Mesic e Sanader Nuk e Lëkundën Kosova Petrol’in

Shitësi me pakicë i pemëve e perimeve në sezonin turistik të 78’ës në bregdetin kroat i ka nxjerrë probleme këtij shteti pas 20 vitesh. Bedri Selmani, i cili më vonë do të bëhej përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për Kroaci, aktualisht shfrytëzon mbi 20 pompa të karburanteve të ndërtuara nga “INA” në Kosovë nëpërmjet kompanisë së tij të ngritur pas luftës dhe të pagëzuar “Kosova Petrol”.

Në janar të vitit të 2000, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) i kishte dhënë Selmanit leje për shfrytëzim të përkohshëm të pompave për të përmbushur “nevojat vitale” të atij dimri për naftë në vend, menjëherë pas luftës, por ai vazhdon t’i mbajë ato që atëherë përkundër kërkesës së vazhdueshme të INA’së për të rimarrë operimin e tyre. 

Autoritet kroate e llogarisin Kosova Petrolin si uzurpator të pasurisë së tyre. Njëjtë e llogaritë edhe AKP’ja e cila e përshkruan këtë ndërmarrje si okupues të pronës shoqërore në një raport ku pasqyrohen “asetet e uzurpuara nga individë, institucione lokale, institucione qendrore dhe institucione ndërkombëtare”. Raporti kallëzon për gjendjen e Ndërmarrjeve Shoqërore dhe është përpiluar në vitin 2011. Aty Kosova Petrol figuron 23 herë si okupues i pompave të INA’s në pika të ndryshme të vendit.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se dy njerëzit më të pushtetshëm të Kroacisë, në vitin 2005, kishin kërkuar nga autoritetet kosovare kthimin e pompave të karburanteve të “INA’s”. Kërkesat e para shtatë viteve të ish-Presidentit Stipe Mesic dhe ish-Kryeministrit Ivo Sanader nuk ishin zbatuar nga institucionet vendëse.

Bujar Dugolli, atëherë Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, pas vizitës së Mesic’it në Kosovë, në korrik 2005, i kishte shkruar Joachim Ruecker’it, shef i shtyllës IV të UNMIK’ut, dhe Jasper Dick’ut, drejtor menaxhues i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), duke kërkuar që pompat e karburanteve të INA’s të mos shfrytëzoheshin më ilegalisht nga “Kosova Petrol”. Kjo, sipas Dugollit, vinte pas kërkesës së Mesicit.

Pas këtyre shkëmbimesh, megjithatë, vetëm një mbledhje ishte mbajtur në bordin e AKM’së ku ishte folur për këtë temë.

Bujar Dugolli, i cili atëherë ishte pjesë e këtij bordi, nuk ka dashur të komentojë tash rreth kësaj çështje. Por takimin ku është diskutuar për problemin e aseteve të INA’s e ka konfirmuar përfaqësuesi tjetër i Qeverisë së Kosovës në Bordin e AKM’së, Haki Shatri, Ministër i Ekonomisë dhe Financave në atë kohë.

“Vetëm një herë në korrik ose shtator të vitit 2005 është diskutuar kjo çështje në bordin e AKM’së. Është folur për statusin e pazgjidhur të saj. Më nuk është diskutuar”, ka thënë Shatri, duke shtuar se nuk i kujtohen arsyet pse kjo temë më nuk është kthyer në rendin e ditës të agjencisë.  

“Vetëm një herë në korrik ose shtator të vitit 2005 është diskutuar kjo çështje në bordin e AKM’së. Më nuk është diskutuar”, Haki Shatri 

 

Ish-Kryeministri Bajram Kosumi thotë se autoritetet kroate kanë kërkuar kthimin e pronave të tyre madje edhe para vizitës së Mesicit në vitin 2005.

“Çështja e INA është më e vjetër se vizita e presidentit Mesic në Kosovë më 7 korrik 2005”, ka thënë Kosumi, për Gazetën JnK. “Diku në prill-maj të vitit 2005 unë kam pritur në takim një delegacion të biznesmenëve dhe të drejtuesve të INA [Kroaci]. Ata kanë kërkuar që të trajtohet problemi ‘i pronave të INA në Kosovë’”.

