Bleu “Emin Durakun” Derisa Hetohej

Ndërmarrja e re “Emin Duraku kompleksi industrial”, sikur ndërmarrja e re “Fabrika e Amortizatorëve”, ishte blerë në tetor 2010 në tender publik përderisa hetimet e EULEX’it për dyshime korrupsioni ndaj kompanisë kishin filluar në korrik të atij viti në lidhje me rastin “Dardafone.net-PTK”.

Sipas rregullave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), në privatizime nuk mund të marrin pjesë ata që janë shpallur fajtorë për ndonjë krim të kryer pas muajit qershor 1999 ose që në ndonjë mënyrë tjetër i nënshtrohen procedurave penale. Me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës (KPPK), hetimet klasifikohen si pjesë e procedurave penale.

Shitja ishte bërë derisa në konkurrencë ishin vetëm dy oferta dhe duket se “Devolli Group” e bleu ndërmarrjen nën vlerën e tregut, sipas ekspertëve të patundshmërive. Përderisa në atë hapësirë një ari tokë shkon deri në 5 mijë euro, korporata bleu 10 hektarë dhe rreth 43 mijë metra katrorë ndërtesa për 700 mijë e 700 euro.

Në një hulumtim të mëhershëm, publikuar më 16 tetor 2011, Gazeta Jeta në Kosovë kishte zbuluar se në valën e 45’të të privatizimit, “Devolli Group” kishte blerë edhe ndërmarrjen e re “Fabrika e Amortizatorëve” për 2 milionë e 50 mijë euro, ndërsa punonjës të Z-Mobile, ku kjo korporatë ka aksione, figuronin si përfaqësues edhe të ndërmarrjes tjetër të dalë nga e njëjta kompani e dikurshme shoqërore “Ndërtesa Administrative” e blerë për 5 milionë e 100 mijë euro. Në atë kohë, “Devolli Group” kishte mohuar se qëndron prapa ndërmarrjes “Ndërtesa Administrative”.

Blerja dukej të ishte në kundërshtim me ligjet e vendit dhe rregullat e tenderimit të AKP’së, pasi kompania ishte bastisur nga EULEX’i 52 ditë më herët, kishte qenë oferta e vetme dhe çmimi ishte thellë nën vlerën e tregut për tokën.

Pronarët e korporatës Blerim e Shkëlqim Devolli dhe drejtori gjeneral Ismet Bojku dyshoheshin për lidhje të kontratave të dëmshme dhe falsifikim dokumentesh në rastin “Dardafone.net – PTK”, për çka në fund të janarit 2012 u është konfirmuar aktakuza përkatëse.

Tash Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se në të njëjtën valë, “Devolli Group” kishte blerë edhe ndërmarrjen e re “Emin Duraku Kompleksi Industrial sh.p.k”. Ndërmarrja gjakovare ka pasur nam europian në prodhimin e tekstilit dhe pambukut.

Ajo ishte hedhur në shitje pas shumë vitesh të kontesteve gjyqësore me mbi 7000 punëtorë që pretendonin se e kishin privatizuar ndërmarrjen në natën e Vitit të Ri 1991, në kohën e Kryeministrit ish-jugosllav Ante Markovic.

PAK kishte krijuar tri ndërmarrje nga “Emin Duraku” i vjetër – ndërmarrjen e re “Kompleksi industrial”, “Edico” si dhe “Kompleksin e Depove”.

Kompleksi industrial ishte hedhur në tender duke përfshirë tokën me rreth 10 hektarë si dhe 13 ndërtesa me sipërfaqe rreth 42.910 metra katrorë.

Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ylli Kaloshi, thotë se agjencia ka bërë verifikimin e historikut të ofertuesit fitues dhe ofertuesve tjerë fitues të Valës 45A tek Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.
 
“AKP, me datë 20.12.2010 ka pranuar nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme verifikimin e historikut të këtij ofertuesi fitues dhe ofertuesve tjerë fitues të Valës 45A të privatizimit dhe është konstatuar se nuk ka pengesa për të vazhduar me përmbylljen e privatizimit në fjalë, përkatësisht nuk është dëshmuar që blerësi i nënshtrohet ndonjë procedure penale, siç parashihet me Rregullat e Tenderit për Privatizim”, ka thënë Kaloshi.

Kompania “Devolli Group” thotë se është e bindur se sa i përket zhvillimit të procedurave të tenderimit i është përmbajtur me përpikëri rregullave dhe dispozitave ligjore. Ajo thotë se kompania kishte kaluar dy faza – parakualifikimin dhe ofertimin.

“Procedurat e parakualifikimit zhvillohen një herë për person juridik apo person fizik, procedurë kjo që ne e kemi kryer shumë vite më parë. Në momentin që parakualifikohet cilido subjekt, me të njëjtin parakualifikim mund të ofertojë në secilën valë të privatizimit”, ka thënë Devolli, në përgjigjen për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Lidhur me ofertimin për blerjen e NSH Emin Duraku në Gjakovë, konsiderojmë se nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore për të hyrë në procesin e privatizimit të kësaj ndërmarrjeje, për faktin se në kohën e ofertimit të kësaj  ndërmarrjeje nuk ka pas asnjë aktakuzë zyrtare të ngritur ndaj nesh. Për më tepër, ne kemi pasur certifikatën e parakualifikimit me të cilën kemi marrë pjesë në tender”, ka shtuar Devolli.

“Pas ofertimit dhe pas pagesës së pjesës prej 25 për qind të çmimit të ofertuar, Agjencia për Privatizim konform rregullave ka bërë verifikimin e historikut për ne, me çka ka rezultuar se nuk ka asnjë pengesë ligjore që të vazhdohet me procesin e blerjes së ndërmarrjes”. 

AKP mund të anulonte shitjen

Bordi i AKP’së, sipas pikës 15.2 b në rregullat e tenderit, ka mundur të shtyjë dhe anulojë tenderin “nëse më pak se tre ofertues të mundshëm janë regjistruar si ofertues të kualifikueshëm”.

Ndonëse agjencia e ka këtë mandat anulimi kur nuk ka konkurrencë të mjaftueshme – përkatësisht kur nuk paraqiten së paku tre ofertues – AKP e kishte miratuar shitjen e “Kompleksit Industrial” për “Devolli Group”, me vetëm një ofertë rivale prej 520 mijë eurosh, gati sikur kishte ndodhur me “Fabrikën e Amortizatorëve” ku korporata në fjalë ishte ofertuesi i vetëm.

AKP është pyetur përse nuk e ka anuluar tenderin meqë në dy raste në shitjen e NSH “Emin Durakut” ka pasur më pak se tre ofertues.

“Tenderët për këto ndërmarrje të reja të krijuara nga ndërmarrjet shoqërore kanë qenë të hapur për të gjithë të interesuarit. Tenderët janë publikuar në web faqen e Agjencisë, në mediat e shkruara dhe në ato elektronike dhe kanë qenë të hapur përafërsisht 2 muaj, kurse shitja e këtyre ndërmarrjeve është aprovuar nga ana e Bordit të Drejtorëve të AKP’së”, ka thënë zëdhënësi, Ylli Kaloshi.

“Sipas Ligjit të AKP’së, është në përgjegjësinë e Bordit të Drejtorëve të AKP’së që të aprovojë ose jo çdo shitje të ndërmarrjeve shoqërore apo aseteve të tyre”.

“Devolli Group” pritet që së shpejti të nënshkruajë kontratën e blerjes me AKP’në e cila është e gatshme pas një serie kontesteve gjyqësore me punëtorët e ndërmarrjes shoqërore “Emin Duraku”. 

“Nuk bëhet fjalë për pengesa ligjore”, ka thënë zëdhënësi Ylli Kaloshi. “Nënshkrimi i kontratave është në proces e sipër dhe afër finalizimit”.

Ramë Baftia, i sindikatës së punëtorëve të “Emin Durakut”, thotë se vendimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për ta shitur ndërmarrjen ishte antiligjor për shkak se, sipas tij, punëtorët i kanë aksionet në këtë ndërmarrje që nga viti 1991.

“AKP nuk është dashur të shesë asetet e Emin Durakut deri në një vendim të ri të Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme”, ka thënë Baftia.

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës, që vendosë për kontestet nga procesi i privatizimit, kishte vënë masa të përkohshme për Sh.A. “Emin Duraku”. Por, ndërkohë AKP kishte marrë dritën e gjelbër të shitjes pasi ankesa e saj përkatëse kishte dalë e suksesshme.

Më 22 nëntor 2011, përfaqësuesit e Sh.A. “Emin Duraku” i kishin nisur Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës një propozim për “kallëzim penal” me të cilin e akuzonin stafin menaxhues të AKP’së dhe ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit për “krim të organizuar”. Punëtorët pretendonin se ishte bërë “uzurpim dhe shpërdorim i një ndërmarrje kolosale” pavarësisht se ajo posedonte “dëshmi materiale, prova shkresore dhe dokumentacion të pakontestueshëm”.

Mirëpo, më 24 nëntor 2011 Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës hodhi poshtë masat e përkohshme si dhe kërkesën e punëtorëve si të papranueshme – duke i dhënë fund sagës gjyqësore. Punëtorët thonë se tani do t’i drejtohen gjykatës për të drejtat e njeriut me seli në Strasbourg, Francë.

“Nëse AKP nënshkruan kontratat me blerësit e rinj”, ka thënë Zenel Bardhi, ish drejtor gjeneral i Emin Durakut dhe nënkryetar i Kuvendit të Aksionarëve, “ne do të kërkojmë drejtësi jo vetëm këtu, por edhe jashtë Kosovës”.

Foto: Njazi Morina

 

Kompanitë Ankohen për Vonesë Kontratash

Kompanitë që kanë blerë pjesët tjera të ish ndërmarrjes shoqërore “Emin Duraku” janë ankuar për vonesa në nënshkrimin e kontratave.

Ndërmarrja e re “Edico” i është shitur ofertuesit të vetëm për 666 mijë e 888 euro. Ajo përfshin tokën me sipërfaqe prej rreth 1, 47 hektarësh e 40 metra katrorë, ndërtesën me sipërfaqe rreth 6.444 metra katrorë, makineritë, trafon, cisternën e mazutit dhe kazanin e ngrohjes qendrore.

“Ndërmarrja e Re është e vendosur në lokacion primar industrial dhe përgjatë saj ka dalje në rrugën kryesore në hyrje të qytetit”, thuhej në tenderin e shpallur në fundin e verës 2010 nga AKP. 

Ajo është blerë nga konsorciumi i ndërmarrjeve “Albi-mc” që është marrë me prodhim të xhinseve, “Lisi” me pjesë veturash — të dyja nga Gjakova — si dhe “Gogaj” nga Deçani që merret kryesisht me material ndërtimi. “Albi-mc” ka investuar 60 për qind të kapitalit, “Lisi” 40 për qind dhe kompania deçanase ka ndihmuar me material ndërtimor.

Reshat Cana, nga “Albi-mc”, thotë se AKP ka premtuar se nuk do të vonojnë kontratën. “Vonesa më pengon sepse kam plan të investoj dhe t’i marrë punëtorët që kanë punuar në ndërmarrje”, ka thënë Cana për Gazeta JnK.

Ai ka shtuar se objekti i ri do t’i mundësojë kompanisë që të merret me prodhime edhe të produkteve tjera përveç xhinseve.

Cana ka shtuar se sa i përket vazhdimit të prodhimit të lëkurës artificiale – që bëhej në kohën e ‘Emin Durakut’ – janë duke u gjurmuar mundësi bashkëpunimi me fabrika nga Turqia dhe do të shikohet nëse ekziston makineria përkatëse pasi të nënshkruhet kontrata.

“Nëse ky plan dështon, ne do të vazhdojmë me prodhim të materialeve nga pambuku si brekë, maica, trenerka dhe pizhame”, ka thënë Cana.

Ndërmarrja e tretë “kompleksi i depove” ishte shitur në kuadër të valës 46’të dhe ishte blerë nga kompania “Rroni-Fer” që kishte ofertën më të lartë nga gjithsej tetë konkurrentë – 502 mijë e 222 euro. Ajo përfshin tokën prej mbi dy hektarësh dhe kompleksin e depove prej 8495 metrash katrorë.

Përfaqësuesi i “Rroni-Fer”, Labinot Kamberi, thotë se është ankuar dy herë deri më tash në AKP për vonesën e nënshkrimit të kontratës.

“Burokracitë deri të përfundojnë po më mundojnë”, ka thënë Kamberi. “Ndonëse në takimin e fundit që kam pasur në AKP më kanë premtuar se nënshkrimi do të bëhet shpejt”.

Ai thotë se “Rroni-fer” është biznes familjar dhe se prapa tij nuk qëndron ndonjë ndërmarrje e madhe.

Dyshime për shitje nën vlerën e tregut

Ramë Baftia, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sh.A. “Emin Duraku”, thotë se punëtorët nuk do t’i lejojnë blerësit, kushdo qofshin ata, që të hyjnë në “Emin Durak”. “Shitja që ka bërë AKP është tallje me gjakovarët dhe ekonominë e saj”, është shprehur ai.

Baftia ka thënë se rishtazi ndërmarrja ETC kishte paguar afër 1.2 milionë euro për vetëm një hektar toke në afërsi të ndërmarrjes “Emin Duraku”.

Grafika: Gazeta JnK

 

Edhe avokati Teki Bokshi, i cili merret me patundshmëri në Gjakovë, ka thënë se përgjatë brezit të rrugëve magjistrale, që lidhin këtë qytet me të tjerët, çmimi për një ar është rreth 5 mijë euro.

Nëse 5 mijë euro shumëzohet me 1000 ari, del se çmimi duhet të kishte qenë rreth 5 milionë euro vetëm për tokën që ka kaluar në pronësi të “Devolli Group” pa marrë parasysh edhe rreth 43 mijë metra katrorë ndërtesa dhe pajisje të punës.

Supozohet se të gjitha ndërmarrjet kanë blerë më lirë, nën vlerën e tregut, ndërsa “Devolli Group”  ka dalë më së miri për shkak se ajo edhe ka blerë shumë më tepër tokë dhe ndërtesa.

Devolli Group ka thënë se oferta e saj ishte formuluar si “ofertë e arsyeshme ekonomike”.

“Devolli Group ka bërë analizat e nevojshme paraprake për sa i përket investimit në këtë projekt, gjithnjë duke u bazuar në aftësitë tona financiare si dhe në vlerën e gjithmbarshme të investimit duke përfshirë edhe investimet tjera në aftësim të objekteve dhe makinerisë së prodhimit”, ka thënë kompania, në përgjigjen e saj për Gazetën Jeta në Kosovë.

Edhe Reshat Cana ka mbrojtur çmimin me të cilin është blerë ndërmarrja ‘Edico’. “Ortaku ynë, ‘Lisi-m’ ka insistuar që të rrisnim çmimin”, ka thënë Cana. “Mendimi ynë (‘Albi-mc’) ka qenë që të mos shkojmë me ofertë më të madhe se 500 mijë euro sepse investimet që duhet bërë janë mjaftë të larta”.

Të dy kompanitë që kanë blerë më pak, konsorciumi që ka blerë “Edicon” dhe “Rroni-Fer” që ka blerë kompleksin e depove, thonë se nuk kanë konkurruar për kompleksin industrial – që është shitur për pak më shumë ndonëse ka shumë më tepër tokë dhe ndërtesa – sepse hapësira që kanë blerë u përshtatet dhe u mjafton.