Si i Humbi Mustafë Hysenaj 170 Mijë Euro

Për lokalin e njohur me emrin “Kafja e madhe e Shtimes”, i cilin për shumë vite ishte pronë shoqërore, zyra kadastrale e kësaj komune kishte lëshuar dy fleta poseduese – njëra që tregonte se prona ishte private ndërsa tjetra se prona ishte publike.

Zyret e këtij institucioni i kishin lëshuar Musafë Hysenajt prej Shtimes fletën poseduese me numër 00 143,  ku thuhej se kjo pronë që shtrihet në dy ari tokë ishte private dhe në emrin e tetë trashëgimtarëve të familjes serbe Radullovic.

Pak muaj më vonë, po e njëjta zyrë lëshoi një tjetër fletë poseduese e cila tregon se e njëjta pronë ishte pronë shoqërore e ndërmarrjes “Drita” (ish-Sutjeska).

Vendimi i parë, ku thuhej se prona ishte private, e bindi Mustafë Hysenajn që të fillonte bisedat për ta blerë këtë pronë.

“Kam shkuar dhe e kam vërtetuar se është pronë e tetë vëllezërve serbë të cilët e kishin trashëguar atë“, tregon Mustafa.

Për t’u siguruar edhe më mirë, Hysenaj kishte kërkuar edhe mendim nga ana e Agjensionit Kadastral të Kosovës që, në përgjigjen kthyer atij, kishte vërtetuar se prona ishte private.

Kështu Hysenaj ishte bindur dhe kishte hyrë në negociata për ta blerë  atë.

Ai fillimisht kishte kontaktuar njërin nga tetë trashëgimtarët e pronës, pjesën e të cilit, pas nënshkrimit dhe vërtetimit të kontratës në gjykatë, e kishte  blerë.

Pastaj, në bazë të kësaj kontrate, Kadastra e Shtimes mori aktvendim që pjesën e Hysenajt ta regjistrojë në fletë poseduese si pronë të tij.

Edhe ish-drejtori i kadastrës, Idriz Emini, pranon se prona ishte regjistruar si pronë private.

“Në bazë të kontratës, e cila është vërtetuar në Gjykatën Komunale dhe në bazë të kërkesës së blerësit, ne  e kemi regjistruar  në kadastër  të Shtimes dhe, në këtë  rast, e kemi lëshuar aktvendimin”, thotë Emini.

Pasi e regjistroi pjesën e parë  në emër të vetin, Mustafë Hysenaj vazhdoi bisedat me pronarët e  tjerë dhe deri më 2006 arriti marrëveshje edhe për 7 pjesët e tjera të pronës për të cilat pagoi gjithsej 170 mijë euro.

Gjithmonë del diçka e re

Ndonëse dha paratë për këto prona, Hysenaj më asnjëherë nuk arriti që ato t’i regjistrojë nën emrin e vet.
E tëra kjo ndodhi pas një ankese të Agjensionit Kosovar të Privatizimit (AKP) në Agjensionin Kadastral.

Ankesa e agjencisë privatizuese bëri që edhe zyra kadastrale e komunës së Shtimes t’i ndërrojë regjistrat.

Hysenaj thotë se zyra kadastrave nuk pranonte që pronat të regjistroheshin në emrin e tij me arsyetimin se AKP kishte ofruar prova se e njëjta ishte shoqërore. Ato bënë që pronat të regjistroheshin ndërkohë në emër të ndërmarrjes shoqërore “Drita”, si ish-trashëgimtare e ndërmarrjes “Sutjeska”.

Drejtori i  departamentit ligjor në Agjencionin Kadastrale të Kosovës, Ismet Kryeziu, pohon se kishte pranuar një kërkesë Mustafë Hysenaj për regjistrim të pronës, të cilës i kishte kthyer përgjigje pozitive.

Por,  pas provave të ofruara nga AKP-ja, Agjencioni Kadalstral kishte kërkuar nga Kadastra e Shtimes që prona të regjistrohet si pronë shoqërore.

“Zyra komunale ka kërkuar një mendim profesional duke sjellë një vendim të kuvendit komunal të vitit 1978, ku thuhej se kjo pronë i ishte dhënë në shfrytëzim ndërmarrjes ‘Sutjeska’ . E kemi lëshuar konstatimin se kjo pronë duhet që, në bazë të këtij vendimi, të regjistrohet në emër të kësaj ndërmarrje”, thotë Kryeziu.

Përkundër faktit që kjo  pronë brenda pak muajve nga prona private u shndërrua në pronë publike, për zyrtarët kadastralë të Shtimes kjo ishte e drejtë.

Drejtori i Kadastrës së Shtimes, Mehdi Salihu, thotë se në kohën kur ishte lëshuar dokumenti prona kishte qenë  private në regjistrat e tyre të vitit 1985. Por më vonë gjendja ndryshoi.

“Ne e kemi trashëguar gjendjen se prona ishte në pronë private, mirëpo dokumentet relevante të cilat na janë ofruar më vonë  kanë dëshmuar se kjo pronë ka qenë e ish ndërmarrjes ‘Sutjeska: tani Drita’”, thotë Salihu.

Shkallët e gjyqeve

Për zgjidhjen e kësaj situate Mustafë Hysenaj i ishte drejtuar gjykatës. Padia e tij ndaj Kadastrës së Shtimes në 2006 ishte refuzuar nga Gjykata Komunale e Feriazjit, me arsyetimin se kontrata ishte e palejuar.

