I Rrezikohet ‘Thesari’ Miliardësh

Kishte besuar se do të bëhet miliarder nga dy minierat e blera në Kosovë nëpërmjet procesit të privatizimit. Pas pak vitesh ai është bindur se kjo ka qenë vetëm një ëndërr e bukur.

Në fundin e vitit 2007, Hysni Zogaj, pronar i kompanisë “Iming”, kishte blerë nga ish- Agjencia Kosovare e Mirëbesimit(AKM) minierat kosovare të magnezitit në Golesh dhe Strezovc për më shumë se 1.5 milionë euro, ku kishte premtuar edhe mbi 30 milionë euro investime dhe 600 të punësuar.

Katër vjet më pas Zogaj rrezikon që t’i humbas minierat e privatizuara, për shkak të dështimit në realizimin e investimeve dhe punësimeve, ashtu siç kishte premtuar më herët. Agjencia Kosovare e Privatizimit(AKP), e cila është pasardhëse e AKM-së, i ka dhënë afat deri më 15 mars 2012 që t’i përmbush këto zotime, në të kundërtën do t’ia tërheq aksionet e minierave dhe të njëjtat do t’i ritenderojë.

Zogaj  i cili për më shumë se 20 vjet punon në Kroaci thotë se nuk e ka pasur problem t’i sigurojë këto investime të premtuara, pasi që, siç thotë ai, ka nënshkruar kontratë me kompaninë kroate “1 Maji” për 112 milionë euro investime në makinerinë e nevojshme. Mirëpo, sipas tij, për të ndodhur një investim i tillë kompania kroate kërkon që t’i ketë hipotekë minierat kosovare.

“AKP qe dy vjet nuk po na lejon që t’i fusim si hipotekë minierat, prandaj nuk po mundemi ta marrim kredinë nga kompania kroate”, shprehet Zogaj, duke shtuar se kthimi i kësaj kredie do të ndodhte për një periudhë afatgjate.

Për privatizimin e këtyre dy minierave në Kosovë nga një shtetas i Kroacisë në vitin 2010 kishin shkruar edhe mediet prestigjioze kroate. 

Ato thoshin se minierat e Goleshit dhe Strezovcit disponojnë rezervat më të mëdha të magnezit në Evropë. 

“Hulumtimet tregojnë se në dy minierat gjinden 20 milionë tonë magnezit. Në vit do t’i nxjerrim 160 mijë tonë xehe, çmimi i së cilës për ton arrin në 400 euro. Kështu që do të nxjerrim xehe në vlerë prej 60 milionë euro në euro në vit, derisa në miniera gjendet xehe në vlerë prej miliarda euro”, kishte deklaruar në vitin 2010 Hysni Zogaj për mediumin kroat “Dnevnik”. 

Dy vjet më pas, Zogaj nuk është ende i sigurt nëse minierat e tij disponojmë me rezerva aq të mëdha të magnezitit.

“AKM si duket ka folur vetëm paushall për ato rezerva, pasi që për rezervat e tilla nuk na kanë dhënë ndonjë dokumentacion konkret, i cili e dëshmon një gjë të tillë”, potencon Zogaj.

Ai sqaron se deri më tash ka hasur në vështirësi të shumta në sigurimin e investimeve të nevojshme, pasi që, siç thotë ai, minierat janë plaçkitur dhe ka pasur mungesë të investimeve për më shumë se 30 vjet.

 

 

“AKM si duket ka folur vetëm paushall për ato rezerva, pasi që për rezervat e tilla nuk na kanë dhënë ndonjë dokumentacion konkret” Hysni Zogaj

 

 

Megjithatë, thotë ai, ka arritur t’i investojnë 9 milionë euro dhe 6 milionë euro të tjera investime janë në proces e sipër. Gjatë muajve mars ose prill të këtij viti pritet të fillohet edhe me prodhim. 

“Ka qenë e vështirë të pritet që pas dy vjetëve të fillojë prodhimi në ato miniera, të cilat kanë qenë të plaçkitura dhe të demoluara tërësisht”, ka thënë Zogaj.

Në anën tjetër, në AKP thonë se blerësit janë ata që nuk i kanë përmbushur premtimet për investime dhe punësim, prandaj rrezikojnë t’i humbin ndërmarrjet e privatizuara.

Zëdhënësi i AKP’së, Ylli Kaloshi, ka thënë se Bordi i Drejtorëve të këtij agjencioni në mbledhjen e fundit ka diskutuar në lidhje me këto ndërmarrje të privatizuara me spin-off special, sipas të cilës ata janë të zotuar për investime dhe punësime dhe nëse deri më 15 mars 2012 nuk i përmbushin kushtet e kontratës, atëherë do të vie deri te tërheqja e aksioneve të ndërmarrjeve. 

Ai pohon se AKP nuk ka bërë kurrfarë shkeljesh në kushtet e kontratës pas privatizimit të këtyre minierave.

Për dështimet në realizimin me kohë të premtimeve për investime dhe punësim, AKP ka aplikuar gjoba në vlerë prej rreth 8.3 milionë euro për minierën e Goleshit dhe rreth 7.2 milionë euro për atë të Strezovcit, ndonëse këto gjoba ende nuk janë inkasuar. 

AKP madje disponon edhe statistika më pesimiste se blerësi sa i përket investimeve dhe punësimeve të realizuara. 

AKP nuk ka bërë kurrfarë shkeljesh në kushtet e kontratës pas privatizimit të këtyre minierave. Yll Kaloshi

Sipas një dokumenti të auditimit të AKP-së për ndërmarrjet e privatizuara me spin-off special, deri më 10 gusht 2009, ndërmarrja “Goleshi” kishte raportuar investime në shumë prej 788 mijë euro, apo vetëm  8% të investimeve të zotuara, ndërsa punësimi është realizuar vetëm 17%. 

Ndërsa në minierën e Strezovcit, deri më 31 korrik 2009 ishin raportuar investime në vlerë prej 546 mijë euro(7% të investimeve të zotuara) dhe vetëm 30 të punësuar, apo 12% të zotimeve për punësim. 

Megjithatë, Zogaj thotë se nuk është ndalur se investuari nga ajo kohë, prandaj shprehet i bindur se pas dy muajve numri i të punësuarve në këto dy miniera do të arrijë në 350.

“Ky numër i punësimeve do të realizohet deri në mars, ose prill, kur edhe planifikojmë të fillojmë me prodhimin, pasi që synojmë të eksportojmë në tregjet e jashtme si: Gjermani, Itali, Francë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, pohon Zogaj.

Në anën tjetër, ekspertët e ekonomisë thonë se Agjencia e Privatizimit nuk i ka përcjellë ndërmarrjet pas privatizimit, prandaj, kanë dalë në sipërfaqe probleme në realizimin e investimeve dhe punësimeve nga blerësit.

“Agjencia e Privatizimit nuk e ka mbikëqyrë si duhet këtë proces, ku gjithçka ka përfunduar me shitjen e ndërmarrjes”, thekson Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”, duke shtuar se në të njëjtën kohë edhe ambienti biznesor nuk është konkurrues, prandaj blerësit e kanë të vështirë ta ringjallin ndërmarrjen.