Një tragjedi shqiptare

Pse festohet 29 nëntori në Tiranë si ditë e “çlirimit” nga pushtimi nazist? Gjermanët u larguan nga Shqiperia jo sepse u mundën nga komunistët, por sepse në përpjekje për t’u mbrojtur nga sulmet Aleate në Gjermani prezenca e tyre kërkohej atje. Vështirë të quhet “çlirim” tërheqja vullnetare e një superfuqie ushtarake të kohës.

Por si me disa relikte tjera të komunizmit, edhe me 29 nëntorin Shqipëria nuk ka arritur ende të shkëputet. Kam përshtypjen që kjo festë, e lënë në hije vetëm falë ditës së bukur të 28 nëntorit, për dikë është më shumë shfaqje publike e nostalgjisë së fshehur për regjimin e tmerrit se sa gëzim për largimin e një pushtuesi.

Është shokuese që ende ka përkrahje pasive për Enver Hoxhën. Në Kosovë ekziston një shoqatë që merret me “kultivimin e veprës” së tij. E nëse mendoni që ata i përkasin një ekstremi, atëherë shikojeni sa vëmendje marrin në media çdo vit. Jo si një grupim neo-nazist, të cilit i ngjajnë, por si një nga ngjarjet interesante që vlen të publikohet.

Për mendimin tim, përkrahja pasive për Hoxhën ekziston për dy arsyeje kryesore: injorancën historike në lidhje me atë që ka ndodhur me të vërtetë në Shqipëri si dhe sinjaletsporadike nacionaliste të Hoxhës të cilat kanë ngjallur simpati për të.

Sa i përket të parës, edhe pse shumica e dijnë që regjimi komunist në Shqipëri ka kryer krime, jo të gjithë e kanë të qartë natyrën e këtyre krimeve. Veçanërisht në Kosovë, një pjesë mendon që Hoxha ka qenë i ashpër por që arsyet për të cilat i ka përndjekur njerëzit kanë qenë të pranueshme. Një mendim i tillë vërehet kurftohet “ringjallja” e tij për t’i luftuar dukuritë e shëmtuara dhe kriminsot.

Në realitet, pjesa dërrmuese e viktimave të komunizmit ishin njerëz të pafajshëm, të përndjekur, burgosur e vrarë vetëm sepse regjimi i pa si pengesë. Edhe ata që nuk tentuan fare ta kundërshtojnë regjimin u vranëvetëm pse nuk u angazhuan për instalimin e tij. Kurse disa që u angazhuan me shumë zell duke bërë krime makabër, si Koçi Xoxe dhe Mehmet Shehu, u vranë gjithashtu sepse Hoxha i pa si kërcënimndaj pushtetit të tij.

Në periudhën e sundimit komunist në Shqipëri (1944-1990) u ekzekutuan politikisht dhe vdiqën nga torturat në burgje mbi 6,482 persona.Mbi 28,777 u burgosën e u torturuan në mënyrat më mizore kurse rreth50,000 u internuan e debuan.

Kështu e përshkruan Albert Lulushi fushatën e terrorit komunist në librin e tij të shkëlqyeshëm Operation Valuable Fiend: “Ushtria 70,000-anëtarëshe partizane që doli nga lufta u lëshua në ndjekje të elementeve anti-komuniste dhe përkrahësve të tyre në fshatra. Mehmet Shehu […] i koordinoi operacionet e spastrimit. […] Një grup tjetër […] që përjetoi trajtim të ashpër ishte kleri katolik. Nga 7 peshkopë dhe kryepeshkopë që Shqipëria kishte në vitin 1944, vetëm njëri mbeti i gjallë në një kamp koncentrimi […]”.

E gjithë kjo pa përfshirë dëmin ekonomik që komunizmi ia shkaktoi popullit:varfërinë, urinë, e izolimin. Elita komuniste rronte në luks mbi kurrizin e standardit mizor të jetesës nga i cili Shqipëria nuk po mund të zgjohet as sot pas gati një qerek shekulli.Duke rikujtuar këtë histori të hidhur është vështirë të kuptohet se a ishte kriminel më i madh Millosheviqi apo Hoxha që ia bëri këtë popullit të tij.

Sa i përket arsyes së dytë: po aq të lajthitur janë edhe ata që mendojnë se Hoxha ka qenë nacionalist. Gjatë sundimit të tij, Hoxha u shtir në momente të caktuara se është nacionalist për t’i fshehur ambiciet e tij personale apo për të fituar sadopak përkrahje.

Për shembull, Hoxha iu kundërvye me ton të ashpër nacionalist kërcënimeve greke ndaj jugut të Shqipërise. Jo sepse ishte i interesuar ta ruaj integritetin territorial të vendit, por sepse ishte i interesuar ta ruajkontrolline tij mbi vendin.E ngjashme ishte shumë vite më vonë përkrahja e Hoxhës për protestat studentore ’81 në Kosovë, për të cilat natyrisht nuk bëri asgjë.

Në vitin 1947 Hoxha deklaroi në mbledhjen e Byrosë Politike të Partisë Komuniste: “Duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin de fakto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat […] se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur  dhe  aq më pak të ndërtojë socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë”. Kjo deklaratë mund të nxisë hamendje vetëm tek ata qënuk e dijnëse Partia Komuniste në Shqipëri ishte vasale e plotëe asaj Jugosllave, e formuar nga agjentët serbë Dushan Mugoshae Milladin Popoviç.

Kur në Mbledhjen e Mukjes në vitin 1943 komunistët u pajtuan me kërkesën e Ballit Kombëtar që Kosova tëvendosë me referendum bashkimin me Shqipërinë, agjentët serbë reaguan menjëherë dhe ashpër.Ata kërkuan nga Hoxha që ta shkelë marrveshjen dhe t’i luftoj Ballistët kudo.Hoxha ishte i dëgjueshëm. “Për çdo 100 plumba që ne [Aleatët] ua dërgonim komunistëve”, shkruan Julian Amery nëSons of the Eagle, “90 u shkrepnin kundër shqiptarëve”.

Veçanërisht treguese që Hoxha ishte anti-nacionalist është vrasja e ftoftë e vëllezërve Kokalari nga Tirana, për të vetmin faj që shtëpia e tyre botuese kishte publikuar një pamfletë që thoshte se Kosova është djepi i nacionalizmit shqiptar. Motra e tyre Musine, shkrimtarja e parë femër shqiptare, u hodh në gjyq kur nënshkroi një memorandum që kërkonte pjesëmarrjen e partive tjera politike përveç asaj komuniste në zgjedhjet e pas-luftës. Ajo u rrah publikisht jashtë gjyqit përderisa rojet shikuan duarkryq dhe më pas u dënua 20 vite në burgun e famëkeq të Burrelit.

Afër përfundimit të luftës, komunistët e Hoxhës i kapën shqiptarët që kishin luftuar kundër partizanëve jugosllavë (si vëllezërit Kryeziu) dhe i dorëzuan tek jugosllavët për internim dhe ekzekutim. Tragjike në veçanti është Masakra e Tivarit në të cilën partizanët jugosllavë marshuan në këmbënga Prizreni në Tivar afër 2,000 shqiptarë të ç’armatosur dhe pastaj i ekzekutuan. Hoxha nuk bëri asgjë ta ndalonte rrugëtimin e tyre nëpërmes Shqipërisë.

Natyrisht, me hapjen e dosjeve, temë e cila është rikthyer për diskutim, do të mësojmë më hollësisht për krimet e komunizmit. Por edhe pas të gjitha këtyre, përkrahësit pasiv të Hoxhës sot ende thonë për atë periudhëqë “nuk ishte edhe aq keq”.

Për fat të mirë, në klimën gjeopolitike bashkëkohore një regjim i tillë nuk mund të lindë prapë. Megjithatë, 29 nëntori nuk duhet të jetë festë por moment për të reflektuar mbi krimet e komunizmit. Kurse çlirimi le t’i mbetet mendjeve të errëta që ende strehojnë barbarizmin.