Kosumi ka shtuar se këtij delegacioni i kishte thënë se zgjidhja duhet gjurmuar në formimin e një komisioni vlerësues Kosovë-Kroaci, i cili do të hetonte numrin dhe statusin e pronave të Kosovës në Kroaci dhe  anasjelltas.

Më pas, tema ishte ngritur edhe në nivel kryeministrash. Në qershor të 2005’tës, në një konferencë ndërkombëtare të Integrimeve të vendeve të Europës Juglindore në BE që mbahej në Zagreb, Kosumi kishte takuar homologun kroat Ivo Sanader.

“Kam pasur një takim të gjatë me kryeministrin kroat Sanader. Midis temave të diskutuara ai ka hapur edhe temën e pronave të INA në Kosovë. Unë isha që më herët i njoftuar se ai do ta hapte atë temë”, ka thënë ish-kryeministri Kosumi, duke shtuar se edhe atij iu kishte përgjigjur me idenë e krijimit të komisionit dypalësh për verifikimin e pronave. 

“Çështja e INA është më e vjetër se vizita e presidentit Mesic në Kosovë më 7 korrik 2005” Bajram Kosumi

Qeveria e Kosovës ende nuk ka përgjigje për autoritetet kroate, as pas shtatë vitesh. Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovës.

Sektori i Informimit i kompanisë “INA” ka thënë për Gazetën JnK se çështja gjendet nën procedurë gjyqësore dhe se prandaj ata nuk janë në gjendje të komentojnë detajet e procesit.

Drejtoria e INA’s në Kroaci ka ngritur padi ndaj AKM’së (AKP’së) në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës, që në vitin 2005, ku kërkon kthimin e pronës. 

Javën e kaluar, këtë e ka konfirmuar edhe Iliriana Shehu drejtoreshë e Odës Ekonomike Kroate në Kosovë.

Oda e Veçantë e Gjykatës Supreme ende nuk ka marrë vendim për padinë e INA’s.

“Kjo është njëra prej lëndëve më të vjetra”, ka thënë Sahit Sylejmani, kryetar i Odës së Veçantë të Gjykatës Supreme. “Njëra prej arsyeve që është zvarritur lënda mund të jetë ndërrimi i paneleve të gjykatësve”. 

“Kjo çështje është e zgjidhur juridikisht dhe unë nuk dua të komentoj më tutje” Bedri Selmani

Ndërkohë, për biznesmenin Bedri Selmani, që shfrytëzon pompat e karburanteve të INA’s, për këtë temë nuk ka as çfarë të flitet. “Kjo çështje është e zgjidhur juridikisht dhe unë nuk dua të komentoj më tutje”, ka thënë Selmani, i kontaktuar nga Gazeta JnK.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) i ka mundësuar INA’së që të nënshkruajë marrëveshje vetëm për shfrytëzimin  e rezervuarve të naftës në fshatin Bardhosh, afër Prishtinës, në dhjetor 2011. Për shfrytëzimin e tyre, INA paguan qira ndërsa Komunës së Prishtinës ia paguan tatimin në pronë.

Me marrëveshjen e lidhur në prill 2011, INA ia paguan AKP’së një shumë qiraje prej 22 mijë eurosh për rezervuarët.

Kjo marrëveshje ka qenë obligative për INA’n pasi që, sipas ligjit për AKM’në, ky institucion është titullar i një ndërmarrje shoqërore që gjendet në territorin e Kosovës derisa asetet e saj të nxjerren në privatizim.

INA, që ka ndërtuar dhe operuar këtë infrastrukturë të furnizimit me naftë përfshirë pompat në fjalë në Kosovë, ka qenë në atë kohë ndërmarrje shoqërore në ish-Jugosllavi ndërsa aktualisht shteti kroat mban rreth 45 për qind të aksioneve të saj.

Nënshkrimin e marrëveshjes së shfrytëzimit me qira edhe të pompave, ndërkohë, AKP’ja nuk ia ka mundësuar INA’s duke u arsyetuar me statusin e paqartë të tyre.

Zyrtarët e Agjencisë së Privatizimit, të pyetur rreth mosprivatizimit të pompave të INA’s që shfrytëzohen nga Kosova Petrol, janë arsyetuar me procedurat e zgjatura.

