Një Tokë, Një Popull: Një Iluzion

Takimi i dytë mes qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, i mbajtur dje në Tiranë, përveçse i karakterizuar nga një frymë e dukshme pompoziteti, vuri si emblemë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve shqipfolëse, frymën nacionaliste të stilizuar bukur.

Kjo vërehej qartazi në tavolinën e rrumbullakët me shqiponjën e zezë dykrenare në qendër të tapetit të kuq, vetë sloganin “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr” si dhe në detaje të tjera më të imta.

Ndërkohë, theksi i diskutimeve nuk la jashtë as synimin madhor të dy vendeve për të qenë pjesë e klubit europian.

Thirrjet nëntekstuale për bashkim kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë, sheqerosur me synimin e përbashkët për integrim europian, duket se janë bërë pjesë themelore e agjendës së marrëdhënieve të publikut të qeverisë shqiptare.

Shqipëria e Madhe dhe Integrimi në BE, arrijnë të shkrihen mes tyre po aq mirë sa uji me vajin. Por në komunikimin bashkëkohor nuk ka fort rëndësi nëse dy gjëra mund të jenë të papajtueshme – rëndësi ka sa mirë arrijnë të shiten dhe që në fund të fundit, do të përzihen në stomak.

Brandimi i bashkëpunimeve të tilla me simbole dhe tekste të qarta nacionaliste, më shumë se shpreh atdhedashurinë e sinqertë mes zyrtarëve të dy qeverive është një orvatje për të projektuar lart në rrethet e pushtetit, dëshirat dhe shijet e elektorateve përkatëse poshtë tyre.

Por të mos kemi iluzione: një bashkim formal mes dy shteteve ka po aq gjasa të ndodhë sa skenari që dy vendet, të arrijnë të kenë standardet e Sllovenisë në pak vitet e ardhshme. Marrëveshjet e arritura deri më tash nuk e lejojnë, komuniteti ndërkombëtar as nuk dëshiron të dëgjojë për diçka të tillë dhe asnjë prej dy qeverive nuk e beson.

Ndaj dhe deklaratat e lëvizjeve të tjera politike si Vetëvendosje në Kosovë, apo surrogati i saj, Aleanca Kuqezi në Shqipëri, e përdorin sloganin e “bashkimit kombëtar” për arsye populiste.

Është thjesht vënia në skenë e një komedie me shumë akte, ku për të eklipsuar probleme të brendshme, kryeministrat e dy vendeve – më së shumti Rama – dhurojnë spektakël kuqezi për masat. “Bukë dhe cirk” (panem et circenses) është formula cinike që përdorej për të përshkruar sundimin e perandorëve romakë për t’i mbajtur masat të kënaqura dhe larg rebelimeve.

Dhe kur buka mungon, mund të investohet më shumë në cirk. E vërteta është se marrëdhëniet e publikut kushtojnë më pak punë dhe para se investimet dhe reformat.

Një deklaratë frymëzuese para kamerave kërkon rreth dy orë përgatitje nga një skuadër prej dy-tre personash, ndërsa hartimi një strategjie të mirëfilltë zhvillimi kërkon vite dhe shumë punë, mund dhe eskpertizë të njëmendtë nga një ushtri zyrtarësh.

Marifetet me fishekzjarre për një orë që ndiqen live përmes medieve nga miliona, kushtojnë më lirë se ushqimi i një mijë personave për një muaj. Por fakti është se ajo orë do të skalitet në mendjet e popullit për qindra ditë të tëra, ndërsa bamirësia e një muaji mund të harrohet pas dy ditësh. Nuk është i gjithë faji i politikës.

Është e vërtetë se marrëveshjet dhe projektet konkrete të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës (sidomos në planin e energjisë, ekonomisë, procedurave dhe të politikës së jashtme) janë të një rëndësie të vërtetë.

Këto janë në fakt, shtyllat reale të një bashkimi kombëtar i cili ndodh në terren dhe jo në ëndrrën e pamundur të një qeverie të përbashkët me seli qendrore te tuneli i Rrugës së Kombit. Por në vend që të përqendrohet në realizimet e deritanishme dhe në sfidat konkrete dhe mundësive përpara, diskutimit i vendoset një emblemë kombëtare përsipër – heshtja si kapak floriri.

