Myslimani që shtroi drekën për Papën Françesk në Tiranë

Vizita e Papës Françesk në Shqipëri u transmetua gati në çdo detaj të saj nga mediat lokale e ndërkombëtare. Nuk pati moment që nuk u ndoq me vëmendje gjatë transmetimeve direkte, që nga mbërritja në aeroport në mëngjes e deri tek përshëndetja e fundit dhënë nga kryeministri shqiptar Edi Rama, kur avioni me të cilin Ati i Shenjtë po udhëtonte u ngrit në ajër për tu kthyer në Itali.

Emocionet filluam t’i ndiejmë që gjatë përgatitjeve. Dhe mëngjesi i asaj të diele ishte i bukur, gati i bekuar në qendër të Tiranës, ku për të rrallën herë ndieje kënaqësinë e të ecurit të të gjithë në këmbë. Emocione që filluan të shtonin rrahjet e zemrës me mbërritjen e Papës, përshëndetjet e tij në bulevardin Dëshmorët e Kombit, mesazhet që dha gjatë meshës dhe përkëdheljet e fëmijëve.

Por në fund të ditës, ndërsa montonim kronikat e gjithë aktiviteteve të tij, m’u kujtua se pati një periudhë, kur Papa “u shkëput” nga radarët e transmetimeve direkt. Ishte periudha e drekës, e normalisht kjo ishte koha për t’u ushqyer.

Ku e hëngri drekën Papa, kush gatoi për të?! Kjo ishte një pyetje që i parashtrova dhe bashkëshorti tim gjatë mbrëmjes ndërsa komentonim vizitën e tij. Dhe, ai si një gjysmë italian (për shkak të qëndrimit të tij 15 vite në Itali) tha se zakonisht në rrugëtimet e Papës, dreka shtrohet në vendet e kishës  dhe me siguri do të kenë gatuar “motrat”.

Për hipotezën e parë ai kishte të drejtë, por për të dytën jo.  Papës Francesk iu ofrua dreka nga një sipërmarrës mysliman i devotshëm. Kadri Morina, pronar i një kompanie sigurimi, por edhe i restorantit “Piazza” në qendër të Tiranës, shërbeu  gatimet e restorantit në ambientet e ambasades së Vatikanit në Tiranë.

Morina ka dërguar prindërit e tij në Mekë për 12 vite radhazi dhe ka ndërtuar 10 xhami të reja në fshatrat pranë vendlindjes, në veri të vendit por edhe në qendër të Shqipërisë.  Filantropia e Morinës gjithashtu ka ndihmuar në rikonstruksionin e xhamisë së E’them Beut në qendër të Tiranës për një vlerë prej 250 mijë dollarë, por edhe në restaurimin e dy kishave në Han të Hotit dhe në Mirditë.

Babai i katër fëmijëve, Morina gjithashtu ka mbështetur financiarisht kurimin e disa fëmijëve, të sëmurë me leucemi apo të aksidentuar. E ndonëse bamirësia nuk matet dot në vlerën monetare, ai vetëm për botime librash (në kulturë dhe enciklopedi)  ka financuar 15 milionë lekë.

Morina thotë se është si çdo shqiptar tjetër, të cilit i mbushen mushkëritë me frymë kur bën gjëra të mira. Kadriu nxiton të kujtojë thjeshtësinë e Papës Françesk,  i cili pas drekës fiksohet në foto me stafin e restorantit dukë dhënë shenjën ‘OK’.

Është diskutuar shumë për bashkëjetesën fetare në Shqipëri dhe vizitën e Papës Françesk në Tiranë. Në gjithë jehonën pozitive që ka rrethuar këtë vizitë puna filantropike e Kadri Morinës zë vendin e saj.