosur për tenderët. Ne të Zyrës së Kryeministrit nuk kemi pasur ndikim nëpër tenderë”, ka thënë Beka.

Ai nuk ka dashur të flasë as për numrin e kompanive në Kosovë që janë partnerë të Microsoftit. “Duhet t’ia kërkoni atyre a kanë dokumente se janë partnerë të Microsoftit”, ka thënë Beka.

 
Foto: Ministria e Administratës Publike  

 
MAP-i negocioi mbi 2 milionë euro pa tenderë të hapur

Ministria e Administratës Publike, në vitin 2008, ka shpallur fitues kompaninë “Pronet” në një tender të hapur për Furnizim me Licenca të Microsoft. Atëherë, kësaj kompania iu dhanë 1.9 milionë euro për këtë kontratë. Një shumë e njëjtë iu pagua asaj edhe në vitin 2009.

Në vitin 2010, MAP lidhi një kontratë publike me kompaninë “Asseco See” me seli në Varshavë të Polonisë e cila në vitin 2009 kishte blerë 100 për qind të aksioneve të kompanisë “Pronet”.

Kontrata me Asseco See peshonte 2.3 milionë euro dhe MAP-i nuk aplikoi procedurë të hapur të prokurimit por tender një burimor të negociuar pa Njoftim Kontrate edhe përkundër asaj që shumë kompani në Kosovë shesin produkte të “Microsoftit”.

Sipas MAP-it, procedura e hapur tenderuese nuk ishte aplikuar pasi që bëhej fjalë për vazhdim kontrate.

“Në vitin 2010 është bërë vazhdimi i kontratës të nënshkruar në vitin 2008 për faktin se marrëveshja me Microsoft është EAS ( Enterpsise Agreement Subscripton ) dhe ishte trevjeçare sipas rregullave të Microsoftit”, ka thënë zëdhënësja e kësaj ministrie.

“Me një fjalë, është bërë vazhdimi i kontratës me kompaninë që ka qenë kontraktor dhe ka pasur kontratë me MAP-in në vitin 2008”.

Përfaqësuesi i Microsoftit për Kosovë, Agim Beka, nuk ka dashur të japë një shpjegim për mënyrën e lidhjes së kontratave me Microsoftin që sipas MAP-it janë me kohëzgjatje trevjeçare.

Por, vetë kompania private nuk e llogarit si vazhdim kontrate marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2010.
“Vlera prej rreth 2.3 milion euro është me kontratën e re njëvjeçare në fund të vitit 2010 në bazë të kërkesave dhe nevojave të MAP”, ka thënë Ilir Shehu, menaxher i shitjes në Grupin “Asseco See”.

Kontrata e lidhur në fund të vitit 2008 sipas tij ka qenë e llojit “kornizë” me kohëzgjatje prej dy vitesh e jo trevjeçare.

“Vlera e porositur prej rreth 1.9 milion euro ka qenë në bazë të nevojave vetëm për një vit. Në fund të vitit 2009 është bërë porosia për vitin e ardhshëm në vlerë përafërsisht të njëjtë si në vitin paraprak dhe duke u bazuar në kontratën e njëjtë ‘kornizë”’, ka deklaruar Shehu.

Safeta Hoxha, kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, thotë se ligji i prokurimit lejon vazhdimin pa tenderë të hapur në këtë rast nëse kontrata bazë do të ishte e lidhur me kohëzgjatje vitesh 2+1.

Zyrtari i kompanisë Asseco See nuk ka dhënë një përgjigje kur është pyetur se a ka qenë e lidhur në këtë mënyrë kontrata bazë në vitin 2008. As Ministria e Administratës Publike nuk ka pohuar se kontrata bazë ishte lidhur në këtë mënyrë, por është bazuar në atë se Microsofti ka për kriter marrëveshjet trivjeçare pa dhënë një përgjigje se a është përfillur ky kriter ligjor në kontratën e lidhur në vitin 2008.

Aktualisht kontraktor i Qeverisë së Kompanisë për Furnizim me Licenca të Microsoft është kompania private Cactus e cila fitoi në një tender të hapur në fund të vitit 2011. Oferta e kësaj kompanie ishte mbi 2.4 milionë euro. Ndërkohë Grupi Asseco See në të njëjtin tender është shpallur fitues vetëm për lotin e dytë që ka pasur të bëjë me ofrimin e shërbimeve të konsulencës.