“Të gjitha ndërmarrjet nuk mund të përfshihen në një valë të privatizimit, prandaj NSH’të ndahen në valë dhe periudha të ndryshme, pasi që edhe përgatitja e tyre për t’i nxjerrë në tender për privatizim merr një kohë”, ka thënë zëdhënësi i AKP’së, Ylli Kaloshi.

Dugolli kërkonte largimin e Selmanit nga pompat e INA-s

Ish-Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bujar Dugolli, në një letër më 15 korrik 2005 ja kishte dhënë katër rekomandime shefit të shtyllës së katërt të UNMIK’ut, Ruecker.

Dugolli rekomandonte që Bedri Selmani të mos i shfrytëzonte më pompat e INA’s por ato t’i jepeshin në shfrytëzim ndërmarrjes kroate.“Mandej pompat e benzinës duhet të vendosen në tender për privatizim sa më shpejtë që të jetë e mundur”, thuhet në letrën që e posedon Gazeta JnK.

Ministri vlerësonte se Oda e Veçantë duhet të vendoste nëse INA Kroacia është ende pronar i vlefshëm i pompave të benzinës. “Është e qartë që INA Kroacia mund të ketë kërkesë të vlefshme mbi pompat e benzinës”, thuhen në këtë shkresë, duke iu referuar faktit se INA kishte ndërtuar ato. Kjo ndërmarrje kroate, sipas Dugollit, pastaj do të mund të paraqiste kërkesën pronësore të kompensimit për shumën e të hollave nga shitjet e privatizimit.

“Ju lutem që të na lejoni të zgjidhim këtë çështje në mënyrë urgjente. Marrëdhëniet e Qeverisë së Kosovës me Kroacinë nuk duhet më tutje të dëmtohen nga vendime ilegale dhe të pavenda nga zyrtarët të lartë ndërkombëtarë, para 5 vjet e gjysmë”, thuhet në letër.

Kompania “Kosova Petrol”, sipas tij nuk mund të shfrytëzojë në afat të përhershëm pompat e karburanteve të INA’s. Dhe moszgjidhja e kësaj çështje, sipas tij, mund të ndikonte marrëdhëniet mes Kosovës e Kroacisë.

“Gjatë vizitës së fundit të Kryetarit të Kroacisë në Kosovë, kërkesat e tij prej një kohe të gjatë , të INA’s kundër UNMIK-ut/ BE’së/ Kosova Petrolit u aktualizuan. Kjo çështje vazhdon të pengojë marrëdhëniet e Kosovës me Kroacinë duke përfshirë inkurajimin e investimeve të reja nga investitorët potencialë kroat dhe zhvillimin e marrëdhënieve të zgjeruara të tregtisë”, thuhet në shkresën e ish-ministrit Dugolli.

Ish-ministri i Tregtisë thoshte se urdhëresa e përkohshme emergjente e UNMUK’ut që i lejonte Bedri Selmanit shfrytëzimin e këtyre pompave nuk mund të lejojë operimin në këtë mënyrë “pa kurrfarë date të përfundimit”.

Më 25 janar 2000, Gerard Fischer, shef i departamentit të Çështjeve Ekonomike dhe Administratës së Burimeve Natyrore në UNMIK kishte nxjerrë urdhëresen të cilës i referohet Dugolli. 

“Është e qartë nga rishqyrtimi im i dokumentacionit se pompat e benzinës të cilat ende operohen nga Kosova Petroli nuk i takojnë Kosova Petrolit” Bujar Dugolli

 “Lejimi është bërë si masë për të siguruar furnizimin me produkte nafte gjatë kësaj periudhe vitale të dimrit”, thuhej në urdhëresë.

Kosova Petrol obligohej të paguaj 70 mijë marka gjermane në muaj si qira.

Ministri Dugolli thoshte se INA’s duhet t’i kthehej shfrytëzimi i pomave të saj. “Është e qartë nga rishqyrtimi im i dokumentacionit se pompat e benzinës të cilat ende operohen nga Kosova Petroli nuk i takojnë Kosova Petrolit”, thoshte ai, në letrën e tij dërguar Joachim Rueckerit, që më vonë u bë shef i UNMIK’ut.