Problemi i Peticionit për Gratë e Dhunuara gjatë Luftës

Ka dy javë që në Prishtinë po mblidhen nënshkrime për një peticion me të cilin do t’i bëhet presion Organizatës së Kombeve të Bashkuara që t’i hulumtojë përdhunimet që kanë ndodhur gjatë luftës së vitit 1999. Peticioni është i mbështetur nga disa figura të rëndësishme kosovare, veçanërisht nga zëvendës kryeministrja në largim Edita Tahiri.

Në qoftë se çdo gjë shkon sipas planit, Kombet e Bashkuara do të dërgojnë hulumtues në Kosovë në mënyrë që të përpilojnë një raport mbi dhunimet që kanë ndodhur gjatë luftës. Edhe pse qëllimmirë në shikim të parë, peticioni është një lloj kamuflimi i mungesës së veprimit dhe përkrahjes së viktimave nga institucionet e Kosovës që nga përfundimi i luftës. 

Shifër e stërpërdorur dhe e padëshmuar

Përbrenda Kosovës ende nuk është bërë një hulumtim serioz mbi rastet e përdhunimit gjatë luftës. Numri i supozuar i përdhunimeve, 20.000, përsëritet shpesh nga politikanët që mbështesin peticionin dhe thyerjen simbolike të heshtjes – por ky numër nuk është dëshmuar asnjëherë. Kjo shifër ka hyrë në diskursin kosovar në bazë të një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSh), i publikuar në janar 2000, ku jepet një llogaritje e përafërt e rasteve të menduara të përdhunimit në bazë të të dhënave të ofruara nga OJQ-të vendore. Raporti gjindet këtu dhe thotë, “Organizatat vendore llogarisin se përafërsisht 10,000 deri në 20,000 gra janë përdhunuar midis shkurtit 1998 dhe qershorit 1999”. 

Një raport tjetër mbi përdhunimet që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë u botua disa muaj më vonë nga Human Rights Watch. Ky i fundit nuk jep një llogaritje definitive të numrit total të përdhunimeve që kanë ndodhur gjatë luftes, duke thënë që ndonëse janë gjetur 96 raste kredibile, “numri aktual sipas të gjitha gjasave është shumë më i lartë”. Edhe pse llogaritja e OBSh-së është bërë në një kohë shumë kaotike, shifra prej 20,000 ka vazhduar të përdoret si përllogaritje e përdhunimeve që kanë ndodhur gjatë luftës dhe asnjëherë nuk është rishikuar. 

Dështimi i institucioneve lokale dhe ndërkombëtare

Duket joefektive që të kërkohet një analizë e tillë nga Kombet e Bashkuara, kur ekzistojnë mekanizma shtetërorë dhe misioni i EULEX-it për të hetuar dhe dokumentuar rastet e përdhunimit gjatë luftës. Instituti i Krimeve të Luftës, i cili është themeluar në vitin 2011, akoma nuk ka publikuar asnjë hulumtim apo raport mbi krimet e bëra gjatë luftës së vitit 1999. Në këtë kontekst, kërkesa për të ftuar Kombet e Bashkuara për të hulumtuar krimet e bëra gjatë luftës në Kosovë është absurde, përderisa institucionet vendore (që punojnë në kuadër të qeverisë së cilës i ka takuar Tahiri) të cilat duhet të merren me mbledhjen e të dhënave mbi krimet e luftës nuk kanë bërë asnjë hap më tutje në gjetjen e fakteve nga ajo periudhë.

Në mënyrë që të ketë drejtësi të vërtetë, Kosova dhe Serbia duhet të kenë një marrëveshje ekstradimi. Në qoftë se shumica e përdhunuesve supozohet të jenë ushtarë dhe paramilitarë serbë, drejtësia do të jetë e pamundur përderisa ata nuk paraqiten para një gjykate, qoftë kosovare, qoftë ndërkombëtare. 

Ekstradimi i përdhunuesve të dyshuar ka mundur të jetë  pjesë e bisedimeve Kosovë-Serbi, ku vet Tahiri ishte kryenegociatore, dhe në praktikë do të ishte njëra prej gjërave më të dobishme që mund të jetë bërë në favor të viktimave të luftës. 

Në këtë aspekt, fokusi tek prodhimi i një raporti është i kotë, nëse nuk rezulton në dënim për përdhunuesin dhe dëmshpërblim për të përdhunuarin apo të përdhunuaren. Një raport i cili pas botimit vetëm do të mblidhte pluhur në sirtar, nuk kontribuon shumë në zgjidhjen e çështjes. Nuk është e qartë se çfarë ndodh pas raportit – nëse fare ekziston ndonjë plan për fazën e pas publikimit të edhe një raporti tjetër mbi krimet e bëra në Kosovë.

