AKP Largon 644 Punëtorë

Punëtorët e ish-ndërmarrjes shoqërore Fabrika e Amortizatorëve,  pjesa më e madhe e së cilës është privatizuar, ankohen se Agjencioni Kosovar i Privatizimit (AKP) u ka ndërprerë marrëdhënien e punës përmes një procedure jo të rregullt ligjore.

“Përfundimi i punësimit tuaj ka ardhur si pasojë e shitjes së aseteve dhe kjo letër është njoftim zyrtar se punësimi juaj ka përfunduar më datën 1 dhjetor 2011”, thuhet në njoftimin që është dërguar punëtorëve më 1 dhjetor dhe që është e nënshkruar nga Muharrem Arifi drejtor i departamentit të likuidimit në AKP dhe Ekrem Ademi udhëheqës i zyrës rajonale të Prishtinës në AKP. (Shih dokumentin).

AKP në të njëjtën shkresë i njofton punëtorët se kontrata e shitjes ishte aprovuar nga ana e Bordit të AKP’së dhe se shitja është e plotfuqishme nga data 31 mars 2011 në ora 12:00.

“Kërkesat, duke përfshirë edhe pagat e papaguara që u janë borxh juve sipas kontratës së punësimit me Punëdhënësin do të mbesin përgjegjësi e Punëdhënësit. Kërkesat e tilla do të shqyrtohen sipas procedurave të likuidimit dhe ju do të kontaktoheni kur të fillojnë këto procedura”, thuhet në njoftimin e AKP’së. “Në emër të Punëdhënësit, faleminderit për shërbimet e juaja në të kaluarën në këtë ndërmarrje si dhe ju dëshirojmë sukses në të ardhmen”.

Enver Morina kryetar dhe Ramush Berisha zëvendëskryetar i Sindikatës së Pavarur të  Punëtorëve të ish-Fabrikës së Amortizatorëve janë ankuar ndaj këtij njoftimi.

“Atakojmë tërësisht aktnjoftimin e datës 01.12.2011 për ndërprerjen kolektive të marrëdhënies së punës ankimorëve, si aktnjoftim jo të drejtë dhe të miratuar në kundërshtim më dispozita ligjore”, thuhet në ankesën e tyre. “Këtij aktnjoftimi i mungojnë elemente qenësore, siç janë hyrja, diapozitivi, arsyetimi dhe udhëzimi juridik”.

Por, zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ylli Kaloshi, thotë se që prej themelimit AKP zbaton praktikën e njëjtë në të gjitha privatizimet dhe nuk lëshon vendime.

“Veprimi ka qenë i duhur, sepse ndërmarrja shoqërore më nuk ekziston dhe punëtorët duhet të krjojnë marrëdhënie të reja të punës me pronarin e ri”, ka thënë Kaloshi.  “Ky njoftim është në përputhje me ligjin për AKP’në, politikat operacionale dhe njëzetpërqindshin”.

 

“Veprimi ka qenë i duhur, sepse ndërmarrja shoqërore më nuk ekziston dhe punëtorët duhet të krjojnë marrëdhënie të reja të punës me pronarin e ri”, Yll Kaloshi.

 

Sindikalistët e kanë nisur ankesën e tyre edhe tek Kryetari i bordit të drejtorëve të AKP’së Dino Asanaj, drejtorit menaxhues Shkëlzen Lluka, Kryesuesit të Zyrës Rajonale  Ekrem Ademi,  Zyrtarit të Lartë të Zyrës Rajonale Hajredin Rramajli, si dhe nga një kopje edhe Inspektoriatit Komunal të Punës në Prishtinë, Ombudspersonit dhe Kryetarit të BSPK’së. Ankesës i është përgjigjur vetëm Inspektoriati i Komunal i Punës në Prishtinë duke thënëse ligji për AKP’n e bën atë inkompetent në këtë çështje dhe Ombudspersoni që thotë se kjo nuk është një kërkesë ndaj këti insitucioni për vetëm një njoftim.

Punëtorët thonë e ata e konsiderojmë veten “punëtorë të ndërmarrjes dhe pronarë të aseteve ku bëjnë pjesë 18 lokale, 4 kate zyre të bankës së Lubjlanës dhe 7ha tokë”.

