Letra e Gjyqtarëve të EULEX-it Që Nuk Duan Të Jenë Vartës Të Vendorëve të Ndikuar nga Politika

I nderuari Shef i Divizionit Ekzekutiv,

Qytetari i thjeshtë i Kosovë e ka përshtypjen se sistemi vendor i gjyqësisë nuk është as plotësisht i pavarur e as i paanshëm; se sistemi gjyqësor shumë shpesh i shërben të pasurve dhe atyre me lidhje të forta dhe se disa persona janë thjeshtë të ‘paprekshëm’. Me keqardhje duhet të themi se këto përshtypje nuk janë pa bazë.

Përderisa Këshilli Gjyqësor i Kosovës është duke u munduar që të theksojë pavarësinë e gjyqtarëve, realiteti është se tensionet politike, etnike dhe sociale krijojnë presion mbi gjykatësit që bëjnë kompromis me pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre. Shembull i qartë i kësaj është nxitja publike nga disa politikanë të profilit të lartë  në rastet e krimeve të luftës. Më tutje, në disa komunitete ekziston përshtypja se ata nuk kanë qasje  dhe janë të lënë anash nga sistemi vendor i gjyqësisë. Situatat e tilla – reale apo të perceptuara – krijojnë mjedis në të cilin paqja dhe stabiliteti nuk do të mbizotërojnë.

Ne, si gjykatës të EULEX-it, e pranojmë faktin se, herët ose vonë, gjyqësia vendore duhet ta marrë përgjegjësinë dhe pronësinë për rastet e ndjeshme tani të trajtuara nga gjykatësit e EULEX-it. E kemi fjalën për rastet e krimeve të luftës në veçanti, korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar – veçanërisht rastet kur bëhet fjalë për të pandehur të profilit të lartë. Megjithatë, brenda vet sistemit vendor të gjyqësisë ekziston përshtypja se gjykatësit vendorë momentalisht nuk janë në gjendje t’i trajtojnë këto raste me efikasitet. Disa gjykatës vendorë hezitojnë të gjykojnë në raste të tilla – veçanërisht në rastet e krimeve të luftës me të pandehur shqiptarë – për shkak të presioneve sociale e politike me të cilat padyshim se do të ballafaqohen.

Duke qenë se kemi punuar me sistemin gjyqësor vendas që nga 2008, besojmë se nuk kemi arritur akoma në fazën kur rastet e ndërlikuara dhe sensitive, siç janë krimet e luftës, raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar të barten nën përgjegjësinë e vendorëve. Kalimi nga panelet ndërkombëtare te ato vendore do të duhej të vinte gradualisht e të ishte më i definuar, duke arritur kështu krijimin e indikatorëve substancial dhe jo të diktuar kryekëput nga politika.

Progres substancial është arritur tashmë. Prania e BE-së në Kosovë ka potencial të shërbejë si shembull i mirë i intervenimit dhe asistencës ndërkombëtare në vend. Do të ishte mëkat sikur sukseset dhe arritjet e EULEX-it të hidheshin poshtë me një ikje të nxituar ose të papritur. Kalimi gradual i kompetencave tek vendorët është esencial nëse ne shtyjmë përpara besimin në administratën gjyqësore.

Populli i Kosovës ka besim në ndershmërinë dhe drejtësinë e gjykatësve të EULEX-it në rastet gjyqësore të ndjeshme të cilat kryhen pa frikë ose pa kryerjen e ndonjë favori të caktuar.

Me shumë respekt kërkojmë nga ju të zgjoni vëmendjen e shefit të këtij misioni në mënyrë që të sigurohet që strategjia të shkojë në vendin e duhur duke ruajtur kështu mandatin e gjykatësve të EULEX-it për krime të luftës, korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Letra e gjykatësve ndërkombëtarë, e datuar me 22 janar, është e nënshkruar prej gjithë gjyqtarëve ndërkombëtarë të EULEX-it, duke përfshirë: Hajnalka Karpatin, Annemarie Meister-in, Malcom Simmons-in, Tore Thomassen-in, Timo Vuojolahti-n, Bertil Ahnborg-un, Franciska Fiser-in, Mariola Pasnik-un, Anna Adamska-Gallant-in, Arkadiusz Sedek-un, Jorge Ribeiro-n, Piotr Bojarczuk-un, Vladimir Mikula-n, Marie Tuma-n, Vitor Pardal-in, Manuel Soares-in dhe Darius Sielitsky-n.