Reagim i Dervish Tahirit ndaj shkrimit “Biznesmenët që Përfituan Gjatë Pushtetit të Pal Lekajt”

Tahiri prentedon që ky shkrim ka “etiketuar pa bazë” atë dhe miqtë e tij Zeqir Haxhija dhe Ismet Ahmeti.

“Unë Dervish Tahiri në emër timin dhe të shokëve Zeqir Haxhija dhe Ismet Ahmeti të etiketuar pa bazë në artikullin e gazetarëve Jeta në Kosove shpreh keqardhje për nivelin e tyre dhe rënien në një grackë nga informimet e pabaza lidhur me akuzat mbi keqpërdorimet gjatë qeverisjes së ish-kryetarit më të suksesshëm të të gjitha kohërave të komunës së Gjakovës,  dr Pal Lekajt”, shkruan ai në reagimin drejtuar Gazetës Jeta në Kosovë.

“Unë Dervish Tahiri dhe Zeqir Haxhija jemi pronarë të kompanisë “D&Z” Sh.p.k Mejë – Gjakovë dhe dihet mirë se Ligji mbi Korporatat jep të drejtën se me formimin e bordit pranë kompanise dhe emërimin e Drejtorit, i cili eshte person përgjegjës pranë kompanisë si pronar, lirohemi nga të gjitha përgjegjësitë në corporate, andaj ju në asni mënyrë nuk e keni pasur këtë të drejtë që të dramatizoni këtë çështje mbi etiketimin tonë,  duke pasë parasysh se asnjëri nga ne nuk jemi Drejtor në kompani”, shton ai.

Reagimin e plotë mund ta lexoni këtu, ndërsa më poshtë mund të gjeni përgjigjen e redaksisë.

Përgjigje në reagimin e Dervish Tahirit

Artikulli “Biznesmenët që Përfituan Gjatë Pushtetit të Pal Lekajt”, ka të gjetur kryesore faktin që objekti i ndërtuar nga Dervish Tahiri, Zeqir Haxhija dhe Ismet Ahmeti në Gjakovë është legalizuar pa pasur bazë ligjore dhe këtë nuk e konteston autori i reagimit.

Objekti është legalizuar më 2008 kur nuk kishte bazë ligjore, ndërsa Ligji për Legalizim ka hyrë në fuqi më 26 dhjetor 2013.

Kjo është konfirmuar nga Ministria e Mjedisit, sipas së cilës pritet që muajve në vazhdim të nisë edhe procesi i legalizimit të objekteve pa leje.

Po ashtu, në vendimin për legalizim nuk përmendet asnjë bazë ligjore, pasi që në atë kohë nuk ekzistonte fare. (shih vendimin)

Tutje, Tahiri në reagimin e tij ka konfirmuar që është një ndër pronarët, ashtu siç theksohet në shkrim, por është ankuar pse gazeta nuk është marrë me drejtorin ekzekutiv. 

Gazeta ka kontaktuar personat kryesorë që janë pronarët e kompanisë dhe përderisa pronarët kanë pranuar të deklarohen për media në emër të kompanisë, këto deklarata kanë mjaftuar për të sqaruar faktet e gjetura. 

Më pas, Tahiri në reagimin e tij përmend çështjen e lejen së punës dhe raste të tjera të tenderëve publikë, të cilat gazeta nuk i ka trajtuar fare dhe nuk do të lëshohet në komentim të tyre.

Po ashtu, sa u përket të gjeturave të auditorit, ato janë marrë nga raportet e Auditorit të Përgjithshëm dhe mund të lexohen këtu dhe këtu, mirëpo ato nuk kontestohen fare nga Tahiri, andaj gazeta nuk e sheh të arsyeshme të ofrojë sqarime shtesë. 

Sa i përket lokacionit të kompanisë, gazeta në përshkrim të kompanisë shkruan se ndodhet në drejtim të Deçanit, gjë që është përmirësuar në tekst menjëherë.

Nëse pronarët pretendojnë që në shkrim ka shkelje etike apo ligjore, gazeta i fton ata t’u drejtohen organeve relevante.

Me respekt,

Redaksia e Gazetës Jeta në Kosovë