Problemsjellësi Rajonal ‘Radoniqi’

Ismet Ahmeti, ish-komandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës në qytetin e Gjakovës, është emëruar kryeshef ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Radonqi” në këtë qytet, në tetor 2011, vetëm disa muaj pasi që i njëjti ishte eliminuar nga gara për këtë post me arsyetimin se nuk plotësonte kriteret e konkursit.

Kryesuesi i mëparshëm i bordit të drejtorëve dhe ish-kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie po e akuzojnë Qeverinë dhe një pjesë të bordit për shkelje ligjore gjatë procesit të emërimit për të parin e Radoniqit.

Albert Zajmi, ish-kryeshefi ekzekutiv, ka ngritur dyshime edhe në lidhje me shkollimin e kryeshefit Ahmeti.

“Me sa e di unë ai, as fakultet nuk ka të kryer, e ka një diplomë të një shkolle në Shqipëri që është ‘Kristal’ e që nuk është as e akredituar”, thotë Zajmi.

Në konkursin e fundit për kryeshef ekzekutiv ishte kërkuar përvoja menaxheriale prej pesë vitesh që prapë nuk plotësohej nga kryeshefi i zgjedhur.

“Në konkurs shumë qartë theksohet se duhet të jetë një menaxher me përvojë të nivelit institucional të ndërmarrjeve publike të cilin unë mendoj që prej gjithë konkurrentëve i vetmi e kam pasur”, tha Zajmi.

Nuk pajtohet anëtari i bordit të drejtorëve Hajdar Grezda i cili edhe i kishte dhënë pikët që Ismet Ahmeti të bëhet drejtor. Sipas tij, Ahmeti ka qenë i vetmi konkurrent që me programin e tij e ka bindur komisionin intervistues.

“Ai ka pasur përvojë në TMK dhe e kishte programin shumë të mirë”, u shpreh Grezda.

Edhe Leonard Shehu, anëtar i bordit të drejtorëve,  nuk mendon se ka pasur shkelje ligjore me rastin e zgjedhjes së drejtorit të Radoniqit edhe përkundër faktit se në ditën e intervistimit të kandidatëve kishte dhënë dorëheqje kryesuesi i këtij bordi Ruzhdi Këpuska.

“Në qoftë se do të pritnim derisa edhe kryesuesi tjetër të zgjidhet e të vijë, kjo vetëm çka do t’i pengonte kompanisë tonë dhe e kemi parë të arsyeshme që të vazhdojmë”, thotë Shehu.

Ahmeti, tashmë kryeshef i KUR “Radoniqi”, nuk ka dashur të flasë fare në lidhje me përzgjedhjen e tij.

Ruzhdi Këpuska, kryetari i bordit, kishte dhënë dorëheqje pikërisht ditën kur në Ujësjellësin Radoniqi ishin planifikuar të mbaheshin intervistat dhe për këtë ai thotë se e kishte lajmëruar edhe Qeverinë e Kosovës. 

“Arsyeja e ka qenë se në konkurs ka konkurruar edhe një anëtar i bordit të drejtoreve, gjë që ka qenë në konflikt me kriteret, dhe zyra për monitorim e ndërmarrjeve publike ka kërkuar që të mos vazhdohet më tutje”, ka thënë Këpuska.

Mirëpo Ramadan Sejdiu, udhëheqës i zyrës për monitorim të ndërmarrjeve publike e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, insiston në atë se ai nuk ka marrë ankesë në lidhje me konkursin dhe zgjedhjen e të parit të Radoniqit.

Ndërkohë Këpuska, i cili ende nuk ka marrë përgjigje nga Qeveria në lidhje me dorëheqjen e tij, nga tetori i vitit të kaluar nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e bordit. Kjo do të thotë se ky bord është me një anëtar më pak, e në bazë të ligjit për ndërmarrjet publike kjo është shkelje ligjore.

“Nëse një anëtar i një Bordi të Ndërmarrjes Publike nuk është në gjendje që ta përfundojë mandatin e tij/ saj, pasardhësi do të zgjedhet nga Qeveria nga lista e fundit e kandidatëve e cila është propozuar nga komisioni rekomandues ose nëse asnjë kandidat i këtillë nuk është në dispozicion, në përputhje me procedurën e përcaktuar më sipër”, thuhet në nenin 15.8 të këtij ligji.

Punësime familjare 

Votat maksimale të cilat Hajdar Grezda, anëtar i bordit të drejtorëve, ia dha Ismet Ahmetit për tu rehatur në postin e të parit të KUR “Radoniqi” si duket po i shpërblehen mirë atij. 

Grezda ka punësuar djalin e tij, Çlirim Grezda, si vozitës në këtë kompani vetëm pesë ditë pasi që ishte zyrtarizuar emri i kryeshefit të ri.

Anëtari i bordit Grezda e pranon se Çlirimi është djali i tij dhe se ai tashmë vozit kryeshefin e Radoniqit, por jo edhe se punësimi i tij kishte ardhur në këmbim të votës që ai ia dha Ahmetit. 

“Djali im i ka plotësuar kushtet për të qenë në këtë vend të punës”, tha Grezda.

Anëtarët e bordit të drejtorëve të Kompanisë të cilëve Kryeministri i Kosovës ua ka vazhduar mandatin, po e shfrytëzojnë këtë mundësi deri në maksimum. Edhe anëtari tjetër i këtij bordi Agim Gjoshi e ka punësuar mikun e tij Guxim Hadri. 

Gjoshi nuk ka pranuar të flas.

Zyrtari i cili merr pagë për ta mbikëqyrur punën e ndërmarrjeve publike në vend, Ramadan Sejdiu, thotë të mos jetë në dijeni për gjithë këto punësime.

“Nga ju po e dëgjoj këtë”, ishte përgjigja e Sejdiut.

Pasi Qeveria nuk ka ndërmarrë asgjë, ish-kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Albert Zajmi, ka vendosur që për të gjitha këto parregullsi dhe shkelje ligjore ta njoftojë EULEX’in.

“E kam njoftuar Kryeministrin dhe nuk ka ndërmarrë asgjë, e kam njoftuar edhe presidenten e nga zyra e saj vetëm më kanë shkruar se ata nuk janë përgjegjës”, tha Zajmi. “Tash ndoshta EULEX’i merret me këtë”.

Derisa liqeni i kompanisë Radoniqi, nga i cili gjakovarët furnizohen me ujë të pijshëm është mjaft i pastër pasi rojet nuk lejojnë qytetarët që të kalojnë pranë tij, në nivelin menaxherial gjërat nuk duket edhe aq “pastër”, siç e thonë raportet e auditimit.

Ramadan Sejdiu nga zyra për monitorim të ndërmarrjeve publike thotë se bordi i Radoniqit është më ‘i keqi’ në tërë Kosovën. “Ky është njëri ndër bordet që nuk ka plotësuar si duhet detyrat financiare”, ka thënë Sejdiu. 

Derisa vlerësimi për punën e bordeve të ndërmarrjeve publike për vitin 2011 nuk është publikuar ende, në  raportin e vlerësimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë për vitin 2010, thuhet se “performanca financiare e fundvitit është e mbyllur me humbje financiare prej 29 mijë euro, apo përafërsisht njëjtë si në vitin 2009, dhe nuk është arritur objektivi nga Plani i Biznesit 2010 për një fitim prej 3 mijë euro”.

Sipas Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik një raport që do të tregojë se si kanë punuar ndërmarrjet publike gjatë vitit të kaluar do të bëhet publik në muajin prill ose maj të këtij viti.


View Larger Map