Kurse të kundërtën e bëri Gjykata e Qarkut në Prishtinë, e cila morri vendim në favor të Hysenajt duke e obliguar kështu Kuvendin Komunal të Shtimes ta regjistrojë pronën si pronë private.

Vendim në favor të Mustafës pas ankesave kishte vendosur edhe Gjykata Supreme e Kosovës , duke ia njohur të drejtën e pronësisë.

Por këto vendime të tri shkallëve të gjykatave nuk i kryen punë Hysenajt.

Kjo pasi që për çështjet e kontesteve të privatizimit konform legjislacionit në fuqi vendos vetëm Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme. “Pasi që i kam marrë këto vendime,  kam shkuar tek kryetar I komunës, i cili më ka thënë se vetëm nëse e sjell vendimin prej Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme se prona është e jotja, ne do ta regjistrojmë arë”, rrëfen Hysenaj.

Dhe Hysenaj i ishte drejtuar edhe Dhomës së Veçantë e cila nxori vendim në favor të AKP’së, së cilës ia lejoi shitjen e kësaj ndërmarrje.

Kurse Hysenajt i tha se mund të ankohet në komisionin për likuidim të Agjensionit Kosovar të Privatizimit, si kreditor.

Zyrtarë të këtij agjencioni thonë se “prona në fjalë tashmë është privatizuar dhe atë e ka blerë një person fizik me një shumë prej 39 mijë eurosh”. Kurse Mustafë Hysenaj e ka humbur të drejtën në ankesë në komisionin për likuidimit për shkak të kalimit të afatit.

Hysenaj ishte paralajmëruar me kohë

Përpos zërave se këtu kishte keqinformim dhe mungesë të dhënash,  ka edhe të atillë që mendojnë se në këtë rast kishte keqpërdorime.

Shefi i kadastrit të Shtimes, Mehdi Salihu, thotë se transaksionet e tilla në komunën e Shtimes e kanë burim dëshirën e disa qytetarëve për t’u pasuruar brenda natës. “Disa qytetarë, në mungesë të dokumenteve kadastrave, janë të interesuar që brenda natës të pasurohen”, thotë Salihu

E më i qartë, në këtë rast, është ish drejtori i ndërmarrjes shoqërore “Sutjeska”, Ejup Qiku. Ai thotë se në vitet e 60-ta prona ishte blerë nga organet shtetërore. Prej asaj kohe prona ishte shfrytëzuar nga ndërmarrja shoqërore.

Qiku, gjatë një takimi me Hysenajn, i kishte treguar këtij të fundit se prona ishte shoqërore dhe se prandaj vendimet të cilat Hysenaj i kishte në dorë ishin false. “Aty janë bërë do malverzime dhe janë falsifikuar numra të pronave”,  thotë Qiku.

“Në 2005-tën ka ardhur Mustafë Hysenaj i cili i ka filluar gjurmimet se prona nuk është publike. Po ta pyesësh edhe një fëmijë në Shtime, do ta kuptosh se prona ka qenë shoqërore prej viteve 60’ta”.

Shteti kishte paguar Rudullovicët 420 mijë dinarë

Gazeta Jeta në Kosovë ka arritur të sigurojë disa dokumente relevante të cilat hedhin dritë mbi këtë temë më tej.

Në mesin e tyre është edhe vendimi i vitit 1959 me të cilin prona në fjalë ishte nacionalizuar, përkatësisht kishte kaluar nga pronësia private në atë shoqërore.

Me vendimin për nacionalizim të datës 1 korrik i  1959 kjo pronë kishte kaluar nga pronësia private në atë shoqërore.

Gazeta po ashtu ka gjetur dokumentin i cili dëshmon se pesë vite më vonë, konform vendimit të 29 shkurtit 1964, pronarëve të kësaj prone u ishte paguar shuma prej 420 mijë dinarësh të atëhershëm,  si kompenzim për pronën e nacionalizuar.

Trashëgimtarët e Lubica Radullovicit, sipas dokumenteve, ishin ankuar në vendimin për nacionalizimin e pronës së tyre.

Mirëpo,  sipas një vendimi të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë të vitit  1967, kjo ankesë ishte hedhur poshtë.

Me aktvendim të gjykatës, vendimet e 1959-tës dhe 1964-tës ishin vërtetuar, ndërsa ankesa e familjes Radullovic ishte hedhur poshtë.

Pas hedhjes poshtë të ankesës së familjes Radullovic, sipas dokumenteve të siguruara, rezulton se edhe komuna e Ferizajit kishte marrë një vendim me të cilin pronën në fjalë ia jepte në shfrytëzim të përhershëm ndërmarrjes shoqërore.

Kjo vërtetohet me vendimin e vitit 1978 i cili është nxjerrë nga komuna e Ferizajt  e me të cilin kjo pronë i ishte dhënë në shfrytëzim të përhershëm ish-ndërmarrjes “Sjuteska”.

Në  mesin e shumë vendimeve për këtë rast është edhe vendimi  i fundit i nxjerrë në maj të 2011-tës nga  Dhoma e  Veçantë e Gjykatës Supreme të Kosovës

Përmes së këtij vendimi kjo gjykatë kishte refuzuar padinë e Mustafë Hysenajt, me të cilën ky kishte kërkuar që të ndalej privatizimi i kësaj ndërmarrje – duke i hapur kështu rrugën shitjes së saj. Si rezultat i këtyre vendimeve ndërmarrja në fjalë është nxjerrë në shitje nga AKP-ja në nëntor të 2011-tës dhe e kishte privatizuar atë.