“Nuk pranojmë që përmes një njoftimi të na ndërprehet marrdhënia e punës”, ka thënë Enver Morina.

 

 

“Nuk pranojmë që përmes një njoftimi të na ndërprehet marrdhënia e punës”,  Enver Morina. 

 

 

Sindikalistët thonë se nga asetet që kanë pasur në posedim u kanë paguar punëtorëve nga 100 euro në muaj.

Por AKP ka krijuar një xhirollogari të re ku nuk kanë qasje punëtorët dhe menaxhon vet asetet që kanë mbetur pa u shitur nga ish-Fabrika e Amrotizatorëve. Mjetet nga qiraja e lokaleve derdhen në Fondin e Ndërmarrjes të krijuar nga agjeencia dhe ato pritet të shiten të gjitha, ndonëse ende nuk është hapur tender.

“Në fakt, AKP ka favorizuar punëtorët pasi i ka lënë të përfitojnë nga qiraja deri në dhjetor 2011”, ka thënë zëdhënësi Kaloshi. Ata kanë marrë rreth 2 milionë euro gjatë vitit të kaluar nga qiraja që ka paguar UNMIK’u. “Tash është dashur që marrëdhënia të ndërpritet sepse ndërmarrja e vjetër më nuk ekziston”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar më parë për shitjen e lirë dhe në kundërshtim me legjislacionin të pjesëve kryesore të ish-Farikës së Amortizatorëve. Ndërmarrjes e Re “Fabrika e Amortizatorëve”Sh.P.K  i ishte shitur koorporatës “Devolli Group” për 2 milionë e 50 mijë euro. Ndërsa Ndërmarrja e Re “Ndërtesa Administrative” i ishte shirut N.P.T  Euro-Nex për 5 milionë e 100 mijë euro. (shih linkun).

Kompleksi në ndertesën adinistrative ka rreth 40,000 metra katrorë. Aty prej disa vitesh është i vendosur Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) i vili paguan 53 mijë euro në muaj qira.

Shumë avokatë të specializuar në këto lëmi dhe të kontaktuar nga Gazeta JnK nuk kanë pranuar ta interpretojnë dokumentin e AKP’së.

Avokati F.S., i cili nuk ka pranuar të flas me emër të plotë, ka thënë për gazetën se procedura e aplikuar nga nuk është aspak ligjore.

“Punëtorët nuk mund të largohen me një lajmërim, por duhet të largohen sipas vendimit i cili po ashtu duhet të jetë i bazuar në dispozitat ligjore mbi tjetërsimin e pronës shoqërore dhe duhet të përmbajë hyrjen, diapozitivin, arsyetimin dhe këshillën juridike (të cilat ky lajmërim nuk i përmban) e posaçërisht ata të cilët posedojnë asetet e veta të cilat janë edhe objekt i funksionimit të ndërmarrjes shoqërore ‘Amortizatori’”, ka thënë avokati.

Ai po ashtu ka shtuar se në bazë të ligjit të punës punëtorët për ndërprerjen e kontratës duhet të lajmërohen së paku 1 muaj më herët.

“Nuk mundet AKP-ja të lëshojë këtë lajmërim më 1 dhjetor 2011 dhe t’i njoftojë punëtorët që në të njëjtën datë ju ka ndërprerë kontrata e punës”, ka thënë Avokati F.S.

Zëdhënësi Ylli Kaloshi thotë se AKP deri më tash gjithmonë i ka njoftuar punëtorët me kohë. “Tek ky rast, agjencia ka bërë tolerime ndaj punëtorëve për shkak se ka dashur t’ua mundësojë atyre që të marrin një pjesë nga inkasimi qirasë për hapësirat e fabrikës”, ka përsëritur Kaloshi. “Njoftimi për ndërprerje i’u është dorëzuar përfaqësuesve të punëtorëve pas shpërndarjes së mjeteve”.

Përderisa avokati F.S këshillon punëtorët që të ankohen në Gjykatën Kushtetuese, Yll Kaloshi i thotë se ata dhe gjithë të tjerët që mendojnë se AKP ka bërë joligjorë mund të ankohen në dhomën e veçantë të Gjykatës Supreme.