Nuk duhet harruar edhe fakti që Kombet e Bashkuara kanë pasur një mision të vetin në Kosovë, me fuqi ekzekutive mbi policinë, prokorurinë, dhe gjyqësinë e Kosovës, nga viti 1999 deri më 2008. Derisa UNMIK-u ishte në fuqi, nuk u krijua asnjë dhomë e posaçme për trajtimin e krimeve të luftës dhe shpeshherë rastet zhagiteshin në mënyrë të pajustifikueshme –  ose madje nuk hulumtoheshin fare, sikur në shumë raste të personave të zhdukur (dokumentuar vitin e kaluar në këtë raport të ashpër nga Amnesty International). 

Për më tepër, aktviste që kanë mbledhur të dhëna mbi këto raste menjëherë pas luftës dhe i kanë dorëzuar ato tek UNMIK-u, e akuzojnë këtë të fundit për shkatërrim të dëshmive. Pas tërë kësaj historie të hidhur, a mbetet që Kosova prapë të mbështetet në organet e Kombeve te Bashkuara për drejtësi?

Drejtësi selektive?

Supozohet se me anë të këtij peticioni do të zbardhen raste të përdhunimeve të grave shqiptare nga ushtarë dhe paramilitarë serbë. Por çka nëse del që ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë përdhunime po ashtu? Apo, nëse dokumentohen edhe raste të përdhunimeve të burrave? A është shoqëria jonë e gatshme të dënojë përdhunuesit shqiptarë? 

Përderisa peticioni po diskutohet dhe përkrahet, nuk ka reagime të ngjashme ndaj rastit të kidnapimit, përdhunimit dhe rrahjes brutale të dy grave shqiptare nga ushtarë të UÇK-së gjatë luftës. Përkundrazi, në vend të përkrahjes së viktimave, organizohen protesta për lirimin e të dyshuarve – të cilët, si luftëtarë lirie, nuk mund të kenë bërë krime të tilla. Rasti i udhëhequr nga EULEX, ishte nisur nga kryeprokurori i atëhershëm Maurizio Salustro, i cili tani është këshilltar i zëvendës kryeprokurorit për krime lufte në Beograd, duke i dhënë edhe më shumë municion deklaratave se akuzat kundër anëtarëve të UÇK-së janë ‘propagandë serbe’. Çfarë protestash do të ndodhin nëse ky raport ndërkombëtar do të  dokumentonte raste të përdhunimit nga ana e UÇK-së? Apo përdhunimi qenka krim vetëm kur bëhet nga një armik i jashtëm?

Është ironike që në diskursin publik, drejtësia për personat e përdhunuar gjatë luftës ka fituar aq përkrahje, përderisa shoqëria kosovare vazhdon të jetë tmerrësisht patriarkale dhe përdhunimet që ndodhin si rezultat i dhunës familjare nuk konsiderohen si çështje urgjente. Fakti që asnjë grua e përdhunuar nuk ka pranuar (apo mbase nuk është ftuar) që të jetë fytyrë publike e peticionit për drejtësi për personat e përdhunuar gjatë luftës është brengosëse. 

Nuk duhet të harrojmë se gjatë debatit për futjen e personave të përdhunuar si kategori e veçantë në ligjin për statusin dhe të drejtat e viktimave civile dhe jo-civile të luftës, disa prej kundërshtuesve më të mëdhenj e të zëshëm ishin deputetët shqiptarë të Kuvendit. 

Arsyetimet bazoheshin në bindjen e tyre se mund të ketë gra që do të gënjenin se ishin të përdhunuara në mënyrë që të përfitonin nga ndonjë pension; se nuk kishte mënyrë që të vërtetohej përdhunimi i tyre nëpërmjet një ekzaminimi mjekësor; dhe se nuk kishte buxhet të mjaftueshem shtetëror për t’i përkrahur ato. Debati i flaktë në parlament jo vetëm që zgjoi kundërthënie në kuvend po edhe jashtë tij. Nazlie Bala nga Lëvizja Vetëvendosje, njëra nga aktivistet që përkrahte ndryshimin e ligjit, madje u sulmua fizikisht. Pra, vetëm një vit më parë jo vetëm që një iniciativë për njohjen e statusit të viktimave të dhunuara nuk gjente përkrahje, por sulmohej si njollosje e luftës dhe nderit kombëtar. Ç’ndryshoi?

(Të hënën e ardhshme, vazhdimi i dytë: Pse asnjëherë nuk u thye heshtja e grave të dhunuara? Ku qëndron problemi me spotin e Eliza Hoxhës dhe memorialin „Heroinat“ të Alma Lamës? Pse të shpresohet në OKB, nëse UNMIK, gjatë viteve 1999-2008, nuk ka bërë asgjë për ta adresuar çështjen e grave të dhunuara gjatë luftës?…)