Dashuria për Shqipërinë e Madhe i ka rrënjët në projektin e Italisë Fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rrënjët aktuale të e folklorit i ka në Kosovë me “allahile-xhamadan, curle e dajre dhe qebap nacionalist”, ndërsa varianti i saj i orkestruar në nivel jo-emocional marrëdhëniesh publiku fabrikohet në zyrat e selisë së qeverisë në Tiranë.

Që kur Edi Rama i prishi terezinë homologut të tij serb Aleksandër Vuçiq në takimin e tyre të parë në Beograd, ku Kryeministri shqiptar këmbëngulte të përsëriste një e dy “realitetin e Kosovës së Pavarur”, shqiptarëve jashtë Shqipërie iu zbeh dashuria e pashpjeguar për ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe iu përndez ajo e paverifikuar për Edin.

Ky i fundit është i njëjti që kur ishte ende kryetar i Bashkisë së Tiranës, në vitin 2013, i dorëzoi Goran Bregoviqit, titullin “Çelësi i Tiranës” duke u prishur shijen qebapëve në anën tjetër të kufirit. Atëherë u akuzua si filoserb, ndonëse Edi Rama, për ata që e njohin, mund të akuzohet se thjesht nuk i bëhet fare vonë për kombin e kësi punësh.

Pas cirkut me Vuçiqin, mund të takoje shqiptarë nga përtej kufijve të Shqipërisë që thonin “shumë po më pëlqen Edi Rama”. Pa dyshim që po. Prirja babnore e këtij të fundit për t’i përfaqësuar të gjithë shqiptarët dhe për t’u parë si Kryeministri i të gjithëve, është guri i fundmë i kurorës së vizionit për të qenë një lider i lavdishëm.

Paralelisht, duke biseduar në rrugët e Prishtinës me një cigareshitës ambulant rreth të 50-ave, i diplomuar për inxhinieri dhe praktikisht i papunë, ai arsyetonte me pesimizëm mbi problemet e qenësishme të dy vendeve, duke e konsideruar realitetin e politikëbërjes në Shqipëri dhe Kosovë si “një bagël [bajgë] e ndarë përgjysmë”. “Po u bashkum’ do jetë një bagël e plotë”.

Mund të mos pajtohemi me pikëpamjen e tij, por ka një të vërtetë në ato fjalë. Për më nevojtarët në të dyja anët e kufirit, problemet reale të secilit nuk i rregullon bashkimi kombëtar, por vendimmarrja e përgjegjshme dhe politika të zbatuara mirë dhe përkatësisht.

Korrupsioni nuk luftohet duke kënduar “Xhamadani vija-vija, rroftë Rama e rroftë Salija”. Vendet punës nuk çelen me eufori nga pas kamerave kur përmenden shqiptarët e Preshevës. Kosova nuk mund të ketë regjim të lirë vizash me zonën Shengen, sepse vetëm në pak muajt e parë të 2015-s rreth 50 mijë shtetas morën arratinë në mënyrë të paligjshme pikërisht drejt kësaj zone.

Ky është faji i qeverive të saj, jo i qytetarëve, e as i Bashkimit Europian. Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e BE-së në një kohë kur krimi dhe korrupsioni ende gëlojnë nga zyrat në rrugët e saj në përmasa tronditëse. Dhe ky është faj si i qeverive, ashtu dhe i qytetarëve. Me puth flamurin është kollaj, por ta bësh të valëvitet me krenari të merituar është shumë e vështirë.

Para se shpërthejnë dashuritë e reja për politikanët e dy anëve të kufirit si shampanja në pritjet zyrtare, duhet më së pari të zgjohet vetëdija se çka nevojitet në mënyrë prioritare dhe të dobishme për shoqëritë.

Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë, si nismëtar i “Bashkimit Kombëtar 2.0”, duhet që teksa i fryn kavallit nacionalist nga bira më e madhe, të kujtohet të vërë theksin te reformat konkrete dhe sfidat aktuale të qeverisë së tij, të cilat me apo pa flamur dhe këngë, mbeten po ato. Dhe sigurisht, të legalizojë atë dreq hashashi – ndoshta produkti më i ëmbël i Nanës Shqipni në të gjitha trojet shqipfolëse dhe më tej. Ky është i vetmi iluzion që vlen të eksportohet.