Pronësia e Paqartë që Mbajti Peng Gjakovën

Shumica e ndërmarrjeve të mëdha të Gjakovës i kishin hyrë transformimit në shoqëri aksionare herët gjatë viteve të 90’ta, në kohën kur kryeministër i ish-Jugosllavisë ishte Ante Markovici, i njohur për përkrahjen e reformave drejt ekonomisë së tregut. Punëtorët e këtyre ndërmarrjeve pretendojnë se baza ligjore e transformimit të tyre ka qenë e mjaftueshme.

Ligjet e kohës së Markovicit, sipas koordinatorit të tetë ndërmarrjeve aksionare të Gjakovës Shaban Deva, kanë qenë të standardeve botërore dhe se ato i kanë përkrahur institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare si FMN.

“Ato janë 100 për qind të zbatueshme edhe sot në Kosovë në bazë të ‘ligjit në fuqi’”, ka thënë Deva. “Të vetmet ligje diskriminuese rreth privatizimit të pronës shoqërore dhe publike në Kosovë në kundërshtim me Konventën Europiane mbi të Drejtat e Njeriut, janë ligjet e Milosevicit”.

Gjakovarët pretendojnë se rreth 7100 punëtorë të këtyre ndërmarrjeve – të cilët kanë punuar aty prej viteve 1990 deri më 1998 – kanë pronësinë mbi aksionet përkatëse dhe se kjo duhet tu njihet nga autoritetet vendëse. Ata kanë bërë tashmë një luftë ligjore prej një dekade për të mbrojtur këtë pozicion.

Bëhet fjalë për ndërmarrjet ‘Jatex’, ‘Emin Duraku’, ‘Deva’, grupi Metaliku (përfshirë ‘Metaliku- Ena’), Grupi ‘Ereniku’, ‘Ening’, ‘Dukagjini’ dhe ‘Gorenje’. Ato ishin trajtuar si ndërmarrje me status të paqartë dhe të si rast i veçantë që nga fillimi i privatizimit, përkatësisht themelimi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM) më 2002.

Rekomandimi kishte ardhur edhe si rrjedhojë e një ‘misioni verifikimi’ në terren të ngarkuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) në të cilin bënte pjesë edhe Andy Bearpark, ish-drejtues i shtyllës së katërt (ekonomi) të këtij misioni.

Gjatë vitit 2011, e ashtuquajtura ‘Gjakova Task Group’ e ngarkuar nga Agjencioni Kosovar i Privatizimit (AKP) kishte nxjerrë rezultatet e veta duke thënë se procesi i transformimit të ndërmarrjeve gjakovare nuk ishte i përfunduar përveç në rastet e ‘Dukagjinit’ dhe ‘Gorenjes’ ku 720 përkatësisht 700 punëtorët e ndërmarrjeve janë njohur si aksionarë.

“Dokumentacioni i sjellur nga ndërmarrja Dukagjini dhe Elektromotori ka qenë i mjaftueshëm për të argumentuar se transformimi është kryer në bazë të ligjeve në fuqi në atë kohë, ndërsa të tjerat kanë dështuar të argumentojnë që transformimi është kryer sipas ligjeve në fuqi atëkohë”, ka thënë zëdhënësi i AKP’së, Ylli Kaloshi.

Shaban Deva thotë se ndërmarrjet kishin prezantuar përpara autoriteteve vendimin përkatës të Gjykatës së Qarkut në Gjakovë, vendimin për shitjen e aksioneve, emetimin e aksioneve me vlerë dhe listën e aksionarëve. Sipas tij, Agjencia e Privatizimit e Serbisë ishte munduar që të zhvlerësonte procesin e këtij transformimi më 1997, por kjo ishte hedhur poshtë nga Gjykata Supreme e ish-Jugosllavisë.

“Të njëjtin dokumentacion e posedojnë të gjitha ndërmarrjet”, ka thënë Deva.

 
Foto: Korab Kusari  

Megjithatë, AKM (paraardhëse e AKP’së) vendosi që t’i shesë shtatë nga ato në tender të hapur duke krijuar disa kompani prej të vjetrave ashtu që asnjëra prej tyre të mos kalonte 50 për qind të kapitalit të përgjithshëm, ose në të kundërtën duhej të shiteshin me ‘spin off’ special.

Punëtorët gjakovarë iu drejtuan gjykatës ekonomike në Prishtinë, pastaj Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës e cila në gusht 2010 vendosi masa të përkohshme, por ndërkohë AKP vazhdoi me privatizime pasi u ankua në këtë gjykatë.

Në nëntor 2011 edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës vendosi kundër parashtresës së punëtorëve të ndërmarrjes H.C. “Emin Duraku” SH.A. për të rivlerësuar privatizimin duke e hedhur poshtë kërkesën si të papranueshme dhe po ashtu edhe kërkesën për masat e përkohshme.

Zëdhënësi i AKP’së Ylli Kaloshi thotë se asete të caktuara për shumicën nga lista e ndërmarrjeve të Gjakovës të cilat kanë pretenduar të jenë transformuar në shoqëri aksionare, janë përgatitur për privatizim.

Disa prej tyre veç janë privatizuar – asetet e ndërmarrjeve Deva, Ereniku dhe Metaliku. Edhe dy prej ndërmarrjeve të reja të krijuara nga ish-Emin Duraku ishin privatizuar dhe tani masa e përkohshme i është hequr. Ndërsa, sipas AKP’së, për momentin shitja ka mbetur pezull deri në një vendim për masën e përkohshme të vënë nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme për pjesët e ndërmarrjeve Ereniku, Jatex dhe Metaliku-Ena.

Kaloshi ka thënë se me ligjin e ri për AKP’në nuk ekziston asnjë ndryshim thelbësor në mënyrën e trajtimit të këtyre ndërmarrjeve gjakovare. “Përderisa nuk vendoset ndryshe, AKP i konsideron këto ndërmarrje si NSH dhe të gjitha do t’i nënshtrohen procesit të privatizimit/likuidimit”, ka thënë ai.

AKP u sugjeron palëve të pakënaqura t’i drejtohen Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.

Dhe duket se ndërmarrjet gjakovare nuk e kanë ndërmend të tërhiqen nga këmbëngulja e tyre.

Besohet ndërkohë se zhagitja dhe vonesat e mëdha në zgjidhjen e statusit të këtyre ndërmarrjeve kanë dëmtuar zhvillimin ekonomik të Gjakovës.

“Me gjendjen në të cilën janë, ato po shkatërrohen përditë sepse zhvillimi i tyre është i pamundshëm”, thotë drejtori rajonal i Odës Ekonomike të Kosovës, Masar Lluka. “Ato po dëmtohen për shkak të mbajtjes pezull të statusit të tyre, ndërsa qasja në kredi zhvillimore është e pamundshme. Në këtë gjendje nuk janë atraktive as për investitorët e jashtëm”.

Lluka thotë se, pa prejudikuar statusin e ardhshëm të ndërmarrjeve, gjendja e tyre duhet të përcaktohet ashtu që të mundësohet zhvillim edhe i Gjakovës edhe i tërë vendit.

Koordinatori i ndërmarrjeve Shaban Deva thotë se punëtorët nuk do të pushojnë asnjëherë në kërkimin e të “drejtës së tyre legjitime”. Rastet e tyre kanë filluar të mbërrijnë deri në Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse edhe ajo nuk e zgjidhë problemin tonë, ne do të vazhdojmë deri në gjykatën për të drejtat e njeriut në Strasburg”, ka thënë Deva.

Artikulli fillimisht është publikuar më 31 janar 2012.