Gratë - Viktimat e Përhershme

(vijon nga e hëna e kaluar)

Mbase, asgjë. Riaktualizimi i kësaj çështjeje dhe kërkesa për drejtësi i drejtohet Kombeve të Bashkuara, ndoshta pse vet në Kosovë has në vesh të shurdhët. Problemi i peticionit ndërlidhet me mënyrën se si viktimat e përdhunimit gjatë luftës në Kosovë janë përfaqësuar deri më sot. Në avarinë e mungesës së fakteve dhe emocioneve të fuqishme që ndërlidhen me turpin dhe nderin, çështja e viktimave të dhunës seksuale del në pah, por assesi vet ato dhe ata.  Është absolutisht e nevojshme të njihet statusi dhe të zbardhen rastet e viktimave të dhunuara seksualisht, por është vështirë të injorosh se si në ri-aktualizimin e kësaj çështje viktimat e përdhunuara vazhdojnë të damkosen nga ata njerëz që marrin rolin e përfaqësimit të një grupi pa zë. 

Shembull këtu është edhe puna, padyshim qëllim-mirë e artistes Eliza Hoxha, e cila në maj të këtij viti organizoi një ekspozitë multimediale për të “thyer heshtjen e dyfishtë”, siç e quan ajo, të grave të dhunuara. Përderisa qëllimi i Hoxhës është fisnik, është problematike se si Hoxha pretendon se then heshtjen për to. 

Problemi këtu qëndron, që heshtja nuk thyhet nëse një artiste e vetme del dhe potencon se gratë në Kosovë nuk mund të tregojnë që u përdhunuan për shkak të stigmës shoqërore dhe leçitjes eventuale nga familja. Tek video-instalacioni i Hoxhës, problemi qëndron në faktin që prapëseprapë, viktimat mbesin të heshtura. Fytyrat e tyre nuk shihen dhe zëri i tyre nuk dëgjohet. Asnjë grua e dhunuar nuk doli ta thente heshtjen pas Hoxhës. Me këtë mënyrë të paraqitjes, ato dhe ata mbesin viktima të përhershme, e jo persona që kanë mbijetuar, jo njerëz dhe qytetarë që kërkojnë drejtësi në mënyrë publike – pa turp dhe pa frikë nga shoqëria që i rrethon. 

Që të ketë përfaqësim që rezulton në faktorizimin shoqëror dhe politik të tyre, duhet të ekzistojë një vet-organizim i viktimave, me përkrahje të vazhdueshme të organizatave avokuese dhe figurave të rëndësishme – sikur në rastin e Shoqatës së Grave Viktima në Bosnje, e cila lufton me vite të tëra për të drejtat e viktimave të përdhunimit gjatë luftës. 

Ato nuk janë viktima në kuptimin patetik që shpesh përdoret në Kosovë për t’i përshkruar viktimat, ato janë aktiviste që luftojnë për të drejtat e tyre, pa turp – në sferën publike.  Kjo tendencë në Kosovë për t’i parë viktimat e përdhunimit në një dritë patetike është e rrezikshme, meqë redukton njerëzinë dhe guximin e tyre. Shembull konkret është teksti i këngës së Hoxhës, “Kënga e Heshtjes”, i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes, por që me retorikën e vet zhveshë viktimën tërësisht nga mundësia e rekuperimit dhe e redukton në “një trup [të] pa shpresë”, qenie të pambrojtur dhe të dobët – që në radhë të parë, ka nevojë për keqardhjen tonë, e jo vepra dhe përkrahje konkrete.

Për më tepër, ky lloj viktimizimi simbolik duket se i ndodhë vetëm grave. Gati natyrshëm ndodhë të rrëshqasim nga ‘viktimat e dhunimit seksual’ në ‘gratë e përdhunuara,’(vë re, ato s’janë gra që mbijetuan përdhunimin, apo që u përdhunuan – por të përdhunuara)  ndonëse djem të rinj dhe burra po ashtu u dhunuan gjatë luftës në Kosovë. Kjo ndodh për shkak se në diskursin mediatik, politik dhe të përditshëm viktimat seksuale janë shënjuar gjithnjë si gra, pa dyshim ngase pjesa më e madhe e këtyre viktimave kanë qenë vërtetë vajza dhe gra. Por, kjo ndasi gjinore ka shpier përfundimisht në “ndarjen e punës” në luftë: burrat kanë luftuar, gratë janë dhunuar. 

Brenda kësaj logjike përfundon edhe projekti i deputetes Alma Lama, e cila është duke shtyrë përpara ndërtimin e monumentit përkujtimor, “Heroinat”, i cili ka për qëllim të përkujtojë kontributin e grave gjatë rezistencës së shqiptarëve ndaj Serbisë. Monumenti është i dizajnuar t’i ngjasojë fytyrës së një  gruaje dhe është i përbërë prej 20,000 medaleve, të cilat simbolizojnë 20,000 gra të dhunuara. 

Në këtë mënyrë i tërë kontributi i grave reduktohet jo në trimërinë e tyre, jo në përpjekjet e tyre gjatë sistemit paralel, gjatë protestave, dhe luftës së armatosur, por në të qenit viktima të përdhunimit. Në një qytet ku gratë që kontribuan në luftë nuk përmenden as në emra të rrugëve, e as nuk u ngriten buste, ky monument murosë idenë se gratë paskan qenë vetëm viktima: ato janë përndjekë e dhunuar, por kurrsesi s’kanë pasë agjenci për të luftuar me bashkëkombasit e tyre. Në nivel të thashethemeve, “dihet” edhe për gra të cilat kanë qenë të përdhunuara nga forcat serbe dhe kanë shërbyer në UÇK. Pse të zvogëlohet një luftë e tërë e një gruaje në përdhunimin e saj? Fundja, një ushtari të UÇK-së i cili mund të ketë qenë i përdhunuar gjatë luftës, nuk do i ngritej monument përkujtimor për të qenit viktimë, por aktor në luftë. 

Të kthehemi përfundimisht tek peticioni: një iniciativë për të gjetur kriminelët dhe për t’i dënuar ata është akt i drejtë dhe i nevojshëm. Një peticion drejtuar Kombeve të Bashkuara, organet e të cilës kanë dështuar dukshëm në shumë aspekte gjatë misionit të tyre në Kosovë, është aq i kotë sa një çirrje nën ujë. 

Por, politikisht është akt shumë i dobishëm. Në qoftë se dështon peticioni, apo në qoftë se nxjerr në pah disa fakte të hidhura, faji mund të hidhet tek Kombet e Bashkuara. Në qoftë se peticioni është ‘i sukseshëm’ dhe nxirren vetëm fakte për përdhunimet e grave shqiptare nga forcat serbe, atëherë kjo do të përbëjë një fitore simbolike – meqë institucionet e Kosovës kanë bërë shumë pak për të dërguar fakte mbi përdhunimet tek organet ndërkombëtare të drejtësisë për Ballkanin, sikur Tribunali në Hagë, dhe nuk e kanë vlerësuar si të nevojshme që të kushtëzojnë bisedimet me Serbinë me hulumtimin dhe dënimin e krimeve të luftës. 

Në këtë kontekst, peticioni është një “gjest ngushëllues” për viktimat, përderisa institucionet vendore mundohen të largojnë nga vetja përgjegjësinë për të njohur, hetuar dhe dënuar të gjitha krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë, pa përjashtim. 